Aktualitet

​Cilësia e ajrit, Prishtina më e ndotura – ndotësitë më të mëdhenj përdorimi i drunjve dhe thëngjillit për ngrohje

Published

on

Dita e Informimit për Cilësinë e Ajrit në Kosovë u shënua me një sërë aktivitetesh për informimin e publikut mbi rreziqet shëndetësore nga ndotja e ajrit.

Këto aktivitete janë organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me përkrahjen nga Millenium Foundation Kosovo.

Agron Kelmendi nga Milenium Fondation Kosovo tha se tashmë Kosova ka arritur që ta zgjedhë problemin e mungesës së të dhënave për cilësinë e ajrit.

Ai tha se përmes një projekti të financuar të MSS është krijuar një sistem informativ për cilësinë e ajrit në Kosovë, derisa është hartuar edhe Portali Shtetëror për cilësinë e ajrit.

Kelmendi tha se përmes këtij projekti janë identifikuar edhe ndotësit më të mëdhenj të ajrit e që janë përdorimi për ngrohje e drunjve dhe thëngjillit kryesisht në zonat rezidenciale.

Nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Shkumbin Shala tha se ky Institut po punon me një sistem të avancuar me 13 stacione që monitoron në mënyrë të pandërprerë cilësinë e ajrit në Kosovës.

“Ky sistem është në avancimin më të madh të mundshëm ku të dhënat tona janë të qasshme për të gjitha kategoritë. Ky sistem përbënë 13 stacione 12 fikse dhe 1 mobil, dy stacione i kemi në Prishtinë për shkak të rëndësisë, këto të dhëna janë të qasshme dhe monitorimi bëhet në mënyrë të pandërprerë… Ideja dhe qëllimi jonë është që të dhënat të shpërndahen te të gjithë dhe t’i përdorin të gjitha kategoritë e shoqërisë, ne po mundohemi që ta kryejmë punën tonë si institucion përgjegjës deri tani mendoj se puna ka shkuar mirë duke falënderuar donatorët në veçanti donacionin e fundit nga MSS”, tha ai.

Zyrtarja e Komunës së Prishtinës Seniha Bajraktari derisa e pranoi që kryeqyteti është nga komunat më të ndotura në vend, tha se komuna po punon në shumë projekte që do të përmirësojnë cilësisë se ajrit.

Bajraktari tha se aktualisht kjo komunë është duke punuar në 10 dokumente, të cilat do kenë efekte në rritje të cilësisë së ajrit në kryeqytet.

“Komuna e Prishtinës nuk po ndalon së punuari në dokumente, të cilat janë të obligueshme për komunën e Prishtinës dhe do të ndikojnë në të ardhmen me projekte që përfshihen brenda tyre në cilësinë e ajrit ashtu me këto aktivitete që jemi të gatshëm t’i përgjigjemi”, tha ajo./UBTNews

Vendi

Qeveria “Kurti 4” merr dritën e gjelbër në Kuvend, opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka votuar formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar atij mandatin e katërt si kryeministër. Kabineti qeveritar “Kurti 4” mbetet i pandryshuar nga përbërja e mëparshme, pasi Kurti deklaroi se nuk do të prezantojë agjendë të re, pasi zgjedhjet e përsëritura thjesht ndërprenë një qeverisje që do të vazhdojë me fokus te mirëqenia dhe siguria e qytetarëve. Qeveria e re mori mbështetjen e 53 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëntë deputetëve nga komunitetet joshumicë, përfshirë Nenad Rashiqin, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e bojkotuan votimin, kurse tetë deputetë të Listës Serbe votuan kundër.

Formimit të Qeverisë i parapriu konstituimi i kontestuar i Kuvendit nën drejtimin e Albulena Haxhiut. Pas zgjedhjes së Kujtim Shalës nga LDK-ja, Emilija Rexhepit nga komunitetet joserbe dhe Tanja Vujoviqit nga pakica serbe, Kuvendi u shpall i konstituuar. Megjithatë, procesi u zhvillua pa zgjedhjen e një nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut dhe e ka kundërshtuar fuqishëm këtë vendimmarrje. Nëpërmjet deputetit Përparim Gruda, PDK-ja sqaroi se nuk e ka refuzuar të drejtën e saj, por është tërhequr përkohësisht, duke paralajmëruar dërgimin e çështjes së konstituimit dhe formimit të Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Në përgjigje, Kurti u shpreh i gatshëm që LVV-ja ta votojë kandidatin e PDK-së sapo ajo ta propozojë atë.

Sfidë kryesore për stabilitetin politik mbetet zgjedhja e presidentit të ri, për të cilën tashmë ka nisur afati kushtetues prej 60 ditësh. Edhe pse LVV-ja dhe LDK-ja kishin arritur dëgjueshmëri për mbështetjen e kandidatit Bekim Sejdiu, përçarjet e brendshme në LDK, ku gjashtë nga 18 deputetë refuzojnë ta votojnë atë, e bëjnë të pamjaftueshëm numrin prej 62 votash që ka Qeveria.

Përfaqësues të opozitës e shohin këtë situatë si një skenar të kalkuluar që çon vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme rreth datës 27 dhjetor. Kjo periudhë përkon me ardhjen e diasporës, një baze elektorale ku LVV-ja gëzon mbështetje masive, duke e bërë dështimin potencial të zgjedhjes së presidentit një pikë kthese strategjike për të ardhmen politike të vendit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Konstituohet Legjislatura e XI-të e Kuvendit të Kosovës, pozita e PDK-së mbetet e zbrazët

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konstatuar zyrtarisht të konstituuar Legjislaturën e XI-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky vendim erdhi pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.

Gjatë seancës plenare, Haxhiu bëri të ditur se, përkundër thirrjeve të përsëritura drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetët e këtij subjekti nuk ishin të pranishëm në sallë për të tretën herë me radhë, duke mos e ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar.

Ajo nënvizoi se, mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, asnjë subjekt politik nuk mund ta mbajë të bllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.

Përmes një reagimi pasues në rrjetet sociale, Haxhiu sqaroi se pozita e nënkryetarit mbetet e rezervuar për PDK-në dhe se Kuvendi do të kalojë menjëherë në votim sapo kjo parti ta paraqesë propozimin e saj.

Me përmbylljen e këtij procesi u hapet rrugë procedurave për formimin e Qeverisë së re. Kryetarja e Kuvendit uroi nënkryetarët e zgjedhur dhe falënderoi deputetët pjesëmarrës për ushtrimin e përgjegjësisë institucionale, duke bërë thirrje që funksionalizimi i plotë i shtetit të vazhdojë pa vonesa të panevojshme./E.A/

Continue Reading

Vendi

Prishtina mbush sheshet në “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së vetëm katër ditë para verdiktit të Hagës

Published

on

By

Sot në kryeqytetin e Kosovës po mbahet një nga tubimet më të mëdha qytetare të periudhës së fundit, “Marshi për Liri”, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”. Ky mobilizim masiv po zhvillohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — vetëm katër ditë para se Dhomat e Specializuara të Kosovës me sedër në Hagë të shpallin aktgjykimin e tyre përfundimtar.

Skena kryesore e ngjarjes, ku po zhvillohen fjalime politike, mesazhe sensibilizuese dhe performanca artistike, është ngritur në sheshin “Skënderbeu”.

Ky shesh, së bashku me arteriet kryesore që çojnë drejt tij, si sheshi “Nëna Terezë” dhe ai “Zahir Pajaziti”, po përballen me një fluks të jashtëzakonshëm njerëzish. Në turmën e mbledhur bien në sy përfaqësues të lartë të partive politike, veteranë e invalidë të luftës, si dhe familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të rënë gjatë konfliktit.

Gjatë fjalimeve të mbajtura përpara mijëra pjesëmarrësve, përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta dhe udhëheqësit politikë përçuan mesazhe të qarta për drejtësi dhe paanësi. Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, potencoi se kërkesa e vetme e veteranëve dhe e familjeve të tyre është për një proces të drejtë.

Ai paralajmëroi se një “proces i padrejtë” nuk do t’i shërbente asgjëje tjetër përveçse interesave të Serbisë dhe Rusisë, duke shtuar me vendosmëri: “Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”.

Në të njëjtën frymë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, theksoi se opinioni publik nuk do ta pranojë vendimin e caktuar për datën 16 shtator nëse ai do të analizohet si i padrejtë. Ai iu drejtua drejtpërdrejt trupit gjykues: “Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi ‘mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator’”. Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, përkujtoi se katër ish-krerët e UÇK-së kishin vënë jetën në rrezik për lirinë e Kosovës dhe se sot ishte momenti që populli t’u shprehte mirënjohjen e thellë, duke deklaruar: “Kush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri”.

Kjo protestë masive nuk është e para e këtij lloji që organizohet në Kosovë kundër mënyrës se si po zhvillohen proceset në Gjykatën Speciale. Në prill të vitit 2023, sërish në Prishtinë, mijëra qytetarë marshuan një ditë para nisjes zyrtare të gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, duke e cilësuar procesin që po niste si një goditje të padrejtë ndaj luftës çlirimtare. Blloqe të ngjashme mbështetjeje u përsëritën edhe më 17 shkurt 2026, gjatë shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku marshi me moton “Drejtësi, jo politikë” mblodhi mijëra njerëz në kohën kur procesi gjyqësor në Hagë po hynte në fazën e tij përfundimtare.

Procesi maratonë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka zgjatur më shumë se tre vjet prej hapjes së tij më 3 prill 2023. Prokuroria e Përshtatur kishte përfunduar paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj në prill të vitit 2025, derisa mbrojtja e mbylli rastin e saj në dhjetor të po atij viti. Pas deklaratave përmbyllëse të mbajtura në shkurt të vitit 2026, shpallja e aktgjykimit përfundimtar ishte paraparë të bëhej më herët gjatë vitit, mirëpo në korrik Dhomat e Specializuara njoftuan zyrtarisht shtyrjen e verdiktit për më 16 shtator, me arsyetimin e kompleksitetit ekstrem të çështjes dhe vëllimit masiv të provave të dorëzuara.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan nga Policia e EULEX-it në nëntor të vitit 2020 dhe u transferuan menjëharë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda që përfshijnë gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte, të cilat prokuroria pretendon se janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës. Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 45 vjetësh burgim për secilin nga të akuzuarit, ndërkohë që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar në mënyrë kategorike të gjitha pikat e aktakuzës. Vendimi që do të merret më 16 shtator pritet të jetë verdikti më përcaktues dhe më domethënës i Dhomave të Specializuara që nga themelimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

 

Foto: Koha

Continue Reading

Lajmet

Gjithçka gati për “Marshin për Liri”

Published

on

By

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë përfunduar përgatitjet e fundit për “Marshin për Liri”, i cili nis sot në orën 14:00 në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, raporton Ekonomia Online.

Nga platforma “Liria Ka Emër” kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, ndërsa marshi zhvillohet para shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale, të paralajmëruar për 16 shtator.

Ismail Tasholli nga kjo platformë ka thënë se bazuar në interesimin dhe gatishmërinë e qytetarëve, pritet që marshi të jetë masiv.

“Marshi me siguri do të jetë shumë masiv, edhe në bazë të asaj se çka kemi parë në terren edhe entuziazmit edhe gatishmërisë së njerëzve, në thirrjen tonë qytetare që të marshojnë për liri nën moton ‘Kosova po pret’”, tha ai.

Tasholli ka bërë të ditur se në sheshin “Skënderbeu” janë duke u përfunduar detajet e fundit të përgatitjeve, ndërsa bina tashmë është gati për nisjen e aktivitetit.

“Tashmë e shihni, bina është gati, në përfundim janë do të thotë detajet e fundit, që e rrumbullakësojnë edhe nisjen e këtij marshi qytetar, që ka për qëllim të përçojë një mesazh shumë të rëndësishëm, që Kosova me të vërtetë po pret, po i pret çlirimtarët në shtëpinë e tyre”, tha Tasholli.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të nisen më herët drejt Prishtinës, në mënyrë që në orën 14:00 të përcillet mesazhi i organizatorëve.

“Po, i ftoj le të vijnë sa më herët, Prishtina e ka zemrën e madhe, po i uron mirëseardhje të gjithë qytetarëve të saj, edhe le të nisen sa më herët sepse është shumë e rëndësishme që sot të përçojmë një mesazh bashkë në ora 14:00, që Kosova po pret. Jemi duke i pritur të gjithë”, tha ai.

Continue Reading

Të kërkuara