Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar të premten masë paraburgimi për policin e ndaluar një ditë më parë, Bojan Jevtiq, nën dyshimet për spiunazh për Serbinë.
Prokuroria ka bërë të ditur se Jevtiq – i dërguar në mbajtje për 48 orë – ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”.
Millosh Nikolliq, mbrojtësi Jevtiqit, ka thënë pas përfundimit të seancës që ka kërkuar mbrojtje në liri të klientit të tij.
“Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës, dhe se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, ka thënë ai për mediat pas mbajtjes së seancës.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu ka thënë para mediave se pas aksionit të kryer një ditë më parë në Komunën e Kamenicës, në shtëpinë e Jevtiqit dhe objekte tjera, janë gjetur prova materiale dhe personale, çka vërtetojnë se i dyshuari është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm.
Përmes një komunikate të lëshuar nga Prokuroria më 17 korrik, është thënë se janë sekuestruar këto prova materiale: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër pa autorizin, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë [17.072 euro], 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.
Avokati mbrojtës ka thënë se e konsideron më të përshtatshme një masë më të lehtë sigurie.
“Masa e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje nga policia. Mendojmë se është e përshtatshme, sepse është fillimi i procedurës, mund të zgjasë dhe nuk ka nevojë për caktim paraburgimi”, ka thënë avokati Nikolliq.
Lubisha Jevtiq, vëllai i policit të ndaluar, ka thënë të premten para gjykatës se ai është ndaluar “pa asnjë bazë ligjore”.
“Është njeri i ndershëm dhe e ka kryer punën e tij me përkushtim. Është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët i ka mbajtur me atë pagë. Ka punuar në Policinë e Kosovës për 23 vjet pa asnjë njollë në karrierën e tij, pa asnjë shkelje. Besoj se ndaj tij nuk do të zhvillohet fare procedurë dhe se do të lirohet”, ka thënë ai pas seancës.
Pas aksionit të 17 korrikut, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se “po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë”.
Sipas tij, “ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë”.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.
Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare./REL