Lajmet

​Jahjaga e habitur me ftesën për Daçiqin në konferencën për dhunën seksuale

Jahjaga është shprehur e habitur se si ministri serb Daçiq ka siguruar ftesë në këtë konferencë.

Published

on

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar lidhur me prezencën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq në Konferencën Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, në Londër. Jahjaga është shprehur e habitur se si ministri serb Daçiq ka siguruar ftesë në këtë konferencë.

“E habitur që Konferenca Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt (Preventing Sexual Violence in Conflict) i ka bërë ftesë dhe i ka dhënë platformë Ivica Daçiqit, zëdhënësit dhe bashkëpunëtorit të Slobodan Millosheviqit, përderisa viktimat e politikave të tij ishin të ulura në audiencë. A ishte ai atje për të pranuar krimet që Serbia i ka kryer në Ballkan dhe për të kërkuar falje për to, apo ishte prezent në cilësinë e ekspertit? Ivica Daçiq ishte pjesë e një regjimi politikë e të cilit ishte përdhunimi i grave kosovare. Kjo ftesë është në kundërshtim me punën e zellshme përgjatë një dekade që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka bërë për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të tejkalojnë traumat e tyre dhe t’i japin fund këtij krimi të tmerrshëm. Gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2016, Lartmadhëria e Tij Mbreti Charles III, takoi të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Mbretëria e Bashkuar është lider global në përpjekjet për ta parandaluar #DhunënSeksualenëKonflikt, dhe Kosova ka gjetur një shtet mik krahas të cilit kërkon drejtësi për të mbijetuarit. Viktimat e dhunës seksuale në konflikt shpresojnë që një ditë do të ballafaqohen me dhunuesit e tyre para një gjykatësi për të vënë drejtësi e jo në konferenca për të diskutuar parandalimin e përdhunimit në konflikt”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Lajmet

Trendafilova: Dhomat e Specializuara punojnë pa ndikime politike

Published

on

By

Kryetarja e Dhomate të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka reaguar përmes një video-mesazhi publik ndaj kritikave dhe dezinformatave lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e këtij institucioni gjyqësor. Reagimi i saj vjen pas vendimeve të fundit gjyqësore, reagimeve publike dhe ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Kosovës.

Trendafilova nënvizoi se Gjykata e Hagës ushtron mandatin e saj në mënyrë plotësisht të pavarur dhe pa asnjë ndërhyrje apo presion politik, duke garantuar procedura të drejta, të paanshme si dhe mbrojtje të fuqishme për dëshmitarët dhe viktimat.

Sipas kryetares së Dhomave të Specializuara, kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, mirëpo sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t’u diktojë gjyqtarëve se si ta interpretojnë apo zbatojnë ligjin. Ajo shtoi se të gjithë gjyqtarët janë profesionistë me integritet të lartë nga shtetet e BE-së dhe vendet kontribuuese, të cilët zbatojnë konventat ndërkombëtare dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve për të drejtat e të akuzuarve, Trendafilova rikujtoi se mbrojtja juridike dhe mbikëqyrja e vendimeve garantohen përmes shkallëve të ankesave në Apel, Gjykatën Supreme, si dhe në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese — mjete këto që, sipas saj, janë shfrytëzuar me sukses nga të pandehurit në disa aktgjykime. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aeroporti i Cyrihut shpallet më i miri në Evropë për të 23-ën herë radhazi

Published

on

Aeroporti i Cyrihut në Zvicër është vlerësuar sërish me çmimin “Europe’s Leading Airport” për vitin 2026, në kuadër të çmimeve ndërkombëtare World Travel Awards.

Ky është viti i 23-të radhazi që aeroporti merr këtë vlerësim, duke ruajtur pozicionin në të njëjtën kategori për më shumë se dy dekada.

Sipas njoftimit të aeroportit, çmimi është ndarë pas nominimit nga komiteti i World Travel Awards dhe votimit online në nivel global, ku kanë marrë pjesë profesionistë të industrisë së udhëtimeve dhe publiku i gjerë, transmeton Telegrafi.

Në procesin e vlerësimit merren parasysh kënaqësia e udhëtarëve, përmbushja e standardeve të cilësisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve.

Aeroporti i Cyrihut është një nga pikat kryesore të lidhjes së Zvicrës me botën, duke lehtësuar udhëtimet ndërkombëtare dhe duke kontribuar në lidhjen e ekonomisë zvicerane me tregjet globale/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama vendos karrige me mbishkrimin “Dialog” para Kryeministrisë, në ditën e tetë të protestave

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vendosur karrige para Kryeministrisë, kur Shqipëria ka hyrë në ditën e tetë të protestave të të rinjëve.

Karriget janë me mbishkrimin “Dialog”, për të përcjell mesazhin për gatishmëri për komunikim, ka thënë Rama.

“Tani kush do dialog pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, unë jam në dizpozicion me Qeverinë. Të vetmit që nuk janë të mirëpritur janë ata që bëjnë dhunë dhe nuk distancohet nga dhuna”, ka thënë ai në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Rama e përsëriti edhe dje thirrjen për dialog, por theksoi se nuk pranon të ulet në tryezë me personat që ushtrojnë dhunë. Kreu i qeverisë ka theksuar se është i hapur për të dëgjuar kërkesat e protestuesve paqësorë, ndërsa ndaj atyre që përfshihen në akte dhune ka paralajmëruar masa ndëshkuese./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Trumpi urdhëron hetime ndaj Grenellit

Published

on

By

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj një prej ish-aleatëve të tij më të afërt, Richard Grenell.

Siç ka shkruar mediumi “Axios”, në Shtëpinë e Bardhë ka shpërthyer një skemë e “pagesave për ndikim” te Trumpi. Në qendër të raportimit është një instruksion i pretenduar nga Grenelli për biznesmenin turk, Turhan Mildon, në maj të vitit të shkuar.

Grenell atë kohë shef i qendrës kulturore “Kennedy Center”, i pati thënë Mildonit të transferojë rreth 17 milionë dollarë te kompania “Texas Armament & Technology” – nga të cilat rreth 6 milionë dollarë do të shkonin për qendrën e arteve.

“Sapo që paratë të vijnë te kompania këtu, do të aranzhoj donacionin te ‘Kennedy Center’, dhe ju do t’iu bashkoheni ngjarjeve VIP dhe të jeni të afërt me administratën, madje edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në mesazhin e Grenellit, sipas raportimit.

Grenelli ka mohuar pretendimet duke i quajtur të rreme.

E gruaja e Mildonit, avokatja Alina Habba, ka thënë se “Kennedy Center” s’e ka marrë kurrë donacionin.

Ajo raportohet se më herët gjatë muajit ka takuar Trumpin për Grenellin sipas “Axios” dhe “The New York Times”. Presidenti më pas ka urdhëruar Shtëpinë e Bardhë që menjëherë të nisë hetimet.

Richard Grenell ka shërbyer si emisar special i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, në periudhën 2019-2021.

Continue Reading

Të kërkuara