Lajmet

​Eurodeputeti austriak kërkon konstruktivitet në dialog, liberalizimi i vizave është vonuar

Ai kritik u shpreh edhe ndaj Serbisë për mosvendosjen e sanksioneve karshi Rusisë, pas agresionit në Ukrainë.

Published

on

Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE–Kosovë ka mbajtur të premten sesionin e dytë të punës. Në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, u theksua nevoja për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi dhe liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

Eurodeputeti austriak në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl kërkoi nga palët konstruktivtet në dialog, derisa e vlerësoi pozitivisht rolin e ShBA-së në këtë proces. Ai kritik u shpreh edhe ndaj Serbisë për mosvendosjen e sanksioneve karshi Rusisë, pas agresionit në Ukrainë.

“Është e rëndësishme që BE-ja ta lehtësojë dialogun dhe ne mund të jemi konstruktivë, por kritikë për mënyrën se si zhvillohet ky dialog. Sigurisht që nuk duhet të nënvlerësojmë rolin pozitiv të Shteteve të Bashkuara dhe veçanërisht të Escobar-it tani në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ky është një ndryshim i madh me të kaluarën. Sot, përfaqësuesit e SHBA-ve theksojnë se dialogu do të lehtësohet nga BE-ja pasi që Kosova është qartazi vend evropian dhe po ashtu Serbia ndodhet në kontinentin evropian… Unë u habita se sa shpejt dhe sa qartë u rreshtua udhëheqja e Serbisë me kë, me agresorin, me Putinin, Rusinë. U habita vërtet, sinqerisht mendova, në rregull, ka disa tensione nga e kaluara dhe ka diçka për t’u zgjidhur midis Kosovës dhe Serbisë, Serbisë dhe pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor, Serbisë dhe pjesës tjetër të botës së lirë ndoshta, por që do të kishte një rreshtim si ky, unë u befasova vërtet, dhe jam i lumtur të përcjell dhe kujtoj se çdo javë, Parlamenti Evropian më 1 mars, në një seancë të posaçme plenare me rastin e fillimit të luftës së Putinit, Rusisë, votoi me një shumicë të madhe për një rezolutë, duke pasur si shqetësim të madh reagimin serb ndaj luftës”, tha ai.

Mandl përsëriti sërish kërkesën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kriteret janë plotësuar nga Republika e Kosovës. Parlamenti Evropian disa herë ka votuar me shumicë votash pro liberalizimit të vizave, dhe supozoj se edhe në Këshill, sigurisht që shumica ka një pikëpamje të qartë për gjërat, dhe është pro liberalizimit të vizave, por ne ende i kemi këto parime unanimiteti në këshill, që po bllokon Evropën. Po ashtu, liberalizimi i vizave për Kosovën për shkak të një numri të vogël të shteteve anëtare, dhe qartë shpresojmë që të mos përdoret si levë për Kosovën në dialog. Dhe dua të theksoj nga ky kuvend parlamentar e përbashkët te vendimmarrësit, apo në pushtetin ekzekutiv se nuk guxon të përdoret si levë, sepse është e padrejtë, dhe liberalizimi i vizave tashmë është i vonuar”, shtoi Mandl.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, tha se për pushtetin, marrëveshja përfundimtare është ajo që nuk e ndanë njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB.

“Për ne marrëveshje përfundimtare është ajo çka nuk e ndanë njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB. Pra një marrëveshje që e ka vetëm njohjen nga OKB ose vetëm nga Serbia mund të jetë një marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare. Andaj njohja nga Serbia, ulësja në OKB, njohja nga pesë vendet e BE-së dhe anëtarësimi në NATO paraqesin përkushtimin tonë strategjik ndaj Bashkimit Evropian dhe botës së lirë dhe zgjedhje të dilemës së sigurisë për Kosovën”, theksoi ai.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi u shpreh kritike karshi Qeverisë së Kosovës për mungesë të transparencës në dialog.

“Kuvendi dhe qytetarët e Kosovës ende nuk e dinë se cila është korniza e dialogut dhe cili është qëndrimi i kryeministrit Kurti karshi këtij procesi. Nisur nga fakti se shteti i Kosovës gjendet para një momentumi të rëndësishëm ku mund të arrihet një marrëveshje finale, ne si LDK kemi dhënë qëndrimin në përkrahje të procesit të dialogut. Megjithatë kjo mbështetje bazohet vetëm në garancitë që ky proces të mbështetet në këto parime kryesore. Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit dhe nuk duhet të cenohet karakteri unitar dhe rendi kushtetues i shtetit. Nga ana tjetër vlerësimi i LDK-së është se Qeveria e Kosovës po bënë gabim të madh që në emër të ligjshmërisë ka vendosur të përkeqësojë marrëdhëniet me aleatët tanë më të ngushtë”, deklaroi ajo.

Kurse, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri tha se fokusi i dialogut duhet të jetë marrëveshja finale.

“Fokusi i Bashkimit Evropian, Parlamentit Evropian duhet të jetë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë. Njëherë e përgjithmonë ky konflikt dhe dialog të përfundon. Dialogu i cili prodhon fotografi të bukura, nënshkrime pa vlerë, pa efekte në teren nuk i kontribuon qëllimit të dialogut”, nënvizoi ai.

Takimi i nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë ka filluar të enjten, derisa do t’i mbyll punimet sot.

Vendi

Studio Arte Dramatike në UBT

Published

on

By

Skena ka nevojë për zëra të rinj. Filmi ka nevojë për histori që nuk janë rrëfyer ende, ndërsa Media digjitale ka nevojë për krijues që dinë të mendojnë me imazh, fjalë dhe ritëm. Programi i Arteve DramatikeUBT është ndërtuar pikërisht për ata që duan të jenë ky zë  dhe të bëhen profesionistë të përgatitur, jo vetëm të talentuar.

Misioni i programit të Arteve Dramatike është të përgatis profesionistë krijues dhe kritikë, që kontribuojnë në zhvillimin kulturor në Kosovë dhe më gjerë. Kjo nënkupton një qasje që e ndërthur artin me mendimin kritik: studenti nuk mëson vetëm si të krijojë, por edhe çfarë kuptimi ka një vepër, si komunikon me publikun dhe çfarë përgjegjësie mbart ndaj shoqërisë ku lind.

Programi ofron njohuri të avancuara në teori dhe praktikë dramatike, duke e lidhur bazën teorike drejtpërdrejt me punën në sallë provash dhe në set. Në të njëjtën kohë, nxit zhvillimin e kapaciteteve krijuese origjinale në aktrim, regji dhe dramaturgji, duke inkurajuar gjuhën artistike personale të secilit student në vend të formulave të gatshme. Përgjegjësia etike dhe profesionale është pjesë e formimit, jo shtesë e tij.

Studentët mësojnë standarde të qarta në prodhimin artistik, në punën me ekipin dhe në raportin me publikun, sepse arti i mirë ndërtohet mbi besim dhe disiplinë. Krahas kësaj, programi pajis studentët me aftësi ndërdisiplinare që funksionojnë njëkohësisht për teatër, film dhe media digjitale. Kjo qasje e gjerë nuk është rastësore. Arti dramatik i sotëm nuk jeton më vetëm në një skenë: një aktor filmon serial dhe luan në teatër, një regjisor kalon nga shfaqja në përmbajtje digjitale, një dramaturg shkruan tekst skenik dhe skenar njëkohësisht. Programi është ndërtuar mbi këtë realitet, me punë ekipore dhe prodhime konkrete gjatë studimeve, sepse eksperienca fitohet duke krijuar, jo vetëm duke lexuar për krijimin.

Të diplomuarit dalin të përgatitur për një spektër të gjerë rrugëtimesh profesionale: aktorë në teatër, film dhe televizion, regjisorë të shfaqjeve skenike dhe projekteve audiovizive, dramaturgë dhe skenaristë, krijues përmbajtjeje për media digjitale, si edhe kritikë, studiues, pedagogë dhe menaxherë projektesh kulturore.

Ky program i drejtohet të gjithë atyre që kanë pasion për skenën dhe rrëfimin, që duan të zhvillojnë zërin e tyre artistik dhe të punojnë me disiplinë profesionale. Nuk kërkohet të jesh i përsosur, kërkohet të jesh i gatshëm për të punuar.

Nëse skena, kamera dhe rrëfimi i historive të tërheqin, ky program është vendi ku ky pasion kthehet në profesion. Në UBT do të gjesh mentorë, ekip dhe hapësirë për të provuar, për të gabuar dhe për të krijuar. Talenti e hap rrugën puna e ndërton karrierën. Apliko në programin e Arteve DramatikeUBT dhe fillo atje ku fillojnë historitë.

Continue Reading

Lajmet

Caktohet seanca për 53 të akuzuarit për krime lufte në Kosovë

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar ndaj 53 personave të akuzuar për veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”.

“Departamenti Special, njofton opinionin publik se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PS.nr.66/2023, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës – PPS.nr.60/2010 të datës 23.12.2024, kundër të pandehurve Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikolla Miqunoviq, Millovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Verolub Zhivkoviq, Millan Kotur, Radomir Çoliq, Danillo Zeçeviq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq, Momçillo Stanojeviq, Vllatko Vukoviq, Ilija Todorov, Stevo Kaponja, Dragan Zhivanoviq, Millosh Gjoshаn, Predrag Stojanoviq, Dimitrije Rashoviq, Millosh Shqepanoviq, Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Millutin Novakoviq, Sokol Abazi, Novica Stankoviq, Misho Popoviq, Millan Noviqeviq, Nenad Rajiçeviq, Muharrem Ibraj, Millan Slavkoviq, Dragan Isailloviq, Sasha Antiq, Zllatko Odak, Savo Llekiq, Dragan Raciq, Milladin Novakoviq, Dragan Pekoviq, Njegosh Prashçeviq, Zoran Mirkoviq, Dushan Prashçeviq, Ranko Vukadinoviq, Momçillo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajlloviq, Mirash Gegoviq, Aleksandar Miqunoviq, Llazar Drashkoviq, Mihill Abazi, Momçillo Novakoviq, Marko Abramoviq, Smajl Beqiri, Momçillo Pantiq dhe Predrag Miqunoviq”.

Sipas njoftimit të gjykatës, aktakuza është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 23 dhjetor 2024.

Gjykata njofton se, me propozim të Prokurorisë Speciale, procedura gjyqësore do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

Përmes njoftimit publik, gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.

Po ashtu, gjykata ka kërkuar nga të gjithë personat që kanë informacione relevante për vendndodhjen e të akuzuarve që këto të dhëna t’ua përcjellin Policisë së Kosovës ose organeve të tjera kompetente.

Seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar të mbahet më 15 shtator 2026, në ora 09:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë në Hajvali, Objekti D.

Seancën do ta udhëheqë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra./E.O/A.K/

Continue Reading

Vendi

Sveçla pret në takim shefin e ri të EULEX-it, e falënderon për ndihmën në gërmimet në Zubin-Potok

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur sot në një takim njoftues shefin e ri të misionit EULEX në Kosovë, Antero Lopes, të cilin e ka uruar për marrjen e detyrës së re.

Përmes një njoftimi zyrtar, bëhet e ditur se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh mes institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Me këtë rast, ministri Sveçla ka shprehur mirënjohje të veçantë për mbështetjen teknike dhe profesionale që ky mision ka dhënë gjatë gërmimeve të fundit në varrezat masive në Zubin-Potok.

“Ministri Sveçla falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Ministri Sveçla shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e dhënë gjatë gërmimeve të zhvilluara në varrezat masive në Zubin-Potok,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ky takim vjen vetëm një ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri me dije se mbetjet mortore të gjetura në tri lokacione në Zubin-Potok dyshohet se u përkasin së paku 23 personave, numër ky që përkon me të ashtuquajturin “grupi i intelektualëve”. Procesi i identifikimit të mbetjeve mortore tashmë ka nisur dhe sipas autoriteteve pritet të zgjasë disa muaj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova e varur nga mishi brazilian, ndërsa BE-ja vendos kufizime

Published

on

By

Mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule nga Brazili ka importuar Kosova vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti.

Brazili është furnizuesi më i madh i Kosovës me këto produkte, por nga 3 shtatori një pjesë e eksporteve të tij me origjinë shtazore do të përballet me kufizime në Bashkimin Evropian.

Arsyeja lidhet me rregullat e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që përfundojnë në zinxhirin ushqimor.

Shqipëria ka njoftuar se do të zbatojë masa të ngjashme nga e njëjta datë.

Kosova, deri më tani, nuk ka njoftuar për ndonjë masë, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e mishit që importon, vjen pikërisht nga ky shtet i Amerikës Jugore.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në korrik të vitit 2026, vlera e mishit të gjedhit dhe të pulës të importuar nga Brazili ka kaluar 50 milionë euro.

Për krahasim, importet e këtyre dy llojeve të mishit nga të gjitha shtetet e tjera së bashku kanë arritur në mbi 65 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë.

Në këto shifra nuk përfshihen kafshët e gjalla që importohen për therje dhe as produktet e përpunuara të mishit të gjedhit dhe të pulës.

 

Pse BE-ja po vendos kufizime?

Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore që importohen nga vendet e treta nuk duhet të vijnë nga kafshë të trajtuara me produkte antimikrobiale për nxitjen e rritjes ose rritjen e prodhimit.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për Radion Evropa e Lirë se, nga 3 shtatori 2026, të gjitha kafshët dhe produktet me origjinë shtazore për konsum njerëzor që eksportohen drejt BE-së, duhet t’i përmbushin këto kërkesa.

“Brazili u përjashtua nga lista e vendeve të autorizuara, sepse nuk kishte vendosur masat e nevojshme për t’i dhënë BE-së garanci se rregullat për përdorimin e antimikrobikëve janë respektuar gjatë gjithë ciklit jetësor të kafshëve”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.

Antimikrobikët janë substanca që përdoren për të luftuar mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje.

Në këtë grup bëjnë pjesë edhe antibiotikët.

Mish pule i importuar nga Brazili shihet në një dyqan në Prishtinë, Kosovë, 24 gusht 2026.

Profesori i sigurisë ushqimore në Universitetin e Prishtinës, Sali Salihu, thotë se përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve në blegtori mund të favorizojë krijimin e baktereve rezistente, të cilat mund të kalojnë te njerëzit edhe përmes zinxhirit ushqimor.

“Kur bakteret bëhen rezistente ndaj antibiotikëve, trajtimi i infeksioneve te njerëzit bëhet shumë më i vështirë dhe sëmundja mund të zgjasë më shumë”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë arsye, ai vlerëson se edhe Kosova duhet t’i shqyrtojë masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian, sidomos për shkak të varësisë së madhe nga importet braziliane.

“Kosova duhet t’i harmonizojë edhe ligjet, edhe vendimet me BE-në”, thotë ai.

 

A duhet Kosova ta ndjekë BE-në?

Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.

Komisioni Evropian sqaron se masa për importet zbatohet për shtetet anëtare të BE-së.

“Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, vendet kandidate do të duhet të harmonizojnë plotësisht legjislacionin e tyre me kërkesat e BE-së deri në momentin e anëtarësimit”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.

Ministria e Bujqësisë e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse po shqyrton masa të ngjashme ndaj importeve nga Brazili.

Çfarë do të ndodhte nëse kufizohen importet?

Çdo kufizim eventual ndaj mishit brazilian do të prekte një treg që tashmë varet në masë të madhe nga importet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi vendor i mishit mbulon vetëm 34.2 për qind të nevojave për konsum, ndërsa konsumi vjetor i mishit është rreth 35.7 kilogramë për banor.

Mishi i importuar nga Brazili gjendet në markete dhe mishtore, por, sipas Salihut, përdoret veçanërisht në sektorin e gastronomisë, ndër të tjera për shkak të çmimit më të ulët.

 

A mund të jetë kjo një mundësi për prodhimin vendor?

Salihu thotë se mungesa e mishit të importuar nga Brazili mund të shfrytëzohet si mundësi për të rritur prodhimin vendor.

Sipas tij, për këtë nevojitet rritja e fondit blegtoral dhe mbështetja më e madhe e fermerëve.

“Fermerët duhet të investojnë në këtë sektor. Është në interesin e tyre që ky sektor të bëhet i rëndësishëm, sepse kërkesa në treg po rritet. Por, pastaj, edhe shteti duhet ta rrisë fondin blegtoral”, thotë Salihu.

Kosova i mbështet fermerët përmes subvencioneve dhe granteve investuese.

Sipas Raportit të Gjelbër, në vitin 2024, buxheti për Programin e Pagesave Direkte ishte mbi 66 milionë euro.

Në kuadër të skemave për blegtorinë, për lopët qumështore janë ndarë 90 euro për një në vit, për therjen e raportuar të gjedheve 50 euro për një dhe për viçat 25 euro për një.

Megjithatë, fondi blegtoral nuk ka shënuar rritje të qëndrueshme.

Në vitin 2025, Kosova kishte 241.423 gjedhe – rreth 20 mijë më pak se në vitin 2020.

Për Salihun, pikërisht këtu duhet kërkuar një pjesë e zgjidhjes për varësinë nga importet.

“Çdo fermer që do të shtojë numrin e viçave, qoftë për mish apo për qumësht, mund të ketë interes ekonomik. Kushtet janë, vetëm nevojitet interesimi dhe efektet do të jenë zinxhirore: fiton fermeri, ekonomia, por edhe qytetarët ushqehen me mish cilësor dhe të sigurt”, përfundon Salihu. /REL/

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara