Lajmet

​Hasani për certifikimin ose jo të Kurtit: Supremja nuk duhet të bazohet në vendimin e Kushtetueses

Published

on

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se Supremja duhet të bazohet në Kushtetutën e vendit dhe jo në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me certifikimin ose jo si kandidat për deputet të Albin Kurtit dhe të tjerëve.

Në një intervistë për KosovaPress, Hasani thekson se Supremja duhet ta shikojë kodin e vjetër penal që nuk ia njeh pasojën juridike të veprës penale të ish-kryeministrit. Megjithëkëtë, shprehet pesimist se ish-kolegët e tij do të marrin një vendim të tillë.

Dy ditë pas pranimit të ankesave nga Gjykata Supreme, Hasani thotë se mundësitë janë që e njëjta ta interpretojë ankesën e LVV-së dhe të të tjerëve në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Por shpreson se Supremja të reflektojë që kandidatëve për deputetë që iu janë shlyer dënimet dhe atyre të dënuar me kundërvajtje t’iu mundësohet të certifikohen si kandidatë për deputetë.

“Për bindjen time ajo (Gjykata Supreme) duhet të bazohet në Kushtetutën, çka thotë Kushtetuta dhe jo vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Duhet të bazohet në Ligjin, në Kodin Penal që nuk ia njeh pasojën juridike dhe duhet të shërbejë si precedent vendimi i vitit 2017, i cili nuk është shfuqizuar dhe nuk mund të shfuqizohet deri sa të bëhet një ndërrim në Kushtetutë. Edhe pse këtë nuk e pres, ajo (Gjykata Supreme) me siguri do ta interepretojë në frymën e njëjtë të Gjykatës Kushtetuese edhe pse s’do të duhej. Por unë së paku pres që Gjykata Supreme të reflektojë që personat të cilët veç janë shlyer nga dënimet dhe ata që janë dënuar për kundërvajtje, në këtë drejtim ta korrigjojë vendimin e KQZ-së”, thotë Hasani për KosovaPress.

Hasani thotë se Gjykata Supreme nuk mund të kategorizojë veprat penale të kandidatëve të ankuar, por mund të bazohet në kodin penal të vitit 2012 që nuk i njeh pasojat juridike të dënimit me gjobë, të dënimit me kusht dhe vërejtjet gjyqësore.

“Gjykata Supreme mund të thotë meqenëse kodi penal i vitit 2012 nuk i njeh pasojat juridike të dënimit me gjobë të dënimit me kusht, vërejtjet gjyqësore dhe lirimin nga dënimi këto të gjitha duhet të kthehen në listë, pavarësisht se të kundërtën e thotë Gjykata Kushtetuese”, u deklaroi ai.

Ndërkohë, shton se vendimet që janë në kundërshtim me Kushtetutën nuk mund të kthehen në normë kushtetuese.

“Nuk jam pajtuar me kolegët që vijnë nga Gjykata Kushtetuese të cilët thonë, po vendimi është anti-kushtetues, vendimi është i paligjshëm, por ai duhet të zbatohet. Ngase nuk mund të thuash se një vendim i Gjykatës Kushtetuese mund të krijohet në normë nëse është në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk shkon, nuk shkon të thuash edhe është anti-kushtetues dhe krijon normë. Nuk mund të thuash krijon normë duke shkel Kushtetutën, kushdo qoftë institucion, qoftë Gjykata Kushtetuese, qoftë Gjykata Supreme”, thotë ai.

Hasani thekson se çështja e certifikimit ose jo të Kurtit dhe të tjerëve është më shumë çështje ligjore dhe jo Kushtetuese.

“Momentin kur Gjykata Kushtetuese nga çështja ‘Arifi’, neni 70, paragrafi 6 i Kushtetutës ka rrëshqitur tek neni 29, paragrafi 1, germa q, ka kaluar nga një teren kushtetues në një teren të pastër ligjor. Pse është ligjor? Është për arsye se kush ka të drejtë të certifikohet ose jo është e Zyrës për Certifikim, e KQZ-së, pastaj ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme, është e pastër ligjore. Nuk mund të shprehet Gjykata Kushtetuese se kush ka drejtë të kandidojë ose jo, sepse janë procedura ligjore. Është çështje e pastër ligjore”, u shpreh ai.

Të mërkurën Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me moscertifikimin e liderit të partisë, Albin Kurti, Albulena Haxhiut, Liburn Aliut, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi. Njëjtën gjë e bëri Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe një parti nga komunitetet jo shumicë. Supremja ka afat për përgjigje deri të shtunën në orën 15:00

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ramë Lahaj nis turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” në Zürich

Published

on

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.

Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.

Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.

Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.

Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Oficerët e FSK-së përfundojnë trajnimin ushtarak kanadez në Bosnje dhe Hercegovinë

Published

on

By

Pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në kursin “Defence Resource Management Course”, të organizuar nga Ushtria Kanadeze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë trajnimit njëjavor, pjesëmarrësit avancuan njohuritë në menaxhimin e resurseve të mbrojtjes, prokurim, projekte dhe burime njerëzore, duke shkëmbyer praktikat më të mira ushtarake kanadeze që mund të zbatohen në FSK.

Përveç aktivitetit ushtarak, ekipi i FSK-së vizitoi edhe Shoqatën e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.

Pjesëmarrja në këtë program ndihmon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak kosovar dhe fuqizon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Baleti i Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen në një skenë, publiku duartroket për 10 minuta

Published

on

Premiera botërore e veprës “Neighbours / from Motherland”, e cila hapi Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, u prit me duartrokitje për 10 minuta nga publiku.

Vepra, e krijuar nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasi, bashkoi për herë të parë në të njëjtën skenë trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës.

E shfaqur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo vepër e baletit bashkëkohor vuri në qendër rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, duke sjellë një bashkëpunim artistik mes dy trupave shqiptare.

Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën hapjen e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë (IDFT).

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga performanca dhe bëri të ditur se më 7 tetor shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Festivali vazhdon me aktivitete të tjera, duke sjellë në Tiranë artistë dhe produksione nga skena ndërkombëtare e vallëzimit bashkëkohor./ATSH/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara