Kulturë

​Hapet panairi i librit në 143-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Published

on

Për nder të 143-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, sot është hapur panairi i librit në këtë komunë. Prizreni është bërë nikoqir i shumë shtëpive botuese nga vendi e rajoni, të cilët po iu ofrojnë qytetarëve një numër të madh të librave.

Për të bërë hapjen e këtij panairi ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili tha se përkrahja për librin duhet të rritet.

“Ne e kemi edhe komponentën e librit brenda ministrisë, përkrahja për librin duhet të rritet edhe në formë të mbështetjes së botimit, përkthimit edhe në promovimin e autorëve që shkruajnë shqip, po në të njëjtën kohë edhe në kuptim të nxitjes së lexueshmërisë së përgjithshme në shoqërinë tonë. Këto janë veprime të mira, janë veprime të domosdoshme, por duhet të kemi më shumë se kaq dhe do të bëjmë më shumë se kaq edhe si ministri edhe si komuna të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se një panair i tillë do të bëhet tradicional.

“Më vjen mirë që pas një periudhe bukur të gjatë të masave të pandemisë ku shumë aktivitete kanë qenë të ndaluara, sot po e fillojmë me një aktivitet shumë domethënës në 143 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pra me 10 qershor hapjen e panairit të Librit, i cili besoj duhet të jetë tradicional. Ne kemi edhe panaire të tjera të librit, por veçantia e këtij panairi është se po kemi botues nga të gjitha trojet shqiptare, faktikisht kemi nga Shqipëria, Mali i Zi, nga Maqedonia dhe normal nga Kosova e Prizreni”, tha ai.

Mbi 100 tituj në këtë panair po i ofron shtëpia botuese “Pena”, ku pronari i saj Mensur Bytyçi, tha se e kanë mirëpritur një organizim të tillë nga Komuna e Prizrenit.

“Kurrë nuk është mjaftë shitja e librit, leximi i librit, dija, kurrë nuk është mjaftë. Sa më shumë që organizohen kësi lloje panairesh ku mund të shiten vlera, figurativisht po e them mundësitë janë vlera, se vlerë më të madhe se dija nuk ka. Nëse dëshiron një komb me zhvillu duhet me lexu, duhet të ofrojmë botime për fëmijë, për familjet. Prandaj është shumë i mirëseardhur, uroj që mos ta harrojmë këtë traditë”, tha ai.

Për të shënuar 143 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, komuna ka organizuar aktivitete të shumta, ku gjatë ditës do të bëhet edhe hapja e ekspozitës “Si u vra Kodi etik i Hipokratit”.

Lajmet

Kori kosovar Siparantum fiton tri çmime në festivalin ndërkombëtar në Malajzi

Published

on

Kori kosovar Siparantum ka fituar tri çmime në kuadër të “Malaysian Choral Festival 2026”, që po mbahet në Kuala Lumpur të Malajzisë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka vlerësuar këtë rezultat si një sukses të jashtëzakonshëm për korin dhe Kosovën.

Sipas Kurtit, Kori Siparantum është vlerësuar me Çmimin e Artë në kategorinë B4 – Ansambël Vokal, Çmimin e Artë në kategorinë A5 – Kor i Përzier, si dhe me Çmimin Special për Skenografi/Koreografi Kreative në kategorinë A5.

Kurti ka thënë se këto çmime dëshmojnë punën, talentin dhe përkushtimin e Korit Siparantum, si dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës korale.

Ai ka uruar korin, si dhe kompozitorin dhe dirigjentin Memli Kelmendi, duke theksuar se suksese të tilla janë edhe shtysë për institucionet që të vazhdojnë mbështetjen për artin dhe kulturën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Dance in August” sjell në Berlin një udhëtim përmes trupit, natyrës dhe rezistencës

Published

on

Festivali ndërkombëtar “Dance in August” në Berlin po vazhdon me një program që sjell në skenë koreografi nga kultura dhe vende të ndryshme, duke e trajtuar vallëzimin si një hapësirë ku ndërthuren natyra, kujtesa, frika dhe rezistenca.

Në javën e parë të festivalit, publiku është njohur me vepra nga Portugalia, Greqia, Tajvani dhe Rumania. Pavarësisht dallimeve në stil dhe tematikë, disa prej tyre i bashkon përballja e trupit me një realitet gjithnjë e më të pasigurt.

Një nga produksionet e spikatura është “Sounding Light” nga Cloud Gate Dance Theatre of Taiwan, me koreografi të Cheng Tsung-lung. Vepra, e frymëzuar nga natyra, mitologjia dhe figurat e luftëtarëve, sjell në skenë 12 valltarë që në fillim shfaqen si një formacion i heshtur, duke krijuar imazhe që kujtojnë shkëmbinjtë, ujëvarat dhe peizazhet natyrore.

Përmes tingujve të minimalizuar dhe lëvizjeve që evokojnë valët, erën dhe fluturimin, shfaqja ndërton një lidhje të drejtpërdrejtë mes trupit dhe natyrës.

Natyra është në qendër edhe të “The Choreography of Water” të koreografes rumune Simona Deaconescu, ku uji bëhet pjesë e performancës përmes tubave, enëve dhe balonave prej qelqi.

Ndërkohë, ndër veprat që kanë sjellë më shumë energji në skenë janë “It’s the end of the amusement phase” e koreografes greke Chara Kotsali dhe “F*cking Future” e koreografit portugez Marco da Silva Ferreira.

Në veprën e Kotsalit, vallëzimi lëviz mes utopisë dhe distopisë, ndërsa flamujt, pankartat dhe ndryshimet e kostumeve shoqërojnë një performancë që kalon nga shpresa te zhgënjimi.

Ndërsa në “F*cking Future”, Ferreira krijon një univers futurist ku tetë valltarë lëvizin në formacione të ngjeshura, duke alternuar marshimin, paradën dhe energjinë e një rave. Trupi paraqitet njëkohësisht si i fuqishëm dhe i cenueshëm, i disiplinuar dhe rebel.

Në fund, performanca merr edhe një dimension politik dhe shoqëror, duke trajtuar identitetin, normat dhe nevojën për të mbrojtur kulturën përballë përjashtimit.

“Dance in August” do të vijojë në Berlin deri më 29 gusht, me një program ndërkombëtar që e përdor vallëzimin jo vetëm si spektakël, por edhe si gjuhë për të folur për frikën, shpresën, trupin dhe rezistencën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Po rinovohet Teatri ODA në Prishtinë, investim prej 1.3 milionë eurosh

Published

on

Po vazhdojnë punimet për rinovimin e plotë të Teatrit ODA në Prishtinë, një nga hapësirat më të rëndësishme të skenës së pavarur dhe artit bashkëkohor në Kosovë.

Pas më shumë se dy dekadash veprimtari artistike, objekti po transformohet me synim krijimin e kushteve më të mira për artistët dhe publikun, duke ruajtur rolin e tij në jetën kulturore të kryeqytetit.

Projekti kap vlerën prej 1.3 milionë eurosh dhe synon forcimin e infrastrukturës kulturore, si dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e skenës artistike në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Koçbashliu në Prizren

Published

on

Po vazhdojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Koçbashliu, një aset me vlera të veçanta historike, arkitekturore dhe etnologjike, i cili ndodhet në Qendrën Historike të Prizrenit.

Kjo shtëpi tradicionale ruan elemente karakteristike të arkitekturës qytetare prizrenase, ndër to edhe hajatin dhe çardakun, që i japin objektit veçoritë e tij tipologjike.

Përmes restaurimit synohet ruajtja e këtij objekti dhe e vlerave të tij të trashëgimisë kulturore, duke mbrojtur një pjesë të rëndësishme të kujtesës dhe identitetit historik të Prizrenit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara