Lajmet

​Haxhiu: S’heqim dorë nga vettingu, këtë muaj procedojmë ndryshimet në pakon ligjore të KPK-së

Haxhiu flet edhe për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit si dhe padinë ndaj shtetit serb.

Published

on

Ministria e Drejtësisë këtë muaj do të procedojë drejt Kuvendit të Kosovës ndryshimet e pakos ligjore të sistemit prokurorial, plotësim-ndryshime këto që rrjedhin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021–2026 dhe që mori dritën e gjelbër edhe nga Komisioni i Venecias. Kështu ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila në një intervistë për KosovaPress edhe njëherë ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga vettingu përkundër kundërshtimeve nga Bashkimi Evropian. Haxhiu flet edhe për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit si dhe padinë ndaj shtetit serb.

Ministrja Haxhiu u shpreh se ndryshimet e parapara në paketën ligjore të KPK-së, shpejt do t’i adaptojnë dhe grupi punues është duke punuar në këtë drejtim. Ajo thotë se të gjitha dilemat që kanë pasur për këto ndryshime tashmë janë hequr pas opinionit të Komisionit të Venecias.

“Ky opinion adreson tri çështje që për mua janë të rëndësishme, e para thekson që numri gjegjësisht nga 13 në 7 është në përputhje me standardet evropiane dhe kësisoj e mbërrijmë balancën në mes të anëtarëve prokurorë dhe anëtarëve jo prokurorë që të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës. Po ashtu, Venecia konsideron se në qoftëse qëllimi është për ta depolitizuar KPK-në, për ta bërë atë sa më efikas justifikohet që të gjithëve t’u ndërpritet mandati nëse nuk është kështu dhe nuk mund të justifikohet dot qëllimi që e keni atëherë të paktën disa të lihen që të përfundojnë mandatin […] E treta ku kemi pasur qëndrime komplet të ndryshme është çështja e kryeprokurorit në KPK sepse strategjia për sundimin e ligjit rekomandon që kryeprokurori për shkak të ndikimit që po ka tek anëtarët e KPK-së të largohet nga KPK, të sqarohen pastaj kompetencat e kryeprokurorit dhe KPK-së. Venecia rekomandon që të mbetet ndonëse nuk thekson që heqja e tij është në shpërputhje me standardin. […] Ne shumë shpejt do t’i adaptojmë këto komente të Venecias dhe do ta procedojmë në Kuvend në janar”, theksoi ajo.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është drejt përfundimit të mandatit të tij dhe ministrja Haxhiu kërkon që këtë pozitë ta marrë një person që gëzon integritetin moral dhe profesional e që nuk ndikohet nga jashtë.

“Konsideroj se 7 vite mandat të kryeprokurorit janë tepër shumë për të pasur një kryeprokuror i cili nuk është profesionist dhe ndikohet nga jashtë prandaj, konsideroj se duhet të jetë një person që gëzon integritetin moral por edhe integritetin profesional, është komplet i pavarur në raport me përgjegjësitë që ka dhe thjesht di të menaxhojë sistemin prokurorial në atë kuptim që mos të kemi dështime për rastet që kemi pasur vëmendje të gjithë. Pra, rastet më të mëdha të aferave korruptive janë në prag të dështimeve shumë prej tyre janë parashtruar vepra të ndryshme, pra të mos kemi amnistim ndaj atyre që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe janë përgjegjës për dëmet që sot ne i kemi në Kosovë. Natyrisht, që e përcjell këtë proces sepse nuk mund të qëndroj neutrale ndaj një procesi të tillë madje inkurajoj ata të cilët njëmend janë të mirë brenda sistemit që të garojnë në këtë proces, mirëpo do iu bëjë ftesë edhe atyre që e dinë që nuk janë për këtë pozicion mos t’ia mësyjnë sepse nuk është çështja që është vendim shqetësim i imi është goxha problem për qytetarët e Republikës së Kosovës që ta kenë në krye të Prokurorisë së Shtetit një person i cili nuk ka as integritet moral por as profesional”, theksoi ajo.

Premtimi më i madh i Lëvizjes Vetëvendosje e cila tashmë është në pushtet ishte vettingu, proces për të cilin Qeveria e Kosovës aktualisht nuk gëzon bekimin e Bashkimit Evropian. Madje, në Raportin e Progresit për Kosovën në vitin 2021 këtë nismë, BE e ka konsideruar shqetësuese, ndërsa ka këshilluar që të fuqizohen mekanizmat ekzistues për vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përkundër kësaj, Haxhiu beson që procesi i vettingut është reforma më e thellë në sistemin e drejtësisë për çka tashmë ekziston edhe drafti i parë i amendamenteve kushtetuese, duke shtuar se është koha e fundit që të avancohet me procesin e vetingut.

“Është nevojë urgjente, është domosdoshmëri që të punojmë në këtë drejtim dhe do të angazhohemi çdo ditë pavarësisht shqetësimeve që kanë, natyrisht që jam e interesuar që shqetësimet t’i adresoj, qoftë me zyrën e BE-së apo edhe përfaqësues të tjerë në BE për çka kemi takuar nivelet më të lartë, qoftë Komisionerin për drejtësi, qoftë përfaqësues të tjerë të BE-së në përgjithësi ka një dakordim që të ulemi dhe të flasim për hapat që duhet të ndjekim, pra nuk ka një rezistencë dhe një kundërshtim të këtij procesi por duket që ka nevojë që sërish të takohemi më tepër dhe të planifikojmë në detaje se cila është rruga që duhet ta ndjekim, por ne nuk heqim dorë nga çështja e vettingut”, theksoi ministrja Haxhiu.

Që nga marrja e mandatit si ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka treguar edhe për veprimet që ka ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo deklaroi se krahas nevojës për rritje të bashkëpunimit ndërinstitucional, po punojnë edhe në aspektin e vetëdijesimit të qytetarëve dhe zyrtarëve për të adresuar shkeljet ligjore që bëhen sidomos brenda institucioneve.

“Për ta adresuar këtë fenomen që po e mban të pazhvilluar vendin tonë sepse krimi i organizuar dhe korrupsioni që kanë ndërlidhje goxha të madhe me mungesën e zhvillimit ekonomik, ne konsiderojmë përveç të tjerash është i rëndësishëm bashkëpunimi ndërinstitucional me Policinë, Prokurorinë dhe gjykatat dhe në anën tjetër vetëdijesimin e qytetarëve dhe zyrtarëve përbrenda institucioneve për t’i adresuar shkeljet sidomos brenda institucioneve. Dhe në këtë drejtim në fillim të mandatit tonë miratuam rregulloren për sinjalizim ndonëse sfidë është zbatimi i saj ende, Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe rregulloja për sinjalizim nuk zbatohet në masën që duam ne. Po ashtu, vendimet që i kemi konsideruar se janë në kundërshtim me ligjin ne i kemi shfuqizuar dhe i kemi adresuar ato tek organet përgjegjëse”, theksoi ministrja Haxhiu.

Një nga zotimet e Qeverisë Kurti është edhe ngritja e padisë ndaj Serbisë për gjenocid ndaj popullatës shqiptare në Kosovës.

Megjithëse, padia është kompetencë e Zyrës së Kryeministrit, Haxhiu për KosovaPress tregon se gjatë vitit të kaluar kanë zhvilluar disa takime dhe janë duke përzgjedhur ekspertët që do ndihmojnë Kosovën në këtë drejtim.

“Tashmë kemi pasur disa takime në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ku kemi diskutuar për këtë çështje, është ndër proceset më të ndjeshme që është po ashtu pjesë e programit tonë qeverisës mirëpo për shkak të natyrës së çështjes ne nuk mund të flasim si për çështjet e tjera që flasim për korrupsionin e krimin e organizuar apo për vettingun e sistemit të drejtësisë. Prandaj, jemi duke punuar në këtë drejtim dhe jemi duke parë profilet e ekspertëve që do na ndihmojnë në këtë drejtim, po ashtu bazën ligjore të cilën duhet ta adresojmë për ta bërë një padi për gjenocid dhe kjo është në kompetencë së Zyrës së Kryeministrit, por ju siguroj që jemi duke punuar në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me përmbushjen e agjendës legjislative të paraparë të vitin 2021 thotë se nuk kanë arritur ta realizojnë 100% për shkak të shumë sfidave që solli viti i parë i qeverisjes së tyre. 

Live

Irani paralajmëron vendet e Gjirit: Bindni Trumpin apo do të godasim infrastrukturën tuaj

Published

on

By

Irani ka ndërmarrë një ofensivë të gjerë diplomatike ndaj vendeve të Gjirit Persik, duke i paralajmëruar qartë se do të godasë fushën e tyre të naftës, rrjetin elektrik dhe furnizimin me ujë nëse nuk e bindin presidentin amerikan, Donald Trump, t’u japë fund sulmeve dhe të kërkojë një zgjidhje me negociata.
Sipas zyrtarëve rajonalë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka zhvilluar biseda me homologët nga Arabia Saudite, Turqia, Katari dhe drejtues ushtarakë të Pakistanit. Mesazhi i Teheranit është i qartë: çdo sulm i ri amerikan ndaj Iranit do të pasojë me hakmarrje të drejtpërdrejtë ndaj aseteve strategjike dhe infrastrukturës kritike në të gjithë rajonin e Gjirit.
Paralajmërimi vjen pas kërcënimeve të Trumpit për goditjen e rrjetit energjetik iranian, ndërsa Teherani synon ta përdorë rrezikun e një tronditjeje të madhe ekonomike globale si mjet trysnie për të shmangur përshkallëzimin ushtarak. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 20 personave për krime lufte në Gjakovë

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë kundër 20 të pandehurve, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës gjatë viteve 1998-1999.
Sipas aktakuzës, të pandehurit M.K. (ish-shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë), R.Ç. (ish-komandant i Njësive të Policisë së Posaçme), M.D. (ish-komandant i Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore), si dhe 17 pjesëtarë të tjerë të këtyre njësive, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policior.
Gjatë këtij aksioni, të pandehurit kishin ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Pasi u kishin vjedhur paratë dhe stolitë e arit grave, ata ekzekutuan burrat në shtëpitë e tyre, në oborre dhe te lokacioni i njohur si “Ura e Taliqit”, si dhe u vunë flakën shtëpive të tyre. /E.A/

Continue Reading

lajme

Specialja cakton datat për deklaratat përmbyllëse në rastin e Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve për pengim të drejtësisë

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar mesin e muajit shtator për mbajtjen e seancave të deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.

Sipas njoftimit të gjykatës, deklaratat përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se, në periudhën nga prilli deri në nëntor të vitit 2023, kanë tentuar të ndikojnë te dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria në procesin gjyqësor për krime lufte kundër Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërkaq, ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut është ngritur nga një akuzë për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe nga një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi më 27 shkurt, ndërsa Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 13 mars.

Ndërkohë, aktgjykimi në rastin kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pritet të shpallet më 16 shtator.

Ata akuzohen për vrasje, torturë, përndjekje dhe vepra të tjera që pretendohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm për veprat që lidhen me rreth 155 viktima.

Prokuroria ka kërkuar që secili prej tyre të shpallet fajtor dhe të dënohet me nga 45 vjet burgim.

Gjatë procesit, mbi 130 dëshmitarë kanë dëshmuar para trupit gjykues, ndërsa janë pranuar edhe 160 deklarata me shkrim të dëshmitarëve të tjerë. Gjyqi përfundoi në muajin shkurt, ndërsa të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në vitin 2020.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime dhe kundërshtime në Kosovë, ku shumë e kanë cilësuar atë si të njëanshëm, duke argumentuar se nuk trajton krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar protesta dhe janë vendosur pankarta me mesazhin “Liria ka emër” në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë”, të mbajtur më 17 shkurt të këtij viti në Prishtinë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto Lufta në Bosnje dhe Hercegovinë përcillej me interes të madh në Kosovë (Sarajeva)

6 gusht 1993

Shqiptarët në Mal të Zi duhet t’i gëzojnë të drejtat që i gëzojnë edhe malazezët

Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, me kërkesën e tij, u takua në Ulqin me prof. dr.Slobodan Vujaçiq, ish-anëtar i Kryesisë së Malit të Zi dhe tash anëtar i Këshillit Republikan për Mbrojtjen e të Drejtave të pjestarëve të grupeve etnike e nacionale, të cilin e formoi Kuvendi i Malit të Zi në mbledhjen e fundit.

Vujaçiqi u interesua për qëndrimin e Lidhjes Demokratike për këtë Këshill, duke thënë se kjo është një iniciativë e mirë dhe njëherësh tregon vullnetin e pushtetit republikan për mbrojtjen e të drejtave të grupeve etnike e nacionale.

Kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, theksoi se formimi i këtij Këshilli pa konsultimin e LD në MZ, të vetmes parti legjitime të shqiptarëve në Mal të Zi dhe pa përfaqësuesit e vërtetë legjitim të shqiptarëve në Mal të Zi, është për të satën herë deri tash, veprim për të mashtruar shqiptarët në Mal të Zi dhe opinionin e gjerë.

Që në qershor të vitit 1992, kur u zhvilluan bisedimet me përfaqësuesit e partive parlamentare dhe me Qeverinë së Malit të Zi, me ç’rast partitë opozitare parlamentare në Malin e Zi, në mesin e tyre edhe Lidhja Demokratike, kërkuan nga Qeveria dhe partia në pushtet që të formohet qeveria e bashkimit qytetar. Qeveria e Malit të Zi, në fakt, partia në pushtet, si përgjigje dhe për të qetësuar opozitën, para së gjithash shqiptarët dhe myslimanët dhe për të kënaqur opinionin ndërkombëtar, propozoi që të formohet Këshilli Republikan i Malit të Zi për paqë e qetësi qytetare dhe barazi nacionale, si trup këshillues. Që atëherë Lidhja Demokratike në Mal të Zi, theksoi se një trup i tillë nuk është i pranueshëm, ngase nuk ka kurrfarë ingjerencash për vendosje.

Lidhja Demokratike në Mal të Zi, përpiqet për pjesëmarrje proporcionale në pushtet në të gjitha nivelet dhe për definimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilin e definuan me Memorandumin për Statusin special në Mal të Zi (me Kushtetutë apo me Ligj kushtetues), shtoi Mehmet Bardhi.

Pushteti i Malit të Zi, në vend që të vendos dialogun demokratik dhe të fillojë të zgjidhë çështjet e hapura, ai me veprimet e veta ndaj shqiptarëve në Mal të Zi po sillet në mënyrë injoruese, mospërfillëse, sikur të mos ekzistonin. Shqiptarët në Mal të Zi jetojnë në trojet e veta, përkujtoi Mehmet Bardhi dhe shtoi se Lidhja Demokratike në Mal të Zi edhe njëherë thekson se shqiptarët në Mal të Zi duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, krejtësisht si malazezët dhe të tjerët në të gjithë lëmejtë e jetës. Mu për këtë LD në MZ, është e gatshme për dialog demokratik e konstruktiv për zgjidhjen e problemeve, të cilat sot janë më të mëdha dhe më të theksuara se kurrënjëherë më parë.

Kryetari i LD të MZ përmendi dhe një numër çështjesh tjera të hapura, që nuk janë të zgjidhura si çështja e shkollimit, kërkesën e prindërve nga Plava që të hapet klasa e parë fillore në gjuhën shqipe që është kërkuar qe dy vjet me radhë, por të cilën Ministria e arsimit nuk e ka lejuar; për shkollimin e lartë të nxënësve shqiptarë, për qeverisjen lokale, shërbimin e inspekcionit, heqjen e vizave dalëse për Shqipëri, hapjen e pikës kufitare etj.

 

6 gusht 1994

NATO bombardoi pozicionet serbe në rrethinë të Sarajevës

Mbrëmë në orën 18,35, avionët e NATO-s me kërkesën e UNPROFOR-it, bombarduan pozicionet e izioluara tokësore të serbëve të Bosnjës të vendosura në malin Igman, që shtrihet në zonën e ndaluar prej 20 km, në rrethinë të Sarajevës, njoftojnë burimet zyrtare diplomatike dhe ushtarake nga selia e Aleancës së Atlantikut Verior në Bruksel.

Ky akcion i NATO-s, është një lloj ndëshkimi ndaj forcave të serbëve të Bosnjës, që kohëve të fundit i përsëritën sulmet ndaj ushtarëve të UNPROFOR-it e veçanërisht kur dje në mëngjes (të premten) në afërsi të Ilixhës i detyruan helmetkaltërit ukrainas t’u dorëzojnë një tank T-55, dy qerre të blinduara M-0, një bateri topash kundërajror dhe dy tri orë më vonë e sulmuan helikopterin “Puma” të kontigjentit francez, që kërkonte materialin e “vjedhur”.

Në bombardimet e NATO-s ndaj pozicioneve serbe morën pjesë avionët amerikanë “A10”, mirazhët francez, jaguarët britanikë dhe gjuajtësit holandez. Me këtë rast, komandanti i UNPROFOR-it, gjenerali Lapresle deklaroi “misioni është kkkkryer me sukses, janë qëlluar objektivët në tokë”. Në lidhje me bombardimet dhe “objektivët e qëlluar”, burimet e NATOs theksojnë se “janë shkatërruar disa nga armët e rënda të vjedhura nga forcat serbe”.

Ky aksion ndëshkues i NATO-s, edhe pse i limituar (kufizuar), është një formë presioni drejtuar serbëve të Bosnjës e posaçërisht liderit të tyre Karaxhiq, pas refuzimit të Planit Paqësor të Grupit të kontaktit (SHBA, Anglia, Franca, Gjermania dhe Rusia).

Sot, të gjitha radio e tv programet dhe gazetat në Evropën Perëndimore po i kushtojnë rëndësi të veçantë bombardimeve të NATO-s ndaj pozicioneve të serbëve të Bosnjës.

 

6 gusht 1997

U shpallën fituesit e Çmimit Letrar Kombëtar

Dje në Tiranë u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve të Konkursit Letrar Kombëtar për botimet e vitit 1996.

Kryetari i jurisë së këtij konkursi ishte dr. Aurel Plasari. Me çmimin për prozën e gjatë më të mirë të vitit 1996 u vlerësua shkrimtari Zija Çela për romanin “Monedha e dashurisë”, për poezinë Frederik Rreshpja me përmbledhjen “Lirika të zgjedhura” dhe për tregime Faruk Myrtaj me librin “Nudo zyrtare”. Libri më i mirë i përkthyer nga letërsia e huaj u cilësua “Obelisku” i autorit gjerman Erih Maria Remark, i shqipëruar nga Robert Shvarci. Çmimet për librat e parë në poezi dhe prozë i fituan autorët debutues, Ani Spahivogli dhe Andrea Hila.

Vlera e shpërblimit të sivjetshëm të Çmimit Letrar Kombëtar është 150-200 mijë lekë të rinj.

Më pas, studiuesi Ramadan Musliu, anëtar i jurisë, foli për rrjedhat e letërsisë shqipe të viteve 90-të, duke evidencuar veçoritë dhe prirjet karakteristike të saj, të shfaqura kryesisht në fushën e koncepsioneve dhe të teknikave letrare.

Ndërsa, aktorë të teatrit recituan pjesë nga krijimtaria më e mirë e paraqitur në këtë konkurs të ilustruara me muzikë të zgjedhur, njofton “Bujku”.

 

6 gusht 1998

Klinë: Mbi 10 mijë banorë shqiptarë janë buzë katastrofës humanitare

Më 3 gusht të këtij viti, forcat e ushtrisë dhe policisë serbe, pas granatimeve të parreshtuara, hynë në fshatin Çeskovë dhe e dogjën e shkatërruan në tërësi fshatin. Nga kjo ditë, nga kodrinat e këtij fshati forcat srbe po e granatojnë parreshtur Jabllanicën e Gjakovës, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Klinë.

Njoftohet se edhe më tej nën qiellin e hapur vazhdojnë të jetojnë rreth 10 mijë banorë shqiptarë të fshatrave të granatuara të komunës së Klinës.

Gjendja shëndetësore dhe humanitare e këtyre banorëve shqiptarë që tashmë kanë mbetur pa kulm mbi kokë është buzë katastrofës, pasi ata kanë mbetur pa ushqime, ilaçe e gjësende të tjera më elementare për jetë.

 

Vushtrri: Gjatë sulmit serb në Pantinë u vra Jeton Tërstena (24)

Forca të ushtrisë serbe granatuan sot fshatin Pantinë të Vushtrrisë.

NMDLNJ i Vushtrrisë njofton se si pasojë e granatimeve u vra Jeton Tërstena (24) dhe u plagosën dy shqiptarë të tjerë, jeta e të cilëve nuk është në rrezik.

Nga granatimet gjithashtu u dëmtua shtëpia e Ramadan Mehmetit.

Pas sulmit forcat serbe u tërhoqën në drejtim të fshatit Frashër. Varrimi i Jeton Tërstenës bëhet sot në orën 18 në fshatin Oshlan.

 

Zhur: U varrosën dy të varë nga forcat serbe

Më 3 gusht të këtij viti, në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, në afërsi të fshati Buqe të Dragashit u gjet trupi i pajetë i Nexhat Qazim Fanajt (31) nga Grazhdaniku, ndërsa më 5 gusht u gjet trupi i pajetë i Behamir Rrustem Memajt (28) nga Zhuri, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Zhur.

Njoftohet se kufomat e dy të rinjëve shqiptarë janë varrosur në vendlindjet e tyre.

Bëhet e ditur se dy të rinjët shqiptarë janë vrarë më 28 korrik të këtij viti nga forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, derisa po bombardonin mbi kodrat e fshatrave Buqe e Brazne të Dragashit.

 

Prizren: Teki Ramshaj vdiq nga torturat në polici

KI i Degës së LDK-së në Prizren, duke cituar disa dëshmitarë, njofton se nga torturat e rënda fizike në policinë e Prizrenit, pardje ka vdekur Teki Ramshaj (26), i cili është varrosur në qytetin e Rahovecit.

Gjendja në Prizren e rrethinë vazhdon të jetë e rëndë. Mbi qytet fluturojnë shpesh helikopterë ushtarakë, ndërsa sot në magjistralin Prizren-Kukës sot forcat serbe kanë vendosur katër postblloqe të reja.

 

Në spitalin e Tiranës vdiq Brahim Krasniqi nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë

Brahim Krasniqi nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë vdiq në spitalin ushtarak të Tiranës, pasi ditë më parë ishte plagosur në kufirin Kosovë-Shqipëri, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Varrimi i tij u bë në Tiranë.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara