Lajmet

​Komisioni për Buxhet miratoi projektligjin për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë

Kundër këtij projektligji u shpreh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Published

on

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, mes polemikave të shumta të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë.

Ministri Murati tha se përmes këtij projektligji do të falen 100 eurot e para për tatimin në pronë, kjo sipas tij do të zvogëlojë barrën tatimore për qytetarët. Ai tha se në projektligj përfshihet edhe ulja e pragut të tatimit në pronë nga 0.15 për qind në 10 për qind, ndërkaq potencoi se prej vitit 2025 do të fillojë zbatimi i tatimit progresiv.

“Propozimi është për zbritjen apo faljen e 100 eurove të para deri në shumën vitit aktual për tatim paguesit e tatimit në pronë, në mënyrë që të lehtësohet barra për qytetarët. Për më tepër, sa i përket vitit 2024 ka disa ndryshime tranzitore, psh shuma e zbritur nga tatimi apo vlera e tatueshme e banimit rezidencial, në ligjin aktual është 15 mijë euro, kurse propozimi është që të dyfishohet në 30 mijë eurot e para. Po ashtu është bërë një ndryshim sa i përket tokës, pra është bërë që 50 mijë eurot e para të vlerës për tokë bujqësore të lirohet nga tatimi…Në periudhën kalimtare është paraparë edhe ulja e pragut të shkallës tatimore të poshtme që aktualisht për gjitha kategoritë është 0.15 për qind, andaj është paraparë të ulen në 0.10 për qind, ku iu mundësohet komunave që të ulin këtë prag. Nga viti 2025 e tutje pastaj, është paraparë që të fillojë zbatimi i tatimit progresiv”, tha ai.

Por kundër këtij projektligji u shpreh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Ai kritikoi ministrin Murati se po ndërmerr një reformë të madhe të tatimit në pronë në mënyrë at-hoc, e cila sipas tij është jo profesionale dhe e dëmshme. Ai paraqiti disa të dhëna të cilat tha se i ka kalkuluar vet, ku thekson rënien e të hyrave komunale dhe trefishimin e tatimit në pronë për bizneset.

“Një reformë kaq e madhe me kalua në këtë mënyrë at-hoc është jo profesionale dhe e dëmshme. Unë i kam bërë disa vlerësime për ndikimin buxhetor që ka në komuna ky projektligji. E kam marrë vetëm komunën e Prishtinës si mostër e komunave gjithandej. Mua po më del se nga rreth 92 mijë fatura që lëshohen për tatimin në pronë, 47 mijë fatura janë me vlerë deri 100 euro, ndërsa 44 mijë të tjera janë me vlerë mbi 100 euro. Si ngarkesë totale, Komuna e Prishtinës i ka 16.9 milionë euro, prej të cilave 6.8 milionë tash falen me këtë vendim…Një pronë që ka vlerë 5 milionë që është pronë krejt e vogël rrugës për Veternik, 116 për qind i rritet tatimi në pronë. Një pronë tjetër që ka vlerë 20 milionë euro 175 për qind”, theksoi Hoti.

Atij iu kundërpërgjigj ministri Murati, i cili tha se edhe në bazë të kalkulimeve të deputetit Hoti, komunat prapë do të arrijnë t’i mbledhin të hyrat për tatimin në pronë mbi nivelin e vitit të kaluar.

“Nëse ju kuptova saktë në rastin e Prishtinës ju thatë se nga tatimi në pronë ka diku 16 milionë euro të hyra dhe 6 milionë i bie të falen sipas këtij propozimi, apo jo. Kjo i bie që komuna prapë 10 milionë euro i mbledh nga faturimi. Nëse ju kam kuptuar saktë ju e thatë që tatimi në pronë është dyfishuar që i bie që ky 16 milionëshi përpara ka qenë 8 dhe tash është bërë 16 milionë. Nëse ka qenë 8 dhe është dyfishu është bërë 16, kjo që i thatë ju. Tash nëse ka qenë 8 milionë dhe është bërë 16 pasi është dyfishuar sipas juve. Tash me këtë zbritje apo falje të tatimit po iu mundësojmë që mbi 50 për qind të qytetarëve të komunës së Prishtinës të mos paguajnë fare dhe nivel vendi 85 për qind të mos paguajnë fare dhe prapë Komuna e Prishtinës të mbledh pak më shumë se bizneset e mëdha po paguajnë më tepër për shkak të rivlerësimit, nuk po shoh se ka një problem këtu”, deklaroi Murati.

Ndërkaq, sa i përket tatimit progresiv, Murati tha se nuk e sheh asnjë problem që dikush që ka vlerë të pronës mbi 5 milionë euro të paguajë më shumë tatim

“Nuk shoh ndonjë problem që dikush që ka vlerë të pronës 5 milionë euro apo 20 milionë euro të paguaj pak më shumë. Nëse ka paguar 20 mijë tatim dhe tash i bie 30 apo 40 mijë euro, nuk e shoh që është problematike”, tha ai.

Kritik ndaj qasjes së ministrit Murati për tatimin në pronë u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Ka komuna që i dëmton, pasi ka komunë një leje të ndërtimit, si Kamenica, Juniku, Deçani se sa leje të ndërtimit i lëshon. Nëse bazën e të hyrave i ka në tatimin në pronë kjo i dëmton. Tani nëse dëshirojmë t’i lirojmë qytetarët atëherë ne diçka duhet me veprua…Është dashur një konsultë paraprake më e gjerë me qytetarët, bizneset dhe ata që kanë impakt pozitiv në ekonominë e Kosovës”, tha ai.

Komisioni në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe raportin me amendamente të komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport për Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

Lajmet

Qeveria mban mbledhjen e 29-të elektronike, miraton disa vendime

Published

on

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 29-të në formë elektronike, ku ka miratuar disa vendime që lidhen me infrastrukturën, arsimin dhe mbështetjen e sektorit të inovacionit dhe teknologjisë.

Vendimet kryesore:

  • Miratohet projekti për furnizimin me ujë në Leposaviq – Qeveria ka miratuar dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për KRU “Mitrovica”, me qëllim realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm në Komunën e Leposaviqit.
  • 255 mijë euro për tekstet e nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës – Janë ndarë 255,153.45 euro për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për vitin shkollor 2025/2026.
  • 40 mijë euro për inovacionin dhe teknologjinë – Qeveria ka ndarë 40,000 euro për mbështetjen e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital, me qëllim promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e ekosistemit vendor.
    • 20,000 euro janë ndarë për FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova.
    • 20,000 euro janë ndarë për Innovation Centre Kosovo (ICK)./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë personave të identifikuar me inicialet A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O.

Të pandehurit akuzohen për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, kjo akuzë ndërlidhet edhe me vepra të tjera penale, që përfshijnë “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e identifikimit elektronik

Published

on

By

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik. Kjo marrëveshje synon të lehtësojë përdorimin e shërbimeve digjitale ndërmjet dy vendeve dhe të mbështesë bashkëpunimin në kuadër të transformimit digjital.

Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, deklaroi se ky dakordim përbën një hap në avancimin e transformimit digjital dhe integrimit evropian të Kosovës, duke vlerësuar gjithashtu marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve.

Nga ana tjetër, Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, vlerësoi se marrëveshja do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe procesin e përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se Mali i Zi synon që deri në fund të muajit tetor të nënshkruajë marrëveshje të ngjashme me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Dy viktima nga stuhitë në Francë, mbi 53 mijë familje mbeten pa energji elektrike

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën pasi stuhi të fuqishme goditën Francën gjatë natës, duke i dhënë fund një vale të zgjatur të të nxehtit.

Sipas mediave franceze, në Saint-Victornienne një grua humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar, ndërsa në Dolomieux një burrë u gjet i karbonizuar në një punishte që mori flakë pasi u godit nga rrufeja.

Operatori i rrjetit elektrik Enedis njoftoi se rreth 53 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërprerjet kanë prekur kryesisht rajonet Auvergne-Rhône-Alpes në juglindje dhe New Aquitaine në jugperëndim të Francës.

Ndërkohë, shërbimi meteorologjik Meteo-France ka hequr paralajmërimin portokalli për stuhi në departamentet e prekura, pasi më herët kishte paralajmëruar për breshër dhe erëra të forta në disa pjesë të vendit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara