Aktualitet

​Klubi i Prodhuesve: Qeveria e re të mbështesë sektorin e prodhimit, barrierë edhe korrupsioni

Published

on

Komuniteti i biznesit kërkon që qeveria e re të formohet sa më shpejtë, pasi që vendi po vazhdon të përballet me vështirësi të shumta ekonomike për shkak të pandemisë.

Drejtues të Klubit të Prodhuesve të Kosovës presin nga qeveria e re të mbështesë sektorin e prodhimit në vazhdimësi më anë të subvencionimit të eksporteve dhe të adresohen barrierat institucionale me të cilat ballafaqohen bizneset.

Sekretari gjeneral në Klubin e Prodhuesve të Kosovës, Vllaznim Osmani thotë se bizneset vazhdojnë të përballen me burokraci të ndryshme, siç thekson ai me korrupsion, për lëshimin e lejeve dhe licencave.

“Ne shpresojmë që qeveria të formohet shpejtë dhe të vazhdojnë investimet kapitale në mënyrë që të qarkullojë paraja sepse është mjaft me rëndësi tani më në kohën e pandemisë. Në aspektin e barrierave të të bërit biznes, vazhdojnë të qëndrojnë të njëjtat të cilat kanë qenë deri më tani. Ajo që ne na brengos është pjesa e barrierave institucionale, të cilat presin të rregullohen. Kemi probleme me burokracitë e panevojshme dhe pengesat e panevojshme si për lëshimin e lejeve për industri të ndryshme, për veprimtari të ndryshme apo edhe për licenca të ndryshme që janë të nevojshme për sektor të ndryshëm. Megjithatë, edhe vazhdimi i tyre bëhet mjaft problematik dhe pengues. Një gjë e tillë e pengon biznesin, e ngadalëson dhe është një çështje që neve na brengos shumë”, theksoi ai.

Edhe shkalla e lartë e korrupsionit në vend mbetet shqetësuese për Osmanin, i cili thotë se kjo dukuri ndodhë në sektorin e prokurimit që po pamundëson të fitojnë tender prodhuesit vendorë.

“Pjesë tjetër e barrierave është edhe korrupsioni, që është mjaft problematike dhe nuk po ndryshon. Kjo ka efekt negativ edhe në të bërit biznes, e sidomos ka efekt negativ edhe në interesimin e kompanive që të investojnë, qofshin investitor vendor apo të huaj. Mos të harrojë të përmendi pjesën e prokurimit publik, është problematike dhe shqetësuese qysh prodhuesit vendorë nuk arrijnë të fitojnë tenderë ende, edhe pse pjesa e ndryshimit të ligjit jep një përparësi prodhuesve dhe kompanive shërbyese”, thotë ai.

Ai po ashtu thekson se qeveria e re duhet të ketë program konkret për mbështetjen e eksportit dhe prodhimit, që sipas tij, ndikon në rritjen e punësimit.

“Një çështje tjetër që ne presim, është të ketë një program konkret se si do të përkrahet eksporti. Eksporti është shumë i rëndësishëm për neve si sektor i prodhimit, edhe sa më shumë që të rritet eksporti rriten dhe vendet e punës, por edhe të mbrohen vendet e aktuale të punës. Ne kemi nevojë që sektori i prodhimit të përkrahet në vazhdimësi në forma të ndryshme, si përmes politikave të ndryshme, subvencioneve apo përmes mekanizmave përkrahës. Subvencionimi i eksportit është i nevojshëm sikur që bëjnë vendet e tjera, ne presim diçka të tillë”, thekson ai.

Klubi i Prodhuesve bën thirrje që sidomos institucionet publike të konsumojnë më shumë prodhime vendore, si dhe të shfrytëzojnë shërbimet e kompanive vendore.

“Kemi kompani prodhuese të produkteve mjaft cilësore, të cilat mund të konsumohen prej institucioneve publike, qoftë spitalet, burgjet, policia dhe qeveria në veçanti, mirëpo kemi edhe shumë kompani që ofrojnë shërbime që mund të shfrytëzohen prej institucioneve publike”, thotë ai.

Ndër të tjera, sipas Osmanit, tregut të punës i nevojiten edhe punëtorë të kualifikuar ose me aftësi të nevojshme për punë.

Botë

Trump paralajmëron heqjen e sanksioneve për të ulur çmimin e naftës

Published

on

By

Çmimet e naftës bruto pësuan rënie nën 90 dollarë për fuçi pas një rritjeje të mëparshme në pothuajse 120 dollarë, në një luhatje çmimi brenda 24 orëve. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se administrata e tij do të heqë disa sanksione mbi vendet prodhuese të naftës për të mbajtur ulur çmimet e energjisë mes luftës së SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

Trump i bëri komentet të hënën pas një 24-orëshi si “vuajtje në slitë” që pa çmimet e naftës bruto të rriteshin në afro 120 dollarë për fuçi përpara se të rrezoheshin nën 90 dollarë. “Pra, ne kemi sanksione mbi disa vende. Ne do t’i heqim ato sanksione derisa kjo gjë të rregullohet,” tha Trump në një konferencë shtypi në klubin e tij të golfit në Miami, Florida. “Pastaj, kush e di, mbase nuk do të na duhet t’i rivendosim – do të ketë aq shumë paqe,” tha ai.

Trump nuk specifikoi se cilat vende do të ishin subjekt i lehtësimit të sanksioneve. Washingtoni aktualisht mban sanksione mbi sektorët e naftës të Rusisë, Iranit dhe Venezuelës. Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar burime të shumta anonime, raportoi të hënën se Trump po shqyrtonte lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë si pjesë e planeve të tij për të mbajtur ulur çmimet e naftës.

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, njoftoi javën e kaluar një pezullim 30-ditor të sanksioneve mbi shitjet e naftës ruse në Indi mes shqetësimeve për rritjen e presionit mbi furnizimet globale. Çmimet e naftës bruto vazhduan tërheqjen e tyre pas komenteve të Trump, me naftën Brent që luhatet rreth 84 dollarë për fuçi që nga ora 02:00 GMT të martën.

Tregjet globale të energjisë kanë qenë në ankth që kur SHBA dhe Izraeli nisën sulmet e përbashkëta ndaj Iranit më 28 shkurt, me çmimet e naftës që u rritën deri në 50 për qind krahasuar me përpara konfliktit. Kërcënimet iraniane kanë mbyllur efektivisht Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transitohet rreth një e pesta e furnizimit global të naftës, duke detyruar prodhuesit kryesorë të rajonit të Gjirit të shkurtojnë prodhimin mes një mbetjeje të akumuluar të furnizimit, pasi transporti detar ka ndaluar kryesisht.

Furnizimet globale të energjisë janë kërcënuar gjithashtu nga sulmet izraelite në objektet e naftës iraniane dhe sulmet me dronë, për të cilat fajësohet gjerësisht Irani, mbi infrastrukturën e naftës dhe gazit te aleatët e SHBA-së në rajon, duke përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Kuvajtin. Analistët kanë parashikuar se çmimet e naftës mund të rriten në 150 ose madje 200 dollarë për fuçi nëse ngushtica mbetet efektivisht e mbyllur për një periudhë të zgjatur.

“Unë do të thosha se është e mundur që çmimet të arrijnë nivele të reja rekord në javët e ardhshme, por kjo varet nga qëndrimi i mbyllur i Ngushticës së Hormuzit në javët në vijim,” tha për Al Jazeera Homayoun Falakshahi, kreu i analizës së naftës bruto në firmën e inteligjencës tregtare globale Kpler. “Nëse ngushtica qëndron e mbyllur gjatë prillit, atëherë çmimet mund të vazhdojnë të kërcejnë,” tha Falakshahi.

Trump, i cili bëri fushatë për t’i dhënë fund të ashtuquajturave luftëra “të përhershme” të SHBA-së në garën e tij zgjedhore të vitit 2024, të hënën ofroi sinjale kontradiktore se sa mund të zgjasë lufta ndaj Iranit. Gjatë konferencës së tij për shtyp, Trump tha se priste që lufta të përfundonte “shumë shpejt”, por se sulmet ndaj Iranit nuk do të ndalonin “derisa armiku të mposhtet plotësisht dhe në mënyrë vendimtare”.

Trump i bëri këto vërejtje pak kohë pasi u tha ligjvënësve republikanë në një fjalim se SHBA-ja “tashmë ka fituar në shumë mënyra, por nuk kemi fituar mjaftueshëm”. Më herët të hënën, Trump tha në një intervistë për CBS News se lufta ishte “shumë e përfunduar, pothuajse” dhe se fushata e tij ushtarake ishte “shumë përpara afatit”. /AlJazeera/

 

Continue Reading

Vendi

Në UBT inaugurohet “Italian Corner” dhe Qendra e Certifikimeve CELI, me përkrahjen e Ambasadës së Italisë në Kosovë

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan u inaugurua “Italian Corner” dhe Qendra e Certifikimeve CELI, një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor ndërmjet UBT-së dhe Ambasadës së Italisë në Kosovë. Në këtë ngjarje morën pjesë Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorë dhe studentë.

Përveç inaugurimit të këndit të librave, ku UBT ka përfituar donacione të literaturës bashkëkohore, gjatë ceremonisë u bë edhe certifikimi i pjesëmarrësve të kursit të gjuhës italiane në UBT, si dhe ndarja e certifikatave për studentët që përfunduan me sukses certifikimin ndërkombëtar të gjuhës italiane CELI.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se krijimi i këtij këndi është një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ofrimit të mundësive të reja për studentët.

“UBT ka ndërtuar ndër vite një rrjet të gjerë bashkëpunimi me institucione dhe projekte evropiane. Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve tona për të krijuar më shumë mundësi për studentët dhe studiuesit tanë. ‘Italian Corner’ do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për ata që dëshirojnë të thellojnë njohuritë e tyre në gjuhën dhe kulturën italiane, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja akademike dhe projekte të përbashkëta në të ardhmen”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Ai shtoi se UBT synon të vazhdojë të zhvillojë projekte të përbashkëta me institucione italiane, duke e konsideruar këtë bashkëpunim një mundësi të rëndësishme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve.

Nga ana tjetër, Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me UBT-në dhe rëndësinë që ka promovimi i gjuhës dhe kulturës italiane në Kosovë.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam sot këtu në UBT. Bashkëpunimi ndërmjet Ambasadës së Italisë dhe UBT-së është shumë i mirë dhe ky projekt është një dëshmi konkrete e kësaj marrëdhënieje. Përmes këtij këndi të librave synojmë të promovojmë gjuhën italiane, kulturën dhe lidhjet akademike ndërmjet Italisë dhe Kosovës”, tha Ambasadori Antonini.

Ai shtoi se iniciativa të tilla krijojnë mundësi të reja për studentët kosovarë që të njihen më nga afër me kulturën italiane dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës dhe inovacionit.

Inaugurimi i ‘Italian Corner’ shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve akademike, kulturore dhe institucionale ndërmjet UBT-së dhe Italisë, duke krijuar hapësira të reja për shkëmbim njohurish, bashkëpunim ndërkombëtar dhe angazhim të studentëve.

Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë nga afër këndin e librave në Bibliotekën e UBT-së, i cili do të shërbejë si një burim i rëndësishëm për studentët dhe studiuesit që duan të mësojnë dhe të hulumtojnë më shumë rreth gjuhës, letërsisë dhe kulturës italiane.

Continue Reading

Vendi

Kushtetuesja pezullon dekretin për shpërndarjen e Kuvendit

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kërkesa në Kushtetuese ishte paraqitur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës. Në kërkesë ishte kërkuar që të shqyrtohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, si dhe vendosja e një mase të përkohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026 dhe do të jetë në fuqi deri më 31 mars 2026. Me këtë masë ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës që lidhet me Dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars 2026, si dhe çdo veprim i Kuvendit të Republikës së Kosovës gjatë kësaj periudhe.

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet gjithashtu se pezullimi i çdo veprimi dhe vendimi të mëtejmë nga institucionet është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të shtetit.

“Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.

Në dokumentin e Gjykatës përmendet edhe se më 9 mars 2026 gjyqtari Radomir Laban kishte kërkuar përjashtimin e tij nga vendimmarrja për rastin KO72/26, por kjo kërkesë ishte refuzuar njëzëri nga Gjykata.

Ndërkohë, më 5 mars 2026, Kuvendi i Kosovës kishte mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, pas kërkesës së 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në rend dite ishte vetëm pika për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Sipas procesverbalit të seancës së 5 marsit, për postin e presidentit ishin propozuar dy kandidatë: Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në dilemë institucionale: Kuvendi i shpërndarë, Qeveria në detyrë?

Published

on

By

Ngjarjet e 5 dhe 6 marsit krijuan një situatë të paqartë dhe të tensionuar në politikën e Kosovës, duke ngritur një sërë pyetjesh: A është Kuvendi i shpërndarë? A po funksionon Qeveria në detyrë? Dhe kush i merr vendimet tani?

Pasi Kuvendi nuk arriti ta zgjidhte presidentin e ri në seancën e 5 marsit, të nesërmen presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e shpërndau legjislaturën e dhjetë.

Pas nxjerrjes së dekretit, Osmani takoi liderët e partive për konsultime mbi datën e zgjedhjeve – takim në të cilin nuk mori pjesë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e kryeministrit Albin Kurti.

Kjo parti e dorëzoi dekretin në fjalë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kabineti i Osmanit konfirmoi se presidentja do të presë përgjigjen e saj, për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme të caktohet një mase e përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa – në asnjë moment – nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, dekreti i presidentes Osmani është antikushtetues.

“Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj”, tha shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, në njoftimin se i është drejtuar Kushtetueses për rastin, më 9 mars.

Kushtetuesja konfirmoi për REL-in se ka pranuar kërkesën nga Lëvizja Vetëvendosje.

Çfarë ndodh me Kuvendin?

Nga 6 marsi, kur u shpërnda legjislatura e 10-të, Kuvendi nuk mbajti asnjë seancë dhe asnjë mbledhje të komisioneve parlamentare.

Kryeministri Kurti u tha gazetarëve atë ditë se shpërndarja e Kuvendit ka pamundësuar mbajtjen e një seance të planifikuar për po atë ditë, në të cilën pritej të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nuk mund të thërrasë seanca derisa dekreti i presidentes mbetet në fuqi.

“Nëse ka dekret për shpërndarje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund ta vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme, natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë”, tha Haxhiu më 9 mars.

Partitë opozitare nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it nëse do të dërgojnë komente në Gjykatën Kushtetuese, në rastin e dekretit të presidentes, ndërsa publikisht e mbështetën vendimin e saj.

A është Qeveria në dorëheqje?

Neni 30 i Ligjit për Qeverinë thotë se ekzekutivi konsiderohet në dorëheqje pas shpërndarjes së Kuvendit.

Por, i njëjti ligj parasheh që Qeveria aktuale ta vazhdojë detyrën me disa kufizime derisa të zgjidhet Qeveria e re.

Qeveria nuk iu përgjigj REL-it nëse po vepron me statusin e Qeverisë në dorëheqje, por kryeministri Kurti vazhdoi emërimet e tre zëvendësministrave edhe pas shpërndarjes së Kuvendit.


Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ligji ia ndalon Qeverisë në dorëheqje të iniciojë procedura për emërime të reja në pozita publike.

Ndaj, sipas tij, emërimet e zëvendësministrave dhe të pozitave tjera të larta qeveritare janë problematike nga pikëpamja juridike.

“Emërimet e tilla mund të konsiderohen jo vetëm jolegjitime në aspektin politik, por edhe jolegale në aspektin juridik, pasi tejkalojnë kompetencat që i lejohet të ushtrojë një qeverie në dorëheqje. Përveç procedurave që kanë nisur, ato duhet të përfundohen”, shpjegon Jakaj për Radion Evropa e Lirë.

Në çfarë situate janë institucionet e shtetit?

Legjislatura e 10-të arriti të miratojë buxhetin për vitin 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po prisnin për gati një vit.

Jakaj vlerëson se ka një numër të madh institucionesh të pavarura që vazhdojnë të funksionojnë me ushtrues detyre ose me mandate të përfunduara.

Ndër to janë: Komisioni i Pavarur për Media, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, si dhe Avokati i Popullit dhe pesë zëvendësit e tij, të cilët janë duke ushtruar funksionin me mandat të përkohshëm.

“Nëse vendi shkon në zgjedhje dhe procesi i konstituimit të institucioneve zgjatet, ekziston rreziku që këto institucione të mbeten të paralizuara për një periudhë të gjatë, duke krijuar pasoja serioze për funksionimin normal të shtetit”, thotë Jakaj.

Një problem tjetër është përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme kërkon që grupet parlamentare të propozojnë kandidatët për anëtarë të KQZ-së brenda 30 ditëve nga certifikimi i zgjedhjeve.

Data e fundit për këtë është 11 marsi, ndërsa mandati i anëtarëve të rinj fillon më 11 prill.

Por, si mund të japin emra grupet parlamentare kur Kuvendi është shpërndarë?

Sipas Jakajt, presidentja mund t’u drejtohet drejtpërdrejt subjekteve politike që kanë fituar ulëse në zgjedhjet e fundit, bazuar në rezultatet e certifikuara nga KQZ-ja.

“Megjithatë, kjo situatë tregon një zbrazëti praktike në legjislacion, sepse ligji është shkruar duke supozuar ekzistencën e grupeve parlamentare. Në periudha tranzicioni institucional, si pas zgjedhjeve dhe para konstituimit të Kuvendit të ri, institucionet duhet të mbështeten në interpretim funksional të ligjit, për të shmangur bllokimin e proceseve të rëndësishme siç është përbërja e KQZ-së”, thotë Jakaj.

Aktualisht, vendi po pret edhe një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese – atë për kërkesën e kryetares së Kuvendit për pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Jakaj thekson se Ligji për Gjykatën Kushtetuese nuk përcakton një afat strikt për vendimmarrje në raste të tilla.

“Nga praktika e deritanishme, Gjykata Kushtetuese zakonisht vepron me urgjencë, për shkak të natyrës së ndjeshme dhe pasojave institucionale që mund të ketë një situatë e tillë”, sipas tij.

Ai shton se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë fillimisht edhe masë të përkohshme, në mënyrë që të shmangen “dëmet e pariparueshme institucionale”, dhe më pas të sjellë vendim përfundimtar për kushtetutshmërinë e dekretit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të përcaktojë nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve apo krijohet një situatë tjetër institucionale. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara