Lajmet

​Ministri Latifi shpalos shtatë shtyllat përmes të cilave synon transformim në shëndetësi

Latifi njoftoi për nisjen e ofrimit të shërbimeve për pacientët në Spitalin Pediatrik.

Published

on

Digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, përfshirë sigurimet shëndetësore, kthimi i “trurit” të humbur dhe ruajtja e trurit shëndetësor përmes programeve konkrete në shëndetësi, Qendrat klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike, kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese, proceset e akreditimit ndërkombëtar, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe decentralizimi i sistemit spitalor dhe riorganizimi i ShSKUK/QKUK janë shtatë shtyllat përmes të cilave ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi po planifikon ngritjen e kapaciteteve njerëzore në shëndetësi dhe sigurimin e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor cilësor.

Duke e quajtur si dhuratën më të mirë për fëmijët e Kosovë, Latifi njoftoi për nisjen e ofrimit të shërbimeve për pacientët në Spitalin Pediatrik, projekt ky i cili ishte përuruar në shtator nga krerët shtetërorë. Ai tha se për një transformim në sektorin shëndetësor po punojnë edhe në aspektin legjislativ, ndërsa theksoi nevojën për përkrahjen e BE-së për të rritur mirëqenien e profesionistëve shëndetësor.

“Dje ka qenë një ditë e jashtëzakonshme duke filluar me operimet e para me pacientin e parë në spitalin pediatrik që është ndërtuar dhe financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe kështu që dua t’i falënderoj ato dhe t’i përgëzoj të gjithëve që jeni të përfshirë… Kam një listë të gjatë të akteve legjislative me të cilat po merremi duke përfshirë Ligjin për kujdesin shëndetësor dhe ligjet tjera, dhe në tërësi janë gjithsej 16 përfshirë edhe 21 edhe rregullore me të cilat jemi duke u marrë. Por, në të njëjtën kohë për të pasur një sistem të mirë shëndetësor duhet të kemi nëpunës shëndetësorë që kanë mirëqenie dhe asnjëra nga këto nuk mund të bëhet pa partneritetin me BE dhe veçanërisht me BE-në prandaj bashkëpunimi ndërkombëtar është dhe do të jetë kyç”, u shpreh ai.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh se prioritet ka edhe përmirësimin infrastrukturor përmes të cilit do ndikohet në uljen e infektimeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Duhet ta përmirësojmë infrastrukturën kam parë shumë studime dhe kam lexuar një numër sosh që i kemi bërë para disa viteve në vitin 2015, 2016, 2017, 2019, 2021 e më tej dhe secili nga këto studime dhe çdo vlerësim ka thënë të njëjtën duhet të përmirësojmë uljen e shkallës së infektimit cilësinë por fatkeqësisht nuk kemi bërë shumë në këtë aspekt. Kemi udhëzime shumë të mira kemi një udhërrëfyes shumë të mirë dhe thjesht duhet vetëm ta realizojmë. Përmirësimi i infrastrukturës nuk ka dyshim që është një çështje kryesore për tu përmendur por kemi hapësirë për tu përmirësuar edhe vetë. Duhet ta përmirësojmë menaxhimin dhe dedikimin tonë personal dhe kolektiv”, theksoi Latifi.

Kreu i shëndetësisë kosovare në këtë mandat të tij synon edhe digjitalizimin por edhe reduktimin e ikjes së mjekëve dhe infermierëve nga Kosova. Derisa u shpreh se po punojnë edhe në decentralizim të sistemit shëndetësor dhe riorganizim të ShSKUK-së – QKUK-së.

“Është vështirë të vendoset se cili është e para programi i emergjencave apo digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore apo së bashku digjitalizimi i kujdesit shëndetësor përfshirë sigurimin shëndetësor. Të gjithë e dimë që nëse nuk i kemi të dyja nuk mund të kemi spitale moderne dhe sistem modern shëndetësor. Kosova është ndikuar si shumë vende përreth me një shterje të trurit… Edhe ne po i humbasim ato, pra duhet t’i bëjmë disa hapa shumë të mirë për t’i kthyer ata dhe për ta reduktuar ikjen e tyre, nuk mund ta ndalim ikjen e ekspertëve në shkallë 100%, asnjë shtet nuk është imun ndaj kësaj, madje edhe kanadezët humbasin doktorë që shkojnë në ShBA… Jemi në proces të analizimit të ekspertimeve që janë bërë në vitin 2015 dhe 2014 dhe krijimin e këtij sistemi spitalor në një kulm dhe në një lidership, duhet të shohim nëse kjo është diçka që ia ka vlejtur për ta bërë apo kjo ka qenë një eksperiment i keq që nuk ka funksionuar”, u shpreh Latifi.

Ministri i Shëndetësisë si sfidë ka theksuar edhe listën e pritjeve për intervenime në Klinikën e Kardiologjisë dhe hapësirat e vogla të shërbimeve emergjente për çka u zotua se përmirësimet në këtë aspekt do të ndodhin.

Ndërsa, u zotua se synon edhe ndërtimin e qendrës për trajtimin e traumave si dhe djegieve por edhe avancimin e shërbimeve onkologjike.

“Sfida që e kemi në Kardiologji është lista prej afro 1300 pacientëve a më shumë me listë të pritjes prej 8 muajsh… Sfidat tjera në Kirurgjinë Kardiale kemi mbi 100 pacientë në listë të pritjes prej afër 8 muaj nëse iu duhet operacioni i zemrës nuk duhet të presësh 8 muaj nuk kam dëgjuar askënd që ka pasur një bajpas koronar në një mënyrë nuk kam dëgjuar për diçka të tillë… Programi i emergjencës së traumës kemi qendrën emergjente, shumica nga ju keni shtëpitë apo banesat që janë më të mëdha sesa dhoma emergjente në QKUK, e cila është 560 metra katror ku 7 mijë pacientë kalojnë në vit brenda kësaj hapësire, një sëmundje më vdekjeprurëse që është trauma, nga e cila pacienti mund të vdes brenda 1 ore… Gjithë këtë traumë e vendosin në një hapësirë brenda 560 metra katror dhe kjo është ajo kur them se duhet përmirësuar infrastrukturën dhe pastaj kemi ndërtesa dhe më thonë se kur do të realizohet kjo, do të realizohet”, u shpreh ai.

Massimiliano Paoluci, menaxher i vendit për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut në regjionin e Evropës dhe Azisë Qendrore i Bankës Botërore shprehu gatishmërinë për përmirësimin e kapaciteteve dhe treguesve shëndetësorë në Kosovë.

“Është një indikator që spikat sepse për mua jep një ndenje urgjence për të ndikuar në zhvillim jetësor dhe ky është indeksi i kapitalit njerëzor në këtë shtet e që është 57% çfarë nënkupton kjo se indeksi i kapitalit njerëzor, parimisht një fëmijë që lind sot, parimisht duhet të shfrytëzojë maksimalisht mundësitë që i jepen nga sistemi shëndetësor dhe arsimor për të kontribuar në zhvillimin e shtetit dhe në rastin e Kosovës ky indeks është 57% që do të thotë se një fëmijë që lind sot ka 57% shanse që kontribuojë pozitivisht në konkurrueshmërinë e vendit në krahasim me fëmijën e njëjtë që do të kishte në sistemin arsimor dhe shëndetësor të atij vendi që do të ishte funksional në tërësi”, theksoi ai.

Si fushë të rëndësishme ku duhet të intervenohet ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi konsideroi edhe rritjen e hulumtimeve dhe avancimin e trajnimeve për profesionistët shëndetësorë.

Në këtë takim të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë kishte përfaqësues të donatorëve të ndryshëm ndërkombëtar si UNICEF, TIKA, etj.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 25 gusht 1993

22 profesorë të shkollës së mesme “Jeta e re” në Suharekë u mbajtën 6 orë në polici

Dje, rreth orës 10, në shkollën e mesme “Jeta e re” në Suharekë, policia serbe ndërpreu mbajtjen e riprovimeve të nxënësve të kësaj shkolle, si dhe arrestoi 22 arsimtarë, sekretarin dhe një punëtor ndihmës të kësaj shkolle, të cilët u dërguan në stacionin e policisë ku u morën në pyetje dhe u keqtrajtuan.

Merret vesh se ata u liruan pasdite, rreth orës 16.

 

 25 gusht 1994

Në Bukosh të Vushtrrisë – një i vrarë dhe një i lënduar rëndë

Kundër M. Sh. (65) nga fshati Bukosh i Vushtrrisë në Gjyqin e qarkut serb të Mitrovicës po zhvillohen hetimet për shkak të vrasjes dhe tentimit për vrasje.

Ai më 20 gusht në orët e mbrëmjes në fshatin Bukosh, së pari në arë me disa të rëna me thikë lëndoi rëndë B. A. (72), e pastaj në oborrin e tij me revole, me disa plumba vrau të birin e B., Sh. (26).

Thuhet se motivi i kësaj vrasjeje është kontesti pazgjidhur pronësor.

 

25 gusht 1995

Ushtria serbe edhe dje gjuajti me trombllone afër shtëpive të shqiptarëve në Ferizaj

Pas incidentit që ndodhi në Ferizaj në rrugën e “Prizrenit”, ku në disa shtëpi ranë me dhjetëra trombllone nga pushkët gjysëmautomatike të ushtrisë serbe të kazermës “Millan Zeçar”, tek anëtarët e këtyre familjeve ende ndihej shqetësimi dhe pasiguria, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Dje, në familjen e Faik Rizanit ishte Ramë Buja, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili u informua me situatën e krijuar nga provokimi i ushtrisë serbe.

Duke shpjeguar ngjarjen, Faik Rizani deklaroi se në momentin kur janë hedhur trombllonet, anëtarët e kësaj familjeje gjendeshin në punë të fushës. Kjo ishte arsyeja pse nuk pësoi askush nga ky provokim i rëndë, shpjegon ai.

Faik Rizani, i deklaroi QIK-ut se rastin në organet e policisë serbe e ka paraqitur po këtë ditë rreth orës 18:00. Inspektorët e sigurimit serb erdhën në vendin e ngjarjes në orën 21:00 dhe se ata u sollën në mënyrë cinike.

Në shtëpinë e Faik Rizanit kudo shiheshin gjurmët e tromblloneve, ndërsa njëra prej tyre`kishte shpuar derën e dhomës së pritjes. Nga trombllonet, që me gjasë ishin hedhur nga pushkët, ishin qëlluara edhe oborret dhe çatitë e shtëpive të tjera në këtë lagje, si ato të Shefki Ukëzmajlit, të vëllezërve Ilmi e Salih Ukëzmajlit, si dhe shtëpi të tjera. Inspektorët serbë, thonë pronarët e këtyre shtëpive, i mblodhën rreth 30 trombllonë.

Përfaqësuesit e Degës së LDK-së në Ferizaj dhe ata të Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se provokimet e këtilla të ushtarëve e rezervistëve serbë, janë shtuar veçanërisht nga rifillimi i luftës së fundit kroato-serbe. Ata po ashtu thonë se nuk kanë pasur njohuri se ditën kur janë gjuajtur trombllone në lagjen “Prizreni” ka patur stërvitje të ushtrisë serbe.

Dje sërish nga ora 11:00 deri në orën 13:00, ushtria serbe gjuajti me trombllon dore të pushkëve gjysmëautomatike në afërsi të lagjes “Prizreni” në Ferizaj, e cila ndodhet 100 deri 150 metra larg kazermës ushtarake së “Millan Zeçar”.

Ndryshe nga provokimi që u bë më 22 gusht, dje prapë pati gjuajtje afër disa shtëpive të tjera të ksaj lagjeje.

Ndonëse kaluan dy ditë pas incidentit të përmendur, përgjegjësit e ushtrisë e të policisë serbe nuk dhanë kurrfarë shpjegimi.

 

 

25 gusht 1998

Forca e ushtrisë dhe policisë serbe vazhdojnë t’i sulmojnë fshatrat e Suharekës

 Njoftohen emrat edhe të dy të vrarëve në Suharekë, Bahri Hajrush Gollopeni (20) nga Suhareka, dhe Mehmet Misin Bytyçi (20) nga Reshtani

Gjatë natës së mbrëmshme, por edhe sot në orët e mëngjesit, nga Qafa e Duhlës forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe kanë sulmuar pandërprerë fshatrat Javor, Luzhnicë, Grejçevc, Bllacë, Reshtan, Peçan e Sllapuzhan të komunës së Suharekës, duke mos e kursyer as vetë qytezën e Suharekës.

KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se sulmi i sotëm filloi në orën 8. 30 dhe po vazhdon me një intensitet shumë të madh.

Shumë shtëpive u vihet zjarri, sidomos në Reshtan e Sllapuzhan. Sllapuzhani është rrafshuar me tokë.

Në Suharekë dje është kallur me benzin shtëpia e veprimtarit të LDK-së, Shyqyri Kuçit, e cila ndodhet në lagjen e Gradinave. Janë shkatërruar edhe shtëpi të tjera. Nga granatimet në periferi të Suharekës, përveç dëmeve materiale, ka edhe të vrarë e të plagosur. Përveç dy emrave të njoftuar më parë, të vrarë janë edhe dy të rinj, Bahri Hajrush Gollopeni (20) nga Suhareka, i cili u varros në Dobërdolan, dhe Mehmet Misin Bytyçi (20) nga Reshtani. Druhet se numri i të vrarëve mund të jetë më i madh. Është i madhe dhe numri i të plagosurve, ndërsa vetëm në Suharekë dihet për gjashtë të plagosur.

Dje dhe sot në mëngjes, një numër i madh i popullatës së zhvendosur shqiptare nga fshatrat Krojmir e Pjetërshticë të Shtimes janë vendosur në objektin e shkollës fillore në Ngucat, ndërsa gjendja e tyre është shumë e rëndë.

Njoftohet se vetëm në katër fshatra të komunës së Suharekës janë vendosur më tepër se 15 mijë civilë shqiptarë.

Popullata e këtushme shqiptare kërkon nga shoqatat humanitare ndërkombëtare që të bëj më shumë për popullatën e zhvendosur shqiptare, pasi atyre po u mungojnë gjësendet elementare ushqimore dhe barnat.

 

Malishevë: Tre shqiptarë u vranë derisa po shpërndanin ndihmat humanitare

 Dje, nga ora 14. 30 deri në orën 17, forcat serbe të stacionuara në Malishevë, Carrallukë dhe në disa fshatra të tjera të komunës së Malishevës, granatuan fshatrat Lubizhdën, Drenocin, Carrallukën, Lladrocin, Tërpezën etj. , njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Si pasojë e granatimeve, u vranë Hajriz Haxhi Morina (26) nga Drenoci, Adem Morina, mësues, nga i njëjti fshat, dhe një qytetar nga Vërmica e kësaj komune, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Me këtë rast është plagosur edhe një qytetar tjetër.

Ata u qëlluan nga granatat serbe derisa me traktor po shpërndanin ndihma për popullatën e rrezikuar.

I njëjti burim bën me dije se parmbrëmë, gjatë granatimeve të forcave serbe, në fshatin Balincë u plagos një i moshuar, ndërsa në Lubizhdë u plagosën fëmijët Astrit Xhevat Paçarizi (8), Neshat (11) dhe Bejtullah (14) Ferat Paçarizi, dhe axha i tyre Tafil Paçarizi (31).

Nga granatimet janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ndërkohë po vazhdon edhe më tej lëvizja e njerëzve drejt fshatrave që tash për tash janë pak më të sigurta.

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Është çuditërisht e lehtë të shpëtosh nga rëra lëvizëse. Dendësia e rërës lëvizëse është më e lartë se ajo e trupit të njeriut, duke e bërë të pamundur fundosjen e plotë. Për t’i shpëtuar rërës lëvizëse, uluni ose shtrihuni, përpiquni t’i mbani krahët lart dhe jashtë rërës lëvizëse, dhe lëvizni ngadalë këmbët nga njëra anë në tjetrën ose para-mbrapa.

 

  1. Një pinguin mund të arrijë thellësi prej 550 metrash në një zhytje. Zakonisht, pinguinët perandorë (pinguinët që zhyten më thellë) zhyten në 100-200 metra, por zhytja më e thellë e pinguinëve e regjistruar ishte më shumë se 550 metra.

 

  1. Kafshët mund të jenë alergjike ndaj njerëzve. Kafshët mund të jenë alergjike ndaj qelizave të vdekura të lëkurës sonë – zbokthit. Këto reaksione alergjike mund të jenë njësoj si tonat, duke përfshirë vështirësi në frymëmarrje dhe acarim të lëkurës.

 

  1. Të qenit i mërzitur është në fakt një ‘gjendje e lartë eksitimi’ fiziologjikisht. Kjo ndodh sepse kur je i mërzitur, rrahjet e zemrës të rriten.

 

  1. Sistemet tona imunitare mund të dallojnë bakteret e këqija nga të mirat. Sistemi imunitar zbulon modelet e patogjenëve përmes receptorëve dhe do të nisë një sulm. Njëkohësisht, ai do të bashkëpunojë me mikrobet dhe bakteret e dobishme.

Continue Reading

Lajmet

Kalaja e Prizrenit mbyllet përkohësisht për vizitorët

Published

on

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se Kalaja e Prizrenit do të mbyllet përkohësisht për vizitorët, për shkak të fillimit të punimeve për zbatimin e masave emergjente.

Sipas njoftimit, mbyllja do të zgjasë dy javë, duke filluar nga 25 gushti 2026.

Vendimi është marrë nga Njësia Menaxhuese e Kalasë së Prizrenit, me miratimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, me qëllim krijimin e kushteve të sigurta gjatë zhvillimit të punimeve.

Ministria ka bërë të ditur se për çdo ndryshim sa i përket afatit të mbylljes dhe rihapjes së kalasë për vizitorë, publiku do të njoftohet me kohë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Gjilan nën dyshimin për dhunim

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një grua ka raportuar se para dy deri në tre muajsh, derisa ndodhej në shtëpinë e një personi në Gjilan, ai dyshohet se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të pa pëlqimin e saj.

I dyshuari është identifikuar dhe arrestuar nga Policia. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Rasti po hetohet nga autoritetet kompetente./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara