Aktualitet

​Mirëpritet kërkesa e PE-së për njohje reciproke, konsiderohet si ndryshim i kursit të BE-së për dialogun

Published

on

Spektri politik në Kosovë dhe shoqëria civile e kanë mirëpritur kërkesën e qartë të Parlamentit Evropian se marrëveshja përfundimtare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke. Miratimi i sotëm i raportit nga Komisioni për Politikë të Jashtme të PE-së, shihet edhe si ndryshim i kursit të BE-së për dialogun. Kësisoj, i kërkohet Qeverisë së Kosovës që të shtyjë përpara këtë narracion të Parlamentit Evropian dhe të përfundojë dialogu me njohje të ndërsjellët.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, se vetëm përmes një gjuhe të tillë duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se pa njohjen e Kosovës s’ka integrim evropian.

Pjesa tjetër e deklarimit në rezolutë për njohën e dyanshme dhe njohjen e Kosovës nga Serbia është zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi për herë të parë në Parlamentin Evropian, dialogun e shohin si proces për përfundimin e njohjes së Serbisë për shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo shënon një shkallë tjetër të vetëdijesimit dhe përcaktimit politik përbrenda Parlamentit Evropian, për atë se çfarë Serbia prezanton në këtë proces të dialogimit. Nëse do të lihej çfarëdo lloj mjegullie brenda gjuhës, sigurisht nuk do t’i kontribuonte asaj qartësisë së mesazhit që duhet të shkojë në Beograd, sidomos pas mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe qëndrimit dual që Serbia po bënë karshi BE-së. Kosova është e patejkalueshme për Serbinë, mendoj se sa më shumë që kemi gjuhë të tillë eksplicite, aq më e qartë do të jetë për Serbinë që nuk do të ketë lëvizje drejt integrimit evropian pa njohjen e Kosovës”, deklaron Abazi.

Kërkesën për njohje reciproke e konsideron të mirëseardhur edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Krasniqi, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, thotë për KosovaPress se këto mesazhe Qeveria e Kosovës duhet t’i merr seriozisht në mënyrë që dialogu të përmbyllet me njohje reciproke.

Është bërë e qartë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë me njohje reciproke, edhe pse si vendim është i vonuar, mirëpo është në kohën kur i duhet më së shumti Kosovës. Gjithashtu, Qeveria duhet të merr punën e dialogut më seriozisht, gjithmonë duke qenë në koordinim me ShBA-të. Me këtë rast Serbia duhet të dijë se nuk ka zgjidhje dhe alternativë tjetër dhe se e vetmja rrugë e vetme është njohja reciproke”, shton ajo.

Nga ana tjetër, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se vendimi i sotëm i Parlamentit Evropian është një zhvillim shumë pozitiv, i cili mund të ndryshojë edhe kursin zyrtar të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Është zhvillim mjaft pozitiv dhe është një zhvillim që e ndryshon edhe kursin në Bashkimin Evropian. Ndonëse nuk është zëri zyrtar i BE-së, Parlamenti Evropian, është një instancë e rëndësishme që e vë në fokus që njohja e ndërsjellët është rezultati përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra dialogu për normalizim të marrëdhënieve duhet të përfundojë me këtë epilog. Ky është një zhvillim pozitiv dhe mund të ngreh dinamike të reja, pasi s’kemi pasur përmendje kaq eksplicite që dialogu duhet të përfundojë me njohje ose të ketë në qendër njohjen reciproke. Kemi një shndërrim të narracionit dhe kursit të Bashkimit Evropian, i cili lë të nënkuptohet se kjo mund të jetë edhe qëndrimi i BE-së në të ardhmen, ose mes rreshtash mëtohet që dialogu të ketë si epilog njohjen reciproke mes dy vendeve. Kjo është një atribut shtesë që Qeveria e Kosovës të kapitalizojë dhe shtyjë përpara këtë narracion të PE-së dhe ushtrojë dialog direkt veç e veç që të bëjnë pjesë të narracionit të tyre se zgjidhja përfundimtare është njohja e ndërsjellët”, thotë ai.

Të martën, Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) miratoi raportin për Kosovën, ku përveç kërkesës për njohje reciproke në dialog, bëri thirrje sërish për liberalizim të vizave.

Lajmet

Rutte: KFOR-i është aty, pavarësisht ç’mund të ndodhë këtë javë në Kosovë

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.

Sipas Ruttes, KFOR-i është në aty, në Kosovë, për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, ndërsa misioni paqeruajtës i Aleancës, sipas tij, ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme, por edhe sa i përket zotimit afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Rutte në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel më 14 shtator, kur u pyet nëse është i shqetësuar për trazira të dhunshme të mundshme në Kosovë dhe rajon si rezultat i vendimit, pavarësisht se si do të jetë ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake perëndimore do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, për të siguruar që misioni të përshtatet në mënyrë adekuate me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai theksoi po ashtu se zhvillimet në Kosovë ndikojnë edhe në rajonin më të gjerë.

Deklaratat e shefit të NATO-s vijnë disa orë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç tha, janë paralajmëruar protesta më 16 shtator.

Ambasada tha se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.

“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, tha Ambasada duke udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë, tha se se ka zhvilluar takim edhe me partnerët ndërkombëtarë, si KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në, ku është prezantuar një plan dhe angazhimet e Policisë lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me 16 shtatorin.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, tha Policia.

Sipas këtij institucioni, varësisht nga aktivitet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, “andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të qetë.

Shpallja e aktgjykimit në Hagë do të bëhet vetëm katër ditë pasi në Prishtinë mijëra persona morën pjesë në “Marshin për Liri”, ku pjesëmarrësit kërkuan që vendimi të jetë i drejtë dhe paanshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pretendon se katër ish-eprorët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës.

Aktakuza ndaj tyre përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet nga detyra zyrtari policor në Aeroportin e Prishtinës: Paratë e gjetura i hodhi në kutinë e bamirësisë

Published

on

By

Më 14 shtator, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar informacionin për një rast të ndodhur në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Rasti lidhet me humbjen e një shume prej 105 eurosh, e raportuar nga një punonjës i aeroportit më 9 shtator.

Gjatë këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, hetuesit konstatuan se paratë i kishte gjetur një udhëtare (shtetase e Kosovës me banim në Gjermani), e cila ia kishte dorëzuar menjëherë zyrtarit policor në detyrë.

Pas veprimeve hetimore të IPK-së, zyrtari policor pranoi marrjen e parave, por pranoi se nuk i kishte trajtuar ato sipas procedurave ligjore e institucionale. Në vend të dorëzimit zyrtar, paratë ishin vendosur nga zyrtari në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse brenda hapësirave të aeroportit.

Për të garancuar zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor. Ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimin për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zbeh rreziqet nga inteligjenca artificiale pas paralajmërimeve drastike të ekspertëve

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zbehur rreziqet që kanosen nga inteligjenca artificiale (AI), pas disa ditësh paralajmërimesh drastike nga ekspertët e fushës.

“Keni shumë forcave tepër negative që po e ngrenë këtë çështje pa pasur nevojë dhe po përmendin gjëra që nuk do të ndodhin kurrë,” deklaroi Trump gjatë një vizite në Irlandë.

Një nga paralajmërimet erdhi nga një ish-kërkues i kompanisë Anthropic, i cili tha se “ka një mundësi të madhe që të gjithë të vdesim në një të ardhme të afërt” nëse ritmi i tanishëm i zhvillimit vazhdon.

Të shtunën, krerët kryesorë të industrisë u dëgjuan duke bërë thirrje për një ngadalësim të zhvillimit. Trump nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kësaj ideje, por u shpreh: “Ne jemi përpara Kinës në inteligjencën artificiale… dhe, sinqerisht, dua ta mbaj kështu, sepse kushdo që fiton garën e AI, fiton gjithçka”.

Trump foli në të njëjtën ditë kur kërkuesi i AI, Jacob Coxon  i cili u largua nga Anthropic disa ditë më parë tha për BBC-në se stafi që po zhvillon këto sisteme është “vërtet i frikësuar” për të ardhmen e njerëzimit.

Coxon  i cili ka punuar gjithashtu në OpenAI, mirëpriti idenë e një ngadalësimi, por theksoi se ai duhet të koordinohet edhe me Kinën.

Të shtunën, Elon Musk, pronar i xAI, dhe Sam Altman nga OpenAI, mbështetën paralajmërimin e kreut të Anthropic, Dario Amodei, se ritmi i zhvillimit duhet të ngadalësohet “për të reduktuar rrezikun që diçka të shkojë seriozisht keq”.

Udhëheqësi i Anthropic tha se çdo ngadalësim do të duhej të jetë i kufizuar për të parandaluar Kinën që të marrë epërsinë.

 

Shtohen pikëpyetjet se si do të dukej një “ngadalësim” i AI-së

Çështjet që rrethojnë inteligjencën artificiale kanë nxitur debata të ashpra — dhe përfaqësojnë një dilemë për shumë udhëheqës botërorë.

Nga njëra anë, ky sektor shihet si një mundësi e jashtëzakonshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar sistemet dixhitale e metodat e vjetruara të punës.

Nga ana tjetër, kanë ndodhur edhe disa incidente ku inteligjenca artificiale duket se ka shkuar seriozisht keq.

Në gusht, OpenAI njoftoi se kishte ngadalësuar trajnimin e disave prej modeleve të saj më të avancuara të AI-së për të përmirësuar sigurinë.

Krijuesi i ChatGPT tha se po shton masa të reja pasi agjentët e saj të AI-së anashkaluan mbrojtjet e sigurisë dhe sulmuan kibernetikisht kompaninë teknologjike Hugging Face.

Po në të njëjtin muaj, u bë e ditur se dy nga mjetet më të fuqishme të AI-së në botë krijuan profile të rreme njerëzore për të mashtruar njerëzit gjatë disa tentativave për sulme kibernetike.

Instituti i Sigurisë së AI-së në Britaninë e Madhe (AISI) tha se në rastin më serioz, modeli Mythos AI i kompanisë Anthropic u përpoq të merrte qasje në një shërbim duke dërguar mesazhe private përmes llogarive të rreme që imitonin njerëz të vërtetë  dhe më pas fshiu provat.

/BBC/

Continue Reading

Lajmet

Në përmbyllje të Javës së Gruas, bëhet thirrje për më shumë gra në pozita udhëheqëse

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në përmbylljen e “Javës së Gruas”, një program që përgjatë muajve të fundit bëri bashkë përfaqësues nga institucionet, komunat, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat.

Gjatë fjalës së saj Haxhiu,  vlerësoi lart kontributin e grave në të gjitha sferat e jetës, nga biznesi, kultura e sporti, e deri te shkenca dhe politika duke theksuar se puna dhe rezultatet e tyre tashmë flasin vetë.

Megjithatë, ajo ngriti shqetësimin për pabarazinë që ende ekziston në shoqëri, ku shumë grave u duhet të punojnë dyfish për të marrë të njëjtin vlerësim si burrat.

“Këtë pabarazi nuk duhet ta pranojmë si normale. Gratë duhet të vlerësohen për punën dhe aftësinë e tyre dhe të kenë të njëjtat mundësi për të marrë përgjegjësi e për të udhëhequr. Dua të shoh më shumë gra në krye të listave, në udhëheqjen e komunave, institucioneve e kompanive dhe kudo ku merren vendime”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje, u përmend se përparimi i grave është drejtpërdrejt i lidhur me përparimin e të gjithë shoqërisë, pasi suksesi i një gruaje hap rrugën për ecjen përpara të të tjerave. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara