Lajmet

​KMSHK del me qëndrim sa i përket raportimit të rasteve të vetëvrasjes

KMSHK-ja thotë se trajtimi i rrëfimeve të tragjedive personale duhet të bëhet me kujdes.

Published

on

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka dalë me një qëndrim sa i përket raportimit në media të rasteve të vetëvrasjes, ku thuhet se gazetarët dhe mediat duhet të kenë kujdes që të shmangin raportimin sensacional, të kenë kujdes në përdorimin e imazheve dhe videove, t’i shmangin detajet e panevojshme gjatë raportimit, ashtu si dhe citimet ose letrat e lamtumirës të viktimave.

Në kodin e etikës të KMSHK-së thuhet se trajtimi i rrëfimeve të tragjedive personale duhet të bëhet me kujdes dhe vetëm kur ka interes të lartë publik mbi çështjen.

“Gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe duhet t’i raportojnë këto tema, duke treguar empati dhe vetëpërmbajtje. Gazetarët duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre. Po ashtu, gazetarët dhe mediat duhet të tregojnë maturi me fotografitë dhe pamjet, si dhe duhet të kenë në konsideratë ndjeshmërinë e publikut gjatë raportimit. Vetëvrasja nuk është asnjëherë rezultat i një faktori apo ngjarjeje, por i shumë faktorëve me bazë problemet psikologjike. Mediat duhet të jenë të vëmendshme për të shpjeguar këto situata. Përsëritja dhe mbulimi i vazhdueshëm i ngjarjeve të tilla mund të shërbejë si nxitës për raste të tjera. Mediat duhet të kenë parasysh që tragjeditë e tilla të mos mbulohen në mënyrë sensacionale. Duhet shmangur dramatizimi dhe glorifikimi i personave që kryejnë vetëvrasje. Mediat duhet ta kenë parasysh që vetëvrasja nuk është një akt racional, por një akt dëshpërimi. Raportimet për rastet e vetëvrasjes duhet shfrytëzuar për vetëdijesimin se si të shpëtohen jetët. Përveç trajtimit me ndjeshmëri të rasteve, është mirë të jepen edhe informacione se ku mund të kërkohet ndihmë dhe këshilla nga personat që mund të kenë probleme dhe, si rezultat, mund të ndërmarrin aktin e vetëvrasjes. Duhet të shmangen titujt, gjuha dhe imazhet sensacionale, ashtu si dhe publikimi i detajeve të aktit të vetëvrasjes. Njëkohësisht duhet shmangur spekulimet, veçanërisht nëse rasti ka të bëjë me një person të njohur. Edhe figurat publike kanë të drejtë në privatësi. Mungesa e profesionalizmit, mungesa e sensibilitetit dhe konkurrenca në tregun e mediave janë faktorë që ndikojnë në raportime problematike të rasteve të vetëvrasjeve. Andaj, gazetarët dhe mediat duhet të kenë kujdes që: të shmangin raportimin sensacional, të kenë kujdes në përdorimin e imazheve dhe videove, t’i shmangin detajet e panevojshme gjatë raportimit, ashtu si dhe citimet ose letrat e lamtumirës të viktimave. Mediat të mos publikojnë fotografitë e viktimave. Në raste të caktuara gazetarët dhe mediat mund të zgjedhin mosraportimin e vetëvrasjes, si zgjidhje e kuptueshme. Ata, po ashtu, duhet të kenë parasysh që të mos heroizojnë ose romantizojnë rastet e tilla”, thuhet në qëndrimin e KMSHK-së.

KMSHK thekson se përtej raportimit për aktin, gazetarët dhe mediat duhet të ruajnë privatësinë e të afërmve të viktimave, ndërkaq duhet të ofrojnë informacione për organizatat që ofrojnë ndihmë, linjat e ndryshme të ndihmës dhe të ngjashme.

Lajmet

Policia dhe Dogana parandalojnë kontrabandimin e mallrave nga Serbia, sekuestrohen dy automjete

Published

on

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar dy raste të kontrabandimit me mallra në zonën e Korminjanit.

Sipas njoftimit të Policisë, më 30 korrik 2026, gjatë zbatimit të një plani taktik operacional në rrugët malore të këtij fshati, janë identifikuar dy automjete që kishin hyrë në territorin e Kosovës përmes rrugëve ilegale malore nga territori i Serbisë.

Gjatë kontrollit të automjeteve janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme pa dokumentacion përcjellës, të cilat dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë.

Nga verifikimet e kryera është konstatuar se mallrat nuk posedonin dokumentacion për prejardhjen apo procedurat doganore, ndërsa sipas mbishkrimeve rezultonin të ishin prodhim i Serbisë.

Me autorizim të prokurorit kujdestar në Gjilan, automjetet dhe mallrat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme të vlerësimit dhe ruajtjes.

Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë iniciuar procedurat ligjore, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga njësitë kompetente në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme në zonën kufitare, me qëllim mbrojtjen e rendit juridik, ekonomisë së vendit dhe sigurisë së qytetarëve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përparim Rama: Dyert e Kryeqytetit janë të hapura për drejtësinë, do të bashkëpunojmë me Prokurorinë

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas publikimit të materialeve që përmbajnë pretendime për parregullsi të mundshme në procesin e legalizimit të objekteve në kryeqytet, duke thënë se Komuna do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama ka mirëpritur faktin që çështja është dërguar në Prokurori, ndërsa ka kërkuar që edhe kryeministri të përgjigjet ndaj kërkesave të institucioneve të drejtësisë.

“Mirëmëngjesi. E para, po më vjen mirë që më në fund po i drejtoheni Prokurorisë. Është lajm i mirë. Tash udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse ka më shumë se dy vjet që nuk i përgjigjet ftesës për intervistim”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se dyert e Komunës së Prishtinës kanë qenë dhe mbeten të hapura për organet e drejtësisë, duke garantuar bashkëpunim të plotë, transparent dhe institucional për çdo kërkesë të Prokurorisë.

“Pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, ka deklaruar Rama.

Reagimi i kryetarit të Prishtinës vjen pasi këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë njoftuar se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj Ramës dhe zyrtarëve të kabinetit të tij, duke ngritur pretendime për parregullsi të mundshme në procesin e legalizimit të objekteve në kryeqytet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeqyteti reagon pas pretendimeve ndaj shefit të kabinetit të Përparim Ramës, kërkon trajtim nga drejtësia

Published

on

Komuna e Prishtinës ka reaguar lidhur me materialet e publikuara që përmbajnë pretendime për parregullsi të mundshme në procesin e legalizimit të objekteve në kryeqytet, ku përmendet edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Florent Maliqi.

Në reagimin e saj, Komuna ka bërë të ditur se pret trajtimin e rastit nga Prokuroria dhe institucionet kompetente të drejtësisë, duke theksuar se do të ofrojë bashkëpunim të plotë gjatë gjithë procesit.

“Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.

Po ashtu, Komuna ka theksuar se pas vendimit të Prokurorisë do të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj çdo personi që rezulton se ka shkelur ligjin.

“Pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, thuhet në reagim./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prizreni po formon gjeneratën e re të programuesve me Gjimnazin TIK

Published

on

By

Për vite me radhë, zgjedhja e një shkolle të mesme është parë si vendimi që përcakton të ardhmen e një të riu. Sot, gjithnjë e më shumë nxënës po kërkojnë diçka më shumë se një diplomë – kërkojnë aftësi që i përgatisin për profesionet që po ndryshojnë botën.

Kjo është arsyeja pse Gjimnazi TIK i UBT International Smart Schools në Prizren, po zgjon interes të madh tek të rinjtë jo vetëm nga Prizreni, por edhe nga Theranda, Malisheva, Dragashi dhe Kukësi.

Në vend të modelit tradicional të mësimit, nxënësit punojnë me programim, inteligjencë artificiale, robotikë dhe teknologji moderne, duke zhvilluar projekte që lidhen me sfidat reale të teknologjisë.

Një tjetër element që po ndikon në këtë interesim është akreditimi nga Cambridge International Education, i cili u ofron nxënësve një arsimim të ndërtuar mbi standarde ndërkombëtare dhe i përgatit për studime universitare brenda dhe jashtë vendit.

Me laboratorë modernë, konceptin Classroom 4.0 dhe integrimin e inteligjencës artificiale në procesin mësimor, Gjimnazi TIK po ndërton një mjedis ku teknologjia nuk mësohet vetëm si teori, por përdoret çdo ditë si mjet për të krijuar, eksperimentuar dhe inovuar.

Në një kohë kur profesionet e së ardhmes kërkojnë njohuri digjitale dhe kreativitet, gjithnjë e më shumë familje po e shohin këtë drejtim si një investim afatgjatë për suksesin e fëmijëve të tyre.

Për aplikim online klikoni në këtë link: APLIKIMI ONLINE

Continue Reading

Të kërkuara