Lajmet

​Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kërkon nga prokuroria dorëzimin e materialeve shfajësuese

Ndërsa nga prokuroria kanë thënë se mbrojtja po e keq përfaqëson natyrën e detyrimit sipas rregullës 103.

Published

on

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, avokatët kanë kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për vonesa në dorëzimin e materialeve shfajësuese.

Mbrojtja ka kërkuar që prokuroria t’u vë në dispozicion menjëherë dokumentet të cilat lidhen me materialet shfajësuese dhe sipas tyre ZPS posedon materiale të tilla por nuk i dorëzon ato.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se prokuroria duhet t’i dorëzojë materialet shfajësuese menjëherë dhe jo t’i kërkohet të bëjë një gjë të tillë duke shtuar se kjo është detyrim për ZPS-në.

Kur ZPS vendohet në pozitë të vështirë atëherë ata dorëzojnë material shfajësues, është shumë e thjeshtë, kjo është një çështje e cila ka hasur shumë probleme nga ana e prokurorisë, ka dokumente shfajësuese në posedim të ZPS aktualisht duke lënë me një anë mocionin që kemi dorëzuar sot lidhur me dokumente serbe të cilat ju e keni parë i nderuar gjykatës, pra është një proces që duhet bërë dhe bëhet mirë të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata duhet ta bëjnë dorëzimin e këtyre materialeve tani”, ka thënë ai.

Për këtë ka folur edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aydan Elis i cili ka thënë se nxjerrja e materialeve shfajësuese nuk duhet të shtyhet më.

Ajo për të cilën ne duam që t’i dalim situatës përpara është që nxjerrja e materialeve shfajësuese është detyrim i vazhdueshëm për prokurorinë kështu që prokuroria nuk duhet t’i bëjë bisht për të nxjerrë materialet shfajësuese menjëherë në momentin kur prokuroria e ka një dokumentacion të tillë në duar. Ne sugjerojmë që përveç ta lidhim atë me kontrollime shtesë të synuara, ajo çfarë kërkojmë ne është që kontrollimet e synuara të cilat i ka përmendur prokuroria, pra ato të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejt me listën e dëshmitarëve dhe listën e provave materiale, pra në qoftë se këto kontrollime lidhen me materiale shfajësuese duhet që materialet shfajësuese të na vihen në dispozicion menjëherë”, ka thënë ai.

Ndërsa nga prokuroria kanë thënë se mbrojtja po e keq përfaqëson natyrën e detyrimit sipas rregullës 103.

Sipas prokurorisë, kontrollimet janë duke u kryer dhe nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë kontrolle të reja gjatë procedurës.

ZPS e ka kundërshtuar caktimin e një afati për nxjerre të tilla duke thënë se kufizimi i prokurorisë në këtë aspekt nuk është në interes të askujt.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes nga Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit po vazhdon me pikat e tjera të rendit të ditës. Ndërsa të akuzuarit po marrin pjesë përmes videolidhjes.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Lajmet

Kuvendi vazhdon punimet: PDK lëshon sallën pas mospajtimit për Rezolutën

Published

on

By

Lajm në zhvillim:

Kuvendi i Kosovës po vazhdon me diskutimet parlamentare, pavarësisht faktit se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka braktisur sallën plenare. Largimi i PDK-së erdhi pasi shefat e grupeve parlamentare nuk arritën një kompromis për ta trajtuar draft-rezolutën për mbrojtjen e të vërtetës historike si pikën e parë të rendit të ditës.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, argumentoi se për shkak të rëndësisë kombëtare, ky dokument duhej të votohej përpara çdo pike tjetër, duke theksuar se deputetët kishin pasur kohë që nga e mërkura për ta shqyrtuar tekstin. Sipas saj, në një kohë kur tentohet shtrembërimi i historisë, Kuvendi nuk mund të sillet sikur çdo gjë është normale pa i dhënë prioritet kësaj çështjeje.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) shprehu gatishmërinë për ta mbështetur rezolutën, por me kushtin që teksti të harmonizohej paraprakisht.

Arbërie Nagavci propozoi që një grup i përbashkët punues të hartonte një draft të dakorduar gjatë ditës, në mënyrë që ai të votohej në fund të seancës si një qëndrim unik.

Meqenëse PDK-ja nuk pranoi që rezoluta të mos ishte pika e parë, ata tërhoqën propozimin dhe u larguan, ndërsa deputetët e tjerë po vazhdojnë me shqyrtimin e 16 pikave të mbetura të rendit të ditës, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare dhe emërimet në institucione të pavarura.

 

Kuvendi nis punimet me diskutime mbi rezolutën e PDK-së për mbrojtjen e viktimave të luftës

Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot, për të mbajtur seancën e parë plenare që pas shpalljes së aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Çështja që ka marrë vëmendjen kryesore në hapje të punimeve është kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të ndryshuar rendin e ditës, duke kërkuar që draft-rezoluta për mbrojtjen e viktimave dhe të vërtetën historike të luftës në Kosovë të futet dhe të trajtohet si pika e parë e kësaj seance.

Përfaqësuesit e PDK-së, përfshirë deputeten Vlora Çitaku, insistuan që ky dokument të ketë prioritet absolut, ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ftoi krerët e grupeve parlamentare në konsultim për të vendosur mbi këtë procedurë.

Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Kuvendi pritet të vazhdojë me 16 pikat e rregullta të rendit të ditës, të cilat përfshijnë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me BE-në, Fondin Saudit dhe BERZh-in për projekte në arsim, mjedis dhe energji, si dhe formimin e komisioneve ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe në Bordin e RTK-së.

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Ambasada amerikane paralajmëron se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, Tirana e mohon

Published

on

By

Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar të mërkurën se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”.

Ambasada u bëri thirrje qytetarët amerikanë në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”.

Në një njoftim, Ambasada tha se grupet e lidhura me Iranin “gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”.

Megjithatë, Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare i tha Radios Evropa e Lirë se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.

Ajo shtoi se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.

“Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

Njoftimi vjen pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të grupit opozitar iranian, MEK, strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

Shqipëria gjithashtu e mbështet luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt. Irani është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se Shqipëria i mbështet sulmet amerikano-izraelit, sepse ajo është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.

Gjatë muajit të kaluar, Kuvendi dhe Posta e Shqipërisë u goditën nga sulme kibernetike.

Për të dyja sulmet përgjegjësinë e mori grupi Homeland Justice.

Homeland Justice, sipas një analize nga gjiganti amerikan i teknologjisë Microsoft, është i lidhur me Qeverinë iraniane.

Në postimet e veta në Telegram, grupi i hakerëve kishte thënë se sulmet ndaj institucioneve të Shqipërisë po bëheshin për të dënuar vendimin e tyre për strehimin e grupit opozitar MEK, që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.

“Kur ju i mbështesni terroristët, duhet të dini se do ta paguani çmimin për këtë, në të gjitha aspektet”, thuhet në një nga postimet e këtij grupi, më 10 mars.

Në postime të tjera, grupi akuzon politikanët shqiptarë se po i dëgjojnë “urdhrat e amerikanëve”, si dhe paralajmërojnë se ky sulm është “vetëm maja e ajsbergut”.

Ekspertë të sigurisë ishin të ndarë rreth asaj nëse prezenca e MEK-ut në Shqipëri rrit rrezikun, apo nuk ka ndikim në sulmet e mundshme nga Irani, pas fillimit të luftës me SHBA-në.

Pas fillimit të luftës në Iran, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrit rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste apo operacioneve të fshehta jashtë zonave tradicionale të konfliktit.

Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane The Atlantic, Irani ka përdorur historikisht rrjete dhe metoda të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve, veçanërisht kur përballet me presion të madh politik apo ushtarak, duke përfshirë sulme që burojnë jashtë territorit të Iranit.

Ndërkohë, raportime të gazetës New York Times theksojnë se agjencitë amerikane të inteligjencës po monitorojnë mundësinë që Teherani t’i aktivizojë grupet aleate në rajone të ndryshme për të goditur interesat amerikane ose aleatët e tyre. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Zbulohet laborator kanabisi në Prizren, dy të arrestuar

Published

on

By

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës i zhvilluar këtë të enjte në rajonin e Prizrenit, ka përfunduar me arrestimin e dy personave dhe zbulimin e një laboratori të sofistikuar për kultivimin e bimëve narkotike.

Operacioni, i cili u realizua pas një hetimi paraprak në koordinim me prokurorinë dhe gjykatën, nisi me bastisjen e një shtëpie ku dyshohej se po rriteshin bimë të llojit kanabis sativa.

Gjatë ndërhyrjes, hetuesit policorë arrestuan një person në vendngjarje, ndërsa kontrolli u zgjerua edhe në tri lokacione të tjera ku u prangos edhe i dyshuari i dytë.

Brenda hapësirave të kontrolluara, policia sekuestroi një gamë të gjerë pajisjesh teknike që shërbenin për kultivimin e drogës, duke përfshirë llamba ndriçimi, sisteme ventilimi, aparate për rregullimin e temperaturës dhe preparate kimike.

Megjithëse të dyshuarit kishin tentuar t’i asgjësonin provat duke djegur rreth 300 bimë kanabisi para mbërritjes së forcave të rendit, policia arriti të gjejë sasi të mbetura të marihuanës, kokainës, si dhe një bimë të pa dëmtuar. P

ërveç lëndëve narkotike, në cilësinë e provave materiale u sekuestruan edhe një armë zjarri e llojit pistoletë me dhjetëra fishekë, një veturë dhe një furgon me targa vendore.

Me vendim të prokurorit kompetent, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedime të mëtejshme ligjore.

 

Continue Reading

Lajmet

Dy Prilli – Një thirrje për shoqërinë

Published

on

By

Shkruan: Dr. Denis Çelçima

Dy Prilli – Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin – është dita që i jep zë mijëra individëve dhe familjeve që jetojnë çdo ditë me autizmin dhe në këtë ditë i gjithë njerëzimi duhet të ndalet për të reflektuar, për të kuptuar dhe për të vepruar.

Në një shoqëri që shpesh kërkon përshtatje sipas standardeve të përcaktuara, autizmi na kujton se bota është e ndryshme dhe plot ngjyra, dhe diversiteti është forcë.

Personat në spektrin e autizmit kanë një perspektivë dhe ndjesi unike të tyre për jetën. Ata e ndiejnë, mendojnë dhe përjetojnë botën në mënyra që shpesh sfidojnë perceptimet tona. Këto perceptime kaq unike, i bëjnë ata të veçantë.

Kjo ditë jep një mesazh shumë të rëndësishëm, ndërgjegjësim, pranim dhe përfshirje. Nuk është e mjaftueshme thjesht të dimë për autizmin.

Shoqëria sot duhet të mësojë të dëgjojë, të kuptojë dhe të krijojë hapësira ku çdo individ ka vendin e tij. Sepse përfshirja nuk është privilegj, por një e drejtë.

Dy Prilli nuk është thjesht një datë në kalendar. Është ndërgjegjësim shoqëror, është thirrje dhe kujtesë se çdo hap drejt mirëkuptimit dhe pranimit është një hap drejt një shoqërie më të drejtë. Vlerat njerëzore na orientojnë të jemi më shumë të pranishëm, të paragjykojmë më pak dhe të veprojmë më shumë. Një shoqëri që pranon autizmin, është një shoqëri që pranon njerëzoren në tërësinë e saj.

Ne jemi për të qenë të gjithë së bashku!

Foto: Dr. Denis Çelçima

Continue Reading

Të kërkuara