Aktualitet
Cilat janë synimet e diplomacisë ruse në Afrikë?
Kombet e Bashkuara thonë se 47 milionë njerëz të tjerë po përballen tani me “uri të thellë”.
Published
3 years agoon
By
UBT.NewsMinistri i Jashtëm rus Sergey Lavrov po bën një turne të zgjeruar në Afrikë, në përpjekje për të gjetur aleatë, mes zemërimit dhe izolimit global për mungesën e ushqimit pas sulmit rus të Ukrainës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, njofton.
Rifillimi i dërgesave të grurit ukrainas dhe rus ka qenë tema numër një në çdo ndalesë të turneut të ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov në Afrikë këtë javë, përfshirë në qytetin Oyo të Republikës së Kongos.
“Kemi kënaqësinë të mirëpresim Sergei Lavrovin, i cili vjen me lajme të mira, përfshirë marrëveshjen që u nënshkrua në Turqi, e sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, për rifillimin e eksportit të grurit ukrainas përtej Detit të Zi dhe përmes ngushticës së Bosforit”, thotë Jean-Claude Gakosso, ministër i Jashtëm i Republikës së Kongos.
Sulmi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt dhe bllokimi i porteve të Ukrainës ka ndërprerë masivisht dërgesat e grurit, duke bllokuar miliona tonë drithë dhe duke shkaktuar rritje të çmimeve globale të mallrave. Kombet e Bashkuara thonë se 47 milionë njerëz të tjerë po përballen tani me “uri të thellë” – me vendet në Afrikë veçanërisht të goditura.
Lavrov e filloi turneun e tij në Egjipt të dielën, duke siguruar vendin se porositë e tyre për dërgesat ruse të grurit do të përmbushen dhe duke fajësuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për mungesat. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se bombardimi i Rusisë në Odesa të shtunën e vë në rrezik marrëveshjen e grurit të Stambollit të ndërmjetësuar nga OKB javën e kaluar. Zelenskyy tha se Moska gjen gjithmonë një mënyrë për të mos zbatuar premtimet e saj. Lavrov tha se sulmi në Odesa nuk do të ndikojë në dërgesat e grurit.
Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se Lavrov synon ta paraqesë nën dritë tjetër krizën ushqimore gjatë vizitës së tij në Egjipt, Republikën e Kongos, Ugandë dhe Etiopi.
“Bllokada ruse e drithit në portet e Ukrainës dhe shkatërrimi i qëllimshëm i kapaciteteve bujqësore të Ukrainës është në qendër të kësaj përpjekjeje, pasi Rusia po përpiqet të lidhë në mënyrë të rreme eksportet e grurit të Ukrainës me sanksionet kundër Rusisë, dhe të përcaktojë në mënyrë të rreme Ukrainën si përgjegjëse në krizën globale të ushqimit”, thotë Nataliya Bugayova me Institutin për Studimin e Luftës.
Një tjetër eksperte konfirmoi se Afrika u godit veçanërisht rëndë nga ndërprerja në furnizimin me drithëra të shkaktuar nga agresioni rus.
“Sigurisht, rajoni po ndjen ndikimin dhe implikimet e pasigurisë ushqimore. Administratorja e USAID-it, ambasadorja Samantha Poëer, sapo ishte në rajon dhe njoftoi një pikë tre miliardë dollarë ndihma“, thotë Susan Stigant.
Stigant i tha Zërit të Amerikës se Afrika varet nga Rusia për rreth 40 për qind të furnizimeve të saj me drithëra, ndërsa rreth 60 për qind e tokës së papunuar në botë është në Afrikë./VOA/
Vendi
Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
Published
21 hours agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.
Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.
Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.
Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.
Vendi
Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së
Published
21 hours agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.
Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.
Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.
Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.
Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.


Vendi
Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
Published
23 hours agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Prof. Dr. Hazir S. Çadraku, nga Fakulteti i Inxhinerisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, në bashkëpunim me Fadil Bajraktari, Cand PhD, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, dhe Prof. Dr. Romeo Hanxhari, nga Departamenti i Gjeografisë, Universiteti i Tiranës, kanë publikuar artikullin me titull: “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në revistën SpeleoMedit Magazine.
Ky studim paraqet një pasqyrë të detajuar mbi historikun e mbrojtjes së shpellave në Kosovë, duke përfshirë aspektet natyrore, kulturore dhe ligjore. Artikulli thekson rëndësinë e shpellave si pjesë të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, duke dokumentuar mbi 200 shpellat e identifikuara në territorin e Kosovës, prej të cilave 25 janë të mbrojtura institucionalisht si monumente natyrore, dhe disa kanë vlera kulturore-historike.
Sipas autorëve, shpellat në Kosovë jo vetëm që kanë vlera speleologjike dhe gjeomorfologjike, por gjithashtu ofrojnë mundësi për zhvillimin turistik, edukativ dhe kërkimor, duke përfshirë projekte për digjitalizimin dhe hartografimin e tyre. Studimi gjithashtu evidenton nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e këtyre objekteve dhe zhvillimin e një menaxhimi të qëndrueshëm.
Publikimi vjen si rezultat i një bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkencor midis ekspertëve shqiptarë dhe institucioneve të ndryshme kërkimore, duke kontribuar në avancimin e studimeve speleologjike dhe menaxhimit të trashëgimisë natyrore në Kosovë.
Për më shumë detaje mbi artikullin dhe për të lexuar të plotë tekstin, vizitoni: SpeleoMedit Magazine
Lajmet
Profesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
Published
23 hours agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Nga data 7 deri më 12 dhjetor 2025, Profesori Lulzim Beqiri, nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, ka marrë pjesë në një mobilitet akademik në Technische Hochschule Lübeck (TH Lübeck) në Gjermani, në kuadër të programit Erasmus+.

Ky mobilitet është zhvilluar në kuadër të Punëtorisë së dytë të përbashkët ndërmjet FAU/UPT dhe Technische Hochschule Lübeck, ku janë përfshirë shumë studentë, të organizuar në grupe të përbashkëta ndërinstitucionale. Tema qendrore e kësaj punëtorie ka qenë studimi i Lumit të Osumit në zonën e mbrojtur të qytetit historik të Beratit.
Profesori Lulzim Beqiri ka qenë pjesë e stafit udhëheqës akademik të studentëve gjermanë, së bashku me Prof. Michael Locher (Prodekan), Prof. Kendra Busche, Prof. Rike Ruppenthal, duke kontribuar në drejtimin profesional dhe akademik të punës kërkimore dhe konceptuale të studentëve.
Punëtoria njëjavore ka përfshirë analiza urbane, mjedisore dhe arkitektonike të një zone me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, duke e trajtuar lumin Osum si element strukturor në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit 2400-vjeçar të Beratit.

Qeveria miraton vendime preliminare për shpronësime në disa projekte infrastrukturore
Nëse kualifikohet në botëror, Kosova fiton rreth 10.5 milionë dollarë
Gjilani ndalon përdorimin e fishekzjarreve
Paris Saint-Germain fiton trofeun e gjashtë sezonal pas një drame penalltish ndaj Flamengos
TikTok nënshkruan marrëveshje për ndarjen e aseteve në ShBA
Mbappe dhe Endrick udhëhoqën sulmin e Real Madrid në Copa del Rey
REL: SHBA-ja kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë
FIFA ndryshon kategoritë e biletave pas kritikave për çmimet e larta përpara Kupës së Botës 2026
Inter Miami ia mbyll dyert Lewandowskit
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Lajmet3 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Rajoni3 months agoUBT shpall thirrjen për Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025
-
Vendi3 months agoNë UBT diplomon ushtaraku i FSK-së, Major Vilson Musaj
