Lajmet

​Haradinaj thotë se nuk i kanë publikuar apo shumëzuar dokumentet e dërguara në OVL-UÇK

Haradinaj ka thënë se nuk ishin në dijeni nëse dokumentet ishin autentike apo konfidenciale.

Published

on

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se nuk kanë publikuar, shpërndarë apo shumëzuar dokumentet që kishin arritur në zyrën e organizatës.

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se veprimi i vetëm i bërë nga krerët e OVL-UÇK ka qenë informimi se një person i panjohur ka lënë paketa me dokumente në hapësirat e organizatës. Ai ka thënë se këtë e kanë bërë për hir të transparencës dhe se nuk pendohet për një gjë të tillë.

“Ne nuk jemi marrë me to, vetëm na kanë sjellë, i kemi marrë dhe i kemi qit vetëm brenda lokalit të mbyllur tonin, ekskluziv lokal i joni, një shkallë më lartë në dhomën tjetër dhe kemi treguar çka na ka ardhur. Kjo është vepra ime, kësaj i qëndroj dhe nuk i pendohem, nëse është gabim e pranoj gabimin, nëse është e dëshmueshme po more, e kam bërë, e kam bërë duke menduar dhe po mendoj që e kam bërë vetëm për hir të transparencës dhe sinqeritetit ndaj çdo kujt, bile edhe ndaj jush, nëse nuk e keni ditë me ditë çka po vjen, nëse nuk na i keni sjellë vetë me ditë çka po vjen të ne. Mendoj, për këtë është dashur të na falënderoni ju”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nuk ishin në dijeni nëse dokumentet ishin autentike apo konfidenciale dhe ka përsëritur që edhe sot nuk kanë ndonjë konfirmim nga ZPS se ato ishin të Speciales.

“Unë kam lexuar shumë materiale që kanë shkruar topsekret prej vetë CIA-s amerikane dhe kanë qenë publike në televizion. Sepse unë nuk e kam ditë se për cilën kohë është ajo dhe nuk e kam marrë mundimin të mendoj për atë punë, se përderisa kanë arritur kanë mundur të arrijnë në zyrën tonë, de facto nuk e di pse janë sekrete. Sekretet nuk dalin dhe nuk vinë në zyrën tonë. Nuk mund të paramendoj as sot, nuk e keni vërtetuar as ju, edhe ju jeni duke e bërë sikur dëshmitari i juaj – herë janë tonat, herë nuk janë. Ne nuk na është konfirmuar që është sekrete, që ne ta dimë se është sekrete, ndërsa çka po thua aty shkruan sekret, unë lexoj çdo ditë dhe ke lexuar edhe ti që nëpër revista qesin dokumente të mëparshme që i kanë pasur zbulimet dhe shkruan aty sekret, por e qetë. Kështu e kam kuptuar, unë nuk e kam kuptuar që është sekret, mua nuk më është sqaruar që është sekret, jo mua por askujt nuk i është sqaruar. Si mund të jenë sekret diçka që arrin publikisht në zyrat tona, ju lutem kjo është marre ta dëgjojë dikush”, ka thënë ai.

Gjatë dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se kjo mund të ketë qenë e montuar nga vetë ZPS.

“Ato kanë ardhur te ne, pse sekret, me këtë logjikë unë kam prezumuar, po të kishin dashtë me qenë sekret, nëse janë të juaja, ju nuk e keni vërtetuar dhe nuk po e thoni, nëse janë të juaja meqë po e bëni tërë këtë zhurmë, mbani përgjegjësinë. Çfarë sekreti, pse na i prutë, tash po e shoh që ju paskeni pasur qejf që ne edhe me dalë me to, shyqyr që nuk e kemi bërë, jo për diçka, por vetëm për atë arsye se paska qenë kurth, tash po e shoh që paska qenë kurth, ju i paskeni pru, për të bërë ne këtë punë që ju po doni të na monton që e kemi bërë ne”, ka thënë Haradinaj.

Ai po përgjigjet në pyetjet e ZPS-së ku prokurori po shfaq pjesë nga video-konferencat apo intervistat që Haradinaj i ka dhënë më parë në mediat e Kosovës, lidhur me dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.

Haradinaj ka thënë se OVL-UÇK nuk e ka bërë publikimin e dokumenteve, por vetëm informimin për arritjen e tyre në organizatë. Ai ka thënë se përgjegjësinë duhet ta marrin ata që e kanë bërë publikimin e tyre ku edhe ka kritikuar disa prej mediave në Kosovë për, sipas tij, provokim ndaj tyre.

Tutje, Haradinaj ka thënë se ka pritur që gjykatat dhe prokuroria e Kosovës të shkojë në organizatë dhe t’i marrë ato dokumente, andaj sipas tij i ka mbajtur kopjet.

“Unë kopjet së pari i kam mbajtur për gjykatën tonë të Kosovës, kur më është bërë një pyetje prej gazetarëve, prokurorit special, nëse vjen, a i merrni, kam thënë po, kam thënë mund të vijnë edhe ata t’i marrin. Mendimi im në fillim, të jem i sinqertë nuk ka qenë për ju hiç, ka qenë për gjykatat e mia, sepse unë e njoh vendin tim, dhe ty nuk të njoh hiç, dhe me ty po bisedoj këtu vetëm pse ti ke thënë jam e Kosovës, nuk kam nevojë me të njohur, nuk jam përgjegjës ndaj teje, jam përgjegjës ndaj vendit tim dhe nëse në shtetin tënd bëj diçka tjetër. E meqenëse ti thua jam i Kosovës dhe kjo gjykatë që po besoj tamam ka me qenë e denjë, unë për hir të gjykatës, po bisedoj me ty, se nëse nuk je i Kosovës nuk do të kisha biseduar hiç”, ka thënë ai.

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK ka thënë se vazhdon të jetë i mllefosur meqë sipas tij shteti i Kosovës nuk ka vepruar.

“Edhe sot jam i mllefosur jo pse nuk kanë ardhur m’i marrë ata, se në fund të fundit të merr kush do materialin e vet, por pse shteti im hiç nuk është shtet se nuk guxon me u ndie prej jush, se dëshmitari numër një që e ke këtu më ka thënë nuk guxojnë me ardhur t’i vijnë t’i marrin, dhe kjo është fyese për mua, fyese për shtetin tim dhe fyese për lirinë dhe fyese për pavarësinë e shtetit tim, nëse nuk guxon të vijë për t’i marrë prokuroria e vendit tim, policia e vendit tim, hetuesit e vendit tim”, ka shtuar ai.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Lajmet

Mblidhet grupi parlamentar i LVV-së, pritet caktimi i seancës për presidentin

Published

on

By

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të mblidhet sot në orën 14:00, mëson Ekonomia Online nga burimet e saj brenda këtij subjekti politik.

Mbledhja e parlamentarëve të shumicës vjen në një moment të tensionuar politik, kur Kuvendi i Kosovës ende nuk ka caktuar një orar zyrtar për mbajtjen e seancës plenare.

Sot është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Nëse deputetët dështojnë të zgjedhin presidentin e ri deri në mesnatë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

UBT ofron 20% bursë studimi për Masterin në Shkenca dhe Teknologji të Ushqimit

Published

on

By

Në një kohë kur siguria ushqimore përbën një nga sfidat më kryesore globale, UBT ka hapur aplikimet për programin Master në Shkenca dhe Teknologji të Ushqimit, duke ofruar 20% bursë studimi përmes skemës “Engaged Scholarship” për të gjithë kohëzgjatjen e studimeve.

Bursa vlen për një sere profesionistësh të fushës, përfshirë teknologët e ushqimit, nutricionistët, infermierët, kontrollorët e cilësisë, inspektorët ushqimorë dhe laborantët ushqimorë.

Programi është i ndërtuar sipas standardeve të universiteteve më të avancuara evropiane dhe synon përgatitjen e kuadrove udhëheqëse për tregun e punës. Përmes punës praktike në laboratorë modernë, studentët trajnohen në kontrollin e cilësisë, inxhinierinë e përpunimit, kiminë e mikrobiologjinë ushqimore, si dhe zhvillimin e produkteve inovative në përputhje me legjislacionin dhe normat ndërkombëtare.

Përveç komponentës teoretike dhe praktike, ky program vë fokus të veçantë te kërkimi shkencor dhe zgjidhja e problemeve reale me të cilat përballet industria ushqimore sot. Studentët aftësohen për të analizuar parametrat dietikë, për të optimizuar linjat e prodhimit industrial me eficiencë energjetike dhe për të garantuar qëndrueshmëri mjedisore në çdo fazë të përpunimit të ushqimit.

Gjithashtu, mjedisi interaktiv, stafi akademik me përvojë ndërkombëtare dhe rrjeti i gjerë i partneriteteve u mundësojnë studentëve përfitimin e kompetencave të nevojshme për pozita drejtuese e ekzekutive në sektorin publik dhe privat, si dhe për vazhdimin e studimeve të doktoraturës.

Për më shumë informata mbi aplikimin dhe përfitimin e bursës prej 20%, të gjithë të interesuarit mund të drejtohen pranë hapësirave të UBT-së apo faqeve zyrtare të këtij institucioni.

Continue Reading

Lajmet

Pas tensioneve në Prishtinë, Sindikata e Policisë shpreh mbështetje për zyrtarët në terren

Published

on

Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestave të fundit në Prishtinë, duke shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Në një komunikatë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, Sindikata ka theksuar se e drejta për protestë, shprehje të lirë dhe tubim paqësor është e drejtë themelore që duhet të respektohet, por nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj policëve, institucioneve apo qytetarëve.

“SPK dënon fuqishëm çdo akt dhune, hedhjen e mjeteve piroteknike, mjeteve të forta dhe çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë që janë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në komunikatë.

Sindikata ka theksuar se policët nuk janë palë në debatet politike, por profesionistë që kanë për detyrë zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë për të gjithë.

Ajo ka shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në terren dhe ka bërë thirrje që dallimet politike të mos shndërrohen në përplasje me ta.

“Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja. Shumë prej tyre kanë qenë bashkëluftëtarë tuaj dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në reagim.

Sipas SPK-së, çdo polic i lënduar gjatë kryerjes së detyrës është anëtar i një familjeje që pret të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi pas përfundimit të ndërrimit.

Në fund, Sindikata ka bërë të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë pranë zyrtarëve policorë dhe të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e tyre profesional, duke theksuar se çdo veprim ndaj tyre duhet të vlerësohet në bazë të ligjit dhe jo të përkatësisë apo qëndrimeve politike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dita e fundit për presidentin: Shtyhet seanca në Kuvend

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme, mirëpo ende nuk është përcaktuar orari i saktë i nisjes së seancës.

Sipas burimeve të Kohës, deputetët fillimisht u ftuan për të qenë në ulëse në orën 14:00, mirëpo më vonë u njoftuan për shtyrjen e këtij orari.

Deri më tani, nga administrata e Kuvendit nuk ka ndonjë njoftim zyrtar lidhur me kohën e saktë të nisjes së punimeve.

Kjo seancë vjen në një moment kritik, pasi sot është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kreun e shtetit deri në mesnatë, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara