Lajmet

​Ish-kryesuesja e bordit të KEK-ut: Kemi gjetur keqmenaxhim, parregullsi, nepotizëm dhe diskriminim

Procesi i dëshmisë u përcoll me polemika të shumta ndërmjet deputetëve dhe ish-menaxhmentit të KEK-ut, por edhe atij aktual.

Published

on

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ka përmbyllur procesin e intervistimit të hënën.

Para deputetëve, dëshmuan kryeshefi aktual i KEK-ut, kryesuesi i bordit, ish-kryesuesit e bordit dhe po ashtu ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, ndërsa mungoi ish-kryeshefi tjetër, Njazi Thaçi.

Procesi i dëshmisë u përcoll me polemika të shumta ndërmjet deputetëve dhe ish-menaxhmentit të KEK-ut, por edhe atij aktual.

Ish-menaxhmenti i emëruar nga Qeveria Kurti I në vitin 2020, adresoi një mori akuzash për keqpërdorime të mundshme nga e kaluara, mirëpo të cilat u mohuan nga ish kryesuesi i bordit të KEK-ut në periudhën 2017-2020. Në anën tjetër, nga opozita, bordet e emëruara nga Qeveria Kurti i fajësuan se për shkak të dështimit të tyre Kosova sot po importon energji elektrike.

Para se të filloi mbledhja, udhëheqësi i komisionit, deputet i PDK-së, Hajdar Beqa, sugjeroi dëshmitarët që mos të dalin nga mbledhja, pasi në të kundërtën do të autorizojnë policinë që mos të lirojnë objektin e Kuvendit pa përfunduar dëshminë e plotë.

“Nuk mundet të përsëritët mbledhja e kaluar se atëherë ne duhet të autorizojmë policinë që mos t’iu lejojmë që të lironi objektin e Kuvendit. Keni drejtë mos me fol, me u mbrojt në heshtje, por nuk keni të drejtë me lëshu”, tha ai.

Ish-kryesuesja e bordit të KEK-ut në vitin 2020, Rrezarta Pllana, tha se kur e kanë marrë detyrën, kanë gjetur një mori shkeljesh në KEK.

“Shpenzime të paplanifikuara dhe të pamatura. Mandej kanë qenë disa bonuse të cilat janë ndarë dhe kanë qenë në kundërshtim me vendimin e ministrit. Ka pasur shkelje në punësim, parregullsi, nepotizëm dhe diskriminim. Ka pasur keqmenaxhim të pronës dhe shkelje të tjera…Konkludimet kanë qenë të bazuara në raportet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm”, tha ajo.

Të njëjtat i konfirmoi edhe ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK në periudhën 2020-2021, Luigj Imeri.

“Është e vërtet se ne kemi gjetur fakte aty për të cilat i ka adresuar bordi te kryeshefi ekzekutiv, për të cilën kryeshefi ekzekutiv në atë periudhë ka marrë hapat e vet, ku ka lëshuar urdhëresat ekzekutive për përmirësimin e proceseve. Në këtë rast, ka qenë një vit i vështirë për të cilën shumë tema dhe problematika që ne është dashur të merremi kanë qenë sekondare për shkak të pandemisë”, theksoi ai.

Por ish-kryesuesi i i Bordit të KEK-ut në periudhën 2017-2020, Faruk Hajrizi, këto i quajti të pavërteta, derisa renditi sipas tij rezultatet që kanë ndodhur nga ky bord.

“Kapitali i kompanisë nga viti 2017 deri në vitin në vitin 2019 sipas raportit të këtij viti nga 114 milionë ka kaluar në 150 milionë. Asetet janë rritur nga 422 milionë, të hyrat e kompanisë në 182 milionë euro, ndërkohë shpenzimet janë ulur. Nga gjitha këto, raporti i vitit 2019 thotë se qymyri ka pasur prodhim mbi 8 milionë, nëse e përkthen në energji elektrike 5.4 milionë megavat për orë. Kjo do të thotë se Kosovës i kemi dhënë energji të mjaftueshme mbi 800 megavat çdo ditë. Këto janë rezultate”, tha ai.

Pyetjeve të deputetëve për pronat e KEK-ut, iu përgjigj kryeshefi aktual i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili tha se të vetmet prona që janë transferuar nga KEK-u ka qenë banesat të cilat janë privatizuar nga ish menaxhmentet e kaluara.

“Sa i përket pronave apo aseteve të tjera në KEK nuk kam ndonjë informatë që është bërë ndonjë transferim. Të vetmet prona që janë transferuar kanë qenë banesat që janë marrë nga menaxhimet i mëhershëm me qira, ndërsa me një ligj të veçantë është bërë privatizimi i tyre”, deklaroi Krasniqi.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, pyeti ish-kryesuesen e bordit të KEK-ut, Rrezarta Pllanën se a e ka pasur këshilltar Gazemend Begollin.

Sipas tij, me kërkesë të njëjtit është anuluar projekti kapital për rinovimin e kaldajës së bllokut A5.

“Me kërkesë të këtij këshilltari të bordit dhe njëkohësisht drejtorit menaxhues është anuluar projekti kapital i rinovimit të kaldajës së bllokut A5…Ju keni qenë kryesuese e bordit, ju është dashur me ditë që ky anulim është, do të pyes edhe kryeshefin, por nëse nga ky anulim ne sot po i vuajmë pasojat e mungesës së energjisë elektrike, cili ka qenë veprimi i juaj saktë”, tha Zemaj.

Pllana tha se nuk i kujtohet se a ka qenë këshilltar apo jo Gazmend Begolli, dersia theksoi se sot Kosova është më së miri në rajon sa i përket energjisë elektrike.

“Ne në rajon jemi më së miri me energji elektrike me çmim dhe furnizim”, tha ajo.

Asaj i reagoi sërish deputeti Zemaj, i cili tha se si pasojë e anulimit të këtij tenderi, Kosova sot blen 4.4 milionë euro energji elektrike.

“Nuk po e di prej cilës perspektivë po aludoni se jeni më së miri. Por unë po ju njoftoj se për shkak të mos punës së A5, Kosova blen 4.4 milionë euro energji”, tha ai.

Krahas kësaj, në mbledhjen e sotme deputetët intervistuan edhe ish-anëtarët e bordit nga ZRrE-ja.

Lajmet

BE-ja pritet t’i japë Ukrainës 6.1 miliardë euro shtesë për mbrojtjen

Published

on

Bashkimi Evropian pritet t’i ofrojë Ukrainës 6.1 miliardë euro ndihmë shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Financimi është pjesë e paketës së huasë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, e cila përfshin 28.3 miliardë euro për ndihmë ushtarake dhe 16.7 miliardë euro për mbështetje buxhetore.

Për të mundësuar blerjen e sistemeve “Patriot”, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, BE-ja do të heqë kërkesën që pajisjet të jenë të prodhuara brenda Evropës. Përjashtimi do të vlejë edhe për disa dronë që përdorin komponentë kinezë.

Shuma prej 6.1 miliardë eurosh përbën këstin e fundit të fondit prej 28.3 miliardë eurosh të dedikuar për mbrojtjen. Deri më tani, Ukrainës i janë transferuar 8.35 miliardë euro për këtë qëllim.

Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se avantazhi ushtarak i Ukrainës varet nga sigurimi i shpejtë i pajisjeve kritike në sasitë dhe afatet e nevojshme.

Sipas tij, përshpejtimi i dërgesave përmes përdorimit të rezervave ekzistuese, rishikimit të prioriteteve të porosive dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese është thelbësor.

Ndihma e re vjen në kohën kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa aleatët po përpiqen të rrisin furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore përpara dimrit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bajrami: Puna e parë në Kuvend do të jetë kriminalizimi i shkeljes së Kushtetutës

Published

on

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se një nga veprimet e para të Kuvendit do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.

Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Bajrami ka shkruar në Facebook se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.

“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kritikuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “mashtrues” dhe e ka akuzuar se po synon ta rrënojë shtetin.

“Ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi vazhdon në orën 14:00 seancën konstituive, në rend dite zgjedhja e nënkryetarëve

Published

on

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot në orën 14:00 seancën konstituive, ndërsa në rend dite është pika për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës ishte ndërprerë të premten, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës lëshuan sallën, pas dështimit të zgjedhjes së Vlora Çitakut për nënkryetare.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan gjatë votimit për Çitakun, duke bërë që ajo të mos i merrte votat e nevojshme.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje PDK-së që të paraqiste një propozim tjetër, por partia nuk e bëri një gjë të tillë.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Sot pritet të shihet nëse do të ketë një marrëveshje për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi dështon sërish të përmbyllë seancën konstituive, PDK lëshon sallën

Published

on

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të përmbyllet edhe në vazhdimin e sotëm, pasi procesi mbeti te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Në votimin e veçantë për nënkryetarët, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh në këtë pozitë me 101 vota.

Ndërkaq, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk arriti të marrë votat e nevojshme për nënkryetare. Deputetët e LVV-së abstenuan gjatë votimit për kandidaturën e saj.

Pas këtij votimi, deputetët e PDK-së lëshuan sallën e Kuvendit, ndërsa kryetarja Albulena Haxhiu ndërpreu punimet e seancës.

Haxhiu tha se për vazhdimin e radhës së seancës deputetët do të njoftohen me kohë. Me këtë, Kuvendi ende nuk ka arritur ta përmbyllë procesin e konstituimit.

Seanca e sotme vjen në kuadër të përpjekjeve për përmbylljen e seancës konstituive dhe funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara