Lajmet

​Jasharaj: I vetmi fajtor është Albin Kurti

Si shkak i bullizimeve, Jasharaj the se po rrezikohet edhe në rrugë.

Published

on

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se i vetmi fajtor për grevat është kryeministri Albin Kurti. Madje, ai ka shtuar se për shkak të nxitjes nga ana e qeverisë si shkak i pasigurisë, ai në rrugë po shoqërohet nga shokët.

Para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Jasharaj tha se Kurti e ka bullizuar atë në kuvend për lutjen që i kishte bërë si vëlla. Në këtë formë ai tha se do të shkoj në varr edhe si hero i shekullit. Deputetët e shumicës kanë kërkuar që të mos përmendet kryeministri dhe të ndalen sot grevat. Ndërkaq anëtarë nga opozita kanë akuzuar shumicën për presion ndaj sindikalistëve.

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj në mbledhjen e Komisionit për Arsim theksoi se figura e mësuesit është ruajtur vetëm në vitet e ’90-ta, ku në mesin e tyre që po shahen është edhe vet ai.

Partia në pushtet bashkë me eksponentët e vet, madje edhe me deputetë, madje edhe ministren Nagavci që duhet të jetë personi i parë që duhet të dërgojë mesazhe qetësie, ndodhi e kundërta. U tentua që Rrahman Jasharaj të shpallet armik i vendit, një njeri që tërë jetën ia kushtoi arsimit dhe asnjëherë nuk u distancua asnjë deputet i pozitës e as kryeministri. Madje uroj që disa deputetëve dhe kryeministrit dhe të tjerëve të kenë një atmosferë të njëjtë që e kam unë në shtëpi dhe në familje. Uroj që kjo të ju ndodhë nga Zoti”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai shtoi se për nëntë muaj ia kanë dërguar më shumë se 80 shkresa qeverisë e deputetëve, ku Jasharaj shtoi se është keqpërdorur lutja e tyre. Para anëtarëve të Komisionit të Arsimit, ai tha se ka tendencë që të ngulfaten e shuhen sindikatat.

82 shkresa i ka dërguar BSPK, dhjetëra të tjera SBAShK, dhjetëra të tjerët, por asnjë takim serioz nuk e kemi pasur. Jemi të shokuar, takimi i vetëm që e kishim me kryeministrin, ku ishte edhe ministri Murati dhe zonja Nagavci, takimi dy orësh doli pa asnjë rezultat, doli në stilin merr ose le. Shprehjet që ne kemi thënë dhe pikë dhe kjo nuk ishte më e keqja. Por e patë edhe para mediave edhe në parlament thua se u zbulua diçka që nuk ka qenë kurrë, fjala ‘vëlla’ të cilën e përdora në mënyrën më të mirë. E përdora sepse në Kosovë kur duam të bisedojmë pa hile, i themi njëri-tjetrit po bisedojmë si vëlla. Kryeministri që shihet që nuk e qan fare kokën për situata dhe dëshiron të krijojë vetëm humor e satirë, më bullizoi edhe në parlament duke thënë ‘erdh dhe mu lut si vëlla’. Por ai e harroi fjalinë e dytë kur i thash po të lus si vëlla e kryeministër”, ka shtuar ai.

Ai pati kritika edhe për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku tha se me deklaratat e saj nxitëse ka lënduar figurën e mësuesit.

Si shkak i bullizimeve, Jasharaj the se po rrezikohet edhe në rrugë.

Tash nuk mund të dalë në rrugë për shkak të mos-distancimit të qeverisë dhe duke i nxitur madje me diskutime. Mua duhet të më përcjellin shokët në këtë moshë, sepse thjesht ndihem i pasigurt me ato inskenime që mi bëjnë në shkolla. Ku njerëzit më duartrokasin dhe dy kolegë që dolën se janë LVV vazhdimisht institonin ‘kryetar mbylle grevën’. Dhe ai plaku i ngratë mendoi se unë jam ai që e mbylli grevën. Ju e dini, por disave nuk po ju konvenon, Rrahman Jasharaj as nuk e ka shpall e as mbyll grevën. Anëtarësia pa iu plotësuar kushtet nuk e mbyll grevën. Dhe po e them publikisht që i vetmi fajtor është Albin Kurti”, deklaroi Jasharaj.

Para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Jasharaj deklaroi se do të shkoj në varr edhe si hero i kohës.

Po më vjen mirë që edhe kur të vdes do të mbesin disa fjalë të mia. Dhe po e shoh tash në qytet njerëzit po bëjnë hajgare me fjalën ‘vëlla’, ‘mos më thuaj vëlla’. Ja arritja e kryeministrit Kurti, që ta bëjë të vlefshme fjalën vëlla. Dhe besoni duke më sulmuar pa dashur, po më bëni hero të kohës, të cilën nuk e kam dashur. Por, faleminderit do të shkoj në varr si hero i kohës të shekullit 21 dhe kohës kur kryeministër ishte Albin Kurti”, ka vijuar me deklarimin.

Në anën tjetër, kryetari i komisionit, Ardian Gola ka thënë se është interes jetik të ruhet autoriteti dhe integriteti i mësuesit.

Ai shtoi se nuk është mirë që të përmenden emri i kryeministrit, për këtë, Jasharaj tha se nuk do të flas më.

Nuk do të doja që të përmendni emra specifik, emrat e përveçëm në mungesë…

Jasharaj: A isha unë në parlament kur u bullizova. Nëse ma ndalni fjalën, unë po shkoj në shtëpi.

Gola: Për shkak se nuk është as kryeministri as ministri të mbrojnë veten, ti ngrite shqetësimin pa përmendur emrat e përveçëm.

Jasharaj: Po ta jap besën që nuk flas më sot”, kanë thënë ata.

Ani pse dha besën në Komisionin për Arsim se nuk do të flas më, kur iu kërkua nga kryetari Ardian Gola që të mos përmend emrin e kryeministrit, Jasharaj vazhdoi të përgjigjet në pyetjet në lidhje me kërkesat që kanë për të dalë nga greva.

Ai tha se duke vlerësuar situatën, kanë vlerësuar se qeveria ka mundësi të ndihmojë mësimdhënësit.

Ndërkaq Ymer Ymeri nga SBAShK ka treguar për kërkesat qe kanë paraqitur edhe në takimet e fundit me Avokatin e Popullit.

Ajo pako prej 50 euro që ka ofruar qeveria deri në muajin dhjetor të vazhdojë dhe të fillojë nga muaji shtator. Dhe të ketë një rritje të pagës nga shtatori deri në dhjetor 10,45 për qind, aq sa ka qenë rritja ekonomike në vitin 2022. Është një plotësim i kërkesave për pikën që na tregon për 100 euro. Ndërkaq, nga muaji janar kemi kërkuar siç e kemi në Kontratë Kolektive të futet shkalla e inflacionit që është në vitin 2022 dhe shkalla e rritjes ekonomike sa do të jetë”, ka deklaruar Ymeri.

Ai theksoi se janë 13 shkolla të plota dhe dy prej klasës 1 deri në 5 që po mbajnë mësim.

Anëtari i Komisionit për Arsim, Jahja Kokaj e ka lutur Rrahman Jasharajn që të mbyll grevën sot.

Hajde t’i ndërpresim sot e pastaj të gjendet modaliteti. Për Zotin gjendet modaliteti”, e ka lutur ai.

Për këtë ka reaguar sërish kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së ku tha se me këto deklarime po cënohet figura e tij.

Sipas Jasharajt, ai nuk e ka shpallur grevën e as nuk mund ta mbyll, por këtë e vendos anëtarësia.

Ndërkohë deputetët e shumicës janë kritikuar për presion ndaj Këshillit të SBAShK-ut dhe degradim të këtij takimi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati tha se ky diskutim është turp.

Është marre ky lloj diskutimi sidomos kur kemi të bëjmë me këta njerëz që në vend se neve të na dridhen duart, këtyre po ju dridhen duart kur po flasin para neve, po ndihen sikur në gjyq. Është e turpshme. Ne vazhdojmë të marrim 160 euro për një orë duke ju shitur mend juve, leksione e pallavra për të treguar këtu se kush është këtu më akademik”, ka deklaruar Kastrati.

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj ka përjetuar molisje gjatë kohës sa po diskutohet për grevat në Komisionin për Arsim. Jasharajt i është ofruar ujë.

Kujtojmë se nga data 25 e muajit të kaluar, me vendim të BSPK-së është shpallur greva me kërkesën prej 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Vendi

Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja

Published

on

By

Familjarët e akademikut Rexhep Qosja kanë njoftuar se ai u nda nga jeta këtë të enjte. Sipas njoftimit, ceremonia e varrimit të të ndjerit tashmë ka përfunduar, në përputhje me vullnetin e tij për një lamtumirë private.

Në njoftim theksohet se, duke respektuar dëshirën e fundit të akademikut, familja nuk do të organizojë ceremoni pritjeje (të pame) dhe nuk do të jetë pjesë e organizimeve institucionale.

“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja po ashtu nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në kumtesën e shkurtër të familjarëve.

Continue Reading

Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 23 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

23 prill 1993

Lajm i plotë:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në konferencën për gazetarë sot në Prishtinë, i komentoi ngjarjet më aktuale në Kosovë dhe rreth Kosovës.

Në fillim të konferencës, kryetari Rugova tha se edhe gjatë javës që shkoi ishte shumë i theksuar represioni kundër shqiptarëve në Kosovë. Krahas maltretimeve, po vazhdon ndjekja e të rinjëve për t’i dërguar me dhunë në ushtrinë serbe. Më parë u janë dërguar shumë ftesa të rinjëve për ushtrinë serbe, ndërsa tash po marrin kend po munden, sidomos në vendet publike, me qëllim që të bëhet presion mbi të rinjtë shqiptarë. Represioni po vazhdon në të gjitha trajtat. Rektori i Universitetit të Prishtinës prof. dr. Ejup Statovci ende po mbahet në burg (dr. Statovci u lirua sot nga burgu- shënim i redaksisë) si edhe Blerim Shala, gazetar i revistës “Zëri”.

Gjatë javës që shkoi, u shfaq edhe problemi me refugjatët shqiptarë të Kosovës që u detyruan të kthehen nga Suedia. Refugjatët patën probleme me policinë maqedonase. U bëjmë thirrje autoriteteve maqedonase, që të sillen në mënyrë më njerëzore ndaj refugjatëve fatkëqinj, pasi edhe policia serbe po u nxjerr probleme atyre. Ne kemi kërkuar nga Suedia dhe shtetet tjera evropiane që t’u lejojnë qëndrim të përkohshëm shqiptarëve të Kosovës, sidomos të rinjëve, që janë strehuar në ato vende duke ikur nga dhuna dhe nga ushtria serbe. Ne do të bëjmë çka është e mundur, bashkë me Byronë e Komesariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatë në Prishtinë, që të evitojmë maltrerimin e njerëzve që janë të detyruar të kthehen në Kosovë, theksoi dr. Rugova.

Në vazhdim, dr. Rugova, përshëndeti vizitën e Atit të Shenjtë Papa Gjon Palit II në Shqipëri, ku do të pritet nga shumë shqiptarë edhe nga Kosova, të cilët do të shkojnë në Shqipëri pavarësisht prej rreziqeve. Kjo do të jetë një vizitë e rëndësishme për Shqipërinë, për popullin shqiptar, për Kosovën, si dhe për rajonin në tërësi. Vizita do t’i kontribuojë paqes dhe njohjes së rolit stabilizues të shqiptarëve në rajon.

Kryetari Rugova, tërhoqi vërejtjen se sipas disa informatave ende të pavërtetuara, po parapërgatitet mobilizimi i shqiptarëve, i cili do të çrregullonte edhe më shumë situatën në Kosovë. Mobilizimi, natyrisht mund të bëhet vetëm me përdorimin e forcës, pasi shqiptarët nuk do t’u përgjigjen këtyre mobilizimeve.

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova i vlerësoi si shumë të rëndësishme dy vizita të parlamentarëve amerikanë e rus në Kosovë. Gjatë javës, patëm vizitën e rëndësishme të delegacionit të Kongresit amerikan, përkatësisht delegacionin e Senatit amerikan, me në krye senatorin De Konsini, kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongresin Amerikan. Ne biseduam për gjendjen dhe situatën në Kosovë. Poashtu patëm edhe një vizitë të rëndësishme të delegacionit të Parlamentit të Rusisë, të udhëhequr nga z. Igor Mozgov, përgjegjës për ish-Jugosllavinë dhe Shqipërinë. Delegacioni pati mirëkuptim për pikëpamjet tona dhe për situatën në Kosovë. Ata insistuan në zgjidhjen paqësore, me mjete politike të çështjes së Kosovës, në mënyrë që assesi të mos vijë deri te konflikti. Ne do të jemi në kontakte me Parlamentin dhe institucionet e Rusisë, theksoi kryetari Rugova.

Ai mbështeti Rezolutën e Këshillit të Sigurimit për forcimin e sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, por përsëriti kërkesën që Kosova të veçohet nga këto sanksione përmes ndihmave humanitare dhe ndihmave në forma të tjera, shumë të nevojshme për popullin e Kosovës. Natyrisht, tash edhe Kosova po vuan nga sanksionet pa kurrfar faji.

Kryetari Rugova, kërkoi edhe njëherë që Kosova sa më parë të vihet në rend të ditës në OKB dhe të votohet Rezoluta preventive për Kosovën, e cila në këtë moment do të ndikonte që të mos keqësohet ende gjendja.

Në pyetjen se a e vlen ideali i pavarësisë një luftë të popullit të vogël shqiptar, e cila do të zgjaste disa vite, siç po shihet në rastin e Bosnës, aq më tepër kur Ju jeni i njohur si kryetar i paqjes, dr Rugova tha se Kosova ishte pjesë e shtetit që u shkatërrua, prandaj është e natyrshme që të mendojmë për ardhmërinë tonë. Ne e shohim tragjedinë në Kroaci dhe në Bosjë, prandaj kemi bërë këtë politikë për të evituar konfliktin që e kemi vazhdimisht mbi kokë, prandaj do të bëjmë përpjekje që edhe pavarësinë ta arrijmë me paqe. Kemi kërkuar mbikëqyrje dhe preventivë mbi Kosovën. Ne shpresojmë se do të ndryshojë koshienca politike të serbët, e jo vetëm regjimi. Me këtë rezistencë, dëshirojmë që ta arrrijmë pavarësinë, edhepse është mjaft vështirë.

Duke u përgjigjur në pyetjen se a ka hasur në përkrahje Plani Paqësor, kryetari Rugova tha se pikat kryesore të Planit Paqësor, siç është vendosja e trupave preventive të OKB-së në Kosovë, çështja e protektoratit dhe prania e më shumë monitorëve në Kosovë, si edhe ndihmat humanitare, po hasin gjithnjë e më shumë në mirëkuptim, pasi të gjithë angazhohen që të mos shpërthejë konflikti në Kosovë.

Duke u përgjigjur në pyetjen se sa e njohin rusët çështjen e Kosovës, kryetari Rugova tha se ata e njohin mirë gjendjen. Pas vizitës që i bëri Kosovës një delegacion i Parlamentit të Rusisë, ata do të dinë edhe më shumë. Në planin e integrimeve të përgjithshme në Ballkan dhe në Evropë, e, edhe në vetë ish-BRSS, ku ka edhe dezintegrime, ata e kuptojnë mirë edhe problemin e Kosovës. Ata e krahasuan problemin e Kosovës me problemin e Moldavisë.

Në pyetjen se si e komenton letrën e shkrimtarëve sllovenë dërguar intelektualëve serbë, me kërkesë që të heqin dorë publikisht nga Memorandumi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Serbisë, si burim i të gjitha të këqijave, dr. Rugova tha se thirrjen e kupton si një thirrje kolegiale. Ky është një gjest i intelektualëve sllovenë, që thërret individët serbë të deklarohen kundër atij dokumenti që ka sjellë kaq shumë tragjedi.

Në pyetjen se si e komenton thirrjen e Vacllav Havelit për ndërhyrje ushtarake kundër forcave serbe, kryetari Rugova tha se Haveli këtë thirrje e ka bërë si burrështetas.

Në pyetjen se a pret që në ndonjë rezolutë të OKB-së të përkrahet Plani Paqësor, dr. Rugova shfaqi mendimin se një rezolutë të OKB-së do të bazohet në kërkesat kryesore të Planit Paqësor.

Në pyetjen se sa ka të vërteta në një shkrim që u botua kohëve të fundit për organizatën lobistike Ruder-Finn, e cila, siç thuhet, planifikon veprimtarinë e udhëheqjes së Kosovës, kryetari Rugova tha se këto pohime nuk janë të vërteta. Ruder-Finn është një agjenci me të cilën kemi kontakte. Planet dhe programet tona janë formuluar para se të themelohet ajo agjensi. Ndërsa është krijuar pa bazë edhe miti për Lobin Shqiptar në Amerikë. Natyrisht, shqiptarët në SHBA, si qytetarë amerikanë, angazhohen, janë të interesuar dhe kanë kontakte me Kongresin Amerikan dhe administratën amerikane, ku i shfaqin probelemet e etnitetit dhe etnikumit të tyre, si edhe serbët, kroatët e të tjerët. Ndërsa Ruder-Finn është më shumë organizatë për publikime, dhe asgjë më shumë.

Në fund, lidhur me porosinë e Pen Qendrës Shqiptare, dërguar Kongresit të Penit Botëror në Hvar, kryetari Rugova tha se shkrimtarëve shqiptarë duhet t’u ndihmohet në këtë situatë të vështirë. Porosia jonë është që organizata evropiane dhe ajo botërore të aktivizohen më shumë. Një shembull i mirë është angazhimi i intelektualëve në Francë lidhur me situatën në Bosnë, në Kroaci dhe në Kosovë. Është me rëndësi të madhe që intelektualët në Evropë të angazhohen më shumë dhe të dalin nga kjo situatë pak a shumë e burokratizuar, theksoi në fund kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

 

Lajme të tjera:

Bill Klintoni bisedoi me Aleksandër Meksin

Dr.Fehmi Agani bisedoi me Bjorn Uokmanin

Doli nga burgu dr. Ejup Statovci

Imzot Nikë Prela: Populli im e ka ndërgjegjën e pastër

Bernar Anri Levi: “Kujdes, mos e prekni Kosovën!”

Verner: Serbët do ta paguajnë çmimin e agresionit

Kundër serbëve – edhe vetë ebrejët

Policia maqedonase plaçkiti rreth pesëdhjetë refugjatë shqiptarë që u kthyen nga Suedia

Ekspeditë e policisë në fshatin Llozhan të Pejës

U dëbua me dhunë nga banesa

Në fshatin Graboc të Pejës policia serbe bastisi dhe rrahu disa qytetarë

Në Prishtinë u arrestuan katër të rinj

Është ngritur padia kundër Shefket Kërciqit

Në Baçkë ushtrojnë 350 “sokola serbë”

 

 

23 prill 1994

Lajmet kryesore:

Ultimatumi i dytë i NATO-s kundër forcave të serbëve të Bosnjës

Këshilli i Sigurimit për zgjidhje globale në ish-Jugosllavi

Letër e dr. Bukoshit e botuar në gazetën “The Washington Post”

Kërkohët përjashtimi i prokurorit dhe zëvendësprokurorit të instaluar serbë

U paraburgosen edhe dy të rinj me pretekst se janë stërvitur në Labinot të Shqipërisë

Sërish botohet gazeta e studentëve “Bota e re”

Ndarjet e partive në grupe që nuk synojnë identitet të ri politik

Një grup refugjatësh shqiptarë u kthye nga Suedia

Iu dorëzuan thirrjet për rekrutim 125 të rinjve në Malishevë

Në Lipjan një familje shqiptare u nxor me dhunë nga banesa

Represioni në Kosovë

Në Pejë pesë veta u dënuan për drogë

Gligorovi për vendosjen e trupave të OKB-së edhe në Kosovë

Pse u merren pasaportat shqiptarëve që vizitojnë Shqipërinë

Kërkohet Fidaim Potoku

 

 

23 prill 1997

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova priti Majkëll Mekllellenin

U promovua kompleti i veprave të At Gjergj Fishtës

Azem Hajdari: Të shpallen të paligjshme “komitetet e shpëtimit”

Shoqata për të mbyturit e Otrantos i drejtoi një letër Parlamentit të Shqipërisë

Teknikë të TV italian RAI u sulmuan në Vlorë

Në Gjilan filloi aksioni “T’i pasurojmë bibliotekat tona”

Si u kthye një refugjat nga Gjermania?

Shqiptarët i pret burgu nëse i blejnë pronat e serbëve në Kosovë

Në Doblibare të Gjakovës persona të maskuar plaçkitën pronarin e agjencisë “Rajmonda-tours”

Në Bllacë të Suharekës policia serbe plaçkiti pronarin e firmës “Dent”

Suharekë: Të rinjtë shqiptarë thirren për rekrutim në ushtrinë serbe

Policia e Kamenicës kërkon armë nga shqiptarët e Bujanocit

Fërçkovski: Maqedonia është kundër mini-aleancave

Avdi F. Abdullahu ndodhet në Tiranë

 

 

 

23 prill 1998

Edicioni i parë (Ora 9:00)

Lajm i plotë:

Forcat serbe vazhduan sot në orën 7:00 me granatimin e Baballoqit

Forcat serbe filluan sot në orën 7:00 granatimin e sërishëm të fshatit Baballoq të komunës së Deçanit.

Kryetari i Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Deçan i tha QIK-ut se në qytezë po dëgjohej jehona e shpërthimeve të fuqishme nga fshati.

Mbrëmë rreth orës 19:00 kishte pushuar granatimi i fshatit. Nga njoftimet e komisioneve për informim të Degës së LDK-së në Deçan dhe në Gjakovë bëhej me dije se një pjesë e madhe e fëmijëve, grave e pleqve nga fshatrat Baballoq, Gramaçel, Dubravë, Glloxhan, Shaptej, Prekollukë, Irzniq, Rastavicë e Radoniq ishin larguar nga shtëpitë e tyre nga frika prej masakrave serbe.

Nga Baballoqi u njoftua mbrëmë se forcat serbe kishin qëlluar në së paku gjashtë shtëpi. Mirëpo, nuk ka njoftime për të vrarë ose të plagosur.

Një gjendje e rëndë u krijua në Deçan mbrëmë rreth orës 18:00 nga dezinformatat që u përhapën për gjoja një sulm që pritej të bëhej së shpejti nga forcat serbe në qytezë. Nga frika dhe në një gjendje paniku, shumë qytetarë braktisën shtëpitë e veta dhe u nisën në drejtim të Pejës.

Gjendje e rrezikshme mbretëron sidomos edhe rreth pendës së liqenit artficial të Radoniqit. Popullsia druan nga dëmtimi i qëllimshëm ose i rastësishëm i pendës që do të shkaktonte katastrofë në këtë anë.

Gjatë ditëve të kaluara dhe dje ka pasur njoftime për koncentrime dhe ripozicionime të forcave ushtarake serbe përgjatë gjithë zonës kufitare me Shqipërinë.

Sulmi kundër fshatit Baballoq filloi pardje në orën 10:45 dhe zgjati deri në orën 20. Sulmi vazhdoi edhe gjatë gjithë ditës së djeshme, duke u zgjeruar edhe në disa fshatra përrreth.

Pas masakrës së familjeve shqiptare në Likoshan, Qirez e Prekaz i Ulët në Drenicë dhe sulmit në Glloxhan më 24 mars, fëmijët, gratë e pleqt janë larguar nga fshatrat, ndërsa burrat po bëjnë përpjekje për të mbrojtur shtëpitë e veta.

Dega e LDK-së në Deçan edhe sot i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtarë, udhëheqjes së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë që të bëjnë krejt çka është e mundur për të ndërprerë sulmet e forcave serbe dhe një masakrim të popullsisë.

 

 

Edicioni i dytë (Ora 12:00)

Lajmet kryesore:

Ushtria shtin me armë të rënda afër fshatit Zhdrellë të Gjakovës

Nuk ka lajme për të vrarë apo të plagosur

Vazhdon sulmi mbi Baballoq

Lipjan: Civilëve serbë u shpërndahen armë dhe uniforma policie

 

 

Edicioni i tretë (ora 13:30)

Lajmet kryesore:

Ushtria serbe po sulmon Sukën e Cërmnjanit

Parakalime të ushtrisë edhe në Prishtinë

Istog: Armatosen dhe uniformohen civilët serbë

Shkrimet luftënxitëse antishqiptare të shtypit serb

Gjendje e rëndë në terrenin që përfshin Kodra e Trimave

Të burgosurve në Gjilan u ofrohet të votojnë për referendumin serb

Nesër në Hagë mbahet një demonstratë e shqiptarëve

Gjashtë ditë burg pse vendosi lule në vendin ku policia vrau Avdi R. Nezirin

Gazeta serbe “DT” shkruan se ushtarët serbë “vranë” dy e “plagosën” shtatë sulmues shqiptarë

Përfundoi greva e urisë e gazetarëve të “Flakës së vëllazërimit”

Gazetares së “Rilindjes” iu mor pasaporta në Han të Elezit

Dhuna e përditshme në Kosovë

 

 

Edicioni i katërt (Ora 16:00)

Lajmet kryesore:

Njoftohet për një të vrarë në Kosharë të Gjakovës

Forca të mëdha serbe po bombardojnë Sukën e Cërmjanit

Gjendje e rëndë dhe e rrezikshme në komunën e Deçanit

KRNE: Mbi 500 të ikur mbërritën në Gjakovë – nuk mund të depërtohet në fshatrat që po sulmohen

“Koha jonë”: “Arrijnë 20 refugjatët e parë nga Kosova”

Apel i LDK-së drejtuar faktorëve ndërkombëtarë për ndërprerjen e operacioneve militare serbe

Drejtues të LDK-së njoftuan Zyrën Amerikane me gjendjen në Gjakovë e Deçan

Shëtitjet protestuese vazhduan edhe sot në ditën e katërmbëdhjetë

Në Vushtrri policia legjitimoi disa kalimtarë

Aeroplanë ushtarakë fluturuan mbi Mitrovicë

Në Mitrovicë vazhdon keqtrajtimi i qytetarëve me pretekste të ndryshme

Suharekë: Qytetarët serbë u mobilizuan dhe u bashkuan me forcat e rregullta të policisë serbe

Organet e instaluara serbe hapën vendvotimet në dy shkolla shqipe të Zhurit

 

 

Edicioni i pestë (Ora 16:00)

Lajmet kryesore:

Forca të policisë serbe shkuan drejt Rekës së Keqe

Klinë: Një aeroplan fluturoi ulët mbi fshatin Cerovik

Paraqitje e suksesshme e delegacionit të Kosovës në Asamblenë e Këshillit të Evropës

Asambleja Parlamentare e KE-së miratoi një dokument që ka të bëjë edhe me zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Foto: Baballoqi

Continue Reading

Vendi

Kuvendi miraton Ligjin për çmimet tavan pa përkrahjen e opozitës

Published

on

By

Me votat e shumicës parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ndonëse pushteti i dha dritën jeshile kësaj nisme, partitë opozitare abstenuan ose votuan kundër, duke drejtuar kritika të ashpra mbi formën se si do të intervenohet në treg.

Nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa u shpreh se nuk janë kundër parandalimit të abuzimeve, por kundër mjegullës ligjore që lë ky projektligj. Sipas tij, dokumenti ka paqartësi të theksuara.

“Nuk jemi kundër një ligji që pengon apo ndalon abuzimet në treg. Mirëpo mënyra si është formuluar ky ligj lë hapësirë për arbitraritet. Është e paqartë se në cilat raste do të ndërhyhet në treg. Si do të përcaktohet arsyeshmëria e çmimeve që caktohen me këtë ligj. Po lihet hapësirë një bordi jo të pavarur për të intervenuar në treg”, ka thënë Mustafa.

Edhe LDK-ja ka shprehur dyshime për ndikime politike, duke vlerësuar se vërejtjet e tyre për metodologjinë dhe pavarësinë e bordit u injoruan. Janina Ymeri theksoi rrezikun e furnizimit joadekuat.

“Për shkak që ky ligj mund të jetë i ndikuar edhe nga interesa tjera private personale dhe partiake dhe rrezikon të jetë komplet i kapur nga partia në pushtet, ndikon në furnizim joadekuat dhe në stabilitetin ekonomik dhe ne nuk e përkrahim ligjin. Jo për iniciativën por për formulimin e ligjit”, u shpreh Ymeri.

Në anën tjetër, Besnik Tahiri nga AAK-ja ka akuzuar ekzekutivin se po krijon institucione paralele për të ndërhyrë në treg. Sipas tij, nëse Qeveria do të kishte vullnet të vërtetë për t’i ndihmuar qytetarët, do të ndërhynte direkt në uljen e akcizës dhe TVSH-së, në vend që t’i merrte kompetencat ministrisë përmes një bordi të ri.

Pavarësisht këtyre akuzave, Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka sqaruar se ligji nuk do të prekë të gjitha produktet, por vetëm ato bazike.

“Ky ligj është i paraparë të aktivizohet vetëm në situata të destabilizimit të tregut dhe vetëm për 14 produktet e caktuara në ligj të shportës bazë. Nuk është projektligj që i hyn listës së të gjitha produkteve që gjenden në market dhe ua cakton çmimet. Ideja dhe moduli më i qasshëm dhe lehtë i zbatueshëm dhe kushtetues ka qenë bordi që përzgjidhet me konkurs të hapur dhe me votim nga kuvendi”, shpjegoi Kusari-Lila.

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person, i gjendet substancë e dyshuar narkotike në veturë dhe shtëpi

Published

on

Mbrëmjen e 22 prillit sipas raportit të Policisë së Kosovës, rreth orës 21:00, në rrugën “Besim Rexhepi” në Ferizaj, Policia ka arrestuar një person të dyshuar mashkull kosovar, pasi gjatë një kontrolli i janë gjetur substanca narkotike.

Fillimisht, gjatë kontrollit në veturën e tij, janë zbuluar tri qese me marihuanë me peshë rreth 15.57 gram. Pas kësaj, policia ka vazhduar me kontroll në shtëpinë e të dyshuarit. Aty është gjetur edhe një sasi tjetër marihuane prej rreth 1.41 gram, një peshore digjitale, para të gatshme rreth 485 euro, si dhe një telefon mobil.

I dyshuari është shoqëruar në polici dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

Continue Reading

Të kërkuara