Milot Rashica e ka përmbyllur një cikël të ngarkuar me Përfaqësuesen e Kosovës, duke e cilësuar periudhën e fundit si dinamike, por të veçantë për shkak të mundësisë për ta përfaqësuar vendin.
Megjithatë, ky cikël nuk ishte ndër më të ngarkuarit për Rashicën sa i përket minutave të luajtura. Sulmuesi u paraqit në tri nga katër ndeshjet e Kosovës dhe në të gjitha rastet u inkuadrua nga banka rezervë.
Në fitoren 1-0 ndaj Irlandës, Rashica luajti 18 minuta, ndërsa nuk u aktivizua fare në humbjen 3-1 ndaj Austrisë në Vjenë. Më pas, ndaj Izraelit në Debrecen luajti 22 minuta, ndërsa në barazimin 1-1 ndaj Austrisë në “Fadil Vokrri” u inkuadrua në minutën e 67-të.
Pas përfundimit të këtij cikli, Rashica ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Dy javë shumë dinamike, me katër ndeshje jo të lehta, por gjithmonë kënaqësi ta përfaqësoj Kosovën. Krenari e madhe të jap gjithçka për Kosovën, çdo herë dhe në çdo formë. Gjithmonë me zemër për këtë fanellë, në rrugën që po ndërtojmë dhe me ëndrrën që kemi para nesh”, ka shkruar ai.
Kjo periudhë vjen në një moment jo të lehtë edhe për Rashicën në nivel klubesh. Futbollisti po kalon një situatë të komplikuar te Beşiktaşi, ku kishte pasur probleme me klubin dhe për një periudhë ishte larguar nga ekipi i parë, pasi nuk kishte pranuar të ndërpriste kontratën gjatë verës.
Vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Amedsporit, Rashica mori minuta, duke u aktivizuar në pjesën e dytë.
Pavarësisht situatës te klubi, ai vazhdoi të ishte pjesë e Kosovës dhe kontribuoi në tri paraqitje gjatë këtij cikli.
Në ndeshjen ndaj Austrisë në Prishtinë, Rashica ishte shumë pranë golit pak minuta pas epërsisë së Kosovës. Ai goditi shtyllën, ndërsa topi u rikthye në zonë, por gjuajtja e Veldin Hoxhës u ndal nga portieri austriak.
Kosova e mbylli këtë seri prej katër ndeshjesh me pesë pikë, pas fitores ndaj Irlandës, humbjes nga Austria dhe dy barazimeve ndaj Izraelit dhe Austrisë.
“Dardanët” tani i presin edhe dy ndeshje në muajin nëntor, ndaj Izraelit dhe Irlandës, ku synojnë ta përmbyllin sa më mirë këtë edicion të Ligës së Kombeve.
D.L