Lajmet

​Katër shpata romake mijëra vjeçare janë gjetur në një shpellë në Izrael

Depoja e rrallë e armëve u gjet në Rezervatin Natyror En Gedi, i ruajtur në këllëf druri dhe lëkure.

Published

on

Arkeologët kanë gjetur katër shpata romake dhe një armë me bosht të njohur si “pilum” që daton 1900 vjet më parë, në një shpellë pranë bregut të Detit të Vdekur në Izrael.

Sipas një deklarate për shtyp nga Autoriteti i Antikiteteve izraelite të dhënë të mërkurën, depoja e rrallë e armëve u gjet në Rezervatin Natyror En Gedi, i ruajtur në këllëf druri dhe lëkure, raporton CNN.

“Gjetja e një shpate të vetme është e rrallë – por gjetja e katër shpatave është një ëndërr! Ne nuk mund ta besonim”, thanë studiuesit.

Sipas autorëve të një artikulli kërkimor të botuar të mërkurën në librin “Studime të reja në arkeologjinë e shkretëtirës së Judesë: Dokumente të mbledhura”, armët ishin ndoshta plaçkë lufte të marra nga ushtria romake nga rebelët judeanë.

Dëshmia e parë – pilumi dhe copat e drurit të punuar që rezultuan të ishin këllëf – u gjetën rastësisht në një shpellë të izoluar dhe të paarritshme mbi shkëmbinj nga arkeologët që studionin një mbishkrim fragmentar.

Shpatat “jashtëzakonisht të ruajtura mirë” u gjetën së bashku me copa lëkure, druri dhe metali. Tre nga shpatat kishin tehe hekuri brenda këllëfeve prej druri dhe ishin 60-65 centimetra në gjatësi. E katërta ishte e gjatë 45 centimetra.

Gërmimet e mëtejshme zbuluan një monedhë bronzi “Bar Kokhba” që daton nga viti 132-135, sipas njoftimit për shtyp.

“Ky është një zbulim dramatik dhe emocionues, që prek një moment specifik në kohë. Jo të gjithë janë të vetëdijshëm se kushtet e thata klimatike në shkretëtirën e Judesë mundësojnë ruajtjen e objekteve që nuk mbijetojnë në pjesë të tjera të vendit”, tha Eli Escusido, drejtor i Autoritetit të Antikiteteve të Izraelit

Lajmet

Fakulteti Juridik i UBT-së përmbyll Akademinë Verore me diskutime mbi të drejtën dhe Inteligjencën Artificiale

Published

on

By

Pas një jave intensive me ligjërata, diskutime akademike dhe aktivitete profesionale të udhëhequra nga profesorë dhe ekspertë të fushës, Akademia Verore e Fakultetit Juridik në UBT u përmbyll me një vizitë studimore në kompaninë mediale Infokus.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të zhvillojnë një bashkëbisedim me gazetaret Era Berisha, Hateme Smajli dhe Arjeta Osmani, ku u diskutua mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në gazetari dhe media. Diskutimi u fokusua në mundësitë që Inteligjenca Artificiale ofron për punën e gazetarëve, por edhe në sfidat që ajo sjell për profesionin. Tematika si përgjegjësia profesionale e gazetarëve, paditë SLAPP, përdorimi i përmbajtjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe ndikimi i tyre në informimin e publikut u trajtuan në një debat të hapur, interaktiv dhe mjaft frytdhënës.

Një ditë më parë, pjesëmarrësit e Akademisë Verore ndoqën dy ligjërata me tema aktuale dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimet juridike bashkëkohore. Prof. Jorida Xhafaj ligjëroi mbi temën “Inteligjenca Artificiale, etika dhe privatësia: A mund ta ndjekë ligji zhvillimin e Inteligjencës Artificiale?”, ndërsa Prof. Elton Tota trajtoi temën “Inteligjenca Artificiale: Ndikimi në vendimmarrje, demokraci dhe lidership”.

Përmes këtij programi, Akademia Verore e Fakultetit Juridik u ofroi studentëve një platformë të vlefshme për të thelluar njohuritë mbi sfidat juridike, etike dhe shoqërore që shoqërojnë zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe bashkëbisedimeve me akademikë e profesionistë të fushës, pjesëmarrësit patën mundësinë të lidhin teorinë me praktikën dhe të zhvillojnë një perspektivë më të gjerë mbi çështjet bashkëkohore të së drejtës dhe teknologjisë.

Continue Reading

Lajmet

Startup-i i vajzës së Bill Gates përfshihet në debat për praktika të dyshuara online

Published

on

Një kompani teknologjike e bashkëthemeluar nga vajza e miliarderit Bill Gates është përfshirë në një debat pas dyshimeve për përdorimin e praktikave të parregullta në internet.

Bëhet fjalë për startup-in Phia, një kompani që zhvillon mjete për blerje online të asistuara nga inteligjenca artificiale, e bashkëthemeluar nga 23-vjeçarja Phoebe Gates.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga “Bloomberg”, aplikacioni i kompanisë dyshohet se ka përdorur një praktikë të njohur në marketingun digjital si “cookie stuffing”, e cila mund të mundësojë përfitimin e komisioneve nga shitjet online përmes metodave të diskutueshme.

Nga kompania kanë deklaruar se rasti ka ardhur si pasojë e një gabimi teknik në kod dhe se problemi është identifikuar dhe korrigjuar.

Pavarësisht debatit, Phia ka vazhduar zgjerimin e saj në tregun teknologjik, duke siguruar më shumë se 37 milionë euro investime dhe duke u vlerësuar me rreth 159 milionë euro.

Phoebe Gates ka deklaruar më herët se dëshiron ta ndërtojë suksesin e saj përmes punës dhe ideve personale, duke shmangur përdorimin e mbiemrit të saj të njohur gjatë prezantimeve para investitorëve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Orkestra “Amadeus” triumfon në Pragë, sjell në Kosovë medaljen e artë dhe katër çmime ndërkombëtare

Published

on

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” nga Kosova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në Festivalin Ndërkombëtar të Orkestrave “Musica Orbis” në Pragë, duke u shpërblyer me medaljen e artë dhe katër çmime të rëndësishme.

Në këtë festival ndërkombëtar, ku morën pjesë orkestra nga vende të ndryshme të botës, “Amadeus” fitoi Çmimin e Parë dhe Medaljen e Artë, duke u vlerësuar për performancën dhe nivelin artistik.

Përveç çmimit kryesor, koncertmjeshtri i orkestrës, violinisti solist Elton Syla, u nderua me çmim special për interpretimin e tij, ndërsa violinisti Princ Fanaj mori çmimin special për violinistin më entuziast nga violinat e para.

Një tjetër vlerësim i veçantë ishte edhe Çmimi i Publikut dhe Adhuruesve, i cili iu nda Orkestrës “Amadeus” nga Kosova.

Ky sukses ndërkombëtar vjen si rezultat i punës dhe përkushtimit të të rinjve të orkestrës, të cilët po vazhdojnë ta prezantojnë Kosovën me dinjitet në skenat botërore.

Pas këtij triumfi qëndron edhe puna e madhe e ekipit drejtues, me dirigjentin Vehbi Shosholli, drejtoreshën Hana Petrovci, zëvendësdrejtoreshën Vanesa Petrovci Shabani, koordinatoren Arta Rexhepi dhe gjithë stafin e shkollës “Amadeus”.

Suksesi në Pragë është një tjetër dëshmi e talentit të të rinjve kosovarë dhe e rolit të artit në promovimin e vlerave të Kosovës jashtë vendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci diskuton me KMRS-në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të autorit në muzikë

Published

on

Ministrja Saranda Bogujevci ka zhvilluar takim me kryesuesen e Organizatës për Menaxhim Kolektiv të të Drejtave të Autorit në Fushën e Muzikës (KMRS), Kaltrina Mehmeti, ku u diskutuan zhvillimet aktuale dhe hapat e mëtejshëm për forcimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në industrinë muzikore.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me funksionimin e menaxhimit kolektiv, zbatimin e tarifave për përdorimin e repertorit të mbrojtur, si dhe krijimin e një sistemi më të drejtë, transparent dhe funksional për kompensimin e autorëve, kompozitorëve, interpretuesve dhe bartësve të tjerë të të drejtave.

Ministrja Bogujevci u informua për aktivitetet dhe sfidat me të cilat përballet KMRS-ja, ndërsa u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave të menaxhimit kolektiv dhe komunitetit krijues për avancimin e mëtejshëm të mbrojtjes së të drejtave të autorit në Kosovë.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përafrimit të praktikave vendore me standardet evropiane, me synim mbrojtjen më të mirë të krijuesve dhe zhvillimin e industrisë kreative e kulturore në vend./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara