Lajmet

​Kurti flet të mërkurën për takimin me Vuçiq, diskutimi për marrëveshjen finale vlerësohet pozitive

Kështu konfirmuan nga Qeveria e Kosovës.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të flasë të mërkurën për takimin e 18 gushtit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë konfirmuar gjashtë pikat e marrëveshjes finale me Serbinë, që sipas Vuçiq janë paraqitur nga Kurti javën e kaluar në Bruksel. Mirëpo, zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, bëri të ditur se Kurti këtë të mërkurë në adresimin e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës do të flasë për takimin me Vuçiq.

Nga ana tjetër, diskutimi për elementet e marrëveshjes finale dhe përfshirja e tyre në diskursin publik konsiderohet si pozitive.

Njohësi i procesit të dialogut, Arton Muhaxhiri, thotë për KosovaPress se opinioni publik në Kosovë dhe Serbi duhet të familjarizohet me temën e marrëveshjes finale dhe pastaj të krijohet një momentum i ri për arritjen e ujdisë.

Megjithatë, ai thotë se kreu qeveritar duhet të ketë një alternativë për secilën prej gjashtë pikave të prezantuara për marrëveshjen finale.

“Është shumë mirë që temat e tilla që janë të rënda të përfshihen në diskursin publik, të flitet për to. Në këtë mënyrë edhe opinioni në Kosovë dhe ai në Serbi familjarizohen me këto tema dhe krijohet një momentum i ri. Por gjithsesi, kryeministri Kurti është i vetëdijshëm që këto janë tema shumë të vështira dhe për secilën prej tyre duhet të ketë një opsion, alternativ, pasi është e pritshme që as idetë e Kosovës dhe të Serbisë të mos pranohen “blanko”, por të ketë negocime të shumta për secilën prej atyre pikave. Qeveria e Kosovës duhet të mobilizohet maksimalisht që prej secilës prej tyre të ketë ndonjë ide për kompromiset, të cilat nuk e dëmtojnë kauzën tonë, por e mundësojnë arritjen e një marrëveshje…Është e logjikshme që marrëveshja përfundimtare t’i përfshijë të gjitha çështjet e rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë, edhe ato të dhimbshme dhe ato historike. Mirëpo për gjitha këto, Qeveria duhet të ketë përgjigje edhe për kërkesat e ndërkombëtare”, thotë ai.

Ndërsa, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, thotë për KosovaPress se diskutimi për marrëveshjen finale është një këndellje e Kurtit dhe fillimit të sjelljes së tij si kryeministër, pasi, sipas tij nuk duhet të zvarritet dialogu, por të shkohet drejt ujdisë finale.

“Nuk kam pritur ndonjë marrëveshje nga ky takim, por nëse është e saktë nga disa burime të brendshme, megjithatë ka pasur elemente për marrëveshje gjithëpërfshirëse, atëherë e konsideroj si një këndellje të kryetarit të Vetëvendosjes dhe fillimit të sjelljes së tij si kryeministër. Do të uroj që të jetë ashtu sepse interesi i Kosovës nuk është zvarritja e dialogut, por marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dje tha se kryeministri Kurti në takimin e fundit ka paraqitur gjashtë pika, në kuadër të marrëveshjes finale.

Sipas tij, në kuadër të parimeve të përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe nga pala kosovare është paraqitur, njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, zgjidhja e problemeve nga e kaluara, zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës private dhe publike. Kthimi i objekteve, dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’i paguajë të gjitha. Pastaj bashkëpunim në të ardhmen, respektim reciprok për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Lajmet

Muret e Oslos shndërrohen në galeri gjigante për artin e grafitit

Published

on

Muret e një ish-zone industriale në Oslo janë kthyer në kanavaca gjigante për artistë të grafitit nga e gjithë bota, në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Meeting of Styles”.

Festivali, i themeluar në Gjermani në vitin 2002, është shndërruar në një nga rrjetet më të mëdha globale të artit rrugor, duke mbledhur artistë me stile dhe prejardhje të ndryshme.

Edicioni i këtij viti në Oslo solli 40 artistë nga 21 vende të botës, të cilët krijuan murale, grafite dhe portrete, duke shkëmbyer teknika dhe ide gjatë procesit artistik.

Një nga veprat më të veçanta i është kushtuar shpikësit norvegjez Erik Rotheim, i cili patentoi sprejin modern rreth një shekull më parë. Portreti i tij u realizua në një mural gjigant nga artisti suedez Joel Hjort.

Drejtori ekzekutiv i “Meeting of Styles” në Oslo, Simon Diaz, tha se festivali nuk synon më vetëm konkurrencën mes artistëve, por mbi të gjitha shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të reja përmes artit.

Edhe artistja norvegjeze Tanya Styrvold, e cila është orientuar së fundmi drejt artit rrugor, tregoi se puna me artistë me përvojë të grafitit po e ndihmon të zgjerojë aftësitë e saj krijuese.

Festivali “Meeting of Styles” zhvillohet edhe në Prishtinë, ku këtë vit do të shënojë edicionin e dhjetë nga 28 deri më 30 gusht, duke sjellë sërish artistë dhe krijues të artit urban.

Përveç muraleve, festivali ofron edhe punëtori të hapura për publikun, me synim që arti i rrugës të bëhet më i qasshëm për të gjithë./A.K/ Associated Press

Continue Reading

Lajmet

Policia heton një rast të vetëvrasjes në Gjilan

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të cilësuar si “vetëvrasje” në Gjilan, pasi një person është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Rasti vazhdon të hetone nga policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mariah Carey pritet të rikthejë turneun e Krishtlindjeve në Evropë pas tetë vitesh

Published

on

Këngëtarja amerikane Mariah Carey po planifikon rikthimin e turneut të saj të famshëm të Krishtlindjeve në Evropë për herë të parë pas tetë vitesh, ka raportuar “The Sun”.

Sipas burimeve pranë artistes, turneu pritet të përfshijë koncerte në Londër dhe Manchester, ndërsa njoftimi zyrtar pritet të bëhet së shpejti.

Carey ka mbajtur për disa vite koncerte festive kryesisht në Shtetet e Bashkuara, ndërsa fansat evropianë nuk e kanë parë në një turne të tillë që nga viti 2018.

Krahas këngëve të saj ikonike të Krishtlindjeve, këngëtarja 56-vjeçare pritet të sjellë edhe materiale të reja muzikore. Ajo ka bërë të ditur se është rikthyer në studio për regjistrime të reja dhe se është e emocionuar për publikimin e tyre.

Ndërkohë, Carey po përgatit edhe projekte të tjera, përfshirë publikimin e mundshëm të albumit të papublikuar “Someone’s Ugly Daughter” dhe një ribotim special për 25-vjetorin e filmit dhe albumit “Glitter”.

Edhe pse filmi “Glitter” nuk pati sukses në kinema në vitin 2001, kolona zanore e tij ndër vite ka fituar status kult dhe është vlerësuar nga fansat e këngëtares./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ferizaj mirëpret për herë të parë mbrëmjen artistike kushtuar Nexhmije Pagarushës

Published

on

Në kuadër të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, në Ferizaj është mbajtur për herë të parë mbrëmja artistike kushtuar ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Në sheshin “Adem Jashari”, publiku ferizajas ka ndjekur interpretimet e artistëve Alma Bektashi, Malvina Likaj, Samir Shehu dhe Liridon Sadriu, të shoqëruar nga Pagarusha Band, nën drejtimin artistik të Shpëtim Saraçit.

Gjatë mbrëmjes janë interpretuar disa nga këngët më të njohura të Nexhmije Pagarushës, ndërsa publiku është bërë pjesë e atmosferës duke kënduar së bashku me artistët.

Pas Prishtinës dhe Ferizajt, “Mbrëmja Nexhmije Pagarusha” do të prezantohet për herë të parë edhe në Istog, më 18 korrik në orën 20:00, në Parkun e Qytetit.

Koncerti është pjesë e programit të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, i cili këtë vit zhvillohet nën moton “Play Music, Not War”. Aktivitetet e festivalit janë të hapura dhe falas për publikun, përveç Gala Night “Rame Lahaj & Friends”, që mbahet më 29 korrik./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara