Lajmet

​Kontigjenti i radhës me mjekë niset të shtunën për vaksinim në Kukës

Published

on

Këtë të shtunë pritet që të përfundojë vaksinimi i 500 profesionistëve shëndetësorë të Kosovës në Kukës.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, i cili ka thënë se çdo gjë ka shkuar shumë mirë dhe sipas planifikimeve.

Syla tha po ashtu se të shtunën do t’i dorëzojë ministrit të ri të Shëndetësisë, Arben Vitia dokumentet me të gjitha informacionet e nevojshme lidhur me punën e bërë gjatë këtij procesi nga kjo federatë.

“Të shtunën do të organizojmë kontingjentin e radhës për vaksinimin e profesionistëve shëndetësorë në Kukës. Plani është që të nisemi diku rreth orës 8, ndërsa procesi i vaksinimit pritet të fillojë rreth orës 10:00-11:00”, tha ai.

Ai ka thënë se nga ministri Vitia presin që të merret me këtë çështje në mënyrë që të sigurojë vaksina edhe për profesionstët e tjerë shëndetësorë, në të kundërtën thotë se do të vazhdojnë lobimin si federatë.

“Po këtë ditë do t’i dorëzojmë ministrit Vitia një përmbledhje të punëve që i kemi bërë deri më tash. Besoj se me një angazhim të ministrit do të mund të sigurohen vaksinat edhe për të tjerët, pasi kërkesat janë të mëdha por, mundësitë të limituara. Përndryshe, nëse nuk do të ndodhë kështu, unë nuk do të ndalem dhe do të vazhdoj lobimin”, ka thënë ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pati ofruar 500 vaksina për profesionistët shëndetësorë nga Kosova, të cilët qëndrojnë në front të luftës me coronavirusin, numër ky që pritet të plotësohet ditën e shtunë.

lajme

Netanyahu pa shumicë të qartë, vazhdojnë negociatat për qeverinë e re

Published

on

By

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Izrael kanë prodhuar një ngërç të thellë politik, duke mos i dhënë asnjërit prej blloqeve kryesore një shumicë të qartë prej 61 vendesh të nevojshme për formimin e qeverisë së re në Knesset.

Blloku i udhëhequr nga Kryeministri Benjamin Netanyahu ka siguruar gjithsej 53 ulëse, nga të cilat 27 i takojnë partisë së tij Likud. Megjithatë, mbështetja e këtij blloku përfshin edhe 13 ulëse nga parti që identifikohen si jozioniste, çka e lë Netanyahun me vetëm 40 vota të sigurta partiake dhe pa një rrugë të qartë drejt shumicës.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i opozitës Yair Lapid deklaroi se negociatat prapa skenës po vazhdojnë për gjetjen e një zgjidhjeje politike. Procesi zgjedhor u karakterizua nga një dalje mjaft e lartë e votuesve prej 77.7 percent — niveli më i lartë i pjesëmarrjes që nga viti 1999 — ndërsa diplomatët perëndimorë po ndjekin me vëmendje zhvillimet, me shpresë për një kthesë politike lidhur me situatën në Bregun Perëndimor dhe Gazë. /Haaretz/

Continue Reading

Aktualitet

Sveçla e Gërvalla flasin sot për rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Pas kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për të pasur një raport të detajuar me të gjitha hollësitë për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë, sot në orën 09:00 do të mbajnë konferencë të përbashkët për media Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Konferenca do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, menjëherë pas dorëzimit të raporteve përkatëse në Zyrën e Kryeministrit. Siç është bërë e ditur nga ZKM-ja, këto raporte do të shqyrtohen me kujdes për të identifikuar të gjithë rrjedhën e ngjarjes, lëshimet e mundshme institucionale, neglizhencën dhe përgjegjësinë eventuale të të gjitha organeve kompetente në çdo fazë të trajtimit të rastit.

Kjo dalje e dy ministrave para medieve vjen në një moment mjaft kritik, pasi në Prishtinë po zhvillohen protesta të njëpasnjëshme të organizuara nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Protestuesit po kërkojnë me ngulm llogaridhënie, hetimin penal të zyrtarëve që dështuan në mbrojtjen e viktimës, si dhe dorëheqjen ose shkarkimin e menjëhershëm të dy ministrave përgjegjës. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Sot mot i vranët dhe me shi

Published

on

By

Moti gjatë ditës së sotme në Kosovë do të karakterizohet nga vranësira të shpeshta dhe reshje të kohëpaskohshme shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës pritet të arrijnë nga 11 deri në 15 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi prej 1 deri në 4 metra në sekondë.

Pavarësisht reshjeve të shiut, temperaturat maksimale do të vazhdojnë të mbeten relativisht të buta për këtë periudhë të vitit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara