Lajmet

​Mbrojtja kundërshton masat e kërkuara nga Prokuroria për drejtorin e KPK-së dhe zyrtaren tjetër

Published

on

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqit dhe zyrtarja e lartë ekzekutive e KPK-së Marigona Berisha sot kanë dalë para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinës.

Seanca u mbajt në lidhje me kërkesën e Prokurorisë që të dyve t’i caktohet masa e paraburgimit si të dyshuar për veprat penale, keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale dhe moslajmërim të veprës penale. E mbrojtja e dy të dyshuarve e ka kundërshtuar masën e paraburgimit, madje Prokurori gjatë kësaj seanca e ndryshoi kërkesën për të dyshuarën, Marigona Berisha nga ajo për paraburgim në atë për arrest shtëpiak pas provave të ofruara nga mbrojtja e Berishës.

Seanca u mbajt e mbyllur për publikun, ndërsa pritet që për vendimin trupi gjykues i udhëhequr nga Kushtrim Shyti të njoftoj palët për masat karshi të dyshuarve.

Avokati mbrojtës i Lavdim Krasniqit, Ramë Gashi tha se pretendimeve të Prokurorisë së Shtetit i mungojnë arsyet për të kërkuar masën e paraburgimit.

“Mbrojtja ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për të gjitha pretendimet e saj dhe sipas vlerësimit dhe bindjes së thellë të mbrojtjes, kërkesës së Prokurorit për caktimin e paraburgimit i mungojnë arsyet e duhur që parasheh ligji, dhe po ashtu prokurori i shteti nuk ka arsyetuar në mënyrë të duhur shkaqet ligjore për caktimin e paraburgimit. Ne natyrisht kemi kundërshtuar këtë kërkesë të prokurorit dhe i kemi propozuar gjykatës mos ta miratoj kërkesën e prokurorit. Atë që përmban kërkesa e Prokurorit sipas mbrojtjes nuk është bazë e arsyeshme për të filluar procedura e lëre më për masën më të ashpër, siç është ajo e paraburgimit”, theksoi Gashi.

Kurse, avokati mbrojtës i Marigona Berishës, Fatlum Podvorica tha se asnjë pretendim i Prokurorisë se e dyshuara e ka marrë veturën si dhuratë nuk qëndron, pasi ajo ka prova që vërtetojnë se e ka blerë atë veturë.

Podvorica ka thënë se klientja e tij kishte marrë kredi në vlerë të 17 mijë eurove të cilën do ta paguante për 7 vjet, nga të cilat dy janë paguar. Marigona Berisha dyshohet për veprën penale mos lajmërim i veprës penale.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca lidhur me caktimin e masës ndaj mbrojtjes sime, Marigona Berisha e cila dyshohet për veprën penale mos lajmërim të veprës penale dhe marrjes së një automjeti kinse dhuratë. Ky fakt nuk qëndron dhe Prokurori i çështjes nuk ka mundur argumenton kërkesën në fjalë sepse mbrojtja ime ka një kontratë me TEB Bank ku ka marrë një kredi prej 17 mijë eurosh në emër të blerjes së automjetit. Dhe në bazë të shumës në fjalë të cilës banka e ka aprovuar kredinë prej 17 mijë euro, e njëjta ka lidhur kontratë tek noteri Sefedin Blaka në emër të shitblerjes të automjetit në fjalë të cilin Prokuroria pretendon se është marr në emër të dhuratës. Rrethana se kinse e ka marrë nuk qëndron për arsye se familja nëna e mbrojtjes time ka qenë bashkëhumarrëse e kredisë për blerje të automjetit”, theksoi ai.

Podvorica tha se pas provave të ofruara, prokurori i rastit e ka ndryshuar kërkesën për klientin e tij nga masa e paraburgimit në arrest shtëpiak, të cilën prapë e kundërshtoi mbrojtja e Berishës.

“Prokurori i çështjes ndryshoj kërkesën nga masa e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak edhe ne kundërshtuam prapë masën e kërkesës së arrestit shtëpiak sepse nuk qëndron asnjë provë e artikulueshme se e njëjta kinse ka kryer veprën penale në fjalë“, tha ai.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ditën e djeshme ka njoftuar se pas fillimit të procedurës penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, ka marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente.

Lajmet

Aktakuzë për spiunazh ndaj BIA-s serbe dhe shantazh me incizime

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurit F.Sh., i cili ngarkohet me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i pandehuri vepronte si pjesë e strukturave të inteligjencës së Serbisë.

“F.Sh., nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si ‘BIA’, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij”, thuhet në aktakuzë.

Organet e hetuesisë bëjnë të ditur se i akuzuari ka grumbulluar informacione me rëndësi shtetërore dhe i ka bartur ato te zyrtarët e BIA-s.

“I pandehuri F.Sh. akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, njofton Prokuroria Speciale.

Përveç spiunazhit, F.Sh. ngarkohet edhe për dobi financiare të kundërligjshme përmes kërcënimit ndaj një personi me inicialet A.J., me një vlerë që e kalon shumën e 13 mijë eurove.

“Gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro. F.Sh. i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin”, bëhet e ditur në aktakuzë.

Çështja penale tashmë i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri F.Sh. ndodhet nën masën e paraburgimit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

I dehur sulmoi dy policë brenda stacionit në Prishtinë, arrestohet

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një shtetas i huaj është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se, në gjendje të dehur, ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë brenda stacionit policor.

Rasti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 06:30, në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë.

Sipas Policisë, i dyshuari u ka shkaktuar lëndime dy zyrtarëve, ndërsa ka dëmtuar edhe disa dollapë brenda stacionit.

Zyrtarët e lënduar dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa intervistimi i tij do të bëhet pasi të këndellet nga gjendja e dehjes./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dyshohen katër bankënota 500-euroshe të falsifikuara në Ferizaj

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një bankë në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj ka raportuar se ka pranuar katër bankënota nga 500 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar kartëmonedhat e dyshuara për ekzaminime të mëtejshme.

Lidhur me rastin është njoftuar dhe konsultuar edhe prokurori, ndërsa rasti mbetet nën hetim./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Holanda tërhiqet sërish nga Eurovisioni, bojkoton edicionin e vitit 2027

Published

on

Holanda nuk do të marrë pjesë në Eurovisionin 2027, ka konfirmuar transmetuesi publik holandez AVROTROS, duke e lidhur vendimin me pjesëmarrjen e Izraelit dhe ndikimin e konfliktit në Gaza.

AVROTROS vlerëson se, në kushtet aktuale, Eurovisioni nuk mund të konsiderohet më plotësisht neutral, ndërsa ndryshimet e fundit të paralajmëruara nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) nuk kanë qenë të mjaftueshme për të rikthyer besimin te karakteri i pavarur dhe apolitik i festivalit.

Drejtori i përgjithshëm i AVROTROS, Taco Zimmerman, tha se konfliktet ndërkombëtare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në konkurs dhe se Eurovisioni është shndërruar në një “platformë për ndarje”.

Ky është viti i dytë radhazi që Holanda nuk merr pjesë. AVROTROS ishte tërhequr edhe nga Eurovisioni 2026 për shkak të shqetësimeve për situatën në Gaza, lirinë e shtypit dhe përfshirjen politike në konkurs.

Sipas AVROTROS, në vitin 2026 pesë vende vendosën të mos merrnin pjesë, ndërsa debati për neutralitetin e Eurovisionit dhe pjesëmarrjen e Izraelit vazhdon.

Sa i përket pjesëmarrjes holandeze në vitin 2027, AVROTROS ia ka kaluar vendimin përfundimtar NPO-së, organizatës ombrellë të transmetuesve publikë holandezë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara