Lajmet

​Konjufca: S’do të ketë marrëveshje të shpejtë për Asociacionin

Ai tha se duhet të ndryshojë Serbia në mënyrë që të ketë një marrëveshje.

Published

on

Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shkak të qëndrimeve të palëve. Ai tha se duhet të ndryshojë Serbia në mënyrë që të ketë një marrëveshje. Konjufca përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar ekipin menaxhues për propozimin e draftstatutit të Asociacionit, ndërsa paralajmëroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj në lidhje me këtë mekanizëm e që nuk do të lejojë të ketë kompetenca ekzekutive.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Konjufca kritikoi ekipin menaxhues që ka propozuar draftstatutin e Asociacionit duke thënë se mbrojti interesat e Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ishte emëruar nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk i kurseu gjithashtu nga kritikat.

“Gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë që ndodhi, ekipi menaxhues i cili ishte vendosur prej qeverive të mëparshme të Republikës së Kosovës pati një qëndrim vërtetë tronditës për neve meqenëse atje prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Po shihni edhe vetë se çfarë ekipi menaxhues dhe çfarë institucionesh kanë vendosur qeveritë e mëparshme, kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesa të Kosovës, bile-bile njëra prej tyre ishte bërë deputete në Parlamentin e Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandër Vuçiqit. Kështu që nuk patëm ne çfarë të presim tjetër prej këtij ekipi menaxhues, ky ekip menaxhues e prezantoi një draftstatut i cili faktikisht është një lloj ‘Republike serbe’ brenda Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Konjufca deklaroi se çdo propozim për statut të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se çdo zgjidhje që jepet përtej kornizave të Kushtetutës është e pavlefshme. Ai tha se i pëlqeu dhe e mbështet aktin e shkarkimit të ekipit menaxhues.

“Një ekip i cili përfaqëson interesat e Aleksandër Vuçiqit e jo interesat e popullit tonë, i cili ka sakrifikuar shumë që të arrihet shteti dhe liria, nuk ka çfarë të kërkojë në pozicione zyrtare, nuk ka se si të përfaqësojë popullin dhe qytetarët e Kosovës, pra ata e përfaqësuan Serbinë në ditën e djeshme dhe fort mirë që u shkarkuan… Shumë mirë ka vepruar Qeveria e Kosovës, për ne nuk është kurrfarë befasie sepse personat të cilët janë caktuar prej Vuçiqit dhe prej Rakiqit, nuk mund të shkruanin statut tjetër, natyrisht që e kanë shkruar për të shkatërruar Republikën e Kosovës dhe funksionimin unitar të shtetit tonë”, vijoi Konjufca.

Konjufca deklaroi se propozimi i Kurtit për “vetëmenaxhimin e serbëve” është brenda asaj se çfarë e lejon Kushtetuta e Kosovës, por tha se kjo nuk i pëlqen Serbisë e prandaj nuk do të ketë marrëveshje.

Kreu i Kuvendit u shpreh se shteti serb duhet të braktisë politikat e tij të nacionalizimit fashist që i ka trashëguar nga Millosheviqi.

“Jam i bindur që në përputhje me Kushtetutën tonë këtu nuk është diçka e pranueshme për Serbinë, prandaj konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë të papajtueshme mes palëve andaj nuk pres fare që të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia sot. Ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizimit fashist që e ka Serbia prej kohës së Millosheviqit prej viteve ’90-ta, e konsideron Kosovën pjesë të saj, ka bërë gjenocid, nuk ka pendesë për krimet e kryera, nuk distancohet prej asaj veprimtarie që e ka bërë në Kosovë, prej shkeljes masive të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës, në fund edhe gjenocidin që e ka ushtruar në Kosovë nuk ka kurrfarë pendese nga ana e Serbisë”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit deklaroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj dhe “punë e madhe” nëse kjo është e papranueshme për Serbinë, pasi sipas tij, nuk bëjnë kompromis me kushtetutshmërinë e Republikës. Sipas tij, Kushtetua e Kosovës lejon që Asociacioni të jetë në formën e një shoqate.

“Ajo çka lejon Kushtetuta është shumë e kufizuar. Nëse do të dëshironim të krijonim një hapësirë për një Asociacion i cili do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për besë hapësira është shumë e vogël, hapësira është të krijohet një Asociacion simbolik diçka, e cila do të ishte në formë të një shoqate. Nuk ka mundësi më shumë, s’ka hapësirë për institucione të karakterit ekzekutiv. Kjo është e papranueshme për Serbinë por punë e madhe që është e papranueshme për Serbinë kjo është ajo që ne përfaqësojmë, këto janë interesat tona dhe prej këtyre nuk lëshojmë pe”, tha Konjufca.

Sa i përket mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se kanë trajtuar çështje nga fushëveprimtaria e saj. Sipas tij, i janë përkushtuar 4 rregulloreve të cilat janë shumë të rëndësishme për funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës. Tri prej tyre kanë kaluar ndërsa për një tjetër ritet që të kalohet javën e ardhshme.

Vendi

Nesër në UBT mbahet mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Naim Krasniqi

Published

on

By

UBT organizon nesër mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë Naim Krasniqi, i cili u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të çmuar akademike dhe njerëzore.

Mbledhja komemorative do të mbahet në UBT, në ambientet e Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së, duke filluar nga ora 11:00.

Në këtë ceremoni përkujtimore do të marrin pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, stafi akademik dhe administrativ, përfaqësues të institucioneve lokale, si dhe familja Krasniqi, miq dhe bashkëpunëtorë të profesor Naim Krasniqit.

Kjo mbledhje do të jetë një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer në procesin mësimor dhe në zhvillimin akademik të shumë gjeneratave të studentëve. Profesori Naim Krasniqi u dallua për profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi, duke qenë gjithmonë pranë studentëve dhe kolegëve me urtësi, dije dhe integritet.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku, së bashku me Agron Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, publikojnë studim ndërkombëtar për cilësinë e ujërave të burimeve natyrore

Published

on

By

Profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku dhe Agron Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë publikuar një artikull të rëndësishëm në revistën prestigjioze “Journal of Engineering Geology and Hydrogeology”, botim i Akademisë Bullgare të Shkencave, duke vendosur institucionin në qendër të hulumtimeve shkencore me ndikim rajonal dhe global.

Artikulli me titull “Evaluation of the quality of spring waters for their use for irrigation – case study: Central Part of the Republic of Kosovo”, trajton cilësinë e ujërave të burimeve natyrore dhe potencialin e tyre për përdorim në bujqësi, duke ofruar analiza të detajuara dhe rekomandime praktike për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Prof. Hazir S. Çadraku dhe Prof. Agron Shala kanë përdorur metoda moderne analitike dhe krahasime me të dhëna historike, duke arritur rezultate të rëndësishme për menaxhimin e burimeve ujore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në Kosovë. Ky botim shënon një arritje të rëndësishme akademike dhe dëshmon kontributin e stafit të UBT-së në shkencën ndërkombëtare.

Revista “Engineering Geology and Hydrogeology” (ISSN 0204-7934 – Print, ISSN 2738-6996 – Online) është një botim me akses të hapur, i rishikuar nga ekspertë ndërkombëtarë, dhe referohet në bazat e të dhënave të njohura si Scopus, EBSCOhost-GeoRef, VINITI dhe CASSI (CAS Source Index).

Për të lexuar artikullin e plotë, vizitoni linkun zyrtar të revistës: Revista

Continue Reading

Vendi

Caktohen çmimet tavan për naftën në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, si masë urgjente pas rritjes së menjëhershme të derivateve si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme.

Sipas ministres, ky veprim erdhi pas monitorimit të rreptë të tregut dhe evidencave nga Dogana e Kosovës, ku u vërejt se rritja e çmimeve nga importi u reflektua menjëherë te konsumatori final.

Duke shpjeguar arsyet e kësaj ndërhyrjeje, Kusari-Lila theksoi se “ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor”.

Me këtë rregullore të re, marzha tregtare maksimale është kufizuar në 2 euro centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 euro centë për litër për shitjen me pakicë.

Ministrja bëri të ditur se llogaritja e këtyre marzhave bëhet në përputhje me udhëzimet administrative në fuqi dhe se çdo tentativë për manipulim do të ndëshkohet.

Ajo paralajmëroi prani të shtuar të kontrollit në pikat e shitjes, duke u shprehur se “inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi” dhe se “çdo shkelje apo moszbatim do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi”.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, me synimin kryesor që të stabilizojë tregun e brendshëm pas luhatjeve të fundit globale. Sipas ministres, ky akt synon që të sigurojë një treg të rregullt ku çmimet nuk rriten në mënyrë të paarsyeshme në kurriz të qytetarëve.

Continue Reading

Lajmet

Sveçla i përgjigjet ashpër Vulin-it: Deklaratat e tij janë kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit Kurti

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ish-shefit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandar Vulin. Ky i fundit, duke marrë shkas nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, kishte përdorur një analogji me shërbimin izraelit Mossad për të kërcënuar tërthorazi udhëheqësit e Kosovës.

Ndërsa, Sveçla e cilësoi këtë gjuhë si një thirrje të hapur për destabilizim dhe operacione të dhunshme në Ballkan.

Sipas ministrit Sveçla, pyetja e Vulin-it se “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është një mesazh i rrezikshëm që synon normalizimin e sulmeve sekrete.

“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur… dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë”, shkruan Sveçla.

Gjithashtu, ministri rikujtoi se Vulin është një zyrtar i sanksionuar nga SHBA-të për lidhjet e tij me Rusinë dhe se deklaratat e tij reflektojnë mendësinë e vjetër të shërbimeve serbe, të cilat historikisht kanë kryer vrasje politike.

Lidhur me këtë, ai shtoi: “Kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm… Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit.”

Sveçla gjithashtu zbuloi se institucionet e sigurisë kanë ndaluar së fundmi dy bjellorusë dhe një rus, të cilët kishin hyrë ilegalisht nga Serbia. Sipas tij, këta persona kishin trajnime ushtarake për eksplozivë dhe pajisje që përkonin pikërisht me paralajmërimet e Vulin-it për veprime operative në terren.

Në mbyllje të reagimit të tij, ministri u shpreh i prerë se Kosova nuk do të frikësohet nga asnjë lloj shantazhi që vjen nga Beogradi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës… janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka njoftuar Mnistri Sveçla.

 

Continue Reading

Të kërkuara