Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur të sot, e enjte një protestë para Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, në shenjë solidariteti me protestat që po zhvillohen në Shqipëri kundër privatizimit të zonave bregdetare, përfshirë Zvërnecin dhe Sazanin.
Gjatë protestës, përfaqësuesja e kolektivit, Liridona Sijarina, tha se aksioni synon të mbështesë qytetarët që po kundërshtojnë projektet që, sipas saj, rrezikojnë pasuritë natyrore dhe interesin publik.
“Sot kemi dalë këtu për të shprehur solidaritetin tonë me protestat në Shqipëri, që janë duke u bërë për të mbrojtur tokën dhe natyrën në Zvërnec, Sazan e përtej”, deklaroi ajo.
Sijarina kritikoi marrëveshjen ndërmjet Jared Kushner dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke e cilësuar atë si një projekt që synon t’i kalojë pasuritë publike në duart e investitorëve privatë.
Sipas saj, zonat e Zvërnecit dhe Sazanit, të konsideruara ndër pasuritë më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë, po përballen me rrezikun e privatizimit dhe shndërrimit në resorte luksoze. Ajo akuzoi qeverinë shqiptare për favorizim të interesave të kapitalit të madh në dëm të mjedisit dhe komuniteteve lokale.
“Me aminin e Edi Ramës, kjo tokë u shit dhe menjëherë oligarkët filluan brutalizimin ndaj natyrës dhe popullatës vendase, duke grabitur jo vetëm tokat, por edhe mundësinë për jetë në ato zona”, u shpreh Sijarina.
Ajo tha se kundërshtimi ndaj këtyre projekteve është pjesë e një rezistence më të gjerë kundër privatizimit të pasurive publike dhe shpronësimit të qytetarëve në favor të interesave private.
Sipas organizatorëve, protestuesit në Kosovë e konsiderojnë kauzën e qytetarëve në Shqipëri si të përbashkët dhe shprehin mbështetje për lëvizjet që kundërshtojnë privatizimin e zonave bregdetare dhe pasurive natyrore.
“Lufta e tyre është edhe e jona. Qëndrojmë pranë atyre që sot po luftojnë për veten dhe tokat e tyre, për natyrën dhe për jetën”, deklaroi Sijarina.
Protesta u mbajt në mbështetje të demonstratave që po zhvillohen në Shqipëri kundër projekteve të zhvillimit turistik në disa prej zonave më të njohura bregdetare të vendit.