Lajmet

​Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin “Syri i Popullit”

Published

on

Në Departamentin Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar rigjykimi për rastin e njohur “Syri i Popullit”, ku Sadri Ramabaja dhe Avni Llumnica po akuzohen për ndihmë në tentim vrasjen e Azem Vllasit. E gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor u dëgjuan dëshmitë e dëshmitarëve, Hekuran Mavriqi dhe Berat Rrustemi. Ndërsa, edhe në këtë seancë mbrojtja e të akuzuarit, Avni Llumnica ka kërkuar që ai të lirohet nga masa e paraburgimit, por ky vendim mbeti të merret pas seancës gjyqësore.

Pasi Gjykata e Apelit e Kosovës e ktheu në pikën zero rastin “Syri i Popullit”, me kërkesën që Prokuroria Speciale ta rregullojë aktin akuzues, kjo e fundit ka ardhur me një aktakuzë të re, të përmirësuar. Sipas aktakuzës së re, të akuzuar janë vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha, ku për këtë të fundit tashmë ka përfunduar gjykimi.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, Hekuran Mavriqi deklaroi se qëndron pas dëshmisë së tij të dhënë në shqyrtimin gjyqësor të kaluar. Por ai edhe sot iu përgjigj disa pyetjeve që kishin palët e përfshira. Ai madje dorëzoi edhe dëshminë për vdekjen e babit të tij, Ramiz Mavriqi i cili ishte po ashtu dëshmitar në këtë rast, i cili kishte ndërruar jetë më 23 mars 2021.

Prokurori i rastit, Burim Çerkini u interesua të di se numrin e telefonit të Azem Vllasit që dikush ia kishte kërkuar babait të Hekuran Mavriqit, a ia kishte dhënë ai sa ishte në veturë me të apo pastaj. Mavriqi tha se nuk e di, por që derisa kanë qenë në veturë babi i tij nuk ia ka dhënë numrin e telefonit të Azem Vllasit askujt.

Mavriqi tha se nuk e njeh fare të akuzuarin tjetër, Avni Lluminicën derisa për Sadri Ramabajën tha se kishte një lidhje të largët farefisnore, ndërsa të dëmtuarin, Azem Vllasin deklaroi se babai i tij e kishte shok.

E pas kësaj i akuzuari, Avni Llumnica iu prezantua dëshmitarit Hekuran Mavriqi duke i thënë se ai është viktimë e Azem Vllasit dhe Sadri Ramabajës.

“Hekuran unë jam Avni Llumnica dhe jam viktimë e Azem Vllasit dhe Sadri Ramabajës për të bërat e tyre që për mua janë ende të panjohura”, deklaroi Llumnica.

Edhe dëshmitari tjetër, Berat Rrustemi deklaroi se qëndron pas tërë asaj që kishte deklaruar më herët. Rrustemi është nipi i të akuzuarit, Avni Llumnica. Nga Prokurori i Shtetit, Burim Çerkini ai u pyet se të akuzuarin, Avni Llumnica e ka takuar para ditës kritike, dëshmitari tha se e ka takuar më herë madje edhe në ditën kritike e ka takuar pasi e kishte ftuar për të pirë kafe në lokalin ku ai punon. Rrustemi deklaroi se edhe pse e ka takuar dajën e tij ai asnjëherë nuk ka qenë i njoftuar për këto ngjarje.

Pas dëgjimit të dy dëshmive u vendos që për dëshmitarët tjerë të verifikohet adresa e tyre e banimit dhe të sillen në gjykatë për të dhënë dëshminë, përkundër që prokurori i rastit, Burim Çerkini propozoi që përveç Njazi Sinanit, dëshmia e Nuhi Zekës, Gëzim Halitit dhe Faton Topallit vetëm të lexohen.

Por kjo u kundërshtua nga mbrojtja e dy të akuzuarve në këtë rast. Pastaj, trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli mori aktvendim që të verifikohen adresat e tyre dhe të sillen në gjykatore për të dhënë dëshminë.

Avokati i të akuzuarit, Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi lidhur me kërkesën e prokurorit për dëgjimin e dëshmitarëve kërkoi që ata të dëgjohen në gjykatë.

“Është problem të përmirësohen gabimet e prokurorëve gjatë mbledhjes së provave, po qesë do ishim ftuar ne si avokat kur janë dëgjuar këta dëshmitar qoftë tek prokurori, qoftë në polici atëherë dilema se mund të lexohen këto deklarata nuk ekziston, nuk është hera e parë që prokurorët i rrezikojnë hetimet. Unë gjithsesi e mbështes kolegun Rudari që dëshmitarët të ftohen”, tha ai.

Edhe në këtë seancë mbrojtja e të akuzuarit, Avni Llumnica ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga masa e paraburgimit.

“Kërkoj nga trupi gjykues që të ndërprej masën e paraburgimit ndaj Avni Llumincën duke vlerësuar gjithnjë se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat për të qëndruar nën masën e paraburgimit gjithnjë duke i bazuar në dispozita ligjore. Kemi ofruar edhe si masë dorëzanie pasuri të paligjshme e cila e mbi peshon edhe shumë herë barrën që i ngarkohet Avni Llumnicës, për ta bindur trupin gjykues dhe prokurorinë se Avni Llumnica për asnjë moment nuk do i shmanget asnjëherë kësaj procedure penale”, theksoi ai.

E këtë e kundërshtoi edhe prokurori i rastit, Burim Çerkini dhe i dëmtuari Azem Vllasi. Ishte kundërshtimi i Vllasit i cili nxiti reagimin e të akuzuarit, Avni Llumnica.

“Azem Vllasi do të zbardhet nga A deri në Zh, të gjithë keni me qenë fajtor përpos Avni Llumnicës, ka me ardhur ajo ditë dhe e shohim o Azem Vllasi se e kam dashur me e zbulua krimin në Kosovë a me ndjek krimin unë po të betohem se kam qenë duke e ndjekur krimin kemi me zbukuru edhe shumë ngjarje të tjera kemi me i zbulua kurrë në jetën time nuk kam qenë kundër shqiptarëve. Të kam mbrojtur edhe në kohë të shkaut (serb)”, tha Llumnica i tensionuar.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 24 maj 2021 në orën 09:30.

Ndryshe, ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018. Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.

Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që tani i ndjeri M. J. të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë J. në kryerjen e veprës penale.

Sipas kësaj aktakuze Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë.

Sadri Ramabaja, M. J., Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË”, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet.

Të ndjerit M. J. për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale. Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.

Vendi

Edhe sonte protestë në Prishtinë, dita e tetë

Published

on

Protestat në Prishtinë do të vazhdojnë edhe sonte, duke shënuar ditën e tetë radhazi.

Qytetarët pritet të mblidhen në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu”, në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protestat kanë nisur pas vendimit të 16 shtatorit dhe kanë vazhduar çdo ditë në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Vendi

Profesoreshat e UBT-së publikojnë studimin mbi ortodoncinë në revistën e indeksuar në Scopus e Web of Science

Published

on

By

Në kuadër të avancimit të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, profesoreshat e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Dr. Blertë Zylfiu-Latifi si autore e parë dhe Dr. Miranda Sejdiu-Abazi si autore korrespondente, kanë publikuar një studim të ri hulumtues në fushën e ortodoncisë. Ky punim shkencor është realizuar në partneritet me studiues nga Departamenti i Ortodoncisë dhe Antropologjisë Dentare i Universitetit të Zagrebit, si dhe me profesionistë të stomatologjisë nga Gjermania.

Punimi me titull “Tooth Crown Dimensions among Angle Occlusion Classes in Kosovar Adolescents” është publikuar si artikull origjinal në revistën ndërkombëtare Acta Stomatologica Croatica (Vol. 60, Nr. 3, 2026, fq. 289–301). Ky organ shkencor është i indeksuar në platformat më prestigjioze globale si Scopus, PubMed dhe Web of Science Core Collection (ESCI), duke mbajtur Faktor Ndikimi (Impact Factor) 1.8 në JCR dhe 1.9 në SJR. Autorët e këtij studimi janë Blertë Zylfiu-Latifi, Senka Meštrović, Jelena Dumančić, Miranda Sejdiu-Abazi dhe Fatbardha Mustafa.

Hulumtimi është shtrirë në shtatë qytete kryesore të Kosovës – Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – ku janë përfshirë 400 adoleshentë të moshës 13 deri në 19 vjeç. Pjesëmarrësit janë kategorizuar sipas klasave I, II dhe III të okluzionit sipas Angle, me qëllim që të analizohet lidhja mes këtyre klasave dhe dimensioneve të kurorave të dhëmbëve permanentë.

Përmes një analize multidimensionale të dimensioneve meziodistale, bukolinguale, cervikoincizale dhe diagonale, studimi nxori në pah se ekzistojnë dallime të dukshme ndërmjet klasave të okluzionit, sidomos në dimensionet meziodistale dhe cervikoincizale. Në anën tjetër, dimensionet bukolinguale shfaqën një shkallë më të ulët të variacionit.

Kontributi kryesor i këtij hulumtimi qëndron në përcaktimin e vlerave të para referente specifike për popullatën e adoleshentëve kosovarë. Këto të dhëna do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e saktësisë në diagnostikimin ortodontik, analizën e hapësirës dhe planifikimin e trajtimeve klinike në Kosovë. Ky publikim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për zhvillimin e kërkimit shkencor me standarde të larta ndërkombëtare.

Punimi është publikuar me Open Access dhe mban DOI-në 10.15644/asc60/3/3.

 

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Vendimi i Kushtetueses: Zgjedhja e Qeverisë është kushtetuese, Presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e, të parashtruara nga deputeti Arian Tahiri dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, duke konfirmuar kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë së re, ndërsa ka përcaktuar afate strikte për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në vendimin e marrë me vota unanime më 23 shtator 2026, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e ekzekutivit është kryer në përputhje me aktin më të lartë juridik të vendit.

“Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykimit.

Pavarësisht legjitimimit të Qeverisë, Gjykata vërejti se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit të paraparë 30-ditor (Neni 66, paragrafi 1), gjë që automatikisht ka vënë në lëvizje afatet kushtetuese për postin vakant të Presidentit.

Lidhur me këtë proces sovran, Kushtetuesja ka caktuar një datë të prerë për përmbylljen e tij:

“Afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, nënvizon Gjykata në pikën VI.

Gjithashtu, aktgjykimi i obligon deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës. Kërkesa e parashtruesve për caktimin e masës së përkohshme është refuzuar, ndërsa vendimi hyn në fuqi menjëherë në ditën e publikimit zyrtar. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Donjeta Sadiku siguron medalje evropiane në boks

Published

on

By

Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, ka arritur një tjetër sukses të madh ndërkombëtar duke siguruar medalje në Kampionatin Evropian të Boksit.

Në ndeshjen çerekfinale të kategorisë deri në 60 kilogramë, Sadiku dominoi tërësisht përballjen ndaj boksieres nga Holanda, Maud van der Toorn, duke e mposhtur me rezultatin e pastër 5:0 me vendim të njëpërfshishëm të gjyqtarëve.

Me këtë fitore, boksierja kosovare ka siguruar të paktën medaljen e bronztë evropiane, ndërsa synon ngjitjen në majën e podiumit.Në gjysmëfinale, Donjeta Sadiku do të përballet me garuesen që përfaqëson Serbinë, rusen Kristina Kuluhova. Kjo do të jetë një përballje e njohur për kosovaren, e cila e kishte mposhtur Kuluhovën në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

 

Continue Reading

Të kërkuara