Lajmet

​Kusari-Lila mohon të ketë ndërhyrë te Konjufca për ndërprerjen e seancës

Ajo në një konferencë për media ka theksuar se seanca e sotme nuk është ndërprerë për shkak të bllokimit të mazhorancës.

Published

on

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka mohuar se ka ndërhyrë te kryeparlamentari Glauk Konjufca për ndërprerjen e seancës plenare. Ajo në një konferencë për media ka theksuar se seanca e sotme nuk është ndërprerë për shkak të bllokimit të mazhorancës.


“Sot ajo çfarë ndodhi në seancë ishte humbja e kuorumit si rrjedhojë e mos pjesëmarrjes në votim të opozitës. Dhe kjo situatë tashmë për një kohë të gjatë po përsëritet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, nuk ishte mazhoranca ajo që e bllokoi, ishte vetë opozita që refuzoi të jetë aktive në pikat të cilat ishin në agjendë për tu trajtuar sot, sipas dakordimin në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo ka përsëritur qëndrimin kundër tërheqjes së mjeteve të qytetarëve nga Trusti.

“Vota jonë është kundër propozimit të opozitës për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale… Nuk e di se ku po i marrin këto informacione opozita ose PDK, ose çfarë argumenti kanë për këtë lloj informacioni. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është tërësisht kompetent, profesionist dhe natyrisht ka treguar deri më tash se ka qenë tepër korrekt në udhëheqje të seancës dhe një akuzë e tillë, absolutisht e pabazuar e tregon dëshpërimin opozitës për të vepruar ndryshe apo sipas metodave demokratike brenda në seancë”, ka thënë ajo.

Para mediave, Kusari-Lila tha se Kuvendi duhet t’i kthehet normalitetit dhe opozita të jetë serioze me pjesëmarrjen e tyre në organin më të lartë legjislativ.

“Ajo çfarë opozita ka propozuar, fatkeqësisht është mbështetur nga të tjerët. E kuptoj tendencën dhe ndjenjën se gjithë që kanë fonde në trustin, kanë projektuar se ku do t’i shpenzojnë ato, por që ky është një parashikim tepër afatshkurtër me pasoja afatgjate, qoftë në shkatërrimin e sistemit të kursimeve pensionale, qoftë në pasojat e menjëhershme që i shkakton në tregun në Kosovë. Sot seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit. Opozita duhet të jetë serioze në raport me pjesëmarrjen e tyre, nuk mund të bëjë vetëm përzgjedhje të pikave që ata duan t’i shtyjnë ose të bëjnë bllokada të natyrës, siç i pamë javën e kaluar”, ka shtuar ajo.

Kusari-Lila theksoi se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është pro dialogut politik.

“Ne jemi për dialog politik, e natyrisht bashkëpunim parlamentar, por gjithashtu jemi edhe për korrektësi në këtë bashkëpunim dhe jo akuza e linçime të natyrave të ndryshme, siç po mundohet opozita të bëjë tani karshi pozitës”, tha ajo.

Lajmet

Qeveria e Kosovës mban mbledhje, në rend dite 35 pika

Published

on

By

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e saj të radhës, me fillim nga ora 10:00, në ndërtesën e Ekzekutivit.

Në këtë takim, kabineti qeveritar pritet të shqyrtojë dhe të marrë vendime për një sërë çështjesh të rëndësishme, pasi në rendin e ditës janë paraparë gjithsej 35 pika për shqyrtim e miratim. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Partitë shqiptare të Luginës bëhen bashkë për zgjedhjet në Serbi në listën “Koalicioni Shqiptar”

Published

on

By

Partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës do të garojnë me një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi se ky dakordësim erdhi pas bisedimeve dhe përpjekjeve intenzive për të afruar qëndrimet politike.

Kurti shprehu falënderimet e tij për liderët e subjekteve politike në Luginë për gatishmërinë që të gjejnë gjuhën e përbashkët përtej dallimeve partiake. Kryetarët që i u bashkuan këtij koalicioni janë: Shaip Kamberi (PVD); Visar Memeti (APN); Nagip Arifi (PD); Agim Sabedini (PDSH); Shqiprim Musliu (LPD); Sami Salihu (LR); Armend Aliu (AL); Naser Aziri (UDSH)

Krahas bashkimit politik, Kryeministri Kurti ngriti edhe çështjen e përfaqësimit proporcional dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duke e krahasuar atë me sistemin kushtetues të Kosovës.

“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë njësoj si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e pakicave. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Të kërkuara