Lajmet
Brahimi: Ndaluam mbi 60 objekte të larta pa leje në Mitrovicë, nuk i frikësohemi askujt
Mitrovica është komuna e parë në vend e cila i ka ndërprerë pothuajse në tërësi ndërtimet pa leje.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiMbi gjashtëdhjetë objekte të larta, por edhe të ndërtimit të ulët, janë ndërprerë gjatë këtyre dy viteve nga ana e Inspeksionit në Mitrovicë, për shkak të mungesës së lejes ndërtimore, ndërsa Mitrovica është komuna e parë në vend e cila i ka ndërprerë pothuajse në tërësi ndërtimet pa leje.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspektoratit në komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, teksa thotë se tendenca e disa biznesmenëve të caktuar për të interferuar në Drejtorinë e Inspeksionit është e kotë, sepse inspektorët komunalë janë të pashantazhueshëm, të pathyeshëm dhe nuk i frikësohen askujt.
“Jemi komuna e parë në Kosovë që i kemi ndërprerë pothuajse në tërësi ndërtimet pa leje… Pothuajse asnjë objekt i ndërtimeve të larta nuk ka mundësi që të funksionojë as edhe në fazën e parë pa u pajisur paraprakisht me dokumentacion relevant, që nënkupton lejen ndërtimore nga Urbanizmi… Janë diku mbi 60 objekte të larta, por edhe të ndërtimit të ulët, të cilat i kemi ndërprerë në mungesë të lejes ndërtimore. Mund të them me përgjegjësi shumë të lartë se në qytetin e Mitrovicës dhe lagjet përreth nuk ka ndërtim që është duke u zhvilluar pa leje. Ndoshta mund të ndodhë në ndonjë fshat në periferi të Shalës së Bajgorës, Vllahi, ose diku tjetër që mund të na ikin si raste, por jo edhe si raste për trajtim… Realisht në fillim ka qenë njëfarë lloj rezistence nga ana e tyre (biznesmenëve), ndoshta kanë pasur të drejtë, e them në aspektin figurativ, duke pasur parasysh se në të kaluarën qeverisjet e kaluara kanë hyrë në negociata të arsyeshme dhe të paarsyeshme,… Çdokush duhet ta dijë se në Mitrovicë që nga 28 dhjetori i vitit 2021 në Inspeksion kemi vendosur një standard që nuk ka qenë më parë… Është e kotë tendenca e disa ndërtuesve ose biznesmenëve të caktuar që mendojnë se… në një formë apo ndonjë formë tjetër mund të interferojnë në Drejtorinë e Inspeksionit. Jemi thjesht, të pashantazhueshëm, të pathyeshëm ndaj ligjit, nuk i frikësohemi askujt përveç ligjit, dhe do të vazhdojmë punën vetëm mbi bazën e ligjit dhe në funksion të përgjithshëm të interesit qytetarë”, tha ai.
Ai gjatë një interviste tha se puna e inspektorëve është shumëdimensionale dhe shpesh kryejnë punët për të tjerët. Sipas tij, problemet e shumta të cilat nuk mund të zgjidhen nëpër Drejtoritë tjera, në fund gjejnë trajtim te Drejtoria e Inspeksionit.
Brahimi foli për bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë me policinë, inspektorët e ATK-së, AVUK-ut, por edhe Doganën, në rastet kur pretendohet se ka mall pa deklaracion, ose ka hyrë në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Kosovës.
“Ne kemi në dispozicion 17 inspektorë, kemi nevojë edhe për po aq inspektorë, për shkak të numrit të madh të problematikave të cilat shtrojnë nevojën për trajtim në këtë qytet, mirëpo ne jemi në disa faza duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së numrit të inspektorëve, dhe besoj se deri në fund të vitit, ose në fillim të vitit të ardhshëm, ne do ta rrisim numrin e inspektorëve për 27 inspektorë… Nuk do të thotë se jemi duke i kryer punët 100 përqind, sepse gjithmonë ka hapësirë për përmirësime, por e rëndësishme është se ne po bëjmë përpjekje për ta bërë më të mirën për qytetin… Ne shpesh kryejmë detyra edhe për Drejtoritë tjera, vlen të theksohet fakti se kontributi ynë ka qenë i pakontestueshëm edhe në kuptimin e rregullimit urban… Pastaj ne kemi bashkëpunim të ngushtë edhe me Policinë e Kosovës, kemi inspektuar lokalet e natës, po ashtu në bashkëpunim me inspektorët e ATK-së, AVUK-ut, vazhdojmë me pas bashkëpunim të mirë edhe me Doganën në rastet kur pretendohet se ka mall pa deklaracion, ose që ka hyrë në mënyrë të kundërligjshme në territorin tonë dhe në një formë puna jonë është shumëdimensionale, ka një degëzim të asaj natyre ku pothuajse problem i fundit që nuk mund të zgjidhet në Drejtoritë tjera, vjen dhe gjen trajtim tek ne”, tha ai.
Duke përmendur sfidat në punën e tyre dinamike, Brahimi përveç sektorit të ndërtimit, ku tha se çdoherë ka tendencë të ndërtuesve për anashkalimin e procedurave, potencoi edhe përgjegjësinë e mbrojtjes së konsumatorit në sektorin e tregut, pastaj numrin e vogël të inspektorëve, që si rrjedhojë pamundëson menaxhimin e plotë të rasteve, etj.
“Puna që kryejmë ne si drejtori është një përditshmëri sfiduese, sepse një problem e trajtojmë dhe e zgjidhim, në një moment të caktuar na shfaqet një problem tjetër. Si sektor i tregut në bëjmë një punë mjaft dinamike…Kemi një përgjegjësi për ta mbrojtur konsumatorin, të drejtën dhe interesin e konsumatorit. Kemi qendra jashtëzakonisht shumë në Mitrovicë… Po ashtu sfidë është çështja e ndërtimit. Ne kemi ndërprerë të gjitha ndërtimet pa leje, por çdoherë kemi tendencë të ndërtuesve që t’i anashkalojnë procedurat ligjore… Një sfidë tjetër është çështja e rritjes së stafit… Në fazat e para kur kam ardhur si drejtor ka pasur kërcënime. Normalisht kanë ngelur vetëm në suaza të tentativave… Ajo që është e rëndësishme është se në kohën e qeverisjes së tanishme, do të thotë të Bedri Hamzës, e them me përgjegjësi të plotë se kurrë më herët nuk ka pasur më shumë rend dhe ligj, dhe punët që janë duke ndodhur tani, më herët nuk kanë ekzistuar”, ka thënë kryeinspektori Brahimi.
Lajmet
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren
Published
4 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një burri rreth 70-vjeçar, i cili u gjet i vdekur në rrugën “Edit Durham” në Prizren, saktësisht pranë banesave të ish-TMK-së.
Sipas njoftimit zyrtar, mjekët ligjorë kanë konstatuar se vdekja ka ndodhur rreth 2-3 orë para mbërritjes së ekipeve në vendngjarje.
“Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili gjendet tek banesat e ish TMK-së. Sipas informatave fillestare viktima është mashkull i moshuar, rreth 70 vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekjeje të dhunshme”, thuhet në njoftimin policor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e krim-teknikës dhe prokurori i shtetit, i cili e ka cilësuar rastin si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia u bën thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacione mbi identitetin e viktimës të lajmërohen në stacionin më të afërt ose të telefonojnë në numrin emergjent 192.
Lajmet
Izraeli raporton vrasjen e komandantit të marinës iraniane
Published
8 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Izraeli thotë se ka vrarë shefin e marinës së Iranit, i cili mbikëqyrte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit.
Alireza Tangsiri u emërua komandant i Marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në vitin 2018, ndërsa më parë kishte shërbyer si zëvendëskomandant i kësaj marine që nga viti 2010.
Një llogari në rrjetin social X, që i atribuohet atij, ka qenë aktive që nga 10 marsi i këtij viti, me mediat iraniane që citonin postimet e tij. Në këto postime, ai kishte shkruar disa herë për Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se “asnjë anije e lidhur me agresorët kundër Iranit nuk ka të drejtë të kalojë”.
Tangsiri njihej si një komandant i ashpër, i cili në të kaluarën kishte bërë deklarata të shumta kundër SHBA-së dhe Izraelit. Në vitin 2019, ai kishte kërcënuar se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit nëse pengoheshin eksportet e naftës së Iranit. Tangsiri u sanksionua nga Thesari i SHBA-së bashkë me komandantë të tjerë të IRGC-së në vitin 2019, pasi Irani rrëzoi një dron vëzhgues amerikan pranë ngushticës./BBC/
Lajmet
Një moment kthese për rrjetet sociale: Çfarë e pret teknologjinë pas vendimit historik për varësinë?
Published
9 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Një juri në Los Anxhelos ka dhënë një vendim dënues për dy nga platformat digjitale më të njohura në botë, Instagram dhe YouTube, duke konfirmuar se këto aplikacione janë krijues varësie dhe janë projektuar qëllimisht në atë mënyrë.
Gjykata doli në përfundimin se pronarët e tyre kanë qenë neglizhentë në mbrojtjen e fëmijëve që i përdorin ato, duke shënuar një moment të rëndë për Silicon Valley me implikime globale. Gjigantët teknologjikë në këtë rast, Meta dhe Google, tani duhet të paguajnë 6 milionë dollarë dëmshpërblim për një grua të re të njohur si Kaley, viktima në qendër të këtij rasti, e cila pohoi se platformat i shkaktuan dismorfi trupore, depresion dhe mendime vetëvrasëse.
Megjithëse të dyja kompanitë synojnë të apelojnë — me Metën që pretendon se një aplikacion i vetëm nuk mund të jetë përgjegjës për krizën e shëndetit mendor te adoleshentët dhe Google që thotë se YouTube nuk është rrjet social — vendimi do të thotë se “epoka e pandëshkueshmërisë ka mbaruar”, sipas Dr. Mary Franks, profesore e ligjit në Universitetin George Washington.
Ky vendim konsiderohet si një moment kthese që do të ripërcaktojë peizazhin e mediave sociale dhe mund të jetë fillimi i fundit të kësaj epoke ashtu siç e njohim ne. Ndërsa përdoruesit e rregullt mund të mos jenë tronditur, kompanitë teknologjike duket se u kapën në befasi, duke shpenzuar shuma marramendëse për tarifa ligjore.
Dy kompanitë e tjera në gjyq, TikTok dhe Snap, pronar i Snapchat, zgjodhën të bënin marrëveshje jashtë gjykatës para se të niste procesi, mes zërave se nuk mund ta përballonin dot këtë betejë. Pavarësisht prezantimeve të shumta nga rrjetet sociale mbi mjetet që ofrojnë për prindërit për të mbrojtur fëmijët, gjykata vendosi se këto masa nuk ishin të mjaftueshme.
Arturo Bejar, i cili dikur punonte në Instagram, deklaroi se e kishte paralajmëruar Mark Zuckerbergun për rreziqet që u kanoseshin fëmijëve vite më parë, duke thënë se aplikacioni ndryshoi nga “një produkt që e përdorni ju, në një produkt që ju përdor juve”.
Ekspertët e kanë përshkruar këtë vendim si momentin “Big Tobacco” të teknologjisë, duke bërë analogji me industrinë e duhanit, gjë që mund të çojë në paralajmërime shëndetësore në ekrane apo kufizime të reklamave.
Aktualisht, këto kompani mbrohen ligjërisht në SHBA nga “Neni 230”, i cili i liron nga përgjegjësia për përmbajtjen që publikohet në to — një mburojë pa të cilën shpesh thuhet se industria nuk do të mbijetonte. Megjithatë, skeptikët ndaj kësaj mbrojtjeje po shtohen, sidomos pas dëgjimit të fundit në Komitetin e Tregtisë të Senatit të mërkurën. /BBC/
Lajmet
Nga Veterniku në Vushtrri: Detajet e operacionit “Delivery” ku u zbulua edhe një “Call Center” i dyshimtë
Published
11 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, ka realizuar me sukses operacionin e koduar “Delivery”, i cili rezultoi me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të drogës dhe pajisjeve teknologjike.
Sipas njoftimit, aksioni nisi pas një pune intensive operative që identifikoi dy persona të dyshuar për shpërndarjen e marihuanës dhe kokainës në kryeqytet.
Gjatë zbatimit të planit taktik mesditën e së mërkurës në Veternik, të dyshuarit, të cilët po lëviznin me një veturë Golf 8, tentuan t’i shmangen policisë duke nisur një ndjekje me shpejtësi të lartë që përshkoi Fushë-Kosovën, Podujevën dhe përfundoi në hyrje të Vushtrrisë, ku edhe u prangosën nga njësitet policore.
Gjatë kontrollit të veturës dhe përgjatë rrugës ku të dyshuarit kishin hedhur pako me lëndë narkotike gjatë ikjes, policia sekuestroi mbi 3.3 kilogramë marihuanë dhe sasi të kokainës të ndarë në 25 qese.
Operacioni u zgjerua me bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku u gjetën edhe dy peshore digjitale, mbi 4 mijë euro para të gatshme, valuta të huaja, dy vetura dhe katër telefona celularë.
Sipas komunikatës, forenzika rajonale ka dokumentuar të gjitha provat në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.
Një detaj i rëndësishëm i këtij operacioni ishte zbulimi i një hapësire të modifikuar si “Call Center” në njërin nga lokacionet e bastisura, ku u sekuestruan pesë laptopë. Për shkak të dyshimeve për krime kibernetike, në rast u përfshinë edhe hetuesit e specializuar të kësaj fushe, të cilët ndaluan një person të pestë të përfshirë në këtë aktivitet.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa Policia e Kosovës ka rikonfirmuar përkushtimin e saj në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Kosova barazon në minutën e 21-të
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren
Izraeli raporton vrasjen e komandantit të marinës iraniane
HBO lanson trailerin e parë të serialit “ Harry Potter”
Një moment kthese për rrjetet sociale: Çfarë e pret teknologjinë pas vendimit historik për varësinë?
Kosova pa Demakun e Sadriun në gjysmëfinalen ndaj Sllovakisë
Nga Veterniku në Vushtrri: Detajet e operacionit “Delivery” ku u zbulua edhe një “Call Center” i dyshimtë
Rita Ora uron Kosovën dhe Shqipërinë para gjysmëfinaleve të Botërorit
Gruaja nga Florida akuzohet për tentim vrasje ndaj Rihannës
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
