Lajmet

​Izraeli dhuron 70 karroca për personat me aftësi të kufizuara

Ceremonia e shpërndarjes u bë në Shoqatën Hendikos.

Published

on

Izraeli për herë të dytë ka shpërndarë 70 karroca për personat me aftësi të kufizuara. E këto karroca do t’u shpërndahen fëmijëve në Prishtinë, por edhe qendrat tjera të Kosovës.

Ceremonia e shpërndarjes u bë në Shoqatën Hendikos, ku drejtori i kësaj qendre, Afrim Maliqi tha se personat me aftësi të kufizuara nuk marrin asnjë shërbim institucional, përpos atyre social nga OJQ të ndryshme. Maliqi tha se presin përkrahje në përmirësim të kuadrit ligjor për personat me aftësi të kufizuara.

“Këto karroca do t’iu shërbejnë fëmijëve me aftësi të kufizuara, si në Prishtinë por edhe gjithandej Kosovës, që do të bëjmë shpërndarjen e tyre, gjithë fëmijëve të cilëve iu përshtaten. Sot personat me aftësi të kufizuara, si fëmijët, si të rriturit, nuk marrin as pajisje ndihmëse, as shërbime tjera institucionale, përpos shërbimeve sociale nga organizatat e ndryshme joqeveritare edhe ndonjë mbështetja financiare që e marrin si kompensim mujor për mbulimin e shërbimeve të tyre ditore…Personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre janë grupi më optimistë, përkundër asaj që janë grupi më i varfër dhe rrezikuar në vendin tonë”, tha ai.

Sipas tij, personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me mungesë të infrastrukturës së përshtatshme për të lëvizur lirshëm.

“Gjithsesi do të mundohemi të bashkëpunojmë edhe me klinikat e pediatrisë në spitalet regjionale sepse sigurisht edhe aty do të kenë nevoja që fëmijët sa të jenë të shtrirë aty, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes më të lirë dhe më të lehtë, por gjithsesi kur flasim për lëvizjen e lirë, vendi ynë ende ballafaqohet me mungesën e infrastrukturës apo qasjen e duhur dhe të përshtatshme që personat me aftësi të kufizuara apo përdoruesit e karrocave të jenë të barabartë me lëvizjen e lirë edhe pse këtu ka një lëvizje, por ende po shpresojmë që duhet të rregullohet më tutje”, deklaroi Maliqi.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv tha se këto karroca që sot shteti i saj i ka dhuruar për qytetarët e Kosovës me aftësi të kufizuara, janë simbol i miqësisë mes dy vendeve. Ajo shpreson se me përdorimin e këtyre 70 karrocave do të lehtësohet jeta e këtyre personave.

“Këto karroca janë simbol i miqësisë mes vendeve tona dhe simbol i rëndësisë që ne në Izrael u japim marrëdhënieve me Kosovën. Është gatishmëria jonë për t’i forcuar këto lidhje, jo vetëm me qeverinë, por me popullin dhe fëmijët e këtij vendi, ministri izraelit i bashkëpunimit rajonal, Esawi Frej, i cili vizitoi Kosovën në muajin prill, dhe besoi se investimet më të rëndësishme janë ato te fëmijët, te të rinjtë dhe në edukimin e tyre, sepse këto investime sigurisht që do t’i kthejnë të arriturat….Besojmë se me këto karroca, jeta e tyre do të bëhet pak më e lehtë dhe ata do të mund të integrohen më mirë në jetën e përditshme. Ne do të punojmë së bashku me ju për të zhvilluar projekte të tjera bashkëpunimi në dobi të fëmijëve dhe familjeve të tyre”, u shpreh ajo.

Në ceremoninë e dhurimit të karrocave nga shteti izraelit mori pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se si Qeveri po punojnë që të gjitha politikat e tyre të lehtësojnë jetën e qytetarëve pa dallim.

“Jemi shumë të lumtur që 70 fëmijë të Kosovës në regjione të ndryshme të Kosovës do të kenë mundësi të përfitojnë nga këto. Në takimin e parë këtu në prill patëm edhe kompaninë e cila e ka bërë donacionin e cila shpjegoi për specifikat e karrocave. Shumë i lumtur për këtë bashkëpunim me juve, shumë i lumtur për bashkëpunimin me Izraelin dhe vizita e parë e ministrit izraelit në Kosovë ishte këtu dhe filluam bashkëpunimin me një kujdes të veçantë të personave me nevoja speciale të veçanta dhe si shtet këtë vit e kemi shpallur vitin e personave me nevoja të veçanta dhe do të angazhohemi edhe si qeveri që të gjitha politikat tona të shkojnë në drejtim të lehtësimit të jetës së qytetarëve pa asnjë dallim të çfarëdo lloji”, tha ministri Krasniqi.

Izrali edhe gjatë muajit prill të këtij viti i ka dhuruar Kosovës 93 karroca, gjatë vizitës së ministrit për Bashkëpunim Regjional të Izraelit, Esawi Frej në Kosovë.

Vendi

Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka konstatuar gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, por se bashkëpunimi mes LVV dhe LDK nuk garanton automatikisht përfundimin e këtij procesi.

Sipas Kurtit, të dy partitë politike disponojnë 81 vota, dhe nga ky numër mund të bjerë vetëm një deputet, por jo më pak se 80. Ai ka vlerësuar takimet me Abdixhikun dhe me Bedri Hamza nga PDK-ja si konstruktive dhe me përmbajtje pozitive.

“Zellë për zgjedhje të reja nuk shoh as te LDK, as te PDK, dhe kjo më jep shpresë që nuk do të ketë zgjedhje të reja,” tha kryeministri.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar takimin mbi dyorësh me Kurtin si konstruktiv dhe me përmbajtje të qartë. Ai ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje klasike mes partive ose konsensus mbi një kandidat të vetëm, dhe se LDK nuk ka plan të hyjë në qeveri./Kosovapress/

 

Continue Reading

Vendi

Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.

Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.

Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Continue Reading

Vendi

Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.

Gjatë takimit, Konjufca informoi  Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.

Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.

Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.

Continue Reading

Të kërkuara