Lajmet

​G20 nis samitin në Bali me thirrjet për unitet

Thirrjet e vendit nikoqir ishin për unitet dhe për veprime konkrete në rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Published

on

Udhëheqësit e vendeve më të industrializuara në botë, të njohura si grupi G20, hapën të martën bisedimet në ishullin Bali të Indonezisë.

Thirrjet e vendit nikoqir ishin për unitet dhe për veprime konkrete në rimëkëmbjen e ekonomisë globale, shkruan REL.

“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, na nevojitet bashkëpunim për të shpëtuar botën”, tha presidenti indonezian, Joko Widodo, përpara se liderët e vendeve më të pasura të fillonin diskutimet me dyer të mbyllura.

“G20-ta duhet të jetë katalizator për rimëkëmbjen gjithëpërfshirëse ekonomike. Ne nuk duhet ta ndajmë botën në pjesë. Nuk duhet të lejojmë që bota të futet në një tjetër luftë të ftohtë”, tha Widodo.

G20-ta, e cila përfshin vende nga Brazili deri në Indi, Arabi Saudite dhe Gjermani, përbën më shumë se 80% të bruto prodhimit të brendshëm të botës, 75% të tregtisë ndërkombëtare dhe 60% të popullsisë.

Në samit pritet të merren hapa për të adresuar sigurinë ushqimore, të prekur nga pushtimi rus i Ukrainës, u tha gazetarëve një zyrtar amerikan.

Një shenjë pozitive në prag të samitit ishte takimi mes presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe udhëheqësit kinez, Xi Jinping, në të cilin dy liderët premtuan komunikime më të shpeshta, pavarësisht dallimeve të mëdha.

Takimi i së hënës ishte i pari sy më sy i tyre prej se Biden mori detyrën e presidentit në vitin 2021.

Lufta në Ukrainë dhe rritja globale e inflacionit, megjithatë, hodhën hije mbi samitin.

Kjo është hera e parë që G20-ta takohet prej se Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj në fund të shkurtit.

Pushtimi nxiti thirrjet e disa liderëve perëndimorë për bojkot të samitit dhe për tërheqjen e ftesës për presidentin rus, Vladimir Putin.

Indonezia rezistoi, duke refuzuar ta tërheqë ftesën e Putinit.

Kremlini tha se Putin është shumë i zënë për të marrë pjesë në samit dhe dërgoi ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, në vend të tij.

Sipas një postimi në Twitter të ambasadorit të BE-së në Indonezi, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua samitit përmes video-lidhjes.

Një komunikatë e përbashkët e G20-ës, e cila do të duhej të miratohej nga të gjitha palët, duket e pamundur, edhe pse presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se ka një marrëveshje midis zyrtarëve për tekstin e saj.

Sipas një drafti të parë nga agjencia e lajmeve Reuters, udhëheqësit e G20-ës do të dënojnë përdorimin ose çdo kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore.

Mbledhjet e ministrave të G20-ës kanë dështuar të prodhojnë komunikata të përbashkëta, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Rusisë dhe anëtarëve të tjerë për gjuhën që duhet përdorur, duke përfshirë edhe atë se si të përshkruhet lufta në Ukrainë.

Perëndimi e ka akuzuar Rusinë për deklarata të papërgjegjshme për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore. Rusia, nga ana e saj, ka akuzuar Perëndimin për retorikë bërthamore “provokuese”.

Lajmet

REL:12 aerodromet e braktisura të Kosovës

Published

on

By

Kosova, me 1.5 milion banorë, ka vetëm një aeroport ndërkombëtar të certifikuar që e lidh me botën: Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Pak e dinë se brenda territorit të saj fshihen edhe 12 fusha apo pista ajrore, të regjistruara si kategori e veçantë e aerodromeve në komuna të ndryshme.

Këto hapësira janë ndërtuar kryesisht mbi toka bujqësore dhe shtrihen në komunat: Drenas, Skenderaj, Rahovec, Malishevë, Prizren, Suharekë, Ferizaj, Gjilan, Istog, Podujevë dhe dy në Klinë.

Ato nuk janë aeroporte komerciale dhe zakonisht nuk pranojnë fluturime komerciale.

Edhe pse para luftës së viteve 1998/1999 kishin funksion të qartë bujqësor, si spërkatje e tokave, sot gjendja e tyre është krejt ndryshe: disa janë mbuluar nga mbeturinat, disa janë privatizuar, e disa përdoren nga auto-shkollat.

Karakteristikë e përbashkët e tyre është madhësia e pistës – zakonisht 450 metra gjatësi dhe 18 metra gjerësi.

Një dokument i publikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) në vitin 2015 konfirmon ekzistencën e këtyre fushave, por thekson se ato nuk kanë status formal regjistrimi apo autorizimi për operime ajrore, duke shërbyer vetëm për të pasqyruar gjendjen e tyre infrastrukturore.

Historiku i fushave ajrore

Fusha ajrore është një zonë e caktuar mbi tokë, e cila përdoret plotësisht apo pjesërisht për aterim, nisje dhe lëvizje të mjeteve ajrore.

Në Kosovë, këto fusha apo pista u ndërtuan në vitet ‘70 dhe ‘80 nga ish-ndërmarrja shoqërore “Agro-Kosova” për spërkatjen e tokave bujqësore.

Shtrirja e tyre ishte planifikuar për të mbuluar të gjitha rajonet e vendit.

Megjithatë, gjatë viteve ‘90, kur edhe nisën masat e dhunshme të regjimit të atëhershëm serb, aviacioni i përgjithshëm ndaloi zhvillimin në Kosovë, duke sjellë edhe degradimin gradual të këtyre hapësirave.

Pas përfundimit të luftës, më 1999, administrimi i këtyre hapësirave kaloi fillimisht tek Agjencia e atëhershme Kosovare e Mirëbesimit (AKM), e më pas tek Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Me ligj, AKP-ja është e autorizuar për administrim, shitje dhe transferim të ndërmarrjeve shoqërore.

Por, ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për numrin e fushave ajrore të privatizuara apo mënyrën e trajtimit të tyre.

Kush i menaxhon aerodromet?

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) është institucioni përgjegjës për certifikimin, aprovimin dhe regjistrimin e aerodromeve për shfrytëzim civil.

Aerodromet kategorizohen si të certifikuara, të aprovuara dhe të regjistruara, në varësi të natyrës së operimeve dhe shkallës së shfrytëzimit.

Arianit Islami, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të AAC-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se përdorimi dhe zhvillimi i këtyre hapësirave nuk është në kompetencë të drejtpërdrejtë të këtij institucioni, por se varet nga pronarët e tyre dhe operatorët potencialë.

“Roli i AAC-së është që, në rast të iniciativave për funksionalizimin e tyre për qëllime aeronautike, të sigurojë që çdo zhvillim dhe operim të jetë në përputhje me kërkesat rregullatore dhe standardet e sigurisë në fuqi”, thotë Islami.

Aktualisht, sipas tij, asnjë nga fushat ajrore të identifikuara nuk ka status të regjistruar, të aprovuar apo të certifikuar, prandaj nuk konsiderohen funksionale për operime ajrore civile.

Megjithatë, thekson se disa prej këtyre hapësirave mund të përdoren për aktivitete ajrore, pas vlerësimit nga inspektorët e institucionit dhe përmbushjes së kërkesave përkatëse rregullatore.

Gjendja e fushave ajrore komunë për komunë

Malishevë

Deri më tani, vetëm aerodromi i Malishevës është shfrytëzuar herë pas here për operime ajrore, pas përmbushjes së kërkesave të përcaktuara nga AAC-ja.

Më 14 qershor 2024, ky institucion regjistroi fushën e parë ajrore që gjendet në fshatin Banjë të kësaj komune.

Një ditë më pas, më 15 qershor, AAC-ja njoftoi në faqen e saj zyrtare se në këtë hapësirë janë realizuar fluturimet e para, me dy aeroplanë të huazuar dhe me përkrahjen e Aeroklubit Shkupi nga Maqedonia e Veriut.

Sipas AAC-së, ky aktivitet kishte për qëllim promovimin e aviacionit të përgjithshëm dhe rritjen e ndërgjegjësimit për funksionalizimin e fushave ajrore në Kosovë, si hapësira që mund të shfrytëzohen nga pilotët dhe entuziastët e aviacionit.

Drenas

Fusha ajrore në fshatin Korroticë, në komunën e Drenasit, ndodhet rreth 25 kilometra nga Prishtina dhe vetëm 10 kilometra vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Megjithatë, kjo pistë sot është pothuajse tërësisht e mbuluar me mbeturina dhe gurë të mëdhenj, duke e bërë të papërdorshme.

Gjendja e saj konfirmohet edhe nga Zyra për Informim e Komunës së Drenasit.

“Fusha është nën përgjegjësinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe aktualisht nuk shfrytëzohet për ndonjë aktivitet specifik”, thuhet në përgjigjen e komunës për Radion Evropa e Lirë.

Podujevë

Fusha ajrore në Dumosh të Podujevës është marrë në administrim nga institucionet qendrore të Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, për përdorim në funksione që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.

Kështu bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë Zyra për Informim e Komunës së Podujevës.

E, Ministria e Mbrojtjes nuk i dha sqarime REL-it lidhur me mënyrën konkrete të shfrytëzimit të kësaj hapësire apo institucionin që e përdor atë.

Suharekë

Pas përfundimit të luftës, në aerodromin e Suharekës u vendosën trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Pas largimit të tyre, disa vite më vonë, prona kaloi nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe më pas u privatizua.

“Aktualisht është pronë private dhe, sipas hartave zonale komunale, është e përcaktuar si zonë komerciale”, konfirmon Arta Gashi, nënkryetare e Komunës së Suharekës, për Radion Evropa e Lirë.

Skenderaj

Fusha ajrore në Skenderaj ndodhet 40 km larg qytetit të Prishtinës dhe vetëm 20 km vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Ndryshe nga fushat e tjera, zyrtarët e kësaj komune bëjnë të ditur se parcela është e regjistruar dhe pronë e Komunës së Skenderajt.

“Parcela ka sipërfaqe mbi 350 metra katrorë. Në bazë të evidencës zyrtare nuk ka ndonjë objekt të regjistruar apo bazë të funksionimit të fushës ajrore, edhe pse në gjendjen reale është e ndërtuar”, thotë Besjana Thaçi, zyrtare për informim në komunë, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas dokumentit të AAC-së nga viti 2015, kjo fushë ajrore “mund të bëhet funksionale me një investim minimal”. Hapësira është shumë e përshtatshme për aktivitete të aviacionit të përgjithshëm dhe në disa raste përdoret nga auto-shkollat lokale për trajnim të vozitësve fillestarë, thuhet në dokument.

Klinë

Në territorin e komunës së Klinës ekzistojnë dy hapësira të identifikuara si fusha ajrore: njëra në fshatin Jashanicë dhe tjetra në Krushevë.

Nikson Daka, drejtor i Kadastrës, Gjeodezisë dhe Pronësisë në këtë komunë, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto hapësira nuk janë në funksion të rregullt për operime ajrore civile apo komerciale dhe janë jashtë përdorimit aktiv.

“Të dyja këto hapësira kanë kaluar në menaxhim të AKP-së; njëra është privatizuar, ndërsa tjetra vazhdon të mbahet nën administrimin e kësaj agjencie”, thotë ai, duke shtuar se ato kanë nevojë për investime në infrastrukturë, mirëmbajtje dhe standarde sigurie.

Rahovec

Fusha ajrore në Rahovec ishte në pronësi të kompanisë NBI-Rahoveci, e cila më pas u privatizua.

Zyrtarë të komunës thanë për REL-in se “në periudhën e NBI-Rahovecit, kjo fushë shërbente si pistë për avionët bujqësorë dhe përdorej për spërkatjen e vreshtave. Pas privatizimit, ajo mbeti jashtë funksionit”.

Prizren

Në territorin e komunës së Prizrenit ka ekzistuar një ngastër kadastrale e destinuar si fushë ajrore për nevoja bujqësore të ndërmarrjes Progresi.

Komuna nuk ka asnjë kompetencë ligjore apo administrative mbi këtë tokë.

“Pas vitit 1999, tokat e Progresit kaluan në menaxhim të AKM-së, pastaj të AKP-së, dhe nuk kemi informata se çfarë ka ndodhur me këtë pronë bujqësore”, thonë nga Komuna e Prizrenit për Radion Evropa e Lirë.

Sipas dokumentit të AAC-së, fusha ajrore në këtë komunë është privatizuar dhe ndarë nëpër parcela të ndryshme – çka e bën identifikimin e saj praktikisht të pamundur.

Gjilan, Istog, Ferizaj

Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga zyrtarët e komunave të Gjilanit dhe Istogut për gjendjen e aerodromeve, ndërsa Komuna e Ferizajt konfirmoi se “nuk ka në menaxhim ndonjë hapësirë të tillë”.

Sipas AAC-së, vetëm 5 nga 12 fushat ajrore ishin në gjendje të mirë fizike dhe infrastrukturore një dekadë më parë.

Privatizimi i pistave ajrore – gabim strategjik

Ekspertët e aviacionit e konsiderojnë degradimin dhe privatizimin e këtyre hapësirave si gabim strategjik.

Eset Berisha, ish-drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, thotë se përmes një strategjie të qartë të aviacionit civil, disa pista nuk duhej të shiteshin, pasi ato mund të shfrytëzoheshin për qëllime të aviacionit dhe nevoja të tjera publike.

“Këto hapësira mund të shfrytëzoheshin, për shembull, për shkollimin e pilotëve dhe zhvillimin e kuadrove të reja në aviacion. Por, nëse është ndryshuar destinimi, shteti ka humbur kontrollin dhe mundësinë për t’i përdorur për këto qëllime”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ngjashëm vlerëson edhe Afrim Aziri, ish-drejtor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili thekson se mungesa e planifikimit afatgjatë, ka rezultuar me humbjen e potencialit të këtyre hapësirave për zhvillimin e aviacionit.

“Këto hapësira mund të shfrytëzoheshin për fluturime akrobatike dhe sportive, për hapjen e shkollave të fluturimit, ku kostoja e trajnimit të pilotëve të rinj do të ishte më e ulët, si dhe për trajnim dhe shkollim profesional për pilotimin e dronëve”, thotë Aziri për Radion Evropa e Lirë.

Islami i AAC-së thekson se zhvillimi i infrastrukturës së aviacionit civil, përfshirë aerodromet e vogla, është pjesë e politikave qeveritare dhe planifikimit institucional, e jo kompetencë e drejtpërdrejtë e AAC-së.

Sipas tij, AAC-ja mbështet zhvillimin e aviacionit civil, përfshirë atë sportiv, për sa kohë respektohet korniza ligjore në fuqi.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të REL-it nëse ka ndonjë strategji për aviacionin dhe cilat janë planet për të ardhmen e këtyre aerodromeve./REL/

Continue Reading

Lajmet

OKB paralajmëron se konflikti në Lindjen e Mesme paraqet rreziqe të mëdha globale

Published

on

By

Shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Volker Turk, ka paralajmëruar se lufta ka krijuar një situatë “jashtëzakonisht të rrezikshme dhe të paparashikueshme”.

“Ky konflikt ka një fuqi të paparë për të zënë në grackë vendet përtej kufijve dhe në të gjithë botën”, tha ai.

Turk tha se shtetet në Lindjen e Mesme ishin pranë një “katastrofe të plotë”, ndërsa luftimet po i afrohen muajit të fundit, duke vrarë më shumë se 2,000 njerëz në të gjithë rajonin dhe duke shkaktuar çrregullime të mëdha globale në tregjet e energjisë.

“E vetmja mënyrë e garantuar për ta parandaluar këtë është t’i jepet fund konfliktit, dhe unë i bëj thirrje të gjitha shteteve, dhe veçanërisht atyre me ndikim, të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për ta arritur këtë.” /Euronews/

Continue Reading

Lajmet

Shiten të gjitha biletat për tifozët shqiptarë për ndeshjen në Poloni

Published

on

By

Biletat e ndara për tifozët shqiptarë për ndeshjen Poloni – Shqipëri janë shitur të gjitha.

Këtë e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndeshja luhet të enjten mbrëma nga ora 20:45 dhe i takon gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Botëror.

“FSHF-ja falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Kombëtares në këtë përballje historike, duke i ftuar njëkohësisht të respektojnë dhe ndjekin të gjitha udhëzimet e përcaktuara nga Federata Polake”, shkruan në njoftim FSHF.

 

Continue Reading

Lajmet

Krusha e Madhe: 26 vite pritje, 26 vite qëndresë mbi hirin e krimeve serbe

Published

on

By

Sot mbushen plot 26 vite nga nisja e njërës prej masakrave më tronditëse të luftës së fundit në Kosovë, ajo e Krushës së Madhe, ku makineria vrastare serbe la gjurmë të pashlyeshme dhimbjeje dhe tmerri.

Më 25 mars të vitit 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat policore dhe ushtarake rrethuan fshatin dhe për tri ditë me radhë ushtruan terror dhe vrasje mbi popullatën civile të pambrojtur.

Gjatë kësaj periudhe të përgjakshme, u vranë dhe u masakruan mizorisht 241 banorë, në mesin e të cilëve shtatë fëmijë dhe pesë gra, ku njëra prej tyre ishte shtatzënë.

Nga ky ferr i vërtetë arritën të mbijetojnë me lëndime të rënda vetëm 25 persona, ndërsa fati i 64 të tjerëve vazhdon të mbetet i pazbardhur edhe sot e kësaj dite, duke e mbajtur hapur plagën e ankthit për familjarët që ende presin një përgjigje.

Ndonëse ngjarjet tragjike në Krushë të Madhe ishin pjesë qendrore e aktakuzës në Tribunalin e Hagës kundër Sllobodan Millosheviqit dhe krerëve të tjerë serbë, drejtësia për banorët ka mbetur në gjysmë të rrugës, pasi deri më tani asnjë proces gjyqësor nuk ka dënuar drejtpërdrejt ekzekutorët që kryen këto krime në terren.

Për këtë fshat të Rahovecit, i cili pas luftës u bë simbol botëror i qëndresës përmes forcës së grave të tij, dhimbja mbetet po aq e freskët sa në marsin e vitit 1999, ndërsa kërkesa për llogaridhënie dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve mbetet thirrja kryesore që ushton në çdo përvjetor mbi varret e martirëve.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara