Lajmet
Jasharaj: I vetmi fajtor është Albin Kurti
Si shkak i bullizimeve, Jasharaj the se po rrezikohet edhe në rrugë.
Published
3 years agoon
By
UBT.NewsKryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se i vetmi fajtor për grevat është kryeministri Albin Kurti. Madje, ai ka shtuar se për shkak të nxitjes nga ana e qeverisë si shkak i pasigurisë, ai në rrugë po shoqërohet nga shokët.
Para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Jasharaj tha se Kurti e ka bullizuar atë në kuvend për lutjen që i kishte bërë si vëlla. Në këtë formë ai tha se do të shkoj në varr edhe si hero i shekullit. Deputetët e shumicës kanë kërkuar që të mos përmendet kryeministri dhe të ndalen sot grevat. Ndërkaq anëtarë nga opozita kanë akuzuar shumicën për presion ndaj sindikalistëve.
Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj në mbledhjen e Komisionit për Arsim theksoi se figura e mësuesit është ruajtur vetëm në vitet e ’90-ta, ku në mesin e tyre që po shahen është edhe vet ai.
“Partia në pushtet bashkë me eksponentët e vet, madje edhe me deputetë, madje edhe ministren Nagavci që duhet të jetë personi i parë që duhet të dërgojë mesazhe qetësie, ndodhi e kundërta. U tentua që Rrahman Jasharaj të shpallet armik i vendit, një njeri që tërë jetën ia kushtoi arsimit dhe asnjëherë nuk u distancua asnjë deputet i pozitës e as kryeministri. Madje uroj që disa deputetëve dhe kryeministrit dhe të tjerëve të kenë një atmosferë të njëjtë që e kam unë në shtëpi dhe në familje. Uroj që kjo të ju ndodhë nga Zoti”, ka deklaruar Jasharaj.
Ai shtoi se për nëntë muaj ia kanë dërguar më shumë se 80 shkresa qeverisë e deputetëve, ku Jasharaj shtoi se është keqpërdorur lutja e tyre. Para anëtarëve të Komisionit të Arsimit, ai tha se ka tendencë që të ngulfaten e shuhen sindikatat.
“82 shkresa i ka dërguar BSPK, dhjetëra të tjera SBAShK, dhjetëra të tjerët, por asnjë takim serioz nuk e kemi pasur. Jemi të shokuar, takimi i vetëm që e kishim me kryeministrin, ku ishte edhe ministri Murati dhe zonja Nagavci, takimi dy orësh doli pa asnjë rezultat, doli në stilin merr ose le. Shprehjet që ne kemi thënë dhe pikë dhe kjo nuk ishte më e keqja. Por e patë edhe para mediave edhe në parlament thua se u zbulua diçka që nuk ka qenë kurrë, fjala ‘vëlla’ të cilën e përdora në mënyrën më të mirë. E përdora sepse në Kosovë kur duam të bisedojmë pa hile, i themi njëri-tjetrit po bisedojmë si vëlla. Kryeministri që shihet që nuk e qan fare kokën për situata dhe dëshiron të krijojë vetëm humor e satirë, më bullizoi edhe në parlament duke thënë ‘erdh dhe mu lut si vëlla’. Por ai e harroi fjalinë e dytë kur i thash po të lus si vëlla e kryeministër”, ka shtuar ai.
Ai pati kritika edhe për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku tha se me deklaratat e saj nxitëse ka lënduar figurën e mësuesit.
Si shkak i bullizimeve, Jasharaj the se po rrezikohet edhe në rrugë.
“Tash nuk mund të dalë në rrugë për shkak të mos-distancimit të qeverisë dhe duke i nxitur madje me diskutime. Mua duhet të më përcjellin shokët në këtë moshë, sepse thjesht ndihem i pasigurt me ato inskenime që mi bëjnë në shkolla. Ku njerëzit më duartrokasin dhe dy kolegë që dolën se janë LVV vazhdimisht institonin ‘kryetar mbylle grevën’. Dhe ai plaku i ngratë mendoi se unë jam ai që e mbylli grevën. Ju e dini, por disave nuk po ju konvenon, Rrahman Jasharaj as nuk e ka shpall e as mbyll grevën. Anëtarësia pa iu plotësuar kushtet nuk e mbyll grevën. Dhe po e them publikisht që i vetmi fajtor është Albin Kurti”, deklaroi Jasharaj.
Para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Jasharaj deklaroi se do të shkoj në varr edhe si hero i kohës.
“Po më vjen mirë që edhe kur të vdes do të mbesin disa fjalë të mia. Dhe po e shoh tash në qytet njerëzit po bëjnë hajgare me fjalën ‘vëlla’, ‘mos më thuaj vëlla’. Ja arritja e kryeministrit Kurti, që ta bëjë të vlefshme fjalën vëlla. Dhe besoni duke më sulmuar pa dashur, po më bëni hero të kohës, të cilën nuk e kam dashur. Por, faleminderit do të shkoj në varr si hero i kohës të shekullit 21 dhe kohës kur kryeministër ishte Albin Kurti”, ka vijuar me deklarimin.
Në anën tjetër, kryetari i komisionit, Ardian Gola ka thënë se është interes jetik të ruhet autoriteti dhe integriteti i mësuesit.
Ai shtoi se nuk është mirë që të përmenden emri i kryeministrit, për këtë, Jasharaj tha se nuk do të flas më.
“Nuk do të doja që të përmendni emra specifik, emrat e përveçëm në mungesë…
Jasharaj: A isha unë në parlament kur u bullizova. Nëse ma ndalni fjalën, unë po shkoj në shtëpi.
Gola: Për shkak se nuk është as kryeministri as ministri të mbrojnë veten, ti ngrite shqetësimin pa përmendur emrat e përveçëm.
Jasharaj: Po ta jap besën që nuk flas më sot”, kanë thënë ata.
Ani pse dha besën në Komisionin për Arsim se nuk do të flas më, kur iu kërkua nga kryetari Ardian Gola që të mos përmend emrin e kryeministrit, Jasharaj vazhdoi të përgjigjet në pyetjet në lidhje me kërkesat që kanë për të dalë nga greva.
Ai tha se duke vlerësuar situatën, kanë vlerësuar se qeveria ka mundësi të ndihmojë mësimdhënësit.
Ndërkaq Ymer Ymeri nga SBAShK ka treguar për kërkesat qe kanë paraqitur edhe në takimet e fundit me Avokatin e Popullit.
“Ajo pako prej 50 euro që ka ofruar qeveria deri në muajin dhjetor të vazhdojë dhe të fillojë nga muaji shtator. Dhe të ketë një rritje të pagës nga shtatori deri në dhjetor 10,45 për qind, aq sa ka qenë rritja ekonomike në vitin 2022. Është një plotësim i kërkesave për pikën që na tregon për 100 euro. Ndërkaq, nga muaji janar kemi kërkuar siç e kemi në Kontratë Kolektive të futet shkalla e inflacionit që është në vitin 2022 dhe shkalla e rritjes ekonomike sa do të jetë”, ka deklaruar Ymeri.
Ai theksoi se janë 13 shkolla të plota dhe dy prej klasës 1 deri në 5 që po mbajnë mësim.
Anëtari i Komisionit për Arsim, Jahja Kokaj e ka lutur Rrahman Jasharajn që të mbyll grevën sot.
“Hajde t’i ndërpresim sot e pastaj të gjendet modaliteti. Për Zotin gjendet modaliteti”, e ka lutur ai.
Për këtë ka reaguar sërish kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së ku tha se me këto deklarime po cënohet figura e tij.
Sipas Jasharajt, ai nuk e ka shpallur grevën e as nuk mund ta mbyll, por këtë e vendos anëtarësia.
Ndërkohë deputetët e shumicës janë kritikuar për presion ndaj Këshillit të SBAShK-ut dhe degradim të këtij takimi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati tha se ky diskutim është turp.
“Është marre ky lloj diskutimi sidomos kur kemi të bëjmë me këta njerëz që në vend se neve të na dridhen duart, këtyre po ju dridhen duart kur po flasin para neve, po ndihen sikur në gjyq. Është e turpshme. Ne vazhdojmë të marrim 160 euro për një orë duke ju shitur mend juve, leksione e pallavra për të treguar këtu se kush është këtu më akademik”, ka deklaruar Kastrati.
Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj ka përjetuar molisje gjatë kohës sa po diskutohet për grevat në Komisionin për Arsim. Jasharajt i është ofruar ujë.
Kujtojmë se nga data 25 e muajit të kaluar, me vendim të BSPK-së është shpallur greva me kërkesën prej 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga.
Vendi
Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses
Published
1 hour agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar zyrtarisht pas ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim rreth zgjedhjes së Presidentit të ri.
Abdixhiku ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, por ka vendosur një kusht të qartë: takimi mund të ndodhë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin e saj.
Lideri i LDK-së ka theksuar se përderisa çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është në duart e Gjykatës, politika duhet të heshtë për t’i lënë radhën drejtësisë kushtetuese.
“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim, koha jonë politike ndalon përkohësisht”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, respektimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe shmangia e proceseve politike paralele është një nder që i bëhet Republikës dhe institucioneve të saj.
“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar kreu i LDK-së.
Kjo përgjigje vjen vetëm pak orë pasi Kryeministri Kurti njoftoi se do të nisë ftesat për opozitën me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin, për të evituar kështu shkuarjen në zgjedhje të reja.
Lajmet
Kurti: Sot u nis ftesë partive opozitare, duhet marrëveshje për Presidentin
Published
2 hours agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Institucionet e Kosovës janë aktualisht në pritje të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ndërsa vendi pret këtë vendim që do të përcaktojë fatin e legjislaturës, Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për stabilitet, duke kërkuar një marrëveshje politike me partitë opozitare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Kurti theksoi para mediave se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes një tjetër cikël zgjedhor të dendur, duke kujtuar se gjatë vitit të kaluar vendi kaloi nëpër katër palë zgjedhje.
“Kemi një çështje tani që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq theksi duhet të vije në faktin që në vitin e kaluar kemi pasur 4 palë zgjedhje dhe unë jam i bindur që nuk kemi nevojë që ta përsërisim vitin 2025. Është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Kurti.
Për të shmangur zgjedhjet e sërishme dhe për të siguruar funksionimin e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës, Kryeministri njoftoi se ftesat për liderët e opozitës do të dërgohen menjëherë.
“Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe unë qysh sot do t’ju dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme”, shtoi ai, duke insistuar se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut brenda spektrit politik.
Vendi
Arian Gashi zgjidhet kryesues i ri i KPK-së
Published
3 hours agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka zgjedhur sot udhëheqjen e tij të re. Pas përfundimit të procesit të votimit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Agron Qalaj, njoftoi se Arian Gashi ka marrë besimin e 4 anëtarëve, ndërsa kundërkandidati i tij, Milot Krasniqi, siguroi 2 vota.
Me këtë rezultat, Gashi do të jetë në krye të këtij institucioni të rëndësishëm, duke pasuar udhëheqjen e deritanishme.
Mandati i tij si kryesues i KPK-së nis zyrtarisht këtë të premte, më 13 mars 2026, dhe do të zgjasë deri në përfundim të funksionit të tij si anëtar i Këshillit.
Në fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës, kryesuesi i sapozgjedhur theksoi rëndësinë e kësaj pozite si një mision për forcimin e ligjit:
“Këtë besim nuk do ta marr si privilegj por si përgjegjësi, andaj me besim në Zot dhe dashuri ndaj atdheut, do të realizojmë çdo plan të përbashkët”, deklaroi Gashi.
Menjëherë pas emërimit, ai ka bërë të ditur dorëheqjen nga pozita e tij e mëparshme si kryetar i Komisionit për Çështje Normative, për t’u fokusuar plotësisht në drejtimin e KPK-së.
Krahas tij, Këshilli ka zgjedhur edhe Dardan Vunqin në pozitën e zëvendëskryesuesit, duke kompletuar kështu ekipin drejtues të këtij institucioni.
Lajmet
Maqedonci: Raketat kineze, kërcënim i Serbisë ndaj fqinjëve
Published
4 hours agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Blerja e fundit e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina ka nxitur reagimin e Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci.
Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Maqedonci ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se ky armatim shërben për mbrojtje, duke i cilësuar lëvizjet e Beogradit si një shpërfaqje të hapur të tendencave hegjemoniste ndaj vendeve fqinje.
Sipas ministrit, asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur qëllime agresive, ndërkohë që është vetë Serbia ajo që mban pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ai vuri në dukje se furnizimi me sisteme raketore kundër-ajrore si FK3, HQ-17 dhe radarë të ndryshëm nga Kina është vazhdimësi e politikës së Aleksandar Vuçiqit për të sfiduar sigurinë në rajon përmes bashkëpunimit me vende joanëtare të NATO-s.
“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci.
Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se këto raketa “tmerrësisht të shtrenjta” janë integruar me sukses në avionët ushtarakë rusë MiG-29. Ai e arsyetoi këtë blerje si një përgatitje ndaj asaj që ai e quajti “aleanca e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, duke iu referuar deklaratës për bashkëpunim në mbrojtje që këto tri vende nënshkruan në mars të vitit 2025.
Lajmi për armatimin e ri ka alarmuar edhe fqinjët e tjerë. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka paralajmëruar se do ta adresojë këtë çështje direkt në strukturat e NATO-s. Ndërkohë, të dhënat e fundit nga instituti SIPRI konfirmojnë se Kina është bërë partneri kryesor ushtarak i Serbisë, duke mbuluar 57% të importeve të armëve, e ndjekur nga Rusia me 20%. /REL/
Dyfishohet mbështetja financiare për sportistet dhe trajneret femra
Kombëtarja U17 vazhdon përgatitjet për kualifikimet e Evropianit 2027
Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses
Lufta e sinjaleve: Si po e ndihmojnë Rusia dhe Kina Iranin të “shohë” fushëbetejën
Basketbolli kosovar feston 11 vjet anëtarësi në FIBA
Kurti: Sot u nis ftesë partive opozitare, duhet marrëveshje për Presidentin
Arian Gashi zgjidhet kryesues i ri i KPK-së
Kosova synon avancimin për Botërorin 2027
Maqedonci: Raketat kineze, kërcënim i Serbisë ndaj fqinjëve
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
