Lajmet

​Mbi 3 mijë barna të regjistruara, ndërsa mbi 800 me emra të pambrojtur ndërkombëtarë

Kështu u tha nga Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) sot në një tryezë diskutimi.

Published

on

3 mijë e 767 barna të regjistruara, 858 me emra të pambrojtur ndërkombëtarë, ndërsa importet zakonisht 1 mijë e 500-2 mijë prej tyre. Kështu u tha nga Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) sot në tryezën e diskutimit me temën “Legjislacioni në sektorin farmaceutik – Qasja në barna për pacientë”.

Arsim Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë, tha se në kuadër të planit legjislativ 2022, Ministria e Shëndetësisë ka qenë e fokosuar në plotësim-ndryshimin e ligjit për pajisje të produkteve mjekësore, hartimin e ligjit për rregullimin e çmimeve të barnave dhe nxjerrjen e akteve nënligjore siç është udhëzimi administrativ për regjistrimin e multivitaminave. Ai tha se ky ligj duhet të miratohet sa më shpejt gjatë diskutimit publik, derisa shtoi se e njëjta vlen edhe për projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave.

“MSh është në proces të ndryshimit të këtij ligji, një ligj ky që për vite e mandate i nënshtrohet kësaj procedure, por që nuk ka arritur të finalizohet për arsyeje ndonjëherë të pashpjegueshme. Është koha që ky ligj të marrë përgjigje definitive duke rregulluar çështjet që tashmë janë treguar se kanë prodhuar probleme për sektorin, si pasojë e mos adresimit të duhur në kohën kur është bërë ligji apo edhe të zhvillimeve të cilat kërkojnë ndryshime. Me këtë synim presim involvim edhe me intensiv të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Odës së Farmacistëve, Shoqatës së Farmacistëve, por edhe të ekspertëve që ligji të miratohet gjatë diskutimit publik dhe konsultimeve publike. E njëjta vlen edhe për Projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave, të cilat grupi i punës përkatës me përfaqësim nga MSH-ja dhe institucione të ndryshme shëndetësore, përfshirë edhe Odën e ka hartuar dhe tash e ka dorëzuar në kabinet”, tha Berisha.

Berisha tha se duke u nisur nga fakti se qeveria ka dyfishuar buxhetin për barna dhe material shpenzues dhe ka ngritur në 300 milionë euro buxhetin vjetor për shëndetësi, krijohet mundësia që në listën e barnave esenciale të përfshihen dhe terapitë e reja, si ato për sëmundje të rralla dhe të zgjerohet terapia edhe për patologji tjera.

Kryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së, Sejdë Tolaj tha se përmes një grupi profesional të përbërë kryesisht prej drejtorëve të departamenteve kanë hartuar një plan të performancës për vitin 2023, në të cilin ka përcaktuar objektivat kryesore të këtij institucioni dhe ndër objektivat kryesore ka të bëjë me plotësimin e bazës ligjore, pasi që sektori farmaceutik ka nevojë që baza ligjore të kompletohet në tërësi.

“Ligji për produkte dhe pajisje medicinale, i cili ka qenë në plotësim-ndryshim edhe në këtë planin legjislativ të vitit 2022, ka disa dobësi, gjë që ka ndikuar në disa pika të mos implementohet si ligj… Por, ky aktivitet do të ndikonte shumë pozitivisht në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, sepse do të kishim shumë të hyra që do të grumbullonte Agjencia dhe të gjitha tarifat që paguhen prej operatorëve, këto të hyra dedikohen për buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Është momenti duhur që si sektor shëndetësor të mendojmë të fillojmë, ndoshta në vitin 2023 me regjistrimin e pajisjeve medicinale, gjë që do të ndikonte dukshëm në rritjen e të hyrave të buxhetit të Kosovës me këtë aktivitet”, tha Tolaj.

Arianit Jakupi, kryetar i OFK, tha se sot janë 858 barna me emra të pambrojtur ndërkombëtarë dhe regjistruara, të cilat janë 3 mijë e 767 forma të ndryshme, ndërsa shtoi se nga disa analiza të importeve janë rreth 1 mijë e 500 deri në 2 mijë prej tyre të cilat importohen.

Jakupi tha se është e nevojshme të zgjidhet problemi me barnatoret. Sipas tij në vend ka më shumë barnatore nga sa do të duhej të ishin, nëse krahasohen me vendet e BE-së.

“Sa i përket legjislacionit, problemeve, prioriteteve, është shumë e rëndësishme qasja në barna, është e drejtë themelore e pacientit… Si rezultat i këtyre ne sot kemi 858 barna me emra të pambrojtur ndërkombëtarë dhe të regjistruar, të cilat janë 3767 forma të ndryshme, por nga disa analiza të importeve ka qenë një publikim i mëhershëm, rreth 1500 deri në 2000 prej tyre importohen, do të thotë edhe ato të cilat janë të regjistruara zakonisht jo të gjitha do të importohen… Është parë që importet janë të shumta për barnat që nuk janë të regjistruara dhe për shumë vite udhëzimi ka qenë në fuqi, por që është parë nevoja për ndryshim… Si statistika në Kosovë ka rënë numri i barnatoreve. Te ne çdo kush mund të hapë barnatore, por në BE në shumicën e vendeve është vetëm farmacisti që mund ta hapë… Në grafikun shihet se prej vitit 1951 deri në vitin 2022 numri i barnatoreve në Kosovë ku do të duhej të kishim vetëm 264 barnatore, ne sot i kemi mbi 800 barnatore të licencuara, kurse sipas mesatares së BE-së, numri që do duhej të ishte në Kosovë është rreth 500, ndërsa në vend vetëm në dy vitet e fundit te ne janë hapur 264 barnatore”, tha Jakupi.

Lajmet

REL: Prokuroria serbe thotë se BIA nuk i është përgjigjur kërkesës për ta marrë në pyetje Vuçiqin në rastin “Panda”

Published

on

By

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë nuk u është përgjigjur kërkesave për zhvillimin e bisedave me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe me ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një përgjigje për REL-in, Prokuroria tha se ka kërkuar në disa raste nga BIA që të zhvillojë biseda me personat e propozuar për të verifikuar nëse ata posedojnë informacione të rëndësishme për hetimin, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Sipas Prokurorisë, veprimet e mëtejshme do të varen nga raporti që pritet të dorëzohet nga BIA.

Kërkesa për marrjen në pyetje të Vuçiqit, Stanishiqit dhe Simatoviqit është paraqitur nga avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, i cili argumenton se ata mund të kenë njohuri të rëndësishme për rastin. Në veçanti, Vuçiq ka deklaruar disa herë publikisht se ekzistojnë informacione lidhur me vrasjet në kafenenë “Panda”, ndërsa në vitin 2013 kishte thënë se nuk kishte prova që autorë të krimit ishin shqiptarët dhe se opinioni publik serb do të përballej me “të vërteta të tmerrshme”.

Në kërkesën drejtuar Kryeprokurorit Publik, Niniq ka kërkuar gjithashtu që të verifikohen pretendimet se Radomir Boban Baqoviq mund të jetë autori i drejtpërdrejtë i masakrës. Këto pretendime u publikuan së fundmi në një video në rrjetin social Telegram nga shtetasi malazez në arrati, Milosh Medenica.

Prokuroria bëri të ditur se Baqoviqi nuk është marrë asnjëherë në pyetje në lidhje me këtë rast, pasi deri më tani nuk është konsideruar dëshmitar i besueshëm në hetim.

Autoritetet serbe theksuan se hetimet, të nisura në vitin 2016, vazhdojnë ende, pasi nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshim të bazuar mbi autorët e krimit. Prokuroria shtoi se është e gatshme t’i paraqesë Prokurorisë Supreme Publike një raport të plotë mbi veprimet e ndërmarra deri më tani.

Më 14 dhjetor 1998, pesë nxënës të shkollës së mesme dhe një studente u vranë kur persona të armatosur hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe hapën zjarr. Në atë kohë, autoritetet serbe arrestuan disa shqiptarë nën dyshimin për përfshirje në krim, por ata u liruan një vit më vonë nga Gjykata në Beograd për mungesë provash.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Himarë, humb jetën 65-vjeçari pasi dyshohet se u plagos nga shpërthimi i dinamitit gjatë peshkimit

Published

on

By

Një 65-vjeçar ka humbur jetën të enjten në zonën e Porto Palermos, në Himarë, pasi dyshohet se u plagos rëndë nga shpërthimi i një lënde plasëse që po e përdorte për peshkim, raporton KosovaPress.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, kur shtetasi me inicialet P.M., 65 vjeç, dyshohet se u lëndua nga shpërthimi i një lënde plasëse (dinamit) gjatë peshkimit.

I plagosuri u transportua menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Shëndetësore të Himarës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një fëmije 2-vjeçar

Published

on

By

Një edukatore e një kopshti privat në Tiranë është arrestuar në flagrancë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar,raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, e dyshuara me inicialet B.H., 32 vjeçe, e cila punonte si edukatore në këtë institucion, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të miturit në ambientet e kopshtit ku punonte.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B.H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa policia ka bërë të ditur se po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu nga Zubin Potoku: Mbetjet e gjetura janë me prejardhje njerëzore, të ruhet integriteti i hetimeve

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se në terren po angazhohen institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Sot, bashkë me nënkryetaren, ministren Bogujevci, jemi këtu në fshatin Kalludër, për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më lejoni që së pari të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: nga Policia, nga Prokuroria, nga Komisioni për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, po ashtu nga IML-ja, por edhe secilin institucion tjetër që po e bëjnë angazhimin më të madh për të ardhur deri te e vërteta. Tash ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë ajo.

Haxhiu, ka bërë thirrje që të ruhet integritetit i hetimeve.

“Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e po ashtu të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet plagë e hapur edhe më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë — pra gjatë luftës së fundit në Kosovë — është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, ka shtuar ndër të tjera Haxhiu./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara