Lajmet

​Dëshmitari thotë se Salih Mustafa u kishte dhënë mbështetje morale civilëve gjatë luftës

Para trupit gjykues në Hagë, Ademi ka rrëfyer edhe rastin kur policia serbe kishte rrahur e maltretuar familjen e tij.

Published

on

Dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Salih Mustafës, Ahmet Ademi ka thënë se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Salih Mustafa e Fatmir Humolli e kishin vizituar atë në shtëpinë e tij dhe ishin takuar me njerëzit e tjerë që po strehoheshin në lagjen ku banonte Ademi në Prishtinë.

Para trupit gjykues në Hagë, Ademi ka rrëfyer edhe rastin kur policia serbe kishte rrahur e maltretuar familjen e tij.

“Incidenti ka ndodhur në familjen time pasi NATO ka filluar bombardimet, tani kanë ardhur policia kanë hyrë nëpër lagje dhe incidenti ka ndodhur të familja ime pas bombardimeve të NATO-s…Djalit tim në atë kohë nuk i kanë bërë asgjë por e ka parë duke i rrahur nënë dhe prej asaj kohe djali është me trauma, e kam pasur nëpër mjek por i ka mbetur ajo frika, trauma në kokë. Bashkëshorten e kanë rrahur”, ka thënë ai.

Sipas tij, serbët kishin hyrë në të gjithë lagjen dhe kishin maltretuar e rrahur banorët që i kishin gjetur aty.

Pas kësaj, Ademi ka deklaruar se janë vizituar nga tre pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër të cilët Salih Mustafa e Famtir Humolli. Sipas tij, ata u kishin dhënë mbështetje morale civilëve.

“Ndërkohë pas incidentit, ka pasur edhe popullatë prej tjera anë në lagjen tonë, kanë ardhur pjesëtarët e ushtrisë sonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tre persona, kanë qëndruar gjatë ditës, na kanë dhënë mbështetje morale, mos me u frikësu, (na kanë thënë) nuk kanë punë me ju por me ne, na kanë dhënë mbështetje… Fatmir Humolli, Salih Mustafa dhe një tjetër ka qenë por e kam harruar emrin, e këta dy po. Kanë qenë në lagjen tonë, kanë biseduar personalisht me mua, se e kanë ditë që unë punoj në Kryqin e Kuq, kanë biseduar me mua si po shkon puna, u km sqaruar punën e popullatës, stresin e popullatës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vizita e tyre është bërë rreth fundit të marsit apo fillimit të prillit të vitit 1999.

“Atë natë në mbrëmje kur kanë ardhur kanë bujtur të shtëpia e axhës tim, kanë qëndruar tërë natën, të nesërmen tërë ditën kemi biseduar me popullatë nëpër lagje, edhe unë kam qenë bashkë me ta, i kemi vizatuar popullatën, kemi biseduar me popullatë, Salihu u ka dhënë mbështetje morale, mos u frikësoni, nuk kanë punë me ju, kanë punë me ne, por ja hyri edhe NATO… Nëse nuk gaboj ka qenë fundi i marsit, fillimit i prillit, tash nuk më kujtohet a ka qenë data 30 mars apo 2,3,4 prill, por në atë periudhë prej datës 30 deri 4 prill, nuk më kujtohet dita saktësisht, po e di që ka qenë fundi i marsit dhe fillimit i prillit”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë të pa-armatosur dhe se me vete kanë pasur çantë dhe fletore në të cilën sipas tij merrnin shënime nga ato çka u thoshin banorët.

“Këta kanë qenë të interesuar të marrin informacione nga popullata sesi po zhvillohet puna aty, apo kemi maltretime, a po kemi probleme, a po na maltreton kush, ne u kemi sqaruar që këto gjëra i kemi pasur probleme, dhe u kemi shpjeguar krejt, po du me thënë në lagjen tonë aty”, ka thënë ai.

Ademi ka thënë se pas qëndrimit një natë në shtëpinë e familjarit të tij, pjesëtarët e UÇK-së janë larguar në drejtim të Llapit.

Dëshmitari ka thënë se Salih Mustafën e kishte takuar edhe më parë në zyret e kryqit të kuq, para bombardimeve të NATO-s. Ai ka thënë se për Mustafën e ka njohur që është pjesë e UÇK-së por nuk ka ditur më shumë rreth tij.

Gjatë pyetjeve, avokati mbrojtjes Julius Von Bone e ka pyetur dëshmitarin nëse ndonjë punëtor i Kryqit të Kuq kishte vdekur gjatë luftës.

Dëshmitari Ademi: Vetëm doktori, Shpëtim Robaj ka vdekur dhe ka vdekur tani persona të tjerë, vullnetarë tonë kanë vdekur pas luftës. Një ka shkuar në Francë, tjetri në Suedi.

Avokati Von Bone: Në atë kohën pas incidentit, periudhën kohore pas incidentit që i ndodhi familjes tuaj, sa kohë vazhduat ju të punonit për Kryqin e Kuq?

Dëshmitari Ademi: Ne kemi punuar gjatë luftës nonstop dhe tash punoj prapë në Kryqin e Kuq.

Avokati Von Bone: Kryqi i Kuq a kishte zyre në Llukarë?

Dëshmitari Ademi: Jo. Kryqi i Kuq me vullnetarët e vet në vitin 2000 nëse nuk gaboj, vullnetarët e Kryqit të Kryq, ndër ta kam qenë edhe unë, në varreza e kemi bërë rivarrimin e shtatë personave, aty ka qenë prezent KFOR-i, ka qenë prezent UNMIK-u dhe ka qenë prezent zyra ligjore. Ne e kemi bërë zhvarrimin, kemi hapur gropat, personat e OSBE-së i kanë marrë i kanë future, sepse ka pasur edhe familjarë aty afër, cilat viktima janë verifikuar janë ndarë anash, cilat nuk janë verifikuar i kanë marrë viktimat i kanë fut nëpër thasë dhe i kanë çuar në Rahovec ku ka qenë zyra ligjore e AND-së, e personave që i kanë marrë prej varrezave, derisa u është bërë AND se kujt i përket ai trup. Aty kemi zhvarrosë, tani kemi varrosë prapë, aty ka qenë KFFOR-i, policia e UNMIK-ut, ka pas ardhur Cali me disa ushtar por vetëm me xhaketa me llogo të UÇK-së, pa armatim kanë qenë aty. Janë përshëndet me ne të gjithë, si të KFOR-it, si të OSBE-së, edhe aty e kam parë Calin.

Ahmet Ademi do të përgjigjet edhe në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, para trupit gjykues në Hagë. Ai është dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Salih Mustafa po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara