Lajmet

​IKD i kërkon Qeverisë ta pezullojë dyfishimin e tatimit në pronë deri më 2025

Jakaj thekson se Qeveria e Kosovës mund ta pezullojë këtë vendim deri në vitin 2025.

Published

on

Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka quajtur të padrejtë vendimin e marrë nga Ministria e Financave për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë për qytetarët e vendit.

Hulumtues të këtij instituti kanë thënë se në bazë të Ligjit për pronat një dispozitë ligjore i mundëson qeverisë që vlerësimin e pronave ta bëjë në vitin 2025. Kështu IKD i kërkon Qeverisë ta pezullojë vendimin për shtrenjtimin e tatimit në pronë deri më 2025.

Hulumtuesi në IKD, Naim Jakaj thekson se Qeveria e Kosovës mund ta pezullojë këtë vendim deri në vitin 2025, pasiqë sipas tij vendi ka kaluar në kriza të ndryshme, dhe ky vendim është i paarsyeshëm.

Sipas Jakajt, ideja e ministrit të Financave për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro mund të bëhet vetëm përmes ndryshimit të Ligjit për pronën.

“Me Ligjin mbi tatimin në pronën e paluajtshme, vlerësimi i parë është bërë në vitin 2019 dhe me të njëjtin ligj, rivlerësimi bëhet çdo tri vjet apo çdo pesë vjet, atëherë qeveria është ngutur dhe e ka bërë rivlerësimin pas tri vjetëve. Ka mundur ta bëjë në vitin e pestë duke i marrë për bazë tri krizat që i patëm, krizën me pandeminë shëndetësore COVID, krizën nga agresioni rus në Ukrainë, e cila e prodhoi krizën e tretë me rritjen e çmimeve si pasojë e rritjes së naftës dhe derivateve të tjera…Qeveria në bazë të ligjit e ka një dispozitë ligjore që këtë rivlerësim ta bëjë edhe në vitin 2025, pra mundet edhe tash ta pezulloj këtë rivlerësimin që është bërë në vitin 2021 dhe ta dërgojë për rivlerësim tjetër në bazë të çmimeve të tjera në vitin 2025, por jo tash, ka mundur ta shtyjë”, theksoi Jakaj.

Ai thotë se rritja në këtë kohë e tatimit në pronë i ka rënduar qytetarët. Sipas Jakajt, edhe nëse ky vendim do të lejohej, qeveria do të duhej ta merrte për bazë jetën e qytetarëve, në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë kriza financiare.

“Është dashur që ta pezullojë rivlerësimin, t’i sjell faturat siç kanë qenë në vitin 2021 dhe rivlerësimin e ri ta bëjë në vitin 2025, sepse këtë ja lejon edhe ligji, është dashur ta zbatojë, e jo të sjellë fatura të reja, të cilët qytetarët nuk mund t’i përballojnë… Në këto momente i pa arsyeshëm vendimi për rivlerësimin e ri të pronave që është bërë në vitin 2019 dhe tash po bëhet në vitin 2022. Është i padrejtë në kuptimin pasi e lejon ligji për ta bërë në vitin 2025, dhe tjetra është se edhe sikur nuk do ta lejonte, një qeveri e cila e ka për bazë qytetarin, do të mendonte se faturimi i ri me rritje do të rëndonte më shumë jetesën e qytetarëve”, tha mes tjerash Jakaj.

Mes tjerash, Jakaj tha se tatimin në pronë nuk mund ta falin komunat, siç thekson ai mund të bëhet falja e borxhit, por vetëm me ligj. Derisa shtoi se janë në pritje të ndryshimit të ligjit.

“Tatimin në pronë nuk mundin ta falin komunat, por kjo mund të bëhet në bazë të ndryshimeve ligjore, të cilat duhet t’i bëjë Kuvendi i Republikës së Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve…Në janar të këtij viti, qytetarët e Kosovës pa qenë në dijeni dhe të njoftuar e kanë marrë faturën e re e cila ka qenë në shumë raste e katërfishuar, është vlera e cila ka ardhur në raport me të ardhurat që ata i kanë pasur, ka qenë shumë herë më e madhe… Pra, mund të bëhet falja e borxhit, por vetëm me ligj. Ligji është i paraparë të ndryshohet deri me 31 mars, dhe ne presim të shohim se si do të jetë ky ndryshim”, shtoi Jakaj.

Të enjten e kaluar në Kuvendin e Kosovës është shqyrtuar propozim rezoluta e paraqitur nga LDK-ja për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, e cila kishte në përbërje tri pika kryesore.

Kjo parti, nëpërmjet rezolutës kërkoi që fillimisht Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimit paraprakë.

Ndërsa, Kuvendi ka vendosur që kjo rezolutë për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, ta bartë si pikë për votim në seancën e ardhshme. Për shtrenjtimin e tatimit në pronë, ka pasur reagime të shumta nga deputetë të opozitës dhe nga qytetarëve.

Vendi

Programi i Energjisë në UBT sjell praktikën në fokus përmes vizitave në industri

Published

on

By

Studentët e programit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT po vazhdojnë të dëshmojnë përkushtimin e tyre drejt përgatitjes profesionale përmes aktiviteteve praktike në terren, duke realizuar një vizitë studimore në Termocentralin Kosova B – një nga asetet më të rëndësishme energjetike në vend.

E udhëhequr nga profesorët Armend Ymeri, Vehebi Sofiu, Sami Gashi dhe Nexhmi Krasniqi, kjo vizitë u mundësoi studentëve të ndërlidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me proceset reale të prodhimit dhe menaxhimit të energjisë elektrike.

Gjatë qëndrimit në termocentral, studentët u pritën nga Drejtori Ekzekutiv, Jonuz Saraçi, i cili prezantoi kapacitetet gjeneruese, funksionimin e blloqeve prodhuese dhe sfidat aktuale të sektorit energjetik, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi rëndësinë strategjike të këtij sektori për zhvillimin e vendit.

Një ndër pikat kyçe të vizitës ishte turi teknik i udhëhequr nga Inxhinieri Kryesor, Enver Shabani, përmes të cilit studentët patën mundësinë të shohin nga afër funksionimin e sistemeve të avancuara si SCADA, rrjeti i tensionit 6.3 kV, sistemet DC dhe mbrojtjet rele – elemente thelbësore për operimin e sigurt dhe efikas të impianteve energjetike moderne.

Vizita u pasurua edhe me inspektimin e transformatorëve energjetikë me kapacitet 400 MVA dhe sektorit të turbinave, ku studentët u njohën me procesin e kogjenerimit dhe rolin e tij në furnizimin me ngrohje për qytetin e Prishtinës përmes Termokos-it.

Këto aktivitete dëshmojnë qasjen praktike dhe të orientuar drejt industrisë që ofron programi i Inxhinierisë së Energjisë në UBT, duke përgatitur studentët për tregun e punës përmes përvojave reale dhe bashkëpunimeve me institucionet kyçe të sektorit.

UBT vazhdon të mbetet një nga institucionet lider në zhvillimin e profesionistëve të së ardhmes në fushën e energjisë, duke krijuar ura të forta lidhëse ndërmjet akademisë dhe industrisë.

Continue Reading

Lajmet

REL: Ballkani Perëndimor rrezikon të humbasë mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes

Published

on

By

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar me shkrim gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor se rrezikojnë që deri në mesin e këtij viti të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes, për shkak të moszbatimit të reformave, mëson Radio Evropa e Lirë (REL) nga burime në Komisionin Evropian (KE).

Sipas informacioneve jozyrtare, komisionarja Kos e ka dërguar këtë letër më 17 prill në të gjitha kryeqytetet e rajonit.

Burimet e REL-it kanë konfirmuar se me këtë letër, komisionarja Kos u ka kërkuar të gjithëve vendeve të përshpejtojnë reformat e parashikuara në Planin e Rritjes, në mënyrë që të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e kësaj pakoje financiare.

Në fakt, mjetet financiare nga Plani i Rritjes janë të kufizuara në kohë. Për çdo hap reformues është paraparë një afat përfundimtar për zbatim dhe është ndarë një shumë e caktuar parash.

KE-ja ka paraparë edhe të ashtuquajturën “periudhë grejs”, e cila mundëson shtyrjen e zbatimit për një periudhë të caktuar kohore. Për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025, afati përfundimtar skadon më 30 qershor të këtij viti, ndërsa për hapat që duhej të realizoheshin në fund të vitit 2024, ky afat përfundon gjatë vitit 2026.

“Nëse nuk përmbushen, partnerët rrezikojnë të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro”, konfirmoi për REL një zyrtar i KE-së.

Ndryshe, këstin e parë ose disa mjete nga Plani i Rritjes i kanë marrë pesë shtete të rajonit, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, e cila është vonuar me miratimin e agjendës reformuese.

Fundi i qershorit të këtij viti përbën momentin kur secili vend hyn në të ashtuquajturin moment të humbjes së përhershme, nëse nuk i përmbush reformat e dakorduara më herët.

Sipas burimeve në Bruksel, humbjet e mundshme sipas shteteve, në rast se nuk ndërmerren të gjitha reformat, janë si vijon:

  • Kosova: 68.8 milionë euro
  • Shqipëria: 67.7 milionë euro
  • Bosnja dhe Hercegovina: 373.9 milionë euro
  • Mali i Zi: 15.1 milionë euro
  • Maqedonia e Veriut: 49.2 milionë euro
  •  Serbia: ndërmjet 108.7 dhe 135.9 milionë euro

Bazuar në shumën maksimale, në total mund të humben 710.6 milionë euro, që përfaqëson 11.84 për qind të financimit të përgjithshëm nga Plani i Rritjes.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.

Më 16 prill, Kosova mori 61.8 milionë euro parafinancim, pasi vendi dorëzoi dokumentet e nevojshme në KE dhe ratifikoi marrëveshjet e lidhura me këtë plan.

Ky plan, ndër të tjera, synon të dyfishojë ekonomitë e këtyre vendeve gjatë dhjetë viteve të ardhshme./REL/

Continue Reading

Vendi

Rasti “Banjska”: Aktgjykimi shpallet më 24 prill, të akuzuarit kërkojnë pafajësi

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të premten e 24 prillit si datën për shpalljen e aktgjykimit ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë: Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq. Gjatë seancës së sotme, ku u dha fjala përfundimtare, të akuzuarit mohuan akuzat për terrorizëm, ndërsa Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për ta.

I akuzuari Vladimir Toliq deklaroi para trupit gjykues se nuk ishte i armatosur në momentin e arrestimit dhe kërkoi që të mos dënohet për veprime që nuk i ka kryer.

“S’kërkoj gjë tjetër përveç asaj që e thotë ligji: që të gjykohem në bazë të provave. Flini të qetë sepse këto duar nuk janë me gjak, as nuk kanë plagosur e as vrarë askënd”, u shpreh Toliq.

Avokati i tij, Milosh Deleviq, insistoi se Toliq mund të akuzohet vetëm për “kryengritje të armatosur” dhe jo për terrorizëm, duke thënë se klienti i tij ishte “vrima e fundit e kavallit” në këtë ngjarje.

Blagoje Spasojeviq shprehu keqardhje për pjesëmarrjen në ngjarjet e Banjskës, por mohoi kategorikisht se është terrorist. Ai pretendoi se ka shkrepur vetëm dy plumba në drejtim të një reflektori të manastirit dhe jo ndaj policisë.

“Jam fajtor që atë ditë isha në fshatin Banjskë dhe ky ishte gabimi më i madh në jetën time, por veten nuk mund ta quaj terrorist meqë askënd s’e kam vrarë e as lënduar”, deklaroi Spasojeviq.

Mbrojtja e tij kritikiu aktakuzën, duke pretenduar se emri i Spasojeviqit përmendet vetëm tri herë në 121 faqe dhe se nuk është specifikuar roli i tij individual, por është përfshirë në veprime kolektive.

Përderisa Maksimoviq ka kërkuar të jetë prezent në shpalljen e aktgjykimit me shpresën për lirim, dy të akuzuarit e tjerë kanë deklaruar se nuk duan të marrin pjesë.

Ky proces gjyqësor po zhvillohet ndaj tre personave që u kapën në vendngjarje, ndërsa 39 të tjerë nga ky grup (gjithsej 42 të akuzuar) ndodhen në arrati. Javën e kaluar, autoritetet arrestuan edhe një person tjetër, Stefan Raduloviq, si të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin e shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova dërgon trupa në Gaza: Haxhiu autorizon pjesëmarrjen e FSK-së në misionin paqeruajtës

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka autorizuar sot dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në operacionin ndërkombëtar paqeruajtës në Gaza. Ky vendim vjen fill pas miratimit në Kuvendin e Kosovës dhe shënon një hap historik për profilizimin e shtetit si kontribuues i sigurisë globale.

Në njoftimin e saj, Haxhiu theksoi se ky mision pasqyron rritjen e përgjegjësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar. Nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, Kosova sot merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare”, deklaroi ajo.

Trupat e FSK-së do të shërbejnë si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, duke u rreshtuar krah partnerëve strategjikë në një nga zonat më të ndjeshme të globit. Sipas udhëheqëses së shtetit, ky angazhim dëshmon pjekurinë e institucioneve të sigurisë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë”, u bë e ditur në njoftim.

Ky mision në Gaza pason angazhimet e mëparshme të FSK-së në misione të ngjashme jashtë vendit, duke forcuar pozitën e Kosovës si një partnere e besueshme për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.

 

Continue Reading

Të kërkuara