Lajmet

​LDK akuzon Arben Vitinë se i ka vjedhur programin për Prishtinën

Zogaj tha se do t’i marrin të gjitha masat ligjore për t’i dëshmuar pretendimet e tyre.

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ka akuzuar Arben Vitinë se ka vjedhur programin për kryeqytetin. Sipas tyre, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinë ka bërë plagjiat projekteve të kandidatit të tyre Përparim Ramës, në projektin e lidhjes së lagjeve me qendrën, parkingjet dhe ridefinimin e qendrës së qytetit.

Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së në Prishtinë, Alban Zogaj, në një konferencë për media tha se do t’i marrin të gjitha masat ligjore për t’i dëshmuar pretendimet e tyre.

“Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të kopjimit që i është bërë projekteve të kandidatit tonë, Përparim Rama, nga ana e kundër kandidatit të tij nga Vetëvendosje, Arben Vitia, i cili u inkuadrua në garë ditë më parë, pa asnjë projekt, e pas një menaxhimi katastrofal të pandemisë. Kandidati ynë, Rama, ka kohë që ka shpalosur projektet e tij, të cilat do të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në transformimin e Prishtinës, projekte të cilat i ka vizualizuar dhe i ka paraqitur para publikut përgjatë muajve të fundit. Ajo çka kemi parë mbrëmë në botimin e programit të Vitisë është plagjiat i projekteve të Përparim Ramës dhe vjedhje e të drejtës së autorit, dhe siç e dini, kjo është jo etike, por edhe e dënueshme”, tha ai.

Zogaj paraqiti edhe disa shembuj, ku sipas tij shihet qartazi kopjimi që Vitia i ka bërë programit të Ramës.

“Përparim Rama që një kohë të gjatë prezanton projektin që do të lidhin lagjet me qendrën e Prishtinës. Dje në projektin e Arben Vitsië janë të prezantuara me fjalë të njëjta platforma multifunksionale të cilat lidhin lagjet mes veti. Pra projektet unike që janë origjinale të Përparim Ramës prezantohen në programin e Arben Vitisë. Rasti i dytë është rasti i parkingjeve në Prishtinë, Rama ka muaj të tërë që prezanton projektet e tij për 6 parkingje kryesore në Prishtinë që janë të vendosura në pikat kyçe, njëra ndër to është projekti te rrethi i flamurit, te stacioni i autobusëve, një te Pallati i Rinisë, dhe një tjetër te Kodra e Trimave që është projekt origjinal i Ramës. Rasti i tretë eklatant është pjesa e ridefinimit të qendrës”, tha Zogaj.

Krahas kësaj, Zogaj tha se kandidati i LDK-së Përparim Rama i ka hyrë garës për ta transformuar Prishtinën dhe jo për t’u marrë me kundër kandidatë të tjerë.

“Ajo çka kemi thënë vazhdimisht, dhe është potencuar nga vetë Rama, është e saktë: arkitekti dhe urbanisti Rama i ka hyrë garës për Prishtinën për ta transformuar atë dhe për t’ia kthyer jetën qytetit dhe fshatrave në Komunën e Prishtinës. Deri më sot, nuk jemi marrë asnjëherë me kundër kandidatët e Përparim Ramës, sepse kemi besuar se qytetarët do ta vlerësojnë programin e qeverisjes dhe projektet konkrete te tij, por, sot, nuk mund të heshtim para një akti kaq të ulët, me të cilin synohet të mashtrohen qytetarët e Prishtinës. Ne e themi me kompetencë se asnjëri nga kundër kandidatët e Përparim Ramës as nuk ka aftësi, e as vizion për ta transformuar komunën tonë, kryeqytetin e Republikës, këtë e bën vetëm Përparim Rama”, tha Zogaj.

Zogaj ftoi qytetarët e Prishtinës që të bëjnë vetë vlerësimet dhe krahasimet e programeve qeverisëse, ku sipas tij, programi i tyre është shumë më i mirë se i të tjerëve.

Vendi

Maqedonci në SAHA EXPO 2026: Kosova synon thellimin e bashkëpunimit strategjik në mbrojtje

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në ceremoninë hapëse të “SAHA EXPO 2026”, një prej platformave më të mëdha ndërkombëtare për industrinë e mbrojtjes dhe teknologjisë.

Pjesëmarrja e ministrit Maqedonci erdhi pas një ftese personale nga Haluk Bayraktar, çka sipas ministrit, dëshmon rritjen e besimit dhe forcimin e marrëdhënieve në sektorin e sigurisë. Gjatë këtij panairi, Maqedonci pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë institucionalë dhe drejtues të kompanive lider në teknologjinë ushtarake.

Në njoftimin e tij, Ministri Maqedonci theksoi se ky angazhim është në funksion të rritjes së kapaciteteve të Kosovës përmes partneriteteve globale.

“Pjesëmarrja ime në ceremoninë hapëse të këtij panairi thekson rëndësinë e angazhimit tonë në thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me partnerët ndërkombëtarë. Kjo ftesë përfaqëson një vlerësim të ndërsjellë dhe një dëshmi të marrëdhënieve në rritje në sektorin e mbrojtjes”, njofton Maqedonci.

Më tej, ai shtoi se fokusi kryesor do të jetë identifikimi i mundësive konkrete për partneritete që adresojnë sfidat e sotme të sigurisë.

“SAHA EXPO 2026 mbetet një platformë kyçe për avancimin e bashkëpunimit strategjik dhe adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë,” deklaroi ministri Maqedonci.

Ky panair mbledh qindra ekspozues nga mbarë bota, duke ofruar një dritare të rëndësishme për Kosovën që të njihet me inovacionet më të fundit në fushën e mbrojtjes.

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova shënon sukses historik në arsim: AKA njihet zyrtarisht nga CHEA në ShBA

Published

on

By

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë të ditur se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u njohur zyrtarisht nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (CHEA).

Me këtë vendim, i cili është i vlefshëm deri në fund të vitit 2033, Kosova bëhet shteti i parë dhe aktualisht i vetmi në Evropë që mban këtë status të lartë nga SHBA-të. Ky arritje vjen pas anëtarësimit të agjencisë në Regjistrin Evropian EQAR, duke e pozicionuar Kosovën si lider në rajon për nga standardet e cilësisë.

Sipas Kryeministrit, ky rezultat është fryt i reformave dhe profesionalizmit, duke rritur kredibilitetin e diplomave tona dhe duke krijuar mundësi të reja ndërkombëtare për studentët dhe stafin akademik të Kosovës.

Continue Reading

Botë

Rubio viziton Romën dhe Vatikanin, ndërsa lufta me Iranin tensionon raportet SHBA-Evropë

Published

on

By

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Romën dhe Vatikanin nga data 6 deri më 8 maj.

Zyrtarët e përshkruajnë këtë si përpjekje për të riparuar marrëdhëniet e tensionuara me partnerët kyç evropianë, në kohën kur lufta me Iranin po thellon përçarjet përtej Atlantikut.

Sipas një njoftimi të Departamentit të Shtetit, udhëtimi do të shërbejë “për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe”.

Rubio do të takohet me udhëheqjen e Selisë së Shenjtë për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme dhe interesat e ndërsjella në Hemisferën Perëndimore.

“Takimet me homologët italianë do të përqendrohen në interesat e përbashkëta të sigurisë dhe shtrirjen strategjike”, tha zëdhënësi Tommy Pigott më 4 maj.

Një ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, tha se koha e udhëtimit tregon për rëndësinë e tij.

“Udhëtimi i sekretarit Rubio është një hap i rëndësishëm në diplomaci”, tha ai, duke shtuar se fakti që vizita zhvillohet në këtë kohë, tregon se sa shumë rëndësi u kushton administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, marrëdhënieve me Italinë dhe Selinë e Shenjtë.

Vizita zhvillohet në një kohë të tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë, si për shkak të konfliktit me Iranin, ashtu edhe për mosmarrëveshje më të gjera politike, përfshirë tregtinë dhe angazhimet ushtarake./REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Funksionalizohet Gjykata Administrative

Published

on

By

Sot është bërë funksionalizimi i Gjykatës Administrative, institucioni i parë i specializuar në Kosovë për trajtimin e konflikteve administrative dhe kontesteve të punës në sektorin publik.

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, u shpreh se kjo gjykatë është një mekanizëm i ri i shtetit ligjor që do të rrisë profesionalizmin dhe llogaridhënien në administratën publike. Edhe pse fillon punën me një barrë prej mbi 10 mijë lëndësh të bartura, Gërvalla theksoi se specializimi i kësaj gjykate do të sjellë efikasitet dhe vendime më të shpejta për qytetarët.

“Gjykata Administrative është gjykata e parë e specializuar në vendin tonë, e cila do ta trajtojë konfliktin administrativ dhe kontestet e punës në sektorin publik. Kjo do të thotë se qytetari, zyrtari publik dhe institucioni do të kenë një adresë të qartë, më profesionale dhe më të specializuar për çështjet që lidhen me administratën publike”, është shprehur ministrja Gervalla

Nga sot, qytetarët dhe zyrtarët publikë do të kenë një adresë të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të tyre në raport me vendimet e institucioneve shtetërore.

 

Continue Reading

Të kërkuara