Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar vendimin për ndarjen e fondit për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2023, ku për 15 partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës janë ndarë 4 milionë e 200 mijë euro.
Po në këtë mbledhje të KQZ-së, u diskutua edhe për përgatitjet për zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës dhe rekrutimin e zyrtarëve komunalë të dorëhequr në këto komuna.
Bazuar në të dhënat, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka numrin më të madh të deputetëve nga ky fond përfiton më shumë se 2 milionë euro. Pastaj PDK-ja me 665 mijë euro, LDK-ja me 525 mijë euro dhe AAK-ja me 280 mijë euro. E nga subjektet e komuniteteve joshumicë më së shumti përfitoi Lista Serbe, në vlerë prej 315 mijë euro.
Besnik Buzhala nga zyra për regjistrim dhe certifikim e kontroll financiar të subjekteve politike në KQZ, tha se shuma që do të ofrohet këtë vit për 15 subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, është 4 milionë e 200 mijë euro.
“Rekomandimin për ndarjen e fondit mbështetës. Sipas kësaj tabele shuma që do të ofrohet për këtë vit për 15 subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, është 4 milionë e 200 mijë euro”, tha ai.
Anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi tha se asnjë cent nuk mund t’i shkoj një subjekti politik apo kandidati, nëse ajo nuk është e përcaktuar me ligjet në fuqi apo me ndonjë vendim të gjykatave.
“Vendimmarrja juaj duhet të jetë e bazuar vetëm në ligj, asnjë udhëzues apo praktikë e mirë nuk mund të merret për t’i ndarë parat subjekteve politike por duhet ligji çka thotë, ligji dhe vendimet gjyqësore, qofshin vendime të gjykatave të rregullta apo qofshin vendime të Gjykatës Kushtetuese, vendime të gjykatave bëhen normë karshi një ligji të caktuar dhe duhet me u respektuar…Asnjë cent nuk mund t’i shkoj një subjekti politik apo kandidati poçëse ajo nuk është e përcaktuar me ligjet në fuqi apo me ndonjë vendim të gjykatave”, tha ai.
Sami Hamiti nga LDK tha se vendimi është i bazuar dhe si i tillë duhet të votohet.
“Vendimi tash është i bazuar pa marrë parasysh tek subjekti i radhës që ka hyrë edhe ajo është e përcaktuar me ligj që çdo subjekt politik që merr pjesë në Kuvend me i nda financat. Konsideroj se është në rregull”, tha ai.
E po në këtë mbledhje, Ibrahim Selmanaj, anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, pyeti se a kanë paraparë hapjen e një konkursi për zyrtarët komunal në katër komunat veriore, ku kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë.
“Plani i cili është i paraparë për zgjedhjet në veriun e Kosovës, a keni paraparë edhe një konkurs të shpejt sepse zyrtarët komunal i kemi të dorëhequr dhe mendoj se duhet me pas pak efikasitet në këtë drejtim se vetë fakti që duhet me u mbajt zgjedhjet, edhe duhet me pas persona që kanë me qenë përgjegjës për këtë fushë. A keni në plan, a mundemi me krye apo jo”, tha ai.
E kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se janë në përgatitje të planit të rekrutimit, ku prioritet do t’u jepet zgjedhjes së katër zyrtarëve komunalë.
UBT Ferizaj ishte mikpritës i një sesioni të veçantë informues për bursën prestigjioze Chevening Scholarship, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ambasadës Britanike në Kosovë, në bashkëpunim me Chevening Alumni Foundation in Kosovo.
Gjatë këtij aktiviteti, studentët e UBT-së në Ferizaj u njohën me procesin e aplikimit, kriteret e përzgjedhjes dhe afatet e rëndësishme, si dhe morën këshilla praktike për një aplikim të suksesshëm.
Ky aktivitet synoi të nxisë interesimin e studentëve për të aplikuar në bursën Chevening dhe të ofronte njohuri të thelluara mbi mundësitë që kjo bursë ofron pas përfundimit të studimeve, si zhvillimi i aftësive profesionale dhe krijimi i perspektivave të reja karrierike.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim shefin e Mbrojtjes së Turqisë, gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu, me të cilin ka biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e trajnimeve, edukimit dhe mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.
Jashari me këtë rast falënderoi Bayraktaroğlu për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve profesionale, raporton KosovaPress.
Ndërsa, shefi i Mbrojtjes së Turqisë ri-konfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lart zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës.
Të dy gjeneralët u pajtuan për vazhdimin e zgjerimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, thuhet në njoftimin e FSK-së./D.B/KP
Në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u zhvillua hapja e projektit “Inkuadrimi i Vajzave në Ndërmarrësi”, një iniciativë e organizuar nga UBT në bashkëpunim me AMIK – Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës.
Ky aktivitet ka për qëllim fuqizimin e vajzave dhe grave të reja përmes ofrimit të njohurive praktike, mentorimit dhe krijimit të mundësive të reja për angazhim në botën e ndërmarrësisë. Pjesëmarrëset do të pajisen me shkathtësi të rëndësishme për të ndërmarrë iniciativa profesionale dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke rritur mundësitë e tyre për punësim, krijim të bizneseve të vogla dhe inovacion.
Në hapje të aktivitetit, u theksua rëndësia e partneritetit mes institucioneve akademike dhe sektorit financiar për mbështetjen e gjeneratës së re të sipërmarrësve.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vuri në pah se projektet e tilla janë të nevojshme për të krijuar një platformë të qëndrueshme për ndërmarrësi dhe zhvillim ekonomik në nivel vendi, dhe se bashkëpunimi me sektorin financiar dhe organizatat që mbështesin inovacionin është kyç për suksesin e vajzave të reja.
Zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore të Kosovës, Nesrin Shileku-Shala, i inkurajoi pjesëmarrëset duke theksuar rëndësinë e edukimit financiar, planifikimit dhe guximit për të ndërmarrë iniciativa të reja, duke u bërë modele suksesi për komunitetet e tyre.
Drejtori i Bordit të AMIK, Adrian Alo, theksoi se fuqizimi i vajzave përmes projekteve të ndërmarrësisë kontribuon në stabilitetin ekonomik dhe përfshirjen sociale, duke nxitur edhe zhvillimin e sektorit mikrofinanciar dhe inovacionin në vend.
Përfaqësuesi i AMIK, Prof. Shpresim Vranovci, nënvizoi rëndësinë e mentorimit dhe krijimit të rrjetit të kontakteve për pjesëmarrëset, si një element kyç për arritjen e suksesit profesional dhe zhvillimin e projekteve të reja sipërmarrëse.
Ndërsa, Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, theksoi se institucioni mbetet i përkushtuar të ofrojë platforma praktike për zhvillimin e studentëve dhe të rinjve, duke i lidhur ata me sektorët strategjikë të ekonomisë dhe aktorë që kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e mundësive të reja për punësim, ndërmarrësi dhe inovacion.
Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së vajzave dhe grave në ekonominë inovative dhe ndërmarrëse të vendit, duke nxitur një kulturë të barazisë, sipërmarrësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.
Administrata Doganore e Shqipërisë ka dorëzuar zyrtarisht pranë Komisionit Evropian paketën e plotë të dokumentacionit për përmbushjen e kushteve përmbyllëse në kuadër të Kapitullit 29 “Bashkimi doganor”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt aderimit të vendit në familjen e madhe evropiane.
Administrata Doganore përgatiti dhe dorëzoi kalendarin legjislativ dhe tabelat e konformitetit me acquis të BE-së; strategjitë kryesore të administratës në fushat e biznesit, burimeve njerëzore dhe trajnimit; masat për rritjen e integritetit dhe performancës së strukturës doganore; planin kombëtar shumëvjeçar për sistemet IT dhe masat për ndërveprimin me sistemet e BE-së; informacion mbi ratifikimin e Protokollit të Konventës Kuadër për Kontrollin e Duhanit; raportin vjetor “Libri Jeshil-Dogana 2024 dhe Prioritetet 2025”, i botuar për të katërtin vit radhazi.
Administrata Doganore thotë se mbetet e angazhuar për të vijuar përmbushjen e të gjitha detyrimeve të Kapitullit 29, duke garantuar përafrimin legjislativ, forcimin e kapaciteteve administrative, avancimin e sistemeve digjitale doganore dhe thellimin e bashkëpunimit me BE në luftën kundër tregtisë së paligjshme.
“Ky është një moment historik që i shërben jo vetëm integrimit të Shqipërisë në BE, por edhe ndërtimit të një administrate moderne, të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve e biznesit”, thuhet në postimin e ADSH-së në Facebook./D.B/KP