Lajmet

​Edhe pas tetorit, mamografia në Prishtinë vazhdon të jetë falas

Sadiku në një intervistë tha se terminet janë të plotësuara deri në vitin e ardhshëm.

Published

on

Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për të bërë mamografi, ky shërbim do të jetë falas edhe pas muajit tetor.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Izet Sadiku në një intervistë tha se terminet janë të plotësuara deri në vitin e ardhshëm.

Sipas tij, në muajin tetor janë kryer 419 mamografi në kryeqytet, ndërsa është dyfishuar interesimi i grave për mamografi dhe deri në muajin shkurt janë terminet e rezervuara.

“Njëra prej aktiviteteve kryesore ka qenë mamografia falas për të gjithë qytetaret që janë të interesuar të bëjnë këtë dhe kjo sigurisht ka rritur interesimin e qytetareve për mamografi dhe për 21 ditë të tetorit kemi pasur 419 mamografi, që i bie mesatarisht rreth 20 mamografi në dite, që është diku dyfishim apo qind për qind numri më i madh se sa muajve të tjerë. Kemi kërkesë shumë të madhe për mamografi dhe realisht deri në muajin shkurt janë terminet e rezervuara për shkak kërkesave të mëdha që kemi pasur dhe veçanta e këtij aktiviteti, përveç ligjëratave të ndryshme me studentë e pjesëtarët e policisë, Forcave të Sigurisë së Kosovës, kemi mbajtur ligjërata në xhami, katedrale dhe një aktivitet i veçantë që është mbajtur në këtë vit ka qenë Prishtina Rose”, tregoi ai.

Gjithashtu ai tha se Prishtina përveç dy mamografive që ka, do ta ketë së shpejti edhe një mamograf të ri. Gjithashtu ai tha se vetëm një për qind e atyre që kanë bërë mamografi kanë qenë të dyshimta.

“Ne kemi dy mamografë në Prishtinë dhe keni një aparaturë të blerë, e cila besoj që shumë shpejt do të vijë në Prishtinë. Kjo do të thotë që do të jetë mamografi i tretë. Dy mamografitë që i kemi tani në dispozicion në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, do të jetë në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në Dardani dhe do ta kemi shumë shpejt gjatë këtij viti një mamograf të ri dhe do të kemi tri mamografi në fillim vitit të ardhshëm… Vetëm një për qind e atyre që kanë bërë mamografi kanë qenë të dyshimta, e cila pastaj udhëzohen për ekzaminime më të sofistikuara me qëllim që të konstatohet se a ka të bëjë me ndonjë problem tjetër apo ka të bëjë me sëmundje malinje të gjirit..”, tha ai

Sadiku thotë se qëllimi i këtij vendimi ka qenë krijimi i mundësive për gratë që nuk kanë para për ta bërë mamografinë, në mënyrë të zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Si rezultat i kësaj, Sadiku thotë se vetëm gjatë këtij muaji numri i mamografive të bëra është rritur dyfish, krahasuar me muajt e kaluar.

“E vetmja armë që kemi sot kundër kancerit të gjirit është zbulimi i hershëm, i cili nënkupton shpëtim jete. Prandaj për të zbuluar herët do të duhej që gratë mbi moshën 40-vjeç çdo vit duhet të bëjnë një mamografi. Ne kemi krijuar këtë mundësi kemi dashur, përveç sensibilizimit dhe debatit që mund të bëjmë që me heq dhe mundësinë e pagesën, e cila çdo grua e cila mendon ta bëjë mamografinë mos ta këtë si barrë çështjen e pagesës. Është i rritur, në krahasim me muajt që i kemi pasur, prej janarit deri më tani sepse mamografia bëhet vazhdimisht, është dyfishuar numri i mamografisë. Kjo tregon që sensibilizimi është bërë përmes debateve, tryezave, mjeteve të informimit që qytetarët me u vetëdijesuar për nevojën e bërjes së mamografisë”, ka thënë Sadiku.

Përgjegjësi i Radiologjisë, Hamit Sahiti thotë se ka rritje të dukshme të interesimit të grave për ekzaminim.

“Vendimi i kryetarit (Përparim) Rama për vitin e ardhshëm pa pagesë të ekzaminimit të gjirit, është mirëpritur nga gjinia femërore… Numri është rritur. Terminet janë të caktuar deri në pjesën e parë të muajit shkurt. Si arsyeshmëri e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit që ka qenë muaji rozë, por është edhe vendimi i kryetarit të jetë pa pagesë… Këto sende zakonisht shkojnë me dyshime dhe preferohet të shkohet te patologu, merret biopsia, e cila është fjala e fundit e diagnostikimit të saktë, përndryshe ka pasur raste. Kemi dërguar statistika të numrit të gjithëve diagnostikimit se sa janë të dyshuar për procesin ekspansiv të gjirit”, ka thënë Sahiti.

Qytetarja Shukrie Ruhani mirëpret vendimin e kryetarit të Prishtinës që mamografia e gjirit të bëhet pa pagesë.

“Vendimi i kryetarit Përparim Rama është i duhur dhe shpresoj të qëndrojë kështu. Nuk e kam bërë, por do të shkoj ta bëjë… Normal se tani sipas kushteve në Kosovë si janë duhet të shkojmë pa pagesë të gjithë… Shpresoj që do të ketë më pak raste. Në familjen tonë fatmirësisht nuk kam pasur asnjë rast, shpresoj që kurrë mos të kemi. Shpresoj që as femrat e tjera të mos të kenë kësi lloj rasti. Sigurisht që zbulohet kjo sëmundje më herët dhe kanë shërim më të shpejtë”, u shpreh ajo.

Ndryshe, kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka marrë vendim që mamografia e gjirit të jetë falas deri në një vendim të radhës. Shërbimi i mamografisë ofrohet falas në dy qendra të mjekësisë familjare QKMF (Qafa) – në Njësinë e Radiologjisë dhe QMF 5 – Dardani/Ulpianë.

Vendi

Serwer: Vuçiqi po pret mundësinë për ta marrë veriun e Kosovës

Published

on

By

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka paralajmëruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po pret një moment të favorshëm gjeopolitik për të avancuar synimet e tij ndaj Kosovës.

Në një intervistë në “A2 CNN”, Serwer ka thënë se është e qartë se Serbia po synon të paktën veriun e Kosovës, duke pritur rrethana më të favorshme ndërkombëtare.

“Është e qartë se Serbia nën Vuçiqin po pret për një mundësi gjeopolitike në të cilën mund të marrë të paktën veriun e Kosovës, sepse nuk ka interes për pjesën tjetër të territorit, pasi do të përballej me një luftë guerile që do të ishte shkatërruese për Serbinë”, u shpreh ai.

Serwer foli edhe për praninë ushtarake amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se në të ardhmen mund të ketë reduktim të trupave amerikane. Sipas tij, Kosova duhet të përgatitet për një skenar të tillë dhe të forcojë partneritetet e saj strategjike.

Ai sugjeroi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mund të luajë një rol më të madh në garantimin e sigurisë së Kosovës, duke shtuar praninë e saj ushtarake në vend nëse paraqitet nevoja.

“Do të doja të shihja më shumë trupa amerikane në Kosovë dhe të qëndronin aty, por nuk do të habitesha nëse do të kishte ndonjë tërheqje. Kosova duhet të mësohet edhe me këtë mundësi”, ka thënë ai.

Sipas Serwerit, prioritet strategjik për Kosovën duhet të mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, pasi integrimi në aleancën veriatlantike do të zgjidhte shumë nga sfidat e sigurisë me të cilat përballet vendi.

Megjithatë, ai theksoi se procesi i anëtarësimit mund të vështirësohet nga mungesa e një qeverie të qëndrueshme, duke shtuar se bota nuk do të presë pafundësisht derisa Kosova të kapërcejë ngërçin politik.

“Kosova duhet të lobojë që të hyjë në NATO sa më shpejt, si një shtet me ushtri të mirëkualifikuar. Por është e vështirë të imagjinohet që NATO të pranojë një anëtar të ri pa një qeveri të qëndrueshme”, përfundoi Serwer.

Continue Reading

Vendi

Filharmonia e Kosovës organizon koncerte edukative për nxënësit e shkollave fillore

Published

on

Filharmonia e Kosovës do të sjellë dy koncerte edukative për nxënësit e shkollave fillore në kuadër të programit “Arti në shkolla”, me qëllim afrimin e fëmijëve me muzikën klasike dhe instrumentet muzikore.

Koncertet do të mbahen në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe do t’i dedikohen publikut të ri.

Më 4 qershor 2026, duke filluar nga ora 13:30, Kuinteti Frymor i Filharmonisë së Kosovës do të interpretojë veprën e njohur “Pjetri dhe Ujku” të Sergei Prokofiev, të aranzhuar nga David Sale. Në këtë koncert do të performojnë Zanë Abazi në flaut, Xhovana Marku në obo, Shkumbin Bajraktari në klarinetë, Meriton Ferizi në fagot dhe Ilir Kodhima në korno.

Një ditë më vonë, më 5 qershor, në të njëjtën orë dhe vend, do të prezantohet koncerti “Dialog”, me vepra të kompozitorëve David Hartzell, James Curnow, Robert Clérisse, Leroy Ostransky dhe Thomas Simaku. Në këtë mbrëmje do të interpretojnë Betim Krasniqi në trombon dhe Misbah Kaçamaku në piano.

Përmes këtyre aktiviteteve, Filharmonia e Kosovës synon të nxisë interesimin e fëmijëve për muzikën artistike dhe t’u ofrojë atyre një përvojë të afërt me botën e instrumenteve dhe interpretimit muzikor.

Continue Reading

Vendi

25 aksidente me të lënduar dhe mbi 2 mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka bërë të ditur statistikat e përgjithshme për 24 orët e fundit, sipas të cilave nuk është regjistruar asnjë aksident trafiku me fatalitet.

Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 25 aksidente trafiku me persona të lënduar, ndërsa 39 aksidente të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Po ashtu, Policia ka shqiptuar 2,225 tiketa trafiku për shkelje të rregullave në komunikacion.

Në kuadër të aktiviteteve policore, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 17 persona për vepra dhe raste të ndryshme.

Continue Reading

Lajmet

Baleti Kombëtar i Kosovës hap Festivalin e Baletit Klasik dhe Modern në Shkup me “Carmina Burana”

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës do të jetë pjesë e Festivalit të Baletit Klasik dhe Modern në Shkup, ku është ftuar të hapë edicionin e sivjetmë me shfaqjen “Carmina Burana”, me koreografi të Toni Candeloros.

Shfaqja do të mbahet më 6 qershor 2026, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar në Shkup, duke shënuar një tjetër prezantim ndërkombëtar të trupës së baletit kosovar.

Nga Baleti Kombëtar i Kosovës kanë bërë të ditur se pjesëmarrja në këtë festival përbën një nder të veçantë dhe një mundësi të rëndësishme për të kontribuar në shkëmbimin kulturor dhe artistik në rajon. Sipas tyre, ky aktivitet shërben gjithashtu për të frymëzuar gjeneratat e reja të baletit dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet artistëve.

Në njoftim thuhet se programi i festivalit i kushton vëmendje të veçantë edhe promovimit të artistëve të rinj, duke u ofruar atyre mundësinë të ndajnë përvojat skenike me publikun dhe profesionistët e fushës.

Pjesëmarrja e Baletit Kombëtar të Kosovës në këtë festival vjen si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për promovimin e artit skenik dhe prezantimin e vlerave artistike të vendit në skenat rajonale dhe ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara