Lajmet

​Kurti: Qeveria e re është qeveria e mundësive të mëdha për njerëzit

Kurti këto komente i bëri gjatë takimit me përfaqësuesit e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI).

Published

on

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e re, jo vetëm për nga koha e marrjes së detyrës, por edhe për nga stili i udhëheqjes, është qeveria e ndryshimeve dhe mundësive të mëdha për njerëzit.

Kurti këto komente i bëri gjatë takimit me përfaqësuesit e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), kryesuar nga presidenti, Derek Mitchell.

Thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet Qeverisë dhe NDI, ishte tema kryesore e takimit të përbashkët me zëvendës Ministrin e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti dhe drejtorin rajonal të NDI për Evropën Juglindore Robert Benjamin, drejtoren e NDI për Kosovë, Nancy Soderberg, zëvendësdrejtorin e NDI në Kosovë, Valon Kurhasani dhe menaxherin e lartë të programit, Pajtim Gashi.

Kryeministri Kurti bëri të ditura rezultatet dhe pritjet për zhvillim ekonomik, ku në bazë të projeksioneve dhe statistikave të deritanishme deri në fund të këtij viti Kosova do të ketë një rritje mbresëlënëse dyshifrore.

“Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9%. Ndërsa krahasuar me vitin paraprak, të hyrat tatimore për periudhën janar – shtator janë rritur për 33% dhe eksportet për 68%. Bazuar në këtë performancë të shkëlqyer ekonomike, projektbuxheti i vitit 2022 është më i larti dhe më gjithëpërfshirësi ndonjëherë, në vlerë 2.75 miliardë euro”, ka thënë ai.

Kryeministri vuri theksin te përkushtimi për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe intensifikimi i luftës kundër kontrabandës, evazionit fiskal e kriminalitetit në gjithë territorin e Republikës, duke përmendur rezultatet konkrete në këta shtatë muaj.

Lidhur me gjendjen aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti i njoftoi që përkundër asaj që kur Qeveria ka pranuar detyrën nuk ka pasur vaksina të blera e as të kontraktuara, brenda shtatë muajsh janë administruar afër 1.6 milion doza. Deri më tani janë rreth 63% të qytetarëve mbi 16 vjeç të vaksinuar me të paktën një dozë, ndërsa mbi 54% kanë marrë dy dozat e vaksinës, gjë që e bën Kosovën të prijë në rajon.

“U bisedua për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në politikbërje dhe vendimmarrje, si dhe afrimin e institucioneve me qytetarët. Temë e takimit ishin edhe zgjedhjet lokale të mbajtura, si dhe balotazhi që po afrohet. Zgjedhjet e lira dhe demokratike të 17 tetorit u vlerësuan për mbarëvajtjen e tyre. U bisedua për mbështetjen e mëtejme nga NDI, që është organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, që punon në përkrahjen dhe forcimin e institucioneve demokratike në mbarë botën, nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve, transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë.

lajme

Nis protesta kombëtare në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Prishtinë për protestën kombëtare të thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në shenjë revolte dhe ndërgjegjësimi pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Pjesëmarrësit po bashkohen për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet, si dhe për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave dhe femicideve.

Organizatorët dhe qytetarët pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit me thirrjet për mbrojtjen e jetës së grave dhe ndëshkimin maksimal të kryerësve të veprave të tilla.

Continue Reading

Vendi

Ndalohen punimet në gjashtë ndërtime për shkak të pasigurisë

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Skenderaj dhe Ferizaj, pasi gjatë inspektimeve në terren ka konstatuar parregullsi serioze sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore. Inspektorati u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës e shëndetit të punëtorëve.

Continue Reading

lajme

Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore në Serbi, kërkon trajtimin e çështjes së shqiptarëve

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë duhet të mbështetet në dialog serioz dhe në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kamberi ka deklaruar se shqiptarët nuk synojnë të marrin poste vetëm për të krijuar përshtypjen e përfshirjes në institucione, por kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.

Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i Planit 7-pikësh, si dhe adresimi i çështjeve urgjente, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe të drejtat në arsim.

“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si partnere të barabartë dhe të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Sipas raportimeve për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore ka siguruar shumicën, duke i dhënë fund pushtetit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, përfaqësues të kësaj liste kanë deklaruar se në raport me Kosovën mbështesin Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Ndërkohë, partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje përmes një liste të përbashkët, duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë pas një periudhe të gjatë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Rama paralajmëron uljen e çmimit të naftës me 32 lekë për litër

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar ndryshime në mënyrën e mbledhjes së taksës së qarkullimit, të cilat pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e çmimit të naftës.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2027, Rama ka bërë të ditur se taksa e qarkullimit do të hiqet nga çmimi i karburantit dhe do të zhvendoset te automjetet. Sipas tij, kjo masë do të mundësonte uljen e çmimit të naftës me 32 lekë për litër, apo rreth 35 centë.

“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë. Ndërkohë që taksën do ta vendosim te makina dhe do ta mbledhim nëpërmjet transportit rrugor. Do të vendosim një taksë qarkullimi, siç e ka Europa, për makinat e huaja që hyjnë në Shqipëri”, ka deklaruar Rama.

Projektbuxheti i vitit 2027, i cili sipas raportimeve të mediave shqiptare arrin vlerën e rreth 10 miliardë eurove, është cilësuar si më i larti deri më tani.

Në kuadër të masave të propozuara, Qeveria shqiptare ka paraparë edhe uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për 54 produkte ushqimore bazë, nga 20% në 6%.

Gjithashtu, projektbuxheti parasheh rritjen e bonuseve për kategori të caktuara të pensionistëve, si dhe investime në sektorë të rëndësishëm, përfshirë mbrojtjen, arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë.

Këto ndryshime janë pjesë e politikave të propozuara ekonomike dhe fiskale për vitin 2027, të cilat synojnë lehtësimin e kostos së jetesës dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara