Lajmet

​Limaj: Enveri Hoxhaj veç në filmat e Rambos e ka parë çfarë është shpirti luftarak

Published

on

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka bërë thirrje që mos të votohet kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj. Ai gjatë një takimi me të rinjtë e Malishevës, është treguar i ashpër me Hoxhajn duke e quajtur “çun”, i cili nuk e dinë çka është shpirti luftarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Limaj duke u shprehur i vendosur se Nisma e do të jetë në Kuvendin e Kosovës, tha se partia e tij do të përfaqësojë çlirimtarët në legjislativ.

“A e dini cili është dallimi im me Enverin. Ai kurgjo s’ka ndërtuar, krejt i ka marrë të gatshme. Dallimi është se ky senet e mëdha i bënë të vogëla, e unë i nisi të vogla i bëj të mëdha. Enveri është mësu gjithë me i pas të gatshëm. E kemi pa edhe partinë e ka marrë të gatshme, kemi me pa ku e ka çu. Ku është shku i ka zvogëlu. Dallimi është se unë gjithmonë e kam nis duke ndërtu, zhvillu dhe kam rritë. Dallim tjetër është se ai kurrë një betejë në jetën e vet nuk ka zhvillu, as në jetën politike, ai nuk e dinë çka është se për ketë tjetrën s’po flas ju e dinë më mirë. Mos ia shihni për të madhe se nuk dinë, ai niset prej veti. Enveri veç në filmat e Rambos e ka pa çfarë është shpirti luftarak. Enveri nuk e dinë çka është përballja me jetën a vdekjen, atë e ka parë vetëm në televizion. Dallim i madh është. I dashur Enver dallimi ndërmjet meje e teje është se unë jam kanë në mesin e popullit e ju keni qenë vetëm në mesin e spektatorëve, unë kam një apel për gjithë bashkëluftëtarët anë e kënd Kosovës, familjet patriotike mos e votoni Enver Hoxhajn. Po tregoj pse, sepse në kohën kur unë së bashku me bashkëluftëtarët luftonin për çlirimin e Kosovës, Enver Hoxhaj deklaronte se do të kërkoj azil politik në Beograd nëse UÇK-ja fitonte luftën. Prandaj ju ftoj të gjithë e të mos votojnë këtë njeri”, tha ai.

Lideri i Nismës adresoi kritika edhe për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti.

“51 ditë e ka shti në burg Malishevën me atë karantiminim në ditën e parë. 51 ditë as një vizitë nuk kanë ardh me vizitu Malishevën kur ka qenë më keq, kur njerëzit tanë nga panika as telefonin nuk e kanë qel për 51 ditë, tash kam ndi që Albini po vjen në fshatra dhe oda të Malishevës. Ku ishe në kohën kur Malisheva kishte nevojë për ty”, tha ai.

Ndërkohë tha se çdo çlirimtar do të jetë i përfaqësuar në Kuvend përmes Nismës.

“Çdo djalë-vajzë që e ndien vetën krenar për lirinë e Kosovës, sakrificën e Kosovës sot është çlirimtar dhe po rreshtohen me çlirimtarët për të qenë në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Derisa pati një porosi edhe për ish-bashkëpunëtorin e tij në Nisma, Haxhi Shalën.

“Çka me thënë për Haxhin, çka kish thanë Enveri, i ka bërë projektet tjetër kush. O Haxhi, unë ty t’kam bërë e lëri projektet”, tha ai.

Pjesë e këtij takimi të Nismës me të rinjtë e Malishëvës ishin edhe kandidatët për deputetë të kësaj partie, të cilët kërkuan votën e malishevasëve.

Vendi

Haxhiu takon Gashin në Shkup për bashkëpunimin ndërparlamentar

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nisur vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut me një takim dypalësh me homologun e saj, Afrim Gashi.

Gjatë takimit u diskutua për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë te bashkëpunimi ndërparlamentar përmes komisioneve përgjegjëse dhe grupeve të miqësisë, si dhe te roli i kuvendeve në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe.

Haxhiu nërvijëzoi rëndësinë e mbështetjes nga e gjithë spetri politik—si nga shumica parlamentare, ashtu edhe nga opozita—dhe falënderoi Gashin për mbështetjen që Maqedonia e Veriut i ofron Kosovës në organizatat dhe forumet ndërkombëtare, duke rikonfirmuar përkushtimin e përbashkët drejt integrimit evropian. /E.A/

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Gjykata Supreme e hedh ankesën e Blerim Isufajt kundër vendimit të KPK-së për shkarkim

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të ushtruar kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të datës 2 tetor 2026, me të cilin ai u largua nga pozita e tij udhëheqëse.

Në aktvendimin e marrë më 27 tetor 2026, kolegji i Supremes vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e ankesës në kuadër të kompetencës së veçantë të kësaj gjykate sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Sipas Gjykatës Supreme, faktori që sjell ndërprerjen e funksionit udhëheqës nuk e përcakton automatikisht natyrën disiplinore të vendimit. Vendimi i KPK-së për largimin e Isufajt është nxjerrë bazuar në nenin 22 të Ligjit për Këshillin Prokurorial, pa u konstatuar përgjegjësia e tij disiplinore, gjë që e bën atë një akt individual me karakter administrativ.

Gjykata Supreme sqaroi se ligjshmëria e këtij vendimi duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor përmes procedurës së konfliktit administrativ në gjykatën kompetente lëndore, duke udhëzuar kështu ndjekjen e rrugës administrative dhe jo atë të ankesës direkte në Supreme. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, fëmija i saj 12-vjeçar dërgohet në strehimore

Published

on

By

Fëmija 12-vjeçar i të ndjerës Arlinda Zekaj është strehuar në njërën nga strehimoret e Kosovës, pas ngjarjes tragjike të 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës ku nëna e tij u vra nga goditjet me mjet të fortë.

Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, ndërsa nga ky institucion kanë bërë të ditur se për procedurat dhe hapat e mëtejmë lidhur me kujdestarinë e të minorit duhet të kërkohen informacione pranë Qendrës për Punë Sociale.

Nga ana tjetër, Qendra për Punë Sociale nuk ka dhënë deklarata shtesë për mediat, me arsyetimin se zyrtarët e saj janë të angazhuar në terren duke u marrë me trajtimin e menjëhershëm të këtij rasti.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje nevojën urgjente për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe reagimin efektiv të institucioneve përgjegjëse. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tetë gra të vrara këtë vit: Pse po dështon shteti në parandalim?

Published

on

By

Tetë gra janë vrarë në Kosovë, kryesisht nga partnerë e ish-partnerë, deri më tani gjatë vitit 2026. Kjo i bie mesatarisht një grua çdo pesë javë.

Vrasja e fundit, ajo e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, ka rikthyer në diskutim publik pyetjet për reagimin e institucioneve ndaj dhunës në familje dhe për efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes.

Tri ditë para vrasjes, Zekaj ishte ankuar te kryeprokurorja e Pejës për mënyrën se si institucionet po e trajtonin rastin e saj dhe kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se, kur një grua kërkon ndihmë dhe paralajmëron se është e rrezikuar, institucionet duhet të reagojnë menjëherë dhe të ndërmarrin masa konkrete.

“Pranimi i deklaratës, regjistrimi i rastit apo përcjellja e shkresave nuk mjaftojnë për ta konsideruar të përmbushur këtë detyrim”, thotë Rezniqi.

Vlerësimi i rrezikut, thekson ajo, duhet të përsëritet gjatë gjithë procedurës, veçanërisht kur ka kërcënime të reja ose ndryshojnë rrethanat.

Zekaj kërkonte të kthehej në shtëpinë e saj, sipas një vendimi gjyqësor që ia njihte të drejtën për shfrytëzimin e përbashkët të asaj shtëpie me ish-bashkëshortin.

Prokuroria Themelore në Pejë, një ditë pas vrasjes, shpjegoi se ish-bashkëshorti e kishe kanosur dhe, pas intervistimit të të dy palëve, ai u ndalua dhe Zekaj u kthye në shtëpi, ku jetonte edhe djali i saj.

Megjithatë, disa minuta pas kthimit të Zekajt, ajo dyshohet se u godit për vdekje nga kunati i saj. Kronologjia e publikuar nga Prokuroria nuk sqaron nëse rreziku nga anëtarët e tjerë të familjes ishte vlerësuar dhe çfarë masah ishin marrë për sigurinë e saj pas kthimit.

I dyshari për vrasjen është ende në arrati, ndërsa Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar paraburgim për ish-bashkëshortin për “mospërfillje të gjykatës” për urdhrin për të mos ushtruar dhunë fizike apo psikologjike ndaj Zekajt

Rezniqi thotë se kur rreziku është i identifikueshëm, por masat mbrojtëse nuk ndërmerren, pasojat mund të jenë serioze.

“Nënvlerësimi i kërcënimeve, trajtimi i dhunës si mosmarrëveshje private, hetimet e paplota dhe mosreagimi ndaj shkeljeve të masave mund ta lënë viktimën të ekspozuar ndaj përshkallëzimit të dhunës”, thotë ajo.

Pas vrasjes së Zekajt, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi një raport të detajuar për të sqaruar nëse kishte pasur lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale.

Por, Rezniqi thekson se përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm te deklaratat publike, por duhet të shqyrtohet veprimi i secilit zyrtar të përfshirë.

“Kultura e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve institucionalë duhet të marrë fund”, thotë Rezniqi.

 Dështimet e evidentuara edhe më herët

Pyetjet për reagimin e shtetit ndaj dhunës në familje nuk janë të reja. Në mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar se shteti ia kishte shkelur të drejtën për jetë Sebahate Morinës, e cila ishte vrarë nga ish-bashkëshorti në vitin 2021.

 

Çka dështoi në rastin e Sebahate Morinës?

Në gusht të po atij viti, Amnesty International raportoi se gratë që përpiqen të largohen nga marrëdhëniet e dhunshme në Kosovë përballen me pasiguri dhe mungesë të mbështetjes shtetërore për të jetuar të pavarura. Kjo, sipas raportit, i detyron disa prej tyre të kthehen në situata të dhunshme.

Raporti ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës, përfshirë minimizimin e saj dhe zbatimin joefektiv të urdhrave mbrojtës.

Në vitin 2023, Kosova ndryshoi legjislacionin për t’u dhënë përparësi hetimit dhe gjykimit të rasteve të dhunës në familje.

Ndërsa, në dhjetor të vitit 2024, u vu në funksion edhe sistemi i mbikëqyrjes elektronike, për të monitoruar personat ndaj të cilëve gjykatat vendosin masa mbrojtëse. Megjithatë, përdorimi i këtij sistemi mbetet i kufizuar.

Për sociologen Dhurata Prokshi, problemi nuk qëndron vetëm te zbatimi i ligjeve, por edhe te mënyra se si dhuna ndaj grave kuptohet dhe trajtohet brenda shoqërisë dhe institucioneve.

“Numri i vrasjeve tregon që format e parandalimit të vrasjeve nga institucionet janë të padukshme. Institucionet, më mirë të themi, veprojnë pas aktit, pasi vrasjet të kenë ndodhur”, thotë Prokshi.

Sipas saj, dhuna psikologjike, kërcënimet dhe rastet me pasoja më të lehta fizike priren të minimizohen, ndërsa kërkesa për prova shtesë mund ta pengojë trajtimin serioz të rasteve.

Prokshi thekson se zyrtarët institucionalë janë pjesë e së njëjtës shoqëri dhe se normat patriarkale mund të ndikojnë në mënyrën se si ata e trajtojnë dhunën ndaj grave. Ajo kërkon kuadro të specializuara që nuk e trajtojnë dhunën si çështje private dhe që vazhdojnë t’i përcjellin rastet edhe kur viktima tërhiqet nga raportimi.

Rezniqi thotë se, ndonëse korniza ligjore është përmirësuar, sfidë mbetet zbatimi i saj. Ajo kërkon vlerësime të dokumentuara të rrezikut, koordinim urgjent në rastet me rrezik të lartë dhe përgjegjësi të qarta për zbatimin e masave mbrojtëse.

Sipas Rezniqit, kur konstatohet neglizhencë në përmbushjen e detyrave, duhet të shqyrtohet përgjegjësia disiplinore dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, edhe ajo penale.

Në letrën e dërguar institucioneve tri ditë para vrasjes, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave, si dhe zbatimin e menjëhershëm të vendimit gjyqësor për shtëpinë.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”, kishte shkruar ajo.

Si mund të forcohet mbrojtja e grave?

Një ditë pas vrasjes së Zekajt, Kuvendi miratoi një rezolutë që kërkon hetim parlamentar për përgjegjësinë në rastin e Zekajt, si dhe rishikimin rugjent, brenda 72 orëve, të rasteve aktive me rrezik të lartë të dhunës në familje.

Çka përmban rezoluta?

Krahas masave të kërkuara me rezolutë, përvojat e vendeve të tjera tregojnë se si mund të forcohet mbrojtja e grave në praktikë.

Asnjë sistem në botë nuk e ka zhdukur plotësisht vrasjen e grave. Përvojat e Spanjës dhe Australisë tregojnë disa mënyra se si institucionet mund ta forcojnë reagimin ndaj dhunës ndaj grave: përmes vlerësimit të rrezikut, bashkërendimit të institucioneve dhe shqyrtimit të rasteve të vdekjeve të lidhura me dhunën në familje. Megjithatë, vrasjet e grave vazhdojnë të ndodhin në të dyja vendet.

Në Spanjë, numri i grave të vrara nga partnerët ose ish-partnerët ra nga 659 në periudhën 2003–2012, në 526 gjatë viteve 2013–2022, sipas Ministrisë së Brendshme.

Edhe pse nuk dihet se cila masë ndikoi specifikisht në këtë rënie, vendi miratoi në vitin 2004 një ligj gjithëpërfshirës kundër dhunës me bazë gjinore dhe themeloi edhe gjykata të specializuara për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, duke mundësuar një përgjigje më të koordinuar ndaj procedurave penale dhe çështjeve të lidhura familjare.

Ndërsa më vonë krijoi sistemin policor VioGén, i cili vlerëson rrezikun e dhunës së përsëritur dhe ndihmon në përcaktimin e masave mbrojtëse. Sistemi u mundëson edhe institucioneve të përfshira që të shkëmbejnë informacione. Spanja mbledh dhe analizon të dhëna edhe për vrasjet, për të identifikuar faktorët e përsëritur të rrezikut dhe për të përmirësuar reagimin institucional.

Në Australi, një mekanizëm tjetër synon të identifikojë mangësitë institucionale. Në disa shtete dhe territore funksionojnë ekipe që shqyrtojnë vdekjet e lidhura me dhunën në familje, analizojnë raportimet e mëparshme dhe reagimin e institucioneve, si dhe japin rekomandime për parandalimin e rasteve të tjera.

Për shembull, në shtetin New South Wales, një ekip i tillë u themelua në vitin 2010, ndërsa një vit më vonë u krijua një rrjet kombëtar që bashkon ekipet e specializuara për shqyrtimin e vdekjeve në kontekstin e dhunës në familje dhe mundëson shkëmbimin e të dhënave, gjetjeve dhe rekomandimeve mes tyre.

Ekipet shqyrtojnë rrethanat e vdekjeve dhe historinë e dhunës që u ka paraprirë atyre, për të identifikuar shenjat e rrezikut dhe mundësitë e ndërhyrjes. Ato analizojnë çfarë informacioni kishin institucionet, si kishin reaguar ndaj raportimeve të mëparshme dhe ku mund të ketë pasur mangësi në ofrimin e shërbimeve. Duke krahasuar edhe rastet mes tyre, ekipet identifikojnë modele të përsëritura dhe bëjnë rekomandime për përmirësimin e reagimit institucional.

Përvojat e Spanjës dhe Australisë tregojnë se mbrojtja nuk përfundon me raportimin e dhunës. Ajo kërkon që institucionet ta vlerësojnë rrezikun, të shkëmbejnë informacion dhe të mësojnë nga rastet e kaluara, duke shqyrtuar edhe çfarë nuk ka funksionuar kur një grua vritet. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara