Lajmet

​Gastronomët nisin mbështetjen e fëmijëve të braktisur “SOS Mik”

Kryetari i Shoqatës së gastronomeve, Petrit Kllokoqi ka treguar qëllimin e kësaj fushate.

Published

on

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, sot kanë nisur fushatën “SOS Mik”‘, me ç‘rast e kanë vizituar SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë.

Kryetari i Shoqatës së gastronomeve, Petrit Kllokoqi ka treguar qëllimin e kësaj fushate. Sipas tij, secili anëtar i shoqatës se gastronomëve kontribuon për një periudhë të caktuar, me misionin që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm.

“Fushata “SOS Mik” ka për qëllim mbledhjen e fondeve përmes anëtarëve të Shoqatës së Gastronomeve, ku secili anëtarë kontribuon për një periudhë të caktuar me një shumë simbolike duke kontribuar kështu në misionin e përbashkët që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm dhe në të njëjtën kohë të bëhet Mik i SOS Fshatrave të Kosovës”, tha ai.

Në mënyrë që të ketë sa më shumë përkrahje për fëmijët e SOS Fshatrave, ai tha se të gjithë të interesuarit mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në xhirollogarinë e përfituesit me të dhënat: SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë. Derisa ka shtuar se kanë krijuar një fond, mirëpo presin një përkrahje më të madhe nga anëtarësia e shoqatës.

Albanë Zogu-Morina, udhëheqëse e zyrës për mbledhjen e fondeve, tha se më këtë bashkëpunim do të ndihmojnë më shumë fëmijët të cilët kanë nevojë për përkrahje.

“Përmes këtij bashkëpunimi të arrijmë që sa më shumë gastronomë të Kosovës që të ndihmojmë sa më shumë fëmijë që janë pa përkujdesje prindërore apo edhe në rrezik të braktisjes së fëmijëve… E kemi shumë të rëndësishëm që numri i miqve tanë të jetë sa më i madh për SOS Fshatrat e Fëmijëve në mënyrë që këta fëmijë të sigurohemi që jetojnë në një familje të ngrohtë dhe të lumtur, gjë që është edhe motoja jonë…3:03 Shuma e cila do të jepet donacion është shumë simbolike, por për ne është e rëndësishme si organizatë që gjithë ata miq që bëhen miq të SOS Fshatit, nuk është e rëndësishme shuma, sa është e rëndësishme që të kemi miq afatgjatë”, tha ajo.

Ajo ka kërkuar edhe nga gastronomët tjerë t’i bashkëngjiten kësaj fushate.

SOS Fshatrat e Fëmijëve është organizatë joqeveritare që ofron kujdes dhe përkrahje për fëmijë pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të braktisjes. SOS Fshatrat e Fëmijëve veprojnë që nga viti 1999 dhe deri më tani kanë ofruar kujdes dhe përkrahje përmes formave të ndryshme për mbi 2 mijë e 500 fëmijë dhe të rinj.

Aktualisht në SOS Fshatrat e Fëmijëve jetojnë 34 fëmijë pa përkujdesje prindërore nga 0 deri në 18 vjeç dhe 11 të rinj mbi 18 vjeç, si dhe përkrahin mbi 600 fëmijë dhe të rinj në rrezik te braktisjes.

Vendi

UBT, lider i institucioneve akademike në rajon në ndikimin e qëndrueshmërisë

Published

on

By

UBT ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në Times Higher Education (THE) Impact Rankings 2026, duke u renditur si institucioni më i lartë në mesin e institucioneve akademike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të përfshira në këtë krahasim rajonal.

UBT: 801–1000 në nivel global

Pozicioni i përgjithshëm i UBT-së në renditjen globale është përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme, duke kaluar nga grupi 1001–1500 në vitet 2024 dhe 2025, në grupin 801–1000 në vitin 2026. Ky progres dëshmon për forcimin e profilit ndërkombëtar të UBT-së në fushën e qëndrueshmërisë dhe rritjen e ndikimit të tij në nivel rajonal.

Performanca më e fuqishme e UBT-së në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm është veçanërisht e dukshme në:

  • SDG 7 – Affordable and Clean Energy: 50.6–55.3
  • SDG 2 – Zero Hunger: 54.4–62.7
  • SDG 1 – No Poverty: 56.4–62.7

UBT ka shënuar gjithashtu rritje të dukshme në disa nga SDG-të krahasuar me vitet e mëparshme, me progres të veçantë në reduktimin e varfërisë, shëndetin dhe mirëqenien, barazinë gjinore, ujin e pastër, energjinë e pastër dhe punën e denjë.

Me një pikëzim të përgjithshëm në THE Impact prej 53.7–60.6, UBT qëndron në krye të institucioneve të përfaqësuara nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Ky rezultat shkon përtej një pozicioni në renditje. Ai pasqyron ndikimin në rritje të kërkimit shkencor, edukimit, politikave institucionale, angazhimit me komunitetin dhe përkushtimit të UBT-së ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

Continue Reading

Vendi

Ndalohet një person pas vdekjes së punëtorit në vendpunishten në Veternik

Published

on

Një punëtor ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim në lagjen Veternik të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksidenti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 10:30. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë atyre.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Prishtinës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person me inicialet Xh.Sh., nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarë okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Prokurori i çështjes pritet të shqyrtojë, brenda afatit ligjor, mundësinë e kërkimit të ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarit./A.K/

Continue Reading

Vendi

Paralajmërohet grevë e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë më 1 shtator

Published

on

Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës kanë paralajmëruar grevë më 1 shtator 2026, nëse deri më 31 gusht nuk u paguhen pagat për punën e kryer gjatë muajit korrik.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Sipas njoftimit të sindikatës, punëtorëve ende nuk u është realizuar pagesa për punën e kryer në muajin korrik.

“Pas diskutimit, të gjithë kryetarët e shoqatave u dakorduan që, nëse pagat e punëtorëve nuk janë në llogaritë e tyre bankare deri më 31.08.2026, nga data 1 shtator 2026 do të fillojë grevë e punëtorëve teknikë në shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Sindikata ka theksuar se kërkesa e punëtorëve është e qartë: “Puna e kryer duhet të paguhet.”/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa: “Ndihem në shtëpi kudo që është Callum”

Published

on

Dy muaj pas martesës me aktorin Callum Turner, Dua Lipa ka folur hapur për dashurinë, jetën e saj dhe kapitullin e ri personal, në një intervistë për Vogue Italia.

Në intervistën e publikuar më 24 gusht, këngëtarja tregon se dita e martesës ishte magjike dhe se ajo dhe Turner vendosën të ndiqnin vetëm dy këshilla: ta përjetonin ditën sikur të ishin edhe vetë të ftuar, me më pak ankth e më shumë argëtim, dhe të kërkonin vazhdimisht njëri-tjetrin mes të pranishmëve. Festimet u zhvilluan në Sicili, pas ceremonisë civile në Londër.

Dua Lipa ka treguar edhe për lidhjen e saj të veçantë me Italinë, ku thotë se gjen qetësi dhe mirëqenie. Për të, prania e bashkëshortit tashmë lidhet drejtpërdrejt me ndjenjën e shtëpisë.

“Ndihem në shtëpi kudo që është Callum”, është shprehur ajo.

Këngëtarja ka folur edhe për mënyrën se si ka ndryshuar këndvështrimi i saj ndaj dashurisë. Ndërsa në këngët e mëparshme shpesh trajtonte kërkimin e dashurisë, tash ajo dëshiron të eksplorojë se çfarë ndodh kur dashuria e vërtetë tashmë është gjetur.

“Tani dua të zbuloj çfarë ndodh kur e gjen vërtet dashurinë”, ka thënë Lipa, duke theksuar se e tërheqin më shumë kompleksitetet dhe detajet e vogla të një marrëdhënieje.

“Duhet të kem kujdes me atë që dëshiroj”

Lipa ka folur edhe për manifestimin, praktikë për të cilën ka treguar prej kohësh interes. Në “Training Season”, kënga e publikuar në fillim të vitit 2024, ajo këndonte për dëshirën për të gjetur dashurinë e vërtetë. Më vonë ajo konfirmoi lidhjen me Turner, ndërsa në vitin 2026 çifti u martua.

“Duhet të kem kujdes me atë që shpresoj, sepse pothuajse gjithmonë më realizohet”, ka thënë ajo.

Përtej karrierës, këngëtarja thotë se tash nuk e mat më suksesin vetëm me arritjet profesionale. Ajo dëshiron një jetë “full but not busy”, pra të pasur, por jo të mbushur me angazhime të pafundme.

Leximi mbetet një tjetër pjesë e rëndësishme e jetës së saj. Përmes Service95, ajo ka krijuar edhe një platformë ku kultura, udhëtimet, ushqimi dhe çështjet sociale ndërthuren me përmbajtje të ndryshme, ndërsa klubi i saj i leximit e ka afruar me autorë dhe lexues nga vende të ndryshme.

Nga Prishtina në Londër dhe në skenën botërore

Dua Lipa ka folur edhe për prejardhjen e saj dhe rrugëtimin drejt suksesit. E lindur në Londër nga prindër kosovarë, ajo u kthye me familjen në Prishtinë dhe më vonë u rikthye në Londër në moshën 15-vjeçare, me synimin për të ndjekur ëndrrën e saj muzikore.

Sot, pas një karriere ndërkombëtare dhe tash si e sapomartuar, Lipa thotë se është më pak perfeksioniste dhe më e gatshme ta pranojë paparashikueshmërinë e jetës.

“Me kalimin e kohës kam mësuar ta fal veten dhe të jem më e butë me veten”, ka thënë ajo.

Për Dua Lipën, kapitulli i ri duket se ka një temë të qartë: nga kërkimi i dashurisë te përjetimi i saj.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara