Lajmet

​Dorëzohen mbi 100 padi për vrasjet dhe masakrat e kryera në Gjakovë

Vrasjet dhe masakrat kanë ndodhur në territorin e Gjakovës.

Published

on

Shoqata për Krimet e Luftës Gjakova ’98 -‘99 sot kanë dorëzuar kontingjentin e 16-të të kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 100 padi janë bërë për shkak të vrasjeve dhe masakrave që kanë ndodhur në territorin e komunës së Gjakovës.

Koordinatorja e kësaj shoqate, Liridona Binakaj deklaroi tani e tutje do të merren me përgatitjen e padive që kanë të bëjnë me personat e zhdukur me forcë, me torturat, por edhe me dëmet materiale që janë shkaktuar si pasojë e luftës.

“Konkretisht sot janë dorëzuar mbi 100 padi të cilat kanë të bëjnë me kallëzime penale për vrasjet dhe masakrat që janë kryer në luftën e fundit nga forcat serbe në Gjakovë. Puna jonë nuk do të thotë që do të mbarojë me kaq, këtu ka përfunduar pjesa e kallëzimeve penale që ka të bëjë me masakra dhe vrasjet. Ndërsa, tash e tutje ne do të merremi me kallëzime të tjera penale, me kallëzimet të cilat kanë të bëjnë me pengjet e luftës që janë marrë, me torturat e po ashtu edhe me dëmet materiale që janë shkaktuar në luftën e fundit në Komunën e Gjakovës”, tha ajo.

Ajo ka thënë se paditë me krimet e realizuara janë të dokumentuara me fotografi ndërsa ka edhe emra të autorëve të këtyre masakrave, por që nuk kanë dashur t’i bëjnë publike.

“Janë të gjitha padi të cilat kanë edhe të dokumentuara edhe fotografitë të cilat i ka edhe shoqata, dhe të gjitha janë të dokumentuara, dmth. krimet që janë realizuar. Ato masakrat të fëmijeve, pleqeve, nënave, motrave dhe familjareve”, tha ajo.

Drejtuesja e kësaj shoqate, Shkëndije Hoda, tha fakti se prokurorët kanë qenë në dy vende ku janë krye dy masakra të mëdha në Gjakovë, si fshati Mejë si dhe te Ura e Taliqit, dëshmon se ka këto kallëzime penale po sjellin lëvizje pozitive. Ajo tha se deri tani kanë identifikuar mbi 7300 pjesëmarrës në vrasjet dhe masakrat e kryera, të cilët janë mercenarë e të formacioneve të ndryshme ushtarako-policore serbe që kanë operuar në komunën e Gjakovës.

Po ashtu, prej fillimit të vitit 2018 nga kjo shoqatë thonë se kanë identifikuar tri raste të dhunimeve seksuale, dy prej të cilave kanë shkuar në prokurori, ndërsa një është paraqitur në polici.

“Fakti që prokurorja e ka vizituar Mejën dhe Urën e Taliqit, kjo tregon që ka diçka pozitive. Ata e kanë vizituar këto vende para dy jave dhe i kanë shpallur si zona të krimit. Në besojmë që shumë shpejtë do të marrim informacione, qoftë nga prokuroria dhe policia. Do të jeni të bindur që është duke u punuar shumë rreth kësaj pune… Kemi një shifër marramendëse që kemi gjet dokumentacionin me listat e pjesëmarrësve (si kryerës të krimeve) , si mercenarë, si të rregullt, formacioneve të ndryshme, brigadave të ndryshme që kanë operuar në Komunën e Gjakovës. Tani kemi identifikuar mbi 7300 pjesëmarrës në luftën e Komunës së Gjakovës, po vazhdohet ende sepse janë lista të gjata dhe po duhet të kemi kujdes mos të përsëriten emrat e krimineleve”, tha ajo.

Sipas të dhënave të autoriteteve lokale, në komunën e Gjakovës me 70 fshatra të djegura u dogjën 6200 shtëpi banimi dhe objekte të tjera përcjellëse, 47 objekte kulturore historike e fetare, 18 objekte shëndetësore, 23 shkolla dhe 80 përqind e infrastrukturës. Gjatë luftës ranë 180 dëshmorë, 609 të zhdukur, 645 viktima civile dhe 324 të burgosur. Pas luftës u dënuan nga regjimi i Millosheviqit 154 civilë të pafajshëm me 1632 vjet burg.

Lajmet

Djemtë e ish-krerëve të UÇK-së vizitojnë familjen e Afrim Bunjakut

Published

on

Endrit Thaçi, Klestor Veseli dhe Altin Krasniqi, djemtë e ish-krerëve të UÇK-së, kanë vizituar sot familjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në përvjetorin e rënies së tij.

Vizita është zhvilluar në shenjë respekti dhe solidariteti me familjen Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë.

Gjatë vizitës, ata kanë shprehur respekt për figurën dhe sakrificën e Bunjakut, duke qëndruar pranë familjes së tij në këtë ditë përkujtimi.

Afrim Bunjaku humbi jetën në krye të detyrës gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Donjeta Sadiku siguron medalje në Evropianin e boksit

Published

on

Donjeta Sadiku është ndalur në gjysmëfinale të Evropianit të boksit amator, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, por ka siguruar medaljen e bronztë.

Boksierja kosovare, në kategorinë deri në 60 kilogramë, u mposht 4:1 nga serbja Kristina Kuluhova.

Kuluhovën, Sadiku e kishte mposhtur në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, por këtë herë fitorja i takoi boksieres serbe.

Sadiku e kishte siguruar medaljen pas fitores në çerekfinale ndaj holandezes Maud van der Toorn./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zulfaj në Bundestag kërkon mbështetje për avancimin e Kosovës drejt BE-së

Published

on

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar takim me anëtarë të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman.

Në takim morën pjesë kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së, Dr. Anton Hofreiter, zëvendëskryetari i Komisionit, Johannes Schraps, dhe deputeti Peter Beyer. Zulfaj shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Sipas njoftimit, Zulfaj i ka falënderuar deputetët gjermanë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar rolin e saj në çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e vendit.

Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Zulfaj ka kërkuar mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Ai ka theksuar se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit, Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kërkesa për avancimin e këtij procesi është përsëritur nga Zulfaj edhe në takime të mëparshme me përfaqësues evropianë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për reformat demokratike dhe ekonomike, sundimin e ligjit, procesin e integrimit evropian dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

Zulfaj ka kërkuar gjithashtu angazhim më të madh të parlamentarëve gjermanë në komunikimin me homologët e tyre në vendet e tjera anëtare të BE-së, me qëllim të mbështetjes së avancimit të aplikimit të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Kosova s’duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt BE-së

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Ai ka thënë se një vendim i tillë do të ishte përgjigje ndaj përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik.

Kryeministri ka kritikuar edhe vonesën në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, duke thënë se kjo mund të inkurajojë, sipas tij, aktorët destabilizues në rajon.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti ka akuzuar Serbinë për mbrojtjen e personave të dyshuar apo dënuar për krime lufte, si dhe për mohimin e krimeve dhe mungesën e bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka përmendur gjithashtu situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e akuzuar Serbinë për shkelje të të drejtave të tyre./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara