Lajmet

​KMDLNj: Serbia nuk po lejon askënd t’i vizitojë tre policët e rrëmbyer

Kjo në mënyrë që të raportohet për gjendjen apo trajtimin e tyre.

Published

on

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar duke kërkuar që tre policët e rrëmbyer mos të përdorën për qëllime politike.

Sipas KMDLNj, Serbia deri më sot nuk ka lejuar asnjë burim të pavarur t’i vizitojë policët e rrëmbyer e që do të raportonte për gjendjen e tyre apo trajtimin eventual jo të mirë ndaj tyre.

“KMDLNj thërret të gjithë akterët, pozitë dhe opozitë, media dhe persona me ndikim që të përmbahen nga deklaratat e papërgjegjshme që shkaktojnë paqartësi dhe huti te familjarët dhe opinioni, duke rritur shpresat dhe duke caktuar data për lirimin e policëve të rrëmbyer. Nuk ka asnjë dyshim që qeveria e Kosovës përmes kanaleve diplomatike angazhohet që çështje e policëve të rrëmbyer të zgjidhet sa më shpejtë por se kjo nuk është në dorën e tyre”, thuhet në reagim.

Reagim i KMDLNj – së:

MOS I KEQPËRDORNI PËR QËLLIME POLITIKE POLICËT E RRËMBYER TË KOSOVËS

Tre policë të Policisë së Kosovës që u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës pas qëndrimit në ndalim policor iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve dhe tani, sipas mediave serbe ata janë në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë, Serbi. Këtë e vërtetoi edhe kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që në një drejtim qytetarëve të Serbisë, midis tjerash deklaroi se ata nuk i ka prekur askush me dorë dhe po trajtohen sikur të ishin në hotel në kohën që, së paku deri më sot nuk ka lejuar asnjë burim të pavarur t’i vizitojë policët e rrëmbyer e që do të raportonte për gjendjen e tyre apo trajtimin eventual jo të mirë ndaj tyre. Serbia nuk është e njohur për trajtimin e mirë të personave të privuar nga liria sepse trajtimi i tyre nuk monitorohet nga burimet e pavarura. Për rastet e të të arrestuarve (më herët), shtetas të Kosovës, KMDLNj–ë nuk ka informata se janë keqtrajtuar gjatë bisedave me ta dhe familjarët prandaj edhe me rastin e trajtimit të tre policëve të rrëmbyer, në mungesë të informatave askush nuk mund të thotë asgjë konkrete për keqtrajtim eventual. Se çka thotë Aleksandar Vuçiq nuk paraqet ndonjë interes për faktin se nuk është burim i pavarur i informatave. Po të donte, pa asnjë dyshim do të siguronte qasje për të vizituar policët e rrëmbyer nga ndonjë burim i pavarur në ndërkohë që KMDLNj –ë ka shfaqë vullnet dhe gatishmëri që në çdo kohë, nëse sigurohen kushtet, t’i vizitojë policët e Kosovës. Institucionet e Kosovës, kurrë dhe në asnjë çast nuk kanë penguar vizitat e monitoruesve apo familjarëve në raste kur shtetasit e Serbisë apo serbët e Kosovës (me shtetësi të dyfishtë) janë arrestuar në Kosovë, qoftë gjatë paraburgimit apo vuajtjes së dënimit. Pra, institucionet e Kosovës janë treguar shumë transparente duke lejuar vizitat përjashtuar rastet e fundit kur, në pamundësi të dërgohen në mbajtje për shkak të bllokadave, janë mbajtur në veri në mbajtje të improvizuar. Që paradoksi të jetë edhe më i madh, as shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd, deri më sot nuk i është lejuar t’i vizitojë policët e arrestuar.

Opinioni duhet ta ketë të qartë se qeveria e Kosovës e dhe asnjë institucion tjetër nga Kosova nuk ka asnjë mundësi të ketë qasje te policët e rrëmbyer prandaj, thuaja të gjitha deklaratat janë deklarata politike, për përdorim të brendshëm. Është joserioze nga një politikan që të deklarojë se ndaj policëve kosovarë është përdorur dhunë në kohën kur nuk e kanë asnjë informatë të vetme. Vetëm sa shqetësojnë familjarët dhe opinionin duke shpërndarë informata të pavërtetuara. Apo se policët e rrëmbyer janë të burgosur politikë kur nuk kanë as aktakuzë të ngritur apo vendim të gjykatës të formës së prerë. Ky është keqpërdorim flagrant i postit, për qëllime politike. Opozita nuk ka të drejtë të akuzojë qeverinë për fatin e policëve të rrëmbyer për faktin se edhe nëse ata do të ishin në pushtet nuk do të bënin asgjë më shumë. Institucionet e Kosovës janë krejtësisht të pafuqishme të bëjnë diç më shumë përjashtuar këtu sigurimin e mbrojtjes ligjiore duke paguar mbrojtjen e tyre sikur edhe shpenzimet për familjarë nëse ata kanë nevojë për shpenzime që ndërlidhen me rastin.

KMDLNj –ë thërret të gjithë akterët, pozitë dhe opozitë, media dhe persona me ndikim që të përmbahen nga deklaratat e papërgjegjshme që shkaktojnë paqartësi dhe huti te familjarët dhe opinioni, duke rritur shpresat dhe duke caktuar data për lirimin e policëve të rrëmbyer. Nuk ka asnjë dyshim që qeveria e Kosovës përmes kanaleve diplomatike angazhohet që çështje e policëve të rrëmbyer të zgjidhet sa më shpejtë por se kjo nuk është në dorën e tyre.

KMDLNj –ë shpreson se policët e rrëmbyer do të lirohen shpejtë, se ata janë mirë me shëndet dhe se ndërkombëtarët e kanë në duar dinamikën e lirimit të tyre për faktin se kanë kërkuar lirim të pakushtëzuar.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i Gjenevës ka mandat t’i vizitojë rastet me ndjeshmëri të lartë dhe, në bazë të vlerësimit të tyre edhe mund t’i vizitojnë policët e rrëmbyer. Se a do të ketë kohë ta bëjnë këtë mbetet të shihet shkaku se KMDLNj –ë mendon se policët do të lirohen në ndërkohë.

KMDLNj –ë uron që kjo çështje të përfundojë sa më parë dhe se Policia e Kosovës, nga ky pësim (e nuk është pësimi i parë) do të nxjerrë mësime për të ardhmën në mënyrë që të sigurojë një mbrojtje efektive për policët që kontrollojnë kufirin me Serbinë.

Lajmet

Rriten rastet me fruth në Kosovë: IKShPK bën thirrje urgjente për vaksinimin e fëmijëve

Published

on

By

Në Kosovë është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve me fruth, ku nga data 16 prill deri më 24 gusht 2026 janë regjistruar gjithsej 147 persona të prekur. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 10 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas shpërndarjes gjeografike, vatra më e madhe e infeksionit mbetet komuna e Prishtinës me 49 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 35 raste dhe Ferizaj me 13 raste. Të prekura janë edhe komunat e Obiliqit (9 raste), Lipjanit (8), Kaçanikut (7), si dhe Vushtrria e Shtimja nga katër raste. Raste të izoluara janë raportuar gjithashtu në Skenderaj, Drenas, Gjilan, Gjakovë, Shtërpce, Deçan, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.

Për përballimin e kësaj situate, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar punën në terren gjatë tri javëve të fundit, me fokus në komunat më të prekura. Si rezultat i këtij aksioni, janë vaksinuar me doza MMR gjithsej 504 fëmijë që kishin vonesa në marrjen e vaksinës sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj simptomave të para si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e rënda, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre. IKShPK rikujton se vaksinimi pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sindikata e KEK-ut vendos fotografitë e katër punëtorëve që humbën jetën, paralajmëron protestë

Published

on

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të KEK-ut, ku ka vendosur fotografitë e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës, duke kërkuar kushte më të sigurta dhe mbrojtje më të madhe për punëtorët.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka thënë se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur dhe ka kërkuar respektimin e Ligjit të Punës.

Jashari ka theksuar se humbja e fundit e një punëtori të KEK-ut duhet të jetë e fundit, duke kërkuar menaxhim më të mirë dhe masa më të forta të sigurisë në vendin e punës.

Ai ka bërë të ditur se nesër, nga ora 08:00, do të mbahet protestë solidarizuese në tri divizione të KEK-ut, në mbështetje të familjeve të punëtorëve që kanë humbur jetën.

Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kritikuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për, siç ka thënë, mungesë reagimi ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve.

Llumnica ka njoftuar se aksioni simbolik do të vazhdojë edhe para zyrave të BSPK-së, ku sindikata planifikon të vendosë fotografitë e katër punëtorëve si shenjë proteste.

Protesta e paralajmëruar për nesër do të mbahet në tri divizionet e KEK-ut, duke filluar nga ora 08:00./A.K/

Foto: Driton Paçarada

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Montana: disa të rritur dhe fëmijë vriten në një banesë, autori vetëvritet

Published

on

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Billings në Montana, ku disa persona, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën pasi një person i armatosur ka hapur zjarr në një banesë.

Sipas Telegrafit, policia e ka cilësuar ngjarjen e së dielës mbrëma si një “konflikt familjar”. Pas të shtënave, i dyshuari dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës dhe më pas ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.

Sherifi i përkohshëm i Yellowstone County, Kent O’Donnell, ka konfirmuar se në banesë kanë vdekur “disa të rritur dhe disa të mitur”. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë, identitetet apo moshat e viktimave.

Policia ka arritur në rrugën White Star Circle rreth 10 minuta pasi një person kishte telefonuar 911 dhe kishte raportuar të shtëna. Zyrtarët kanë dëgjuar të shtëna nga pjesa e pasme e banesës, ndërsa pak minuta më vonë ndërtesa është përfshirë nga zjarri.

Zjarrfikësit janë përballur me vështirësi të mëdha gjatë ndërhyrjes, për shkak të qasjes së kufizuar në ujë dhe numrit të pamjaftueshëm të hidrantëve në zonë.

Shefi i zjarrfikësve të Billings, Matt Hoppel, ka thënë se zjarri është përhapur me shpejtësi dhe, për shkak të kushteve të rënda, banorët e shtëpisë nuk kanë mundur të shpëtojnë.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat e plota të tragjedisë.

Ndërkohë, një fushatë në GoFundMe pretendon se të paktën tetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën. Kjo shifër ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Policia ndalon dy gara shpejtësie në Gjakovë, gjobiten pjesëmarrësit

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Gjakovë kanë ndërhyrë në dy raste të ndara për të ndaluar gara të shpejtësisë brenda qytetit.

Në rrugën “Martirët Qerkezi”, policia ka identifikuar dy motoçikleta duke zhvilluar garë shpejtësie, ndërsa në rrugën “Gaspër Karaqi” janë hasur dy automjete duke kryer veprime të ngjashme.

Falë intervenimit të menjëhershëm, policia ka ndaluar kundërvajtjet, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë shqiptuar gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të shmangin garat e shpejtësisë dhe sjelljet e rrezikshme, duke theksuar se ato paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara