Kulturë

​Dhimbja e familjarëve të të pagjeturve përmes fotografive

Published

on

Për 23 vjet radhazi, sytë e saj rrallë janë tharë nga lotët. E lodhur nga mosha e mërzia, ajo mezi ec e qëndron në këmbë. Hasime Doqi nga Klina, çdo ditë pret një lajm për djalin e saj dhe kujton amanetin që ia ka lënë ditën e 6 majit. “Para çdo feste po mërzitem shumë, shpirti po më dhemb se nuk e di ku e kam djalin”, është fjalia që shoqëron fotografinë bardh e zi.

Nënë Hasimja është pjesë e 35 fotografive të familjarëve të personave të zhdukur që janë ekspozuar në “Sheshin Skënderbeu” në Prishtinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me organizim të Kryqit të Kuq.

Mes lotëve, ajo rrëfen për ditën kur pa e dëgjoi fjalët e fundit të djalit të saj, i cili e la siç thotë ajo me pasoja të mëdha.

“Djalit, eshtrat nuk po ia gjejmë askund. Djali i djalit 14 muajsh edhe ai, vdiq vëllai 47 vjet… Rrafsh që 1 muaj ditë, sytë e mi nuk janë ter asnjëherë vetëm duke qarë… Kur po vijnë këto ditë nuk po mundem të qëndrojë. Me 6 maj që ma kanë marrë në Dobërdol, edhe fjalën e fundit ma ka thënë ‘nëna jem këtë çikë amanet po ta lë’. I thash ani djali jem se kurban i çikës bëhem, por dashtë Zoti nuk ju gjen asgjë. Por, i kam dëgjuar krismat, kam qenë ulur dhe thash djemtë na i vranë. Po tash po rroj me pasoja të mëdha”, tregon e moshuara mes lotëve.

Përveç dhimbjes, ajo flet me indinjatë edhe për atë që kanë bërë institucionet për të dhe shumë familjarë të tjerë nga Kosova.

“Jo, nuk kanë punuar si duhet. Asnjë absolut, kanë punuar për karriget e veta, për neve nuk kanë punuar asgjë. Nëse kishin punuar në fillim, kështu nuk do të zgjatej. Por, nuk kanë punuar dhe na kanë hedhur kështu si ‘mishin e domit’. S’po i intereson askujt për neve edhe po duhet me u përmbajt siç mundemi”, shton ajo.

Të pakënaqur po shprehen edhe familjarë të tjerë, ku Bajram Çerkinaj nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur thekson se kjo çështje ka stagnuar tërësisht.

“Kemi pritur 30 gushtin që të mos jetë kaq punë e stagnuar apo të thuhet bash e ndalur, sikur edhe vitet e tjera ku kemi pasur një numër të madh të pagjeturve dhe sot ku kemi 1617 të pagjetur. Çka ka ndodhë brenda këtij 30 gushtit, unë të them se ky 30 gusht, unë mendoj se nuk është ka e lëshon politika duke e lëshuar të shkojë përpara për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ne nuk kemi tjetër kërkesë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve duhet të kyçen të gjithë ata njerëz që janë humanë. Edhe politika është pak më e gjerë dhe të kryejë të tjera punë. Kemi pasur shumë takime, mendimi i familjarëve është që politika të qëndrojë larg kësaj çështje që është një ankth plot 23 vjet”, deklaron ai.

Derisa sheh fotografitë e ekspozuara të familjarëve të personave të zhdukur, ai thekson se të gjitha këto tregojnë dhimbjen. Ai kërkon nga institucionet që të punohet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe politika të qëndrojë larg.

“Mjerisht politika e Brukselit i përfshin të gjithë këta, edhe serbët edhe shqiptarët. Edhe Beogradi edhe Prishtina. Nuk bën grupi punues të jetë i stagnuar plot që 15 muaj nuk ka pasur takim. Pse? Se politika nuk po i len të punojë në pjesën humane, por i ka shti në ombrellën politike dhe nuk i lëshon të punojë dhe të paktën t’i kthehet një asht familjarëve”, shton ai.

Koordinatorja e programit të personave të pagjetur në kuadër të Kryqit të Kuq, Adelinë Syla shprehet se është e dhimbshme se akoma mbi 1 mijë e 600 persona figurojnë të zhdukur. Sipas saj, familjarët janë gjithmonë në pritje e ankth.

“Qëllimi kryesor i kësaj ekspozite është sensibilizimi me familjarët e personave të zhdukur, përmes fotografive që i kemi realizuar. Siç e shihni fotografitë janë bardh e zi dhe anash fotografive janë thëniet, të cilat i kanë thënë familjarët e personave të zhdukur, gjatë vizitave që i kemi bërë ne si Kryq i Kuq i Kosovës… Jemi munduar që të përfshijmë të gjitha komunat me familjarët që kanë pranuar të jenë pjesë e ekspozitës. Janë gjithsejtë 35 fotografi, normalisht nuk kemi pasur mundësi t’i përfshijmë të gjithë, për shkak se edhe numri është i madh. Jemi munduar të prekim të gjitha komunat që kanë persona të zhdukur”, përfundon Syla.

Ekspozita me familjarët e personave të zhdukur do të qëndrojë e hapur deri në orën 18:00. Kujtojmë që Kosova kërkon zbardhjen e fatit edhe të mbi 1 mijë e 600 personave, në mesin e tyre edhe mbi 100 fëmijë. 

Lajmet

Korça mirëpret “Air Beat Festival – LuluFest” me mbi 200 artistë

Published

on

Korça ka mirëpritur për dy net me radhë “Air Beat Festival – LuluFest”, aktivitet që e shndërroi qytetin në një skenë të hapur me parada artistike dhe koncerte, duke sjellë atmosferë festive për banorët dhe vizitorët.

Në festival morën pjesë mbi 200 artistë nga Shqipëria, Italia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët interpretuan repertore të ndryshme dhe prezantuan traditat muzikore të vendeve të tyre.

Paradat dhe koncertet e organizuara në hapësirat publike të qytetit tërhoqën një numër të madh spektatorësh, duke e kthyer Korçën në një qendër të rëndësishme të aktiviteteve kulturore gjatë sezonit veror.

“Air Beat Festival – LuluFest” i shtohet kalendarit kulturor të Korçës, duke promovuar qytetin si një destinacion tërheqës turistik dhe kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj./atsh//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci përgëzon Baletin Kombëtar për debutimin në Romë

Published

on

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka përgëzuar Baletin Kombëtar të Kosovës për paraqitjen në Itali, duke e cilësuar debutimin në Romë si një tjetër prezantim të suksesshëm të artit kosovar në skenën ndërkombëtare.

Baleti Kombëtar i Kosovës debutoi në Teatro Grande të Accademia Nazionale di Danza di Roma me shfaqjen “Carmina Burana”, nën koreografinë e maestros italian Toni Candeloro.

Sipas Bogujevcit, interpretimi i trupës kosovare u mirëprit me entuziazëm dhe duartrokitje nga publiku, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve kulturore, artistë dhe personalitete të jetës kulturore në Itali.

“Një tjetër prezantim i shkëlqyer i Baletit Kombëtar të Kosovës në Itali. Përgëzime Baletit Kombëtar të Kosovës për këtë paraqitje dinjitoze”, ka shkruar ministrja.

Turneu i Baletit Kombëtar të Kosovës në Itali do të vazhdojë më 20 korrik, me shfaqjen e radhës që do të mbahet në Lecce./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet edicioni i 17-të i Anibarit, shpallen fituesit

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar ka përmbyllur me sukses edicionin e 17-të, pas një jave të mbushur me filma, diskutime, punëtori, ekspozita, muzikë dhe aktivitete kulturore.

Edicioni i sivjetmë prezantoi 217 filma nga 46 vende të botës, të ndarë në 11 kategori programore, përfshirë gjashtë gara konkurruese.

Fituesit kryesorë:

  • Gara Ndërkombëtare: “To the Woods” – Agnes Patron.
  • Gara e Studentëve: “My Good Boy” – Sara Priorelli.
  • Gara Ballkanike: “Paradaïz” – Matea Radi.
  • Gara e Video-Animacioneve Muzikore: “Jay & Bee” – David Kellner.
  • Best Human Rights Animation: “At Night” – Pooya Afzali.
  • Gara e të Rinjve: “The Great Dreamscape” – Rémi Durin.
  • Çmimi i Publikut: “Wish You Were Ear” – Mirjana Balogh.

Në kuadër të platformës Pitch It!, çmimet u ndanë për projektet:

  • Vendi i parë: “Crow Funeral” – Durim Klaiqi.
  • Vendi i dytë: “Through the Cracks” – Jeta Sokoli.
  • Vendi i tretë: “Gjith Ktu” – Hana Kasemi.

Me përfundimin e edicionit të 17-të, Anibar rikonfirmoi rolin e tij si një nga festivalet më të rëndësishme të animacionit në rajon, duke bashkuar artistë dhe profesionistë nga e gjithë bota./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Muret e Oslos shndërrohen në galeri gjigante për artin e grafitit

Published

on

Muret e një ish-zone industriale në Oslo janë kthyer në kanavaca gjigante për artistë të grafitit nga e gjithë bota, në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Meeting of Styles”.

Festivali, i themeluar në Gjermani në vitin 2002, është shndërruar në një nga rrjetet më të mëdha globale të artit rrugor, duke mbledhur artistë me stile dhe prejardhje të ndryshme.

Edicioni i këtij viti në Oslo solli 40 artistë nga 21 vende të botës, të cilët krijuan murale, grafite dhe portrete, duke shkëmbyer teknika dhe ide gjatë procesit artistik.

Një nga veprat më të veçanta i është kushtuar shpikësit norvegjez Erik Rotheim, i cili patentoi sprejin modern rreth një shekull më parë. Portreti i tij u realizua në një mural gjigant nga artisti suedez Joel Hjort.

Drejtori ekzekutiv i “Meeting of Styles” në Oslo, Simon Diaz, tha se festivali nuk synon më vetëm konkurrencën mes artistëve, por mbi të gjitha shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të reja përmes artit.

Edhe artistja norvegjeze Tanya Styrvold, e cila është orientuar së fundmi drejt artit rrugor, tregoi se puna me artistë me përvojë të grafitit po e ndihmon të zgjerojë aftësitë e saj krijuese.

Festivali “Meeting of Styles” zhvillohet edhe në Prishtinë, ku këtë vit do të shënojë edicionin e dhjetë nga 28 deri më 30 gusht, duke sjellë sërish artistë dhe krijues të artit urban.

Përveç muraleve, festivali ofron edhe punëtori të hapura për publikun, me synim që arti i rrugës të bëhet më i qasshëm për të gjithë./A.K/ Associated Press

Continue Reading

Të kërkuara