Lajmet

​Mirëpritet marrëveshja për targa, kërkohet dinamizmi i procesit të dialogut

Pala kosovare dhe ajo serbe dje në Bruksel arritën marrëveshje për targa.

Published

on

Marrëveshja për targa e arritur mbrëmë po mirëpritet nga njohësit e dialogut Kosovë-Serbi, megjithatë kërkojnë që të dinamizohet procesi i dialogut për arritjen e marrëveshjes finale.

Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike(GLPS), Arbër Fetahu, thotë se dakordimi për targa vjen në moment të rëndësishëm, pasi në tavolinën e diskutimit është plani franko-gjerman, ku ekziston barazia apo njohja de-fakto ndërmjet shteteve.

“Marrëveshja që u arrit mbrëmë për targa, ky lloj dakordimi që po quhet për targa vjen në një moment të rëndësishëm për dialogun. Kemi në tavolinë publikisht një propozim nga Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Franca dhe Gjermania që mëton të zgjidhë problemin mes Kosovës dhe Serbisë në një marrëveshje për normalizim, i cili ka disa pika dhe njëra ndër to është edhe një lloj barazie ndërmjet shteteve, apo njohje de-fakto për aq sa është parë në publik. Në këtë drejtim konsideroj se dakordimi i arritur mbrëmë është në funksion të dinamizimit të procesit, apo vazhdimit të negociatave bazuar në këtë propozim të BE-së dhe mbështetur nga ShBA-ja”, thotë ai.

Megjithëse e mirëpret arritjen e marrëveshjes, analisti politik Artan Muhaxhiri thotë se nuk ka qenë i nevojshëm “spektakli politik” i kryeministrit Albin Kurti gjatë kësaj jave. Sipas tij, marrëveshja e arritur mbrëmë nuk është që dallon nga ajo e së hënës, ku Kurti ishte në takim me presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

“E gjithë kjo performancë politike, ky spektakël nuk ishte aq i nevojshëm, pasi në fund arritëm në një pikë e cila nuk është larg fillimit. Nuk ishte ndonjë ndryshim shumë të madh në deklaratën përmbyllëse në marrëveshje. Duket se përfitimet nuk janë aq të mëdha nga eskalimi i situatës, acarimi i raporteve dhe nga një leksion i cili nuk do të mund të përsëritet më. Ai i krijimit të problemeve, aty ku realisht është një situatë e cila nuk do të duhej të ishte e tillë”, thekson Muhaxhiri.

Në anën tjetër, Fetahu nga GLPS thotë se në bazë të analizës që ia kanë bërë marrëveshjes, Kosova do të heqë dorë nga gjobitja për targat ilegale, kurse Serbia është pajtuar të mos lëshojë më targa KM.

Sipas tij, në ujdi përmendet edhe angazhimi i palëve për planin franko-gjerman për dialogun, si dhe implementimin e marrëveshjeve nga e kaluara, rrjedhimisht edhe formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nga ajo çka analizuam dhe u diskutua edhe sot është se çështja qëndron se normalizimi i marrëdhënieve apo marrëveshja e madhe për normalizim dhe plani franko-gjerman do të jetë pjesë substanciale e diskutimeve në muajt të vijim… Kosova hoqi dorë nga një qëndrim i saj që ishte gjobitja apo largimi i të gjitha targave ilegale dhe vendosja në RKS. Po ashtu, edhe Serbia bëri një lloj koncesioni për të mos lëshuar targa me KM. Në këtë drejtim një lloj shtensionimi në terren ka ndodhur me dakordimin e mbrëmshëm”, shton ai.

Pala kosovare dhe ajo serbe dje në Bruksel arritën marrëveshje për targa. Kryenegociatorët e dy shteteve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq pas disa orë negociata në Bruksel arritën ujdinë, në ditën e fundit të afatit shtesë për marrëveshjen mbi targat, para se Kosova të fillonte dënimin e shoferëve me targa ilegale në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot në Kuvend se me dakordimin për targa nuk është cenuar kurrfarë substance e shtetit të Kosovës.

Lajmet

Parandalohet kontrabandimi i mallrave në brezin kufitar me Maqedoninë e Veriut

Published

on

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas Policisë, më 9 shtator është ndaluar një automjet pa targa, i cili dyshohet se po transportonte mallra të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut. Automjeti drejtohej nga një person mashkull kosovar.

Gjatë kontrollit janë gjetur mallra të ndryshme, përfshirë susam, qumësht pluhur, boca gazi, poça elektrikë dhe çokollata. Vlera e tyre, sipas çmimeve të tregut, është rreth 20 mijë euro, pa përfshirë akcizat dhe detyrimet doganore.

I dyshuari nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen e mallrave. Ai, së bashku me automjetin, është shoqëruar në Stacionin Policor në Kllokot për procedim të mëtejshëm.

Me konsultim të prokurorit, mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar Doganës së Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria në Speciale: Thaçi formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

Published

on

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë ka filluar dhënia e deklaratave përfundimtare.

Me deklaratë përfundimtare ka nisur kryeprokurorja Kimberly West e cila tha se në rastin e Thaçit ka orë incizime dhe dokumente që dëshmojnë pengimin e drejtësisë.

Ajo tha se Thaçi formoi grupe të vogla me bashkë të akuzuarit të cilët kishin njohje me dëshmitarë të caktuar.

Sipas saj, synimi i tyre ishte që të bëheshin dëshmitë në mënyrë të atillë që të pajtoheshin me dëshirat e Thaçit se si duhej të ishin dëshmitë e tyre.

“Kjo është një çështje gjyqësore sa e thjeshtë po aq e komplikuar. Nga një anë kemi çështjen për një person që po përballët me akuza të rënda që ka mundësi për t’u dënuar për një kohë të gjatë. Bashkë me punëtorë të tij u përpoq ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orësh incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha Kimberly West. “Të përballësh me akuza që përfshijnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe duke qenë në paraburgim pjesërisht për shkak të rrezikut të pengimit Hashim Thaçi udhëzoi bashkë të akuzuarit, shokët e devotshëm, idealistet e patundur dhe ish-vartësit që të shënjestronin dëshmitarë dëshmia e të cilëve sipas tij ishte përfundimtare për përfundimin e kësaj çështje gjyqësore për krime lufte”.

Sipas West, në një mënyrë ose tjetër, dëshmitarët duhet të kuptonin direktivën e Thaçit e cila ishte “mos shkaktoni asnjë dëm atje. 

“Dëmi në thonjëza ishte dëshmia që mund të implikonte Thaçin në vepra penale dhe atje në thonjëza nënkuptonte këtë Gjykatë”. “Thaçi udhëzoi të bashkë të akuzuarit se si dëshmitarët duhet të thjeshtonin ndryshimet e nevojshme në deklaratat e mëparshme në mënyrë që të përshtateshin me narrative e pëlqyer nga z.Thaçi. Për shembull që dëshmitari të thoshte se deklarata ka pasur probleme përkthimi ose që ka qenë i lodhur dhe i ka ngatërruar gjërat, a po që kanë qenë thjeshtë thashetheme”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

1.Toka ndodhet rreth 147 milionë kilometra larg Diellit dhe është afërsisht 4.5 miliardë vjet e vjetër.

 

2.Bufat nuk kanë sy në formën e zakonshme të syrit. Ata kanë struktura tubulare, prandaj nuk mund t’i lëvizin sytë dhe duhet ta rrotullojnë kokën për të parë përreth.

 

3.Krokodilët nuk mund ta nxjerrin gjuhën jashtë gojës.

 

4.Zemra e një karkaleci deti ndodhet në kokën e tij.

 

5.Është fizikisht e pamundur që derrat të shikojnë drejt qiellit.

Continue Reading

Lajmet

Avokati i Popullit kërkon rishqyrtimin e taksave gjyqësore

Published

on

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, duke vlerësuar se rritja e tyre mund të krijojë barriera financiare dhe të cenojë qasjen efektive të qytetarëve në drejtësi.

Në një opinion të publikuar të enjten, Avokati i Popullit ka shqyrtuar ndikimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2025 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi.

Sipas opinionit, edhe pse KGJK-ja ka kompetencë për miratimin e skemës unike të taksave gjyqësore, kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me garancitë kushtetuese për qasje efektive në drejtësi dhe me parimin e proporcionalitetit.

“Taksat gjyqësore të përcaktuara me UA nr.03/2025 derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe jo drejtpërdrejt në buxhetin e sistemit gjyqësor, gjë që dobëson lidhjen ndërmjet rritjes së taksave dhe përmirësimit të funksionimit të gjyqësorit”, thuhet në opinion.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se nevoja dhe proporcionaliteti i rritjes së taksave duhet të arsyetohen në mënyrë të veçantë dhe të bazohen në vlerësime konkrete për ndikimin e tyre në qasjen në drejtësi.

Sipas opinionit, rritja e konsiderueshme e taksave, pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat e mospagesës mund të krijojnë pengesa disproporcionale, veçanërisht për qytetarët që nuk përfitojnë nga përjashtimi nga taksat apo nga ndihma juridike falas.

Duke iu referuar standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit ka vlerësuar se ekziston rrezik real që dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2025, në formën aktuale, të kenë efekte disproporcionale në raport me të drejtën për qasje në drejtësi.

Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga KGJK-ja që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, në mënyrë që të sigurohet një balancë ndërmjet funksionimit efikas të sistemit gjyqësor dhe garantimit të qasjes së barabartë e efektive në drejtësi për të gjithë qytetarët.

Në fillim të këtij viti, KGJK-ja njoftoi për udhëzimin e ri administrativ që rrit taksat gjyqësore. Vendimi ishte kritikuar nga përfaqësues të drejtësisë, të cilët kishin paralajmëruar se rritja e taksave mund të ndikojë në inicimin e lëndëve në gjykata.

Me skemën e re, taksa për padi me vlerë kontesti nga 0 deri në 1,000 euro, e cila më parë ishte 20 euro, është bërë 60 euro për konteste nga 0 deri në 5,000 euro. Për kontestet nga 50,001 deri në 100,000 euro, taksa është rritur nga 150 në 300 euro.

Po ashtu, taksa për padi për pengim posedimi është dyfishuar nga 50 në 100 euro, ndërsa për propozim për sigurimin e provës është rritur nga 30 në 100 euro.

Rritje pati edhe në Gjykatën Komerciale, ku për padi me vlerë kontesti deri në 25,000 euro, taksa e re është 200 euro, ndërsa për kontestet nga 50,001 deri në 100,000 euro është rritur në 500 euro./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara