Lajmet

​KESCO nuk e zbaton vendimin e ZRrE-së, thotë se ka paqartësi dhe kërkon sqarime

KESCO thotë se ky vendim që është dërguar nga rregullatori ka paqartësi se si duhet të veprojnë ata si operatorë.

Published

on

KESCO ka njoftuar se të premten ka pranuar nga ZRrE vendimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRrE-së për tarifat e energjisë elektrike të marrë më 8 shkurt të këtij viti.

KESCO thotë se ky vendim që është dërguar nga rregullatori ka paqartësi se si duhet të veprojnë ata si operatorë.

“Për të shmangur keqkuptimet të cilat potencialisht mund të prekin konsumatorët, ne kemi kërkuar sqarime nga ZRrE. Sapo të marrim një përgjigje dhe sqarim nga rregullatori se si të veprojmë, ne do të ndjekim udhëzimet në tërësi. Pavarësisht nga zhvillimi në këtë proces që ka ardhur si rezultat i vendimit të fundit të gjykatës dhe udhëzimeve të pritshme që do të marrim si operator nga ZRrE-ja, dëshirojmë t’i sigurojmë konsumatorët që nuk do të dëmtohen në asnjë rrethanë. Çdo proces, i cili do të bazohet tërësisht në udhëzimet e ZRrE-së, do të jetë transparent dhe do t’iu shpjegohet në detaje konsumatorëve. KESCO ka qenë gjithmonë në anën e konsumatorëve. Kjo është dëshmuar në praktikë edhe kohët e fundit, kur vullnetarisht kishim zgjeruar pragun e shpenzimeve, në mënyrë që sa më pak konsumatorë të prekeshin nga tarifat e reja gjatë muajit shkurt, duke mbuluar vet shpenzimet mbi prag për një pjesë të tyre. Në bazë të vendimeve të organeve kompetente, ne si kompani ekzekutive do të veprojmë me përgjegjësi ashtu siç kemi vepruar në çdo rrethanë. Ne mbetemi të përkushtuar për të bërë më të mirën për klientët, edhe në këtë kohë të vështirë”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 24 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

24 gusht 1993

Në ndeshjen e autobusit me tren vdiqën 20 qytetarë të Kosovës

Në fatkeqësinë e djeshme, që ndodhi në Pomozotin të Fushë-Kosovës, me ç’rast treni që qarkullonte në relacionin Fushë-Kosovë-Pejë u përplas në autobusin e Elektroekonomisë së Kosovës, humbën jetën 20 udhëtarë. Bëhet e ditur se 5 udhëtarë janë në gjendje të rëndë, kurse 75 të tjerë morën lëndime më të lehta.

Në mjetet e informimit u shpallën emrat e 20 të vdekurve në këtë fatkeqësi: Dejan Cekiq, Nebojsha Millutinoviq, Shamli Hydaverdi dhe Zharko Dimiq nga Prishtina; Ali Berisha, Rexhep Ymeri, Fejzë Piskala, Gani Ymeri, Sadri Shabani e Ymer Uka nga Sllatina e Madhe e Fushë Kosovës; Sami Dervisholli nga Vragolia e Fushë-Kosovës, Drago Karaxhiqi nga Prishtina, Elfete Fetahu nga Podujeva, Jetullah Podvorica nga Dumoshi i Podujevës, Jakup Beqiri nga Podujeva, Ejup Ibrahimi nga Plemetini i Obiliqit, Idriz Hajdini nga Ballabani i Prishtinës, Ragip Myftari, Stevan Ivanisheviqi dhe Bedri Ymeri nga Prishtina.

Në gjendje të rëndë në spitalin e Prishtinës janë Xhevat Shala e Ramadan Çitaku nga Prishtina, Muhamet Dvorani e Arif Zogjani nga Sllatina e Madhe e Fushë Kosovës dhe Ruzhdi Ibrahimi, kurse për shërim të mëtejmë në Klinikat e Fakultetit të Mjekësisë u ndalën edhe Milazim Mustafa nga Prishtina, Qazim Boshnjaku, Zhivorad Vukojeviqi, Izet Ajazi, Dragan Spasiqi, Zhivorad Vidosavleviqi, Çedomir Mihailoviqi, Naman Limoni, Qamil Çelaj, Hazir Vuka, Fatmir Vllahiu, Fehmi Shala, Dervish Dervisholli, Avdullah Marteta, Milomir Trajkoviqi, Feti Cakolli, Agron Pllana, Smajl Krasniqi, Zymer Mustafa, Nazmi Avdullahu, Jonuz Grajçevci, Ramadan Stogu, Fehmi Bulliqi, Dushan Stupar, Ragip Bërbatovci, Trajko Saviqi, Zvonimir Jezdiqi, Dragolub Saviqi, Azem Batalinaj, Vehbi Dervisholli, Kamber Morina, Ymer Mustafa dhe Muharrem Muharremi.

Përveç këtyre të lënduarve, ndihmë mjekësore kërkuan dhe menjëherë janë lëshuar në shtëpi Ismet Brahimi, Dejan Joksimoviqi, Sabri Sllamniku, Esat Kumnova, Besim Brahimi, Çasllav Todiqi, Nazmi Haxhaj, Skënder Bunjaku, Muhamet Ahmeti, Musli Gashi, Shaip Dragusha, Hajriz Grajçevci, Arif Rama, Qamil Grajçevci, Miodrag Rashiqi, Branko Simonoviqi, Gradimir Jovanoviqi, Jonuz Grajçevci, Vojisllav Karishiq, Avni Bajçinovci, Jordan Ristiqi, Zhivorad Mitroviqi, Vahide Ahmeti, Borivoje Jaukoviqi, Ejup Dervisholli, Sllobodan Stevanoviqi, Lubisha Badnjareviqi, Sreten Millovanoviqi, Dragan Steviqi, Nikolla Maksimoviqi, Ekrem Konjuhi dhe Stanimir Gjurgjeviqi.

Gjykatësi hetues i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Remzush Latifi, në deklaratën e djeshme për gazetarë tha se detajet e kësaj fatkeqësie nuk dihen, por sipas tij, në orën 6.38 minuta, në fshatin Pomozotin të Fushë-Kosovës në parakalimin hekurudhor u ndeshën treni nr. 661-112, i cili qarkullonte në relacionin Fushë-Kosovë-Pejë dhe autobusi me targën PR 932-85.

Në këtë vendkalim hekurudhor gjenden dy shenjat e trafikut “Kryqi i Andreut” dhe shenja “Stop”, të cilat është dashur që t’i respektojë shoferi i autobusit, theksoi ky gjykatës dhe konstatoi se, në momentin kritik, treni ka qarkulluar me një shpejtësi prej 60 kilometrash në orë. Është konstatuar se në momentin kritik në autobus gjendeshin mbi 90 udhëtarë.

Në këtë vendkalim hekurudhor kanë ndodhur edhe përplasje të tjera të automjeteve me trena. Mirëpo, për rrezikun permanent askush nga përgjegjësit nuk çau kokën dhe nuk u vu laura e domosdoshme, e cila do t’i shpëtonte shumë jetëra të njerëzve.

 

24 gusht 1995

Nëpër Gllogovc e Deçan dje parakaluan kolona ushtarake

Dje, rreth orës 14:25, nëpër qendër të Gllogovcit parakaloi një kolonë e automjeteve ushtarake e pajisur me armatim të rëndë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogovc.

Kjo kolonë shkoi në drejtim të Skënderajt.

Për lëvizjen e forcave të ushtrisë serbe nëpër qytete e vendbanime shqiptare njofton edhe Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan.

Në informatën e këtij komisioni thuhet se dje rreth orës 8:30, nëpër qendër të Deçanit parakaloi një kolonë e forcave të armatosura të ushtrisë serbe, e cila përbëhej nga 18 kamionë ushtarakë, të cilët tërhiqnin prapa edhe armatim të rëndë.

Nga jo kolonë e cila erdhi nga Peja, në qendër të Deçanit u shkëputën katër kamionë të cilët shkuan në drejtim të grykës së Deçanit, ndërsa pjesa tjetër e kolonës shkoi në drejtim të Gjakovës.

 

Në Podujevë dy të vdekur nga ethet hemorragjike

Ethet hemorragjike janë grup i sëmundjeve ngjitëse të ngjashme në mes veti, por që dallojnë nga etiologjia, epidemiologjia, patogjeneza dhe shtrirja gjeografike. Virusët në këtë sëmundje janë të ndryshëm, të cilët barten nëpërmjet enëve të vogla të gjakut, nga rriqrat e infektuara, brejtësit e fushës, deri te kontakti i drejtpërdrejtë përmes kontaminimit me sekretet e tyre në ushqim, ujë dhe ajër. Nga tre pacientët e sëmurë në komunën e Podujevës, dy kanë vdekur para pak kohësh, kurse një është në hospitalizim e sipër.

Secili nga virusët e sipërpërmendur është bartës i infektimit, thotë Fadil Dabinovci, epidemiolog, por siç dihet ethet hemorragjike kërcënojnë ata individë, të cilët kohën më të madhe e kalojnë në natyrë, apo që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me bagëtinë, gjithashtu edhe familjarët dhe personelin mjekësor që kujdeset për të sëmurin. Simptomet e para paraqiten me kokëdhembje, plogështi, dhimbje të nyjave dhe muskujve, të skuqurit e lëkurës etj. Kjo sëmundje paraqitet zakonisht gjatë stinës së verës.

Dr.Dabinovci shton se aktivizimin e këtij virusi e shkakton fenomeni ekologjik-biologjik, i cili rezulton edhe me shumëzimin e tepërt të rriqrave dhe të brejtësve. Masat kundërepidemike aplikohen varësisht nga lloji i etheve hemorragjike mbi mbikëqyrje të shtuar epidemiologjike. Rol të rëndësishëm këtu ka edhe njohja e inkubacionit të secilit lloj të etheve hemorragjike, pastaj dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi.

 

25 gusht 1997

Përleshje e policisë serbe me persona të panjohur në fshatrat e brezit kufitar të Gjakovës

Operimet pirateske të personave të paidentifikuar e të armatosur, shpesh edhe të maskuar, që në kohët e fundit në fshatrat e brezit kufitar të Gjakovës thuaja janë bërë të përditshme, po shkaktojnë, jo vetëm një shqetësim të madh te banorët e kësaj treve, por edhe rrezik për jetën e tyre. Një ngjarje e këtillë ndodhi edhe pardje në afërsi, përkatësisht në trekëndëshin e fshatrave Stubëll, Berja dhe Nivokaz të Rekës së Keqe, të Gjakovës, kur rreth orës 11, dy persona të panjohur tentuan të vjedhin bagëtinë e pronarëve të këtyre lokaliteteve. Pa kaluar shumë kohë, këtyre hajdutëve iu bashkangjitën edhe gjashtë persona të tjerë. Dhe, gjithnjë në mbështetje të deklaratave të dëshmitarëve dhënë në Komisionin për Informim të Degës së LDK-së të Gjakovës, rreth orës 14 në vendin e ngjarjes arrijnë edhe forcat e policisë serbe, të cilave pak më vonë iu bashkangjit edhe një helikopter. Gjatë përleshjes, përkatësisht shkëmbimit me armë zjarri, me këta persona tash për tash të paidentifikuar, të cilët po ashtu ishin të armatosur, dy prej tyre janë vrarë. Ky këmbim armësh ka zgjatur disa orë. Pas dërgimit të kufomave të këtyre dy personave në morgun e Spitalit të Gjakovës, me një urdhëresë të policisë, nga punëtorët e NKP “Çabrati”, është bërë varrimi i tyre. Për personat e tjerë nuk dihet se çfarë ka ndodhur, njofton KI i LDK-së të Gjakovës.

 

 

24 gusht 1998

Në Suharekë forcat serbe vranë dy dhe plagosën së paku dy fëmijë shqiptarë

Dy shqiptarë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën gjatë granatimeve të djeshme, të cilat përfshinë edhe lagjet periferike Suharekës.

KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se në shtëpinë e tij forcat serbe vranë Abedin Hysen Shalën (60) dhe plagosën dy fëmijët e tij, emrat e të cilëve nuk arritëm t’i mësojmë. Po dje u vra edhe Shefqet Jemin Hoxha (39), i cili në po provonte të shpëtonte familjen e tij.

Bëhet e ditur se edhe në fshatin Peçan, forcat serbe kanë plagosur disa shqiptarë.

 

Trupat e 10 shqiptarëve të vrarë u dërguan në morgun e spitalit të Gjakovës

Mbrëmë në morgun e spitalit të Gjakovës, policia serbe ka dërguar trupat e pajetë të 10 shqiptarëve të vrarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Tash për tash dihet vetëm identiteti i një të vrari, Adem Rexhep Dervishit (62) nga Batusha e Rekës së Keqe, ndërsa 9 të vrarit e tjerë janë nga komuna e Deçanit, dhe supozohet se ata janë vrarë në vendin ku takohen kufiri Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi. Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur.

I njëjti burim bën me dije se mbrëmë dhe sot të shtëna armësh ka pasur edhe në rrugët e qytetit, e sidomos në paralagjet e Gjakovës.

 

Dje në Açarevë u vra Ganimete Azem Gjilani nga Baica e Lipjanit

Mbrëmë në vijën e frontit në Açarevë, në luftë kundër forcave të agresorit serb u vra luftëtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ganimete Azem Gjilani (19) nga fshati Baicë e Gllogocit.

Bëhet e ditur se varrimi i luftëtares së UÇK-së, Ganimete Gjilani bëhet sot në vendlindjen e saj në Baicë.

 

Continue Reading

Lajmet

Kori kosovar Siparantum fiton tri çmime në festivalin ndërkombëtar në Malajzi

Published

on

Kori kosovar Siparantum ka fituar tri çmime në kuadër të “Malaysian Choral Festival 2026”, që po mbahet në Kuala Lumpur të Malajzisë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka vlerësuar këtë rezultat si një sukses të jashtëzakonshëm për korin dhe Kosovën.

Sipas Kurtit, Kori Siparantum është vlerësuar me Çmimin e Artë në kategorinë B4 – Ansambël Vokal, Çmimin e Artë në kategorinë A5 – Kor i Përzier, si dhe me Çmimin Special për Skenografi/Koreografi Kreative në kategorinë A5.

Kurti ka thënë se këto çmime dëshmojnë punën, talentin dhe përkushtimin e Korit Siparantum, si dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës korale.

Ai ka uruar korin, si dhe kompozitorin dhe dirigjentin Memli Kelmendi, duke theksuar se suksese të tilla janë edhe shtysë për institucionet që të vazhdojnë mbështetjen për artin dhe kulturën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna nga vetura në lëvizje dhe armë pa leje: Tre të arrestuar në Prishtinë, Podujevë e Drenas

Published

on

By

Policia e Kosovës ka iniciuar tri raste të ndara për “Përdorim të armës” dhe “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve” gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Prishtinës, Podujevës dhe Drenasit.

Në Drenas, policia ka arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri nga vetura e tij në lëvizje në orët e para të mëngjesit të së dielës. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 8 gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari është konfiskuar një revole me gaz dhe 88 fishekë. Me vendim të prokurorit, i arrestuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Në Podujevë, pas marrjes së informatës për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore kanë identifikuar të dyshuarin, nga i cili kanë konfiskuar një pistoletë me gaz dhe 11 fishekë. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq në Prishtinë, gjatë një kontrolli rutinor, njësiti policor ka ndaluar një person i cili ka deklaruar se kishte me vete një armë zjarri. Policia ka konfiskuar pistoletën me 10 fishekë, pasi leja e armës kishte skaduar dhe e njëjta ishte e destinuar vetëm për shenjëtari. Edhe ky rast, me vendim të prokurorit, po vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Russell Crowe luan emigrantin shqiptar në thrillerin e ri “The Get Out”

Published

on

Aktori fitues i “Oscar”-it, Russell Crowe, rikthehet në ekranin e madh me një rol që mund të tërheqë veçanërisht vëmendjen e publikut shqiptar. Ai interpreton Manco Kapak, një emigrant shqiptar që ka ndërtuar jetën në Los Angeles, por që përballet sërish me të kaluarën kriminale.

Në thrillerin “The Get Out”, me regji të Derrick Borte, Crowe portretizon pronarin e një klubi nate në Los Angeles, i cili duket se ka lënë pas jetën kriminale. Megjithatë, e kaluara e tij lidhet me botën e krimit, trafikun e parave dhe kartelet e drogës.

Pas një problemi serioz shëndetësor, Manco vendos të largohet nga kjo jetë dhe të shesë klubin, me synimin për të nisur një kapitull të ri së bashku me partneren e tij, Sunny, të luajtur nga Teresa Palmer.

Por plani i tij prishet kur klubi bëhet objekt i një grabitjeje. Manco përfshihet sërish në një botë nga e cila kishte tentuar të largohej, ndërsa kërcënimet e karteleve, sulmuesit e maskuar dhe një blerës misterioz, Joe Carver, i luajtur nga Luke Evans, e vendosin përballë rreziqeve të reja.

Personazhi i Mancos ndërtohet mbi përplasjen mes së kaluarës dhe dëshirës për një jetë të re. Identiteti i tij shqiptar është pjesë e rëndësishme e historisë, duke sjellë në një produksion të Hollywood-it figurën e një emigranti shqiptar që përpiqet të ndërtojë një identitet të ri në Amerikë.

Në kast janë gjithashtu Aaron Paul dhe Nina Dobrev, ndërsa filmi është përshtatur nga romani “Strip” i Thomas Perry-t, me skenar të Derrick Borte dhe Daniel Forte.

“The Get Out” ndërthur thrillerin kriminal, aksionin dhe humorin e zi. Filmi është shfaqur në kinema gjatë qershorit 2026 dhe zgjat rreth 100 minuta.

Për publikun shqiptar, veçanërisht interesant mbetet fakti se Russell Crowe sjell në ekran një personazh me prejardhje shqiptare, i cili përpiqet të shkëputet nga e kaluara dhe të ndërtojë një të ardhme të re./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara