Lajmet

​Bojkotoi takimin e Tiranës, kritikohet Kurti

Sipas tyre, vetë përjashtimi i tij nga takimi mund të prolongojë zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.

Published

on

Vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të mos shkuar në darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit është i dëmshëm për Kosovën, thonë analistët politikë. Sipas tyre, vetë përjashtimi i Kurtit nga ky takim mund të prolongojë zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe rrugën integruese në Bashkimin Evropian. Po ashtu, ata potencojnë se hatërmbetjet ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama do të duhej të liheshin anash.

Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se është e papranueshme dhe palogjikshme që problemet, të cilat ai i quan artificiale të Kurtit me Ramën të dramatizohen deri në atë nivel, saqë të projektohen në raportin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Është krejtësisht e papranueshme që problemet artificiale mes kryeministrit Kurti dhe kryeministrit Rama të dramatizohen deri në atë nivel saqë të projektohen në raportin e Kosovës me Bashkimin Evropian. Takimi i sotëm nuk ka qenë vetëm i kryeministrit Rama, por ka qenë edhe i BE-së, prandaj është krejtësisht e palogjikshme që të refuzohet…pasi kjo dëmton rrugën evropiane të Kosovës… Është tejet zhgënjyes ky refuzim i Kurtit që të marrë pjesë në këtë takim, pasi ai është ftuar si i barabartë me liderët të tjerë të Ballkanit. Natyrisht aty do të bëhen biseda të rëndësishme, plane dhe orientime strategjike. Vetë përjashtimi i Kurtit dhe Kosovës nga këto marrëveshje gjithsesi do të shkaktojë dëme afatgjate në proceset e ndryshme integruese evropiane. Në fakt edhe problemet aktuale që janë nga disa prej marrëveshjeve të kaluara do të mund të diskutoheshin dhe të kërkohej zgjidhje”, thotë ai. 

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbresha Loxha, thotë se pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në takimin e sotëm në Tiranë ka qenë e domosdoshme për shkak të Procesit të Berlinit.

Ajo konsideron se dallimet ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë do të duhej të liheshin anash, në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë akterë dhe influencues të Procesit të Berlinit.

“Ne konsiderojmë se është e domosdoshme (që kryeministri Kurti) me qenë (pjesë e këtij takimi), ndonëse është në lidershipin e Qeverisë së Shqipërisë. S’ka asnjë pengesë që kryeministri me qenë aty. Hatër mbetjet që dy kryeministrat i kanë është çështje tjetër dhe diçka që duhet me u zgjidh përtej kornizave që janë rajonal dhe evropian. Natyrisht unë pres që ndër të tjera përveç mosmiratimit të lëvizjes së lirë në mes Kosovës dhe Bosnjës së Hercegovinës do të diskutohet edhe për alternativën e Ballkanit të Hapur, apo një hapje ekonomike dhe procedurale e cila është proklamuar prej Gjermanisë, siç është tregu i përbashkët rajonal”, thekson Loxha.

Takimi joformal i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë ka filluar rreth orës 13:00 në Tiranë, ku po diskutohet për koordinimin dhe hartimin e kërkesave të përbashkëta të rajonit për t’i paraqitur në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet po ashtu në Tiranë më 16 tetor.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi.

Mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë takim e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama se nuk mund të shkojë në këtë takim, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.

Kurti dhe Rama kanë ftohur raportet mes vete pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive më 14 qershor.

Kryeministri Kurti nuk e priti Ramën në takim as në fillim të muajit korrik, pikërisht kur ky i fundit ishte në Kosovë në kuadër të përgatitjeve për takimin e sotëm joformal për Procesin e Berlinit.

Lajmet

​UEFA shtyn vendimin për përjashtimin e Izraelit

Published

on

UEFA ka vendosur të tërhiqet nga planet për ta përjashtuar Izraelin nga garat evropiane, pas prezantimit të planit të paqes nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Organi qeverisës i futbollit evropian kishte parashikuar një mbledhje urgjente të Komitetit Ekzekutiv, mes raportimeve se shumica e anëtarëve mbështesnin ndalimin e ekipeve izraelite.

Mirëpo, iniciativa e Trump, e cila përfshin një plan 20-pikësh me proces demilitarizimi dhe rindërtimi, ka bërë që UEFA të mbajë një qëndrim pritës.

Plani është pranuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe gëzon mbështetjen e tetë shteteve, ndërsa ish-kryeministri britanik Tony Blair është emëruar anëtar i parë i “Bordit të Paqes” që do të mbikëqyrë përkohësisht Gazën nëse propozimi miratohet.

Izraeli është anëtar i UEFA-s që nga viti 1984, por përfshirja e tij shpesh ka shkaktuar polemika.

Një vendim për përjashtim do të kishte ndërlikuar edhe kualifikimet e Kupës së Botës, të cilat zhvillohen nën organizimin e FIFA-s.

Ky zhvillim pritet të lehtësojë presionin ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili shihet si aleat i afërt i Trump./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Anulohet Superkupa e Kosovës në basketboll

Published

on

Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar dje se Superkupa e Meshkujve për edicionin 2025/26 është anuluar dhe nuk do të zhvillohet.

Ky vendim është marrë me qëllim që të mos tejzgjatet vijimi i kampionatit të ProCredit Superligës dhe për të siguruar zhvillimin e garave sipas kalendarit të paraparë.

Federata ka theksuar se vendimi synon të ruajë ritmin e normalitetit në garat e basketbollit dhe të garantojë zhvillimin e ndeshjeve sipas datave të parashikuara/S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Trajneri i Sllovenisë: Duhet ta mposhtim Kosovën nëse duam të shkojmë më larg

Published

on

Trajneri i kombëtares së Sllovenisë, Matjaž Kek, ka shpallur listën e lojtarëve për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Kosovës dhe Zvicrës. Sfida e parë zhvillohet më 10 tetor në Prishtinë, ndërsa më 13 tetor sllovenët presin Zvicrën në Stožice.

Pas një barazimi ndaj Suedisë dhe një humbjeje të thellë nga Zvicra në shtator, Kek e sheh përballjen në Kosovë si përcaktuese.

“Jemi të vetëdijshëm për atë që na pret në Prishtinë. Me gjithë respektin për Kosovën dhe Zvicrën, por duhet t’i fitojmë këto ndeshje nëse duam diçka më shumë”, tha ai në konferencën për shtyp në Brdo.

Tekniku paralajmëroi se skuadra duhet të tregojë fytyrën e vërtetë të saj në fushë.

“Në Bazel ishim shumë të dobët, por treguam çfarë jemi të aftë kundër Suedisë. Nëse nuk e bëjmë tani, nuk kemi të drejtë të mendojmë për Kupën e Botës. Unë besoj te kjo skuadër.”. tha ai.

Në listën e tij mungojnë për shkak lëndimesh Andraž Šporar, Jan Mlakar dhe portieri Martin Turk, ndërsa janë rikthyer Jon Gorenc Stankovič, Blaž Kramer dhe Nejc Gradišar. Po ashtu, për herë të parë është ftuar edhe portieri i Celjes, Žan Luk Leban./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​FIFA e dënon sërish Federatën Shqiptare të Futbollit

Published

on

Komisioni i Disiplinës i FIFA-s ka vendosur të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 10 mijë franga zvicerane, për incidente të ndodhura jashtë stadiumit “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri-Letoni.

Kjo ndeshje u zhvillua më 9 shtator 2025, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2026.

FSHF bën me dije se do ta apelojë këtë vendim në instancat përkatëse të FIFA-s dhe ka nisur procedurat ligjore.

Me këtë rast, FSHF u ka bërë thirrje tifozëve që në ndeshjet e ardhshme të tregojnë qytetari dhe të mbështesin Kombëtaren pa shkaktuar situata që dëmtojnë imazhin dhe interesat e saj./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara