Lajmet

​Hoti: Të sistemohet dokumentacioni arkivor për njerëzit që u sakrifikuan për liri

Published

on

Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës sot është hapur ekspozita “Veprimtaria atdhetare e heroit të kombit Sali Çekaj”, ku u shtrua nevoja e sistemimit të dokumentacionit arkivor në mënyrë që të prezantohet siç duhet historia e Kosovës.

Në hapjen e kësaj ekspozite u bë e ditur se këtë vit do të fillojë ndërtimi i kullës së heroit Salih Çekaj.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se është e rëndësishme që të sistemohet i gjithë dokumentacioni arkivor për njerëzit që kanë sakrifikuar për lirinë. Ai tha se ndihet i nderuar të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës për veprimtarinë e Salih Çekajt jo vetëm si kryeministër, por edhe si individ.

Lirinë që gëzon Kosova sot, Hoti tha se është meritë e heroit Salih Çekaj dhe gjithë bashkëluftëtarëve të tij.

“20 vjet pas luftës është tepër e rëndësishme që të sistemojmë gjithë dokumentacionin e nevojshëm arkivor për gjeneratat e ardhshme, për njerëzit që kanë sakrifikuar më së shumti për lirinë të cilën e gëzojmë sot. 13 vjet prej se kemi shpallur pavarësinë dhe kur shihemi me miq ndërkombëtarë dhe kur kthehemi në Kosovë e shohim ndryshimin që ka ndodhur me kohë gjatë viteve dhe unë ndihem krenar që në mesin tonë kemi njerëz që kanë kontribuar për këtë ditë, me këtë ekspozitë. I kemi borxh këtij, familjarëve të tij, gjithë bashkëluftëtarëve për lirinë dhe pavarësinë që gëzojmë sot”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi bëri të ditur se këtë vit do të fillojnë projektin për ndërtimin e kullës së heroit Salih Çekaj.

“Në këtë ditë pavarësie ne sot po e hapim një ekspozitë tematike falë autorëve. Njëkohësisht, si ministre e Rinisë, Kulturës dhe Sportit bëj thirrje që të angazhohemi të gjithë t’i mbledhim dokumentet, fotografitë, gjësendet tjera që ne ta prezantojmë historinë tonë. 20 vjet pas luftës ne ende nuk kemi një dokumentacion të plotë se çka ka ndodhur në Kosovën tonë… Ju njoftoj që me vendimin tim do të ndërtohet Kulla e Salih Çekajt në fshatin e tij dhe sivjet menjëherë do të fillojmë me projektin”, tha ajo.

Ndërsa drejtori i Muzeut Kombëtar, Ajet Geci bëri të ditur se ekspozita e hapur sot është bërë nga seksioni i historisë, në mënyrë që të mos harrohet jeta dhe vepra e heroit Salih Çekaj.

“Organizimi i ekspozitës për veprimtarinë e heroit Salih Çekaj në 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës na nderon si institucion. Ne si Muze Kombëtar i Kosovës do të jemi çdo herë në përkrahje të vlerave të trashëgimisë tonë kombëtare dhe luftës së lavdishme të UÇK-së, sepse vetëm duke respektuar të kaluarën tonë historike, ndërtojmë të ardhmen. Sot nderojmë sakrificën e gjithë brezave që kanë rënë për liri”, tha Geci.

Në emër të familjes Çekaj, vëllai i heroit, Musë Çekaj tha sesa më i bashkuar që të jetë kombi, aq më i fortë do të jetë.

“Të jemi së bashku gjithmonë, sa më shumë të bashkuar”, tha ai.

Ndërsa në emër të shoqatës humanitare “Salih Çeku” në Zvicër, të pranishmit i përshëndeti Xhemajl Haxhiu.

Autorë të ekspozitës “Veprimtaria atdhetare e heroit të kombit Sali Çekaj” janë Besnik Rraci dhe Sadik Krasniqi. Ekspozita përfshinë 300 fotografi që pasqyrojnë veprimtarinë e heroit, dokumente arkivore, artistike e të tjera. Ndërsa projekti i fundit i paraparë nga këta autorë është botimi i një libri për jetën dhe veprën e Salih Çekajt.

lajme

I dyshuari për vrasjen e 34 civilëve shqiptarë, Ramadan Morina, del para Gjykatës

Published

on

By

I akuzuari për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kosovë, Ramadan Morina, është sjellë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku po vazhdon procesi gjyqësor ndaj tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Morina ngarkohet se më 31 mars të vitit 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në ekzekutimin e 34 civilëve shqiptarë që nuk ishin të përfshirë në luftime.

Përveç vrasjeve masive, i akuzuari ngarkohet gjithashtu me pjesëmarrje në dëbimin me dhunë të popullatës civile, shkatërrimin e pronave si dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve shqiptarë gjatë periudhës së luftës. Seanca ndaj tij po vazhdon me shqyrtimin e provave dhe dëshmive proceduralisht në gjykatë. /Ekomomia online/

Continue Reading

Aktualitet

Demokratët marrin Kongresin, çfarë do të thotë kjo për Evropën dhe tregjet globale?

Published

on

By

Donald Trump ka pësuar një nga humbjet më të rënda të karrierës së tij politike, pasi republikanët humbën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit ndaj demokratëve në një votim që u shndërrua në një vendim për presidencën e tij.

Deri në orën 07:40 CET sipas orës lokale, demokratët kishin fituar 25 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, duke i çuar ata në 220, dy më shumë se 218 vendet e nevojshme për shumicën.

Në Senat, ata morën shtatë vende nga republikanët, duke përfshirë Teksasin, Ohajon, Kansasin dhe Mainin.

Çmimet e larta ndikuan rëndë mbi votuesit. Rreth dy të tretat thanë në një anketë të ditës së zgjedhjeve se tarifat e Trump kishin dëmtuar ekonominë.

Presidenti tha se do t’i pranonte rezultatet, por shtoi: “Nuk e shoh si një goditje ndaj meje.”

Ai gjithashtu e bëri të qartë se do të përdorte veton e tij për të bllokuar axhendën e demokratëve, duke postuar një fotografi të një kapeleje të kuqe me fjalën “VETO” të qepur mbi të. Por sa mund të ndryshojë realisht një Kongres Demokratik për Evropën dhe për tregjet?

A do t’i japë fund kërcënimit të tarifave ndaj Evropës një Kongres Demokratik? Ndoshta jo, sepse tarifat e Trump nuk varen më nga Kongresi.

Pasi Gjykata e Lartë i rrëzoi tarifat e tij të emergjencës në shkurt, administrata i zhvendosi ato sipas Seksionit 301 të ligjit tregtar të SHBA-së. Kjo rrugë i lejon presidentit të veprojë pa votën e ligjvënësve.

Demokratët mund të mbajnë seanca dëgjimore dhe të ngadalësojnë kandidatët e tij, por ata nuk mund t’ia heqin lehtësisht këtë pushtet.

James Smith, ekonomist i tregjeve të zhvilluara në bankën holandeze ING, beson se një Uashington i ndarë mund ta shtyjë presidentin të mbështetet më shumë tek ai.

“Ashtu si politika e jashtme, tregtia është një tjetër fuqi që presidenti mund ta ushtrojë në mënyrë të njëanshme pa Kongresin”, tha Smith në një shënim para votimit.

Ai nuk përjashtoi tarifat e reja ndaj Evropës, të cilat, sipas tij, do të kishin shumë rëndësi për inflacionin në SHBA dhe për Rezervën Federale.

Çfarë do të ndodhë me mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën?

Demokratët do të kryesojnë komisionet e Senatit dhe do të vendosin se cilët nga të nominuarit e Trump do të konfirmohen kur Kongresi i ri të marrë detyrën në janar. Shumë prej tyre duan gjithashtu të miratojnë fonde të reja për Ukrainën.

Pjesa më e vështirë është shpenzimi i këtyre parave. Gjatë dy viteve të fundit, Shtëpia e Bardhë ka anuluar fondet e miratuara tashmë nga Kongresi duke i mbajtur ato deri në fund të vitit fiskal, kur ato skadojnë.

“Në praktikë, kjo do të thotë që një Kongres Demokratik mund të shkruajë ligjin për paratë për Ukrainën ose ndihmën për zhvillim dhe presidenti mund të mos i shpenzojë ato”, tha në një koment muajin e kaluar Joan Lee nga Nevada, bashkëpunëtore politike në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Këshilla e saj për qeveritë evropiane është të mbështeten vetëm te paratë që vijnë realisht.

“Evropianët duhet t’i trajtojnë fondet e destinuara si qëllim, jo ​​si angazhim”, tha Lee.

Si reaguan tregjet?

Investitorët ishin kryesisht të qetë. Euro u rrit me 0.4% në 1.1232 dollarë deri në orën 07:00 CET, ndërsa dollari u dobësua kundrejt valutave të tjera kryesore. Ari fitoi 2% në 4,011 dollarë për ons, përsëri mbi 4,000 dollarë, dhe argjendi u rrit me 3.4% në 51.49 dollarë.

Kontratat e ardhshme të aksioneve ishin pak më të ulëta në të dyja anët e Atlantikut. Kontratat e ardhshme të S&P 500 ranë me 0.3%, dhe kontratat e ardhshme të Nasdaq 100 ranë me 0.4%, ndërsa kontratat e ardhshme për Euro Stoxx 50 dhe DAX të Gjermanisë ranë rreth 0.5% përpara hapjes.

Obligacionet qeveritare amerikane u rritën. Rendimenti i obligacionit 10-vjeçar të thesarit ra me 2.9 pikë bazë në 4.94%, rendimenti i obligacionit 2-vjeçar ra në 4.61% dhe rendimenti i obligacionit 30-vjeçar në 5.32%. Rendimenti i obligacionit 10-vjeçar të Bund-it të Gjermanisë u mbyll të martën në 3.33%, përpara se të dilnin rezultatet.

Bitcoin ndryshoi pak në rreth 77,700 dollarë, dhe nafta e papërpunuar Brent u tregtua afër 104 dollarëve për fuçi.

A është një Uashington i ndarë mirë për investitorët?

Tregjeve zakonisht u ka pëlqyer. Kur Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi nuk pajtohen, miratohen më pak ligje të mëdha dhe kjo do të thotë më pak surpriza.

Historia gjithashtu favorizon mbajtësit e obligacioneve. Në tre muajt pas zgjedhjeve të kaluara të mesit të mandatit, rendimentet e obligacioneve 10-vjeçare të thesarit kanë rënë mesatarisht me rreth 20 deri në 25 pikë bazë, sipas Luca Bindelli, kreu i strategjisë së investimeve në bankën private zvicerane Lombard Odier.

“Ne mendojmë se një fitore e demokratëve do të ishte nga neutrale deri pak pozitive për perspektivën fiskale. Kongresi mund të frenojë axhendën ekspansioniste të Trump dhe, bashkë me të, edhe deficitin”, tha në komentet e dërguara me email Diego Barnuevo, analist tregu në kompaninë e pagesave Ebury.

Çfarë do të ndodhë më pas me euron?

Analistët e valutave dyshojnë se zgjedhjet do të ndryshojnë shumë për një kohë të gjatë. Për dollarin, Rezerva Federale ende ka më shumë rëndësi sesa Kongresi.

“Monedha e gjelbër vazhdon të reagojë kryesisht ndaj historisë së Rezervës Federale, e cila nuk duhet të përballet me një ndikim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë nga rezultati afatmesëm”, thanë Francesco Pesole, strateg i FX në ING, dhe kolegët e tij në një shënim të martën.

Edhe euro ka problemet e veta. Çmimet e energjisë janë ende të larta kryesisht për shkak të luftës me Iranin, ING pret që inflacioni i eurozonës të qëndrojë rreth 4% dhe investitorët po kërkojnë më shumë për të mbajtur obligacione qeveritare franceze.

Kongresi i ri merr detyrën në janar. Deri atëherë, Trump ruan shumicën republikane në të dyja dhomat, dhe edhe pas kësaj, stilolapsi i tij i vetos do të jetë ende në tavolinë.

/EuroNews/

Continue Reading

lajme

Maqedonci takon gjeneralmajorin Nawrat në Berlin: Diskutohet Plani Katërvjeçar i Mbrojtjes dhe anëtarësimi në A5

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim dypalësh me zëvendëskomandantin për Integrim në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), gjeneralmajor Christian Nawrat, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Berlin (BSC).

Gjatë këtij takimi, ministri Maqedonci prezantoi prioritetet strategjike të dikasterit që drejton, me fokus të veçantë në zbatimin e planit strategjik katërvjeçar, zhvillimin e napërtëm të sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si dhe nismën e re ligjore që synon krijimin e Zonës së Industrisë për Mbrojtje në Kosovë.

Një vend të rëndësishëm në bisedime zuri edhe angazhimi i Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut (A5), hap ky që vlerësohet kyç për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik në fushën e sigurisë.

Ministri Maqedonci nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë dhe koordinimi i vazhdueshëm me partnerët strategjikë, veçanërisht me SHBA-në, mbetet shtylla kryesore për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Pesë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Ranillug, Gjakovë dhe Skenderaj, ku janë përfshirë sulme fizike, dhunë psikike dhe kanosje ndaj familjarëve.

Në Prishtinë, policia ka arrestuar një person nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje.

Në një tjetër incident në Ranillug, një burrë është sulmuar fizikisht nga një anëtar i familjes. Viktima ka marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor, ndërsa i dyshuari është prangosur nga forcat e rendit dhe po ashtu është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Gjakovë janë regjistruar dy raste të ndara. Në rastin e parë, një grua ka pësuar lëndime trupore pas sulmit fizik nga një anëtar i familjes. Viktima ka pranuar ndihmë mjekësore, ndërsa dorasi është dërguar në mbajtje. Po në këtë komunë, një tjetër i dyshuar ka tentuar të sulmojë fizikisht dhe ka kanosur një anëtar të familjes; ai ka arritur të arratiset dhe aktualisht ndodhet në kërkim policor.

Ndërkaq, një rast tjetër i sulmit fizik është proceduar në Skenderaj, ku një i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor pasi kishte sulmuar fizikisht një grua. Pasi viktimës i është ofruar tretmani mjekësor dhe është kryer intervistimi i palëve, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara