Lajmet

​Manastirliu takohet me Gexhën, Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë dy marrëveshje në fushën e shëndetësisë

Gexha ka deklaruar se ka bashkëpunim të mirë mes të dyja vendeve në sektorin e shëndetësisë.

Published

on

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu është pritur në takim nga zëvendësministrja Dafina Gexha. Pas takimit u tha se bashkëpunimi mes të dy vendeve do të shtohet edhe me dy marrëveshjet që priten të firmosen në mbledhjen e qeverive. Marrëveshjet kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve shëndetësore në zonat kufitare si në Prizren e Gjakovë dhe qasjen e lehtë të shërbimeve në sezonin turistike për qytetarët e të dyja vendeve.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha ka deklaruar se ka bashkëpunim të mirë mes të dyja vendeve në sektorin e shëndetësisë.

“Pavarësisht situatës së sezonit, në vazhdimësi kemi bashkëpunime që edhe më tej duhet t’i thellojmë. Kemi trajtimin e pacientëve me hemodializën, qasjen në Qendrën Klinike Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kemi qasjet në Spitalin e Prizrenit dhe Gjakovës për qarqet Kukës dhe Malësi e Gjakovës. Sot, natyrshëm qarkullojmë këndej dhe andej Drinit për jetë, familje, shkollë, punë, argëtim dhe turizëm. Sistemet tona shëndetësore duhet të rrisin edhe më tej bashkëpunimin në frymën e marrëveshjeve mes dy qeverive tona për të mbështetur këtë integrim”, ka theksuar ajo.

Ajo ka shtuar se si ministri janë të interesuar që për sezonin veror, shqiptarët e Kosovës të kenë qasje të duhur në sistemin shëndetësor të Shqipërisë.

Një gjë të tillë ka garantuar edhe ministrja e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.

“Ne kemi siguruar si Ministri e Shëndetësisë, kemi marrë masat që prej datës 15 qershor, qendrat shëndetësore verore që tashmë janë prej vitesh në dispozicion të pushuesve edhe në këtë vit të jenë në dispozicion të pushuesve dhe gjithashtu t’i shërbejnë me shumë cilësi të gjithë pushuesve, turistëve dhe qytetarëve shqiptar e kosovar, duke mos patur asnjë mungesë dhe duke u dedikuar në gjithë shërbimet e urgjencës. Gjithashtu edhe në shërbimet spitalore që mund të dal nevoja për të pasur”, është zotuar ajo.

Më tej, ajo i ka uruar shërim të shpejt ministrit Latifi, duke njoftuar se do ta vizitojë në spitalin ku po trajtohet.

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë tha se është në Kosovë për bashkëpunim më të mirë mes të dyja vendeve.

“Në takimin që patëm sot, arsyeja dhe çështjet kryesore të diskutimit janë ndalur në dy marrëveshje që ne presim që të firmosen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të mbahet brenda muajit qershor. Dy marrëveshje të cilat synojnë që të ofrojnë më shumë garanci për kujdes shëndetësor për qytetar shqiptar dhe të Kosovës. Marrëveshja e parë konsiston në një bashkëpunim mes spitaleve të zonave ndërkufitare, të Spitalit të Kukësit, Gjakovës dhe Prizrenit. Ku fokusi kryesor do të jetë shërbimi i profesionistëve të shëndetësisë në këto zona”, është shprehur ai.

Sipas saj, element i rëndësishëm i kësaj marrëveshje do të jenë edhe korridoret që do të krijohen nëpërmjet protokolleve të bashkëpunimit për shkëmbimin e barnave, vaksinave, pajisjeve bio-mjekësore.

Po ashtu, Manastirliu tha se është në vullnetin e tyre një marrëveshje që mbështesin qytetarët me vëmendje fëmijët. Ajo është pyetur edhe për shërbimet kardiokirurgjike dhe ndihmën për Kosovën.

“Ne kemi diskutuar edhe për këtë aspekt, pasi shërbimet që janë të specializuara dhe ofrohen në qendra unike referenciale, sikurse është shërbimi i kardiokirurgjisë do të mundet që të zhvillohet edhe më tej. Shqipëria ka hapur qendrën e dytë të Kardiokirurgjisë publike në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, duke rritur kapacitetet e saj tashmë për ndërhyrje kardiokirurgjikale, por edhe duke shtuar të gjitha ato ekipe profesionistësh për të pasur më shumë ndërhyrje kardiokirurgjikale dhe për të pasur më shumë mbulim në këtë pikë. Patjetër që e mundëson edhe lëvizjen, sipas një kalendari të përcaktuar, që zhvillohet mes dy spitaleve universitare të kardiokirurgëve që mund të vijnë në Kosovë për të kryer këto ndërhyrje”, ka përfunduar ministrja e Shëndetësisë.

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë gjatë qëndrimit në Kosovë do të ketë takime edhe me zyrtarë të tjerë nga ekzekutivi.

Lajmet

Rumania rrezikon të humbasë 770 milionë euro nga fondet e BE-së

Published

on

Rumania rrezikon të humbasë rreth 770 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pasi nuk arriti të përmbushë një afat kyç për reformat e planit të rimëkëmbjes pas pandemisë.

Afati i 31 gushtit lidhej me miratimin e një ligji të ri për pagat në sektorin publik, por partitë kryesore politike nuk arritën marrëveshje për këtë çështje.

Sipas burimeve të BE-së, mosrespektimi i afatit mund të çojë në zbritjen e rreth 770 milionë eurove nga 8.44 miliardë eurot që Rumania i ka ende në dispozicion nga fondet evropiane.

Shuma e rrezikuar përbën rreth 40 për qind të planit të përgjithshëm të rimëkëmbjes së Rumanisë, i cili kap vlerën prej 21.41 miliardë eurosh.

Megjithatë, shuma përfundimtare e fondeve që mund të humben do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, gjatë vlerësimit të kërkesës së fundit për pagesë, e cila duhet të dorëzohet deri në fund të shtatorit.

Presidenti rumun Nicuşor Dan ka deklaruar se legjislacioni është pothuajse i përfunduar teknikisht dhe se mund të miratohet deri në fund të vitit.

Ai e ka cilësuar reformën si një proces të ndërlikuar, me pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike, që është zhvilluar nën presion të madh kohor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit nga 1 shtatori

Published

on

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka njoftuar se është pezulluar vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit, i cili ishte paralajmëruar të hynte në fuqi më 1 shtator.

Sipas shoqatës, vendimi është pezulluar pas një takimi mes përfaqësuesve të institucioneve përkatëse dhe përpunuesve të qumështit.

“Rrjedhimisht, grumbullimi i qumështit do të vazhdojë deri në një vendim apo njoftim tjetër”, thuhet në njoftim.

Më herët, përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës kishin dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë kërkesat e tyre, duke kërkuar takim me ministrin në detyrë, Armend Muja, si dhe rikthimin e menjëhershëm të prodhimit të produkteve të qumështit.

Qumështoret kanë kërkuar gjithashtu nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë një komunikatë zyrtare për sigurinë e produkteve të industrisë vendore, si dhe anulimin e vendimit të 15 majit 2026, me numër 1414.

Një tjetër kërkesë e tyre është që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të ndërmarrë masa ndaj çmimeve që industria i konsideron dumping në tregun e produkteve të qumështit.

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit, Gani Durmishaj, ka thënë se këto kërkesa janë dorëzuar edhe zyrtarisht me shkrim.

Pas pezullimit të vendimit, grumbullimi i qumështit nga fermerët do të vazhdojë, ndërsa ata do të njoftohen me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hoti nuk e përkrah Bekim Sejdiun për president: “Nuk është çështje individësh, por parimesh”

Published

on

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se qëndrimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me parime politike dhe institucionale.

Sipas tij, presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe të ndërtojë konsensus përtej interesave partiake, ndërsa ka vlerësuar se kandidatura e Sejdiut nuk i përmbush këto kritere.

Hoti ka thënë gjithashtu se kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj. Sipas tij, partia nuk duhet të mbështesë një kandidat vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ai nuk përfaqëson parimet dhe pritjet e votuesve.

“Nuk është çështje individësh, por çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë”, ka shkruar Hoti.

Bekim Sejdiu kishte qenë gjyqtar raportues në rastin kur Gjykata Kushtetuese, në vitin 2020, e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeqyteti nis procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të “Pastrimit”

Published

on

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim të nisë procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të pastrimit, me kapacitete të dedikuara vetëm për Prishtinën, raporton Ekonomia Online.

Vendimi u prezantua sot nga Kryetari Përparim Rama, në një konferencë për media së bashku me nënkryetarët Besianë Musmurati dhe Florian Dushi, të cilët paraqitën dokumentet, kronologjinë dhe hapat institucionalë të ndërmarrë për realizimin e projektit.

Kryetari Rama theksoi se marrëveshja ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa pasojat po i bartin Prishtina dhe qytetarët e saj.

“Qeveria e ka bllokuar Komunën dhe, si rrjedhojë, po i ndëshkon qytetarët. Prishtina nuk mund të presë pafundësisht një nënshkrim nga Hekuran Murati. Nëse Qeveria ka zgjedhur ta bllokojë financimin, ne kemi zgjedhur ta krijojmë zgjidhjen. Do ta themelojmë ndërmarrjen e re të pastrimit të Kryeqytetit”, deklaroi Rama.

Nënkryetarja Besianë Musmurati prezantoi dëshmitë që tregojnë se projekti me KfË-në kishte kaluar të gjitha fazat e nevojshme të negocimit dhe miratimit. Faza e parë prej 24.1 milionë eurosh parashihte rreth 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave dhe platforma për vendosjen e tyre. Faza e dytë prej 50 milionë eurosh përfshinte kapacitete shtesë dhe qendra për kompostim dhe riciklim.

Më 26 shtator 2024, KfË-ja ia kishte dërguar Ministrisë së Financave draftet e marrëveshjeve për grantin prej 4.1 milionë eurosh dhe kredinë e butë prej 20 milionë eurosh. Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua. Pa përgjigje mbeti edhe letra e përbashkët e Kryeqytetit dhe KfË-së, e dërguar më 15 maj 2026.

“Për shkak të këtij bllokimi, Prishtina sot nuk i ka 100 kamionët shtesë, 10 mijë kontejnerët dhe sistemin afatgjatë të riciklimit të paraparë me standarde gjermane. Përgjegjësia për mosrealizimin e projektit është e Ministrit Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.

Nënkryetari Florian Dushi bëri të ditur se Ligji për Kryeqytetin ia mundëson Prishtinës themelimin e ndërmarrjes së re pa pëlqimin e Qeverisë. Aktualisht po përgatiten plani i biznesit dhe analiza financiare, pas së cilave propozimi do t’i paraqitet Kuvendit të Kryeqytetit.

Kryetari Rama siguroi punëtorët aktualë të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” se askush nuk do të mbetet pa punë.

Ata do të sistemohen, do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe do të përfshihen në sistemin e ri që po ndërton Kryeqyteti.

Sipas tij, Prishtina nuk do të mbetet peng i bllokimeve. Kryeqyteti do të ndërtojë kapacitetet e veta dhe një sistem funksional, efikas e të qëndrueshëm, me vetëm një përgjegjësi: pastrimin e Prishtinës./EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara