Lajmet

​Bizneset kërkojnë luftimin e ekonomisë joformale, Murati: S’ka shtet pa taksa

Kështu tha sot drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj me rastin e shënimit të 22-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Published

on

Rreth 8 miliardë euro janë inkasuar të hyra tatimore dhe kontribute pensionale për 22 vjet nga Administrata Tatimore e Kosovës. Në vitin 2021, ATK-ja ka shënuar rekord në mbledhjen e tatimeve, rreth 600 milionë euro tatime dhe mbi 200 milionë euro kontribute pensionale.

Kështu tha sot drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj me rastin e shënimit të 22-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Murati tha se nga 5 milionë euro kur kishte mbledhur në vitin e parë të themelimit, ATK është shndërruar në kontribuuesin kryesor për të hyrat buxhetore.

Ministri i Financave më tej ka thënë se faza tjetër e këtij institucioni duhet të jetë digjitalizimi i plotë për ta bërë më të lehtë punën me tatimpaguesit.

“Shteti si koncept është një kontratë shoqërore ku të gjithë bëhen bashkë edhe merren vesh të kontribuojnë përmes tatimeve në mënyrë që disa shërbime të përbashkëta të cilat e bëjnë jetën më të lehtë për qytetarët për t’i paguar tatimet dhe për t’i mbuluar ato kosto. Prandaj, është e paimagjinueshme që të ketë një shtet pa tatime dhe pa taksa, dhe pa administratë tatimore në këtë rast. Të hyrat nga ATK-ja janë tepër të rëndësishme dhe përveçse janë të rëndësishme për shtetin, janë të nevojshme edhe për ta ruajtur barazinë dhe për ta ruajtur edhe produktivitetin e ekonomisë”, theksoi Murati.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj duke treguar për arritjen e objektivave, tha se viteve të fundit ky institucion ka krijuar shërbime moderne dhe digjitale për tatimpaguesit.

“Si rezultat i punës profesionale, me integritet dhe ndershmëri, Administrata Tatimore e Kosovës për këto 22 vjet ka mbledhur 5 miliardë e 771 milionë euro tatime dhe 2 miliardë e 215 milionë euro kontribute pensionale. Gjithsej mbledhja e të hyrave është 7 miliardë e 986 milionë euro apo rreth 8 miliardë euro… Ajo që patjetër duhet të potencohet në këtë rast është bashkëpunimi me tatimpaguesit. Dihet se asnjë person në asnjë vend të botës nuk ka dëshirë të paguajë tatime dhe nuk është një gjë e këndshme, mirëpo sot në Kosovë rreth 90 përqind e tatimeve janë deklarime vullnetare, gjë e cila dëshmon se ne kemi arritur t’iu ofrojmë tatimpaguesve shërbime sa më cilësore”, theksoi Murtezaj.

Në emër të komunitetit të bizneseve, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka theksoi se të hyrat e këtij institucioni mundësojnë për shërbime më të mira nga shteti për qytetarët dhe bizneset.

Derisa Zeka tha se ATK ka krijuar qasje moderne për bizneset, ka thënë se përveç ATK-së dhe qeverisë, është obligim edhe i bizneseve dhe i qytetarëve që të kontribuojnë në luftimin e ekonomisë joformale.

Përveç kësaj, kreu i kësaj Ode ka kërkuar të ketë më pak ndëshkime nga ATK, por më shumë edukim për bizneset.

“Derisa në momentet si këto ka fjalë më të mira, besoj që ia vlen të përmendim edhe atë që duhet të bëhet në muajt dhe në vitet në vijim. Besoj që njëra prej plagëve më të mëdha që rëndon në shoqërinë tonë kosovare, është ekonomia joformale. Prandaj, është obligim i të gjithë neve, jo vetëm i ATK-së dhe Ministrisë së Financave, por edhe i vet bizneseve dhe qytetarëve të këtij vendi që bashkërisht të luftojmë ekonominë joformale, dhe të krijojmë një mjedis të barabartë për të tatimpaguesit e rregullt, që të ndihen të barabartë dhe jo të diskriminuar… Derisa kjo natyrisht që kërkon një qasje më rigoroze, unë do të doja më pak ndëshkime nga ana e inspektorëve tatimorë dhe shumë më tepër edukim”, u shpreh Zeka.

Ndërsa, zyrtari ndërlidhës i ambasadës britanike, Simon Ëodcok, u shpreh më këtë rast se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe institucionet e saj, derisa beson se një administratë e fortë është shtylla e ekonomisë së një vendi. 

Lajmet

Kurti takon kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, me të cilën diskutoi për punën dhe prioritetet e institucionit.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe Akademisë, veçanërisht në fushën e arsimit dhe zhvillimit të vendit. Palët u dakorduan për komunikim të rregullt dhe thellim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe nënkryetari i Akademisë, Fejzullah Krasniqi, dhe sekretari shkencor, Bardh Rugova.

Continue Reading

Lajmet

Supremja lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën

Published

on

By

Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.

Sipas Supremes, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në detaje të gjitha provat, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizës, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku qëndronin i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova është konstatuar se viktima kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e dhunës së ushtruar nga i akuzuari.

Raporti i autopsisë dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë vërtetuar se vdekja erdhi si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore të shkaktuara me mjet të fortë, duke mbështetur kualifikimin e veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Gjykata Supreme rrëzoi edhe pretendimet e mbrojtjes për parregullsi procedurale, ekspertizë psikiatrike dhe ndikim të substancave narkotike, duke theksuar se i akuzuari ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së krimit.

Continue Reading

Lajmet

Humb jetën një punëtor i KEK-ut në Termocentralin “Kosova B”

Published

on

By

Vdes një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.) sot, në një incident të rëndë në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq. Punëtori 55 vjeç, u përfshi nga një mjet transportues kamion dhe pësimi i lëndimeve të rënda rezultoi fatal.

Në vendngjarje menjëherë kanë dalë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat konfirmuan vdekjen e të ndjerit.

KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Autoritetet po e trajtojnë rastin në përputhje me procedurat ligjore.

Ky informacion është bërë i ditur nga vetë Korporata Energjetike e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca bisedon me shefin e misionit të Luksemburgut për thellimin e bashkëpunimit

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, takoi dje Shefin e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.

Në takim, Dietz e uroi Konjufcën për mandatin e ri dhe riafirmoi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Diskutimet u fokusuan tek forcimi i marrëdhënieve bilaterale, koordinimi për procesin e integrimit evropian dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Konjuca është shprehur se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Luksemburgun.

Continue Reading

Të kërkuara