Lajmet

​Kurti: Nuk lejojmë destabilizimin e vendit, ndërkombëtarët të dënojnë dhunën në veri

Kreu qeveritar tha se kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me aleatët ndërkombëtarë.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të lejojnë destabilizimin e rendit kushtetues dhe demokratik të Kosovës, pas siç e quajti agresionit të bandave kriminale në veri të vendit.

Ai tha se të njëjtat janë bërë kriminale dhe agresive si asnjëherë më parë, andaj i bëri thirrje gjitha kryeqendrave properëndimore dhe NATO-s të ta dënojnë dhunën e djeshme në veri.

Në konferencë për media të hënën, kryeministri Kurti, tha se pret që gjatë ditës të largohen nëntë barrikadat në veri, derisa, nënvizoi se shtyrja e dy vendimeve, për reciprocitet në dokumente dhe targa ilegale deri më 1 shtator do të bëhet kur të largohet edhe barrikada e fundit dhe të lejohet liria e lëvizjes.

“Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallëherë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë, pasi ato i mbështet i tërë aparati i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren policia dhe prokuroria. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ende mbeten të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që të shpien atje. Në gjitha pikat e tjera kufitare po lëshohen dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia me validitet 90 ditorë. Deri në orën 12:00 sot, gjithsej 1501 qytetarë janë pajisur me këtë dokument në vendkalimet kufitare duke pritur mesatarisht 20 sekonda për këtë gjë. Qeveria e përsërit zotimin se në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në gjitha rrugët atje, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të qeverisë të datës 29 qershor 2022 për datën 1 shtator 2022. Janë gjithsej nëntë barrikada në veri të Ibrit, presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha. Barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjë prej tyre. Të gjitha masat tona janë për ligjshmëri dhe rend demokratik, për kushtetutshmëri dhe siguri për të gjithë. Asnjë masë e ndërmarrë nuk bëhet bazuar në identitetin etnik, por bazë veprimeve individuale dhe grupore të qytetarëve. E ato duhet të jenë në përputhje me ligjin, pasi dhuna nuk do të tolerohet, dhunuesit do të dënohen nga shteti i së drejtës”, tha ai.

Për të dy vendimet, kreu qeveritar tha se kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me aleatët ndërkombëtarë, por tha se pjesa më e madhe zhvillimeve ka qenë e kushtëzuar nga veprimet kriminale dhe agresive të strukturave paralele në veri, andaj jo gjithçka kanë mundur të parashikojnë.

“Gjatë ditës së djeshme kam qenë në kontakt me aleatët dhe partnerët tanë evropian dhe amerikan. Kam biseduar me shkëlqesitë e tyre zotëri, Josep Borrell dhe Jeffrey Hvenier, i falënderoj për komunikimin e hapur dhe rolin e tyre. Në veçanti e çmoj lartë përkushtimin e ambasadorit amerikan, i cili i shqetësuar me situatën, porsi ne të tjerët kontribuoj shumë mbrëmë për zbutjen e gjendjes, gjithnjë duke mbështetur shtetin dhe qeverinë tonë. Qeveria do të vazhdojë me fushatën e informimit për të gjithë qytetarët, lidhur me mundësinë e favorshme të shndërrimit të targave ilegale të automjeteve në ato legjitime dhe legale RKS, pa taksë doganore, akcizë dhe TVSh. Si dhe sa i përket dokumentit për hyrje dalje në pikat kufitare me Serbinë për qytetarët që vijnë me dokumente të lëshuara nga autoriteteve atje. E kuptojmë brengën e faktorëve amerikanë dhe evropianë për fushatën deziformuese mbi dy vendimet tona të 29 qershorit. Andaj kemi shprehur gatishmërinë tonë që zbatimi i këtyre vendimeve të shtyhet për 1 shtator menjëherë pasi të hiqen të gjitha barrikadat dhe të mundësohet liria e plotë e lëvizjes gjithandej në veri. I falënderojë qytetarët për durimin qetësinë dhe përkrahjen, Nuk do të lejojmë destabilizimin e rendit kushtetues dhe demokratik të Republikës sonë. Do të përkujdesemi që të mbizotërojë ligji dhe paqja. I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kryeqendrave perëndimore dhe demokratike, BE-së dhe NATO-s që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri që qartazi janë të nxitura, përgatitura dhe financuara nga Beogradi”, shtoi Kurti.

Lidhur me takimin e mundshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, kryeministri Kurti tha se aktualisht s’kanë marrë asnjë ftesë zyrtare.

“Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi më 19 korrik, mirëpo ai ka kërkuar që të shtyhet takimi për fund të muajt gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ka ndodhur dje. Ne është dashur të takohemi, e shtyu këtë takim për fundin e gushtit. Unë kam shprehur gatishmërinë time se kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell do të shkojë në Bruksel, një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi. Kur ta kemi do të bëjmë publike edhe qëndrimin tonë. Në jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor të balancuar drejtë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bënë normalizimin e plotë të Kosovës dhe Serbisë. Gatishmëria nga ana jonë ekziston”, theksoi ai.

Në këtë konferencë për medie ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se nga zhvillimet e djeshme janë lënduar 11 qytetarë.

Ai bëri të ditur se disa nga barrikadat në veri janë larguar dhe një pjesë e tyre kanë filluar të largohen.

“Nga zhvillimet e djeshme kemi 11 qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët janë të lënduar dhe kanë marrë trajtimet e nevojshme. Ndërsa janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve si dhe të policisë së Kosovës nga strukturat kriminale, ilegale të armatosura, për këtë Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet. Sipas informacioneve të fundit, disa barrikada tashmë janë larguar dhe një pjesë e barrikadave të tjera tashmë kanë filluar të largohen”, tha ai.

Lajmet

Arratiset nga duart e policisë një shtetas i Shqipërisë në Fushë-Kosovë

Published

on

Një burrë me shtetësi të Shqipërisë është shpallur në kërkim policor pasi është arratisur derisa ishte i privuar nga liria në Fushë-Kosovë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 15:00. Me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria”, ndërsa hetimet për lokacionin e tij dhe rrethanat e ngjarjes po vazhdojnë./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shtatë persona të arrestuar për dhunë në familje në disa qytete të Kosovës

Published

on

By

Disa raste të dhunës në familje dhe kanosjes janë regjistruar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, duke çuar në arrestimin e shtatë personave në rajone të ndryshme të vendit.

Në Prishtinë janë regjistruar dy raste. Në njërin rast, një burrë është arrestuar pasi ka kanosur me thikë një grua, ndërsa gjatë kontrollit policia i ka gjetur një thikë dhe 0.36 gramë marihuanë, duke e dërguar në mbajtje. Po ashtu në kryeqytet është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një burrë tjetër për një rast të mëparshëm të dhunës në familje.

Në Pejë, policia ka arrestuar një burrë të dyshuar për ushtrim të dhunës dhe kanosje ndaj një gruaje. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. Rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Klinë, ku një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

Në Lipjan janë arrestuar dy burra pas një përleshjeje fizike mes vete pas një mosmarrëveshjeje, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Fushë-Kosovë është iniciuar rast ndaj një burri me shtetësi të Shqipërisë, i cili ndodhet në kërkim policor nën dyshimet për dhunë në familje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen dy persona për ngacmim seksual në Fushë-Kosovë

Published

on

By

Dy burra janë arrestuar në Fushë-Kosovë me dyshimin se kanë ngacmuar seksualisht dy gra.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, pas intervistimit nga hetuesit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit të shtetit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Italia nisin punën për marrëveshje për bashkëprodhimin e filmave

Published

on

Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.

Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.

Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.

Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara