Lajmet

​Berisha: Testimi për rekrutimin e policëve ka qenë i padrejtë

Berisha drejton shqetësimin te Qeveria e Kosovës.

Published

on

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha ka treguar për shqetësimin e testimit për rekrutimin e policëve. Këtë shqetësim ai e ka kaluar tek Qeveria e Kosovës, duke theksuar se ka pasur ankesa të shumta që ky testim ka qenë i padrejtë.

Në një konferencë për media Berisha tregon për numrin e kandidatëve që kanë kaluar në testim dhe ankesat e shumta që i kanë pasur këta të fundit.

“I janë nënshtruar testit 11 mijë e 292 kandidatë, nga ta 35 kandidatë kanë kaluar. 1.2 domethënë ata që kanë kaluar testin, numri i tyre ka qenë shumë i ulët. Ankesat kanë qenë se testimi apo pyetjet kanë qenë të një niveli tjetër dhe dihet që nuk është qëllimi i testeve që të bien të gjithë kandidatët, por që të ketë një numër më të madh që e kalojnë. Shqetësim tjetër është bërë një rënie e atyre që pretendojnë me apliku për Policinë e Kosovës. Ankesë tjetër ka qenë se ka ra sistemi disa herë, sistemi kompjuterik i digjitalizuar i pyetjeve, pastaj kandidatët kanë pritur prej 4,5,6,7 deri në 9 orë për të hyrë që të testohen”, deklaroi Berisha.

Berisha beson që ky testim ka qenë i padrejtë dhe se shqetësimin që e ka lidhur me këtë e drejton në Qeverinë e Kosovës.

“Këtë shqetësim e kaloj te Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme ligjërisht nuk bënë me u ulë kriteri sepse dështon krejt procesi[…]Mirëpo kjo fazë ndoshta duhet me kaluar kështu edhe me bë një ri testim apo një ri-rekrutim menjëherë të kandidatëve të tjerë në mënyrë që me u plotësua kriteret sepse edhe numri është në rreizk mos me u plotësu. Ky është vetëm testimi i parë do vijnë edhe testime tjera pastaj numri do zbritet edhe më tutje…Ankesat kanë ardhur edhe tek unë edhe në parti, kanë ardh edhe në komision kanë shkuar tek Avokati i Popullit kanë qenë kërkesa në çdo formë që kanë mundur dhe besoj që ka qenë i padrejtë me shumë probleme ndoshta edhe ka dështuar ky proces”, tha ai.

Berisha i pyetur për rritjen e naftës, thotë se këto rritjet e fundit janë shqetësim për të.

Lajmet

Pezullohet nga detyra zyrtari policor në Aeroportin e Prishtinës: Paratë e gjetura i hodhi në kutinë e bamirësisë

Published

on

By

Më 14 shtator, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar informacionin për një rast të ndodhur në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Rasti lidhet me humbjen e një shume prej 105 eurosh, e raportuar nga një punonjës i aeroportit më 9 shtator.

Gjatë këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, hetuesit konstatuan se paratë i kishte gjetur një udhëtare (shtetase e Kosovës me banim në Gjermani), e cila ia kishte dorëzuar menjëherë zyrtarit policor në detyrë.

Pas veprimeve hetimore të IPK-së, zyrtari policor pranoi marrjen e parave, por pranoi se nuk i kishte trajtuar ato sipas procedurave ligjore e institucionale. Në vend të dorëzimit zyrtar, paratë ishin vendosur nga zyrtari në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse brenda hapësirave të aeroportit.

Për të garancuar zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor. Ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimin për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BQK përfshihet në mekanizmin EUREP të BQE-së për likuiditet në euro

Published

on

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka konfirmuar përfshirjen e saj në mekanizmin e Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore, EUREP, të themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).

Sipas BQK-së, kjo përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kornizës për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro.

Aktualisht, BQK-ja ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2027. Përfshirja në EUREP, sipas bankës qendrore, paraqet kalimin drejt një kornize më të qëndrueshme të Eurosistemit për sigurimin e likuiditetit në euro për bankat qendrore jashtë zonës së euros.

Në kuadër të EUREP, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro kundrejt kolateralit cilësor të denominuar në euro. Kapaciteti maksimal i një linje individuale mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka cilësuar përfshirjen në EUREP si një avancim të rëndësishëm për rrjetin e sigurisë financiare të Kosovës.

“Qasja në kornizën e avancuar EUREP forcon ndjeshëm instrumentet që BQK ka në dispozicion për ruajtjen e likuiditetit dhe stabilitetit financiar”, ka deklaruar Ismaili.

Sipas tij, ky mekanizëm përbën një shtresë shtesë mbrojtjeje krahas pozitës së fortë të kapitalit dhe likuiditetit të sektorit bankar në Kosovë, si dhe rezervave dhe mekanizmave ekzistues të stabilitetit.

Ismaili ka theksuar se përfshirja në EUREP është edhe një sinjal për qytetarët, bizneset dhe institucionet financiare se sistemi financiar i Kosovës është stabil, likuid dhe i mirëkapitalizuar.

BQK-ja ka vlerësuar gjithashtu se ky zhvillim pasqyron forcimin e bashkëpunimit institucional me bankat qendrore evropiane dhe Eurosistemin./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Jemi shumë afër zgjedhjes së presidentit, do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje

Published

on

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke paralajmëruar se shkuarja sërish në zgjedhje do të ishte “papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”, raporton Ekonomia Online.

Në mbledhjen e parë solemne të Qeverisë, Kurti tha se Kosova tashmë ka Kuvend të konstituar dhe Qeveri të zgjedhur, ndërsa çështja e presidentit mbetet sfida e radhës.

Ai tha se për këtë nevojitet një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se disa deputetë të LDK-së kanë shprehur kundërshtim ndaj zbatimit të marrëveshjes së arritur mes dy subjekteve.

“Sot zyrtarisht është dita e parë e punës nën qeverisjen e re të dalë nga procesi zgjedhor i 7 qershorit 2026, ndonëse realisht është veçse vazhdim i punës dhe i mandatit të ndërprerë pa nevojë e në dëm të vendit. Mirënjohës qytetarëve për besimin e dhënë, deputetëve të Kuvendit për votimin, urime të gjithëve. Përpara, kemi shumë punë e projekte. Sfida dhe probleme, dhe natyrisht që vetëm bashkarisht do t’ia dalim mbanë. Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetar, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, pas një mandati të plotë qeverisës 4-vjeçar, kemi pasur 2 palë zgjedhje të paarsyeshme, të pushtueshme, dhe që nuk sollën rezultat tjetër. 10 muaj bllokadë e barrikadim për të shkuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Qytetarët folën qartë, para vitit të ri 2026”, tha ai.

Kurti tha se edhe në vitin 2026 vendi shkoi në zgjedhje për shkak të bllokadës institucionale, kësaj here lidhur me zgjedhjen e presidentit.

“Por barrikadim sërish për të shkuar përsëri në zgjedhje, në 7 qershor 2026. Edhe një herë, qytetarët folën qartë. Në vitin 2025 shkuam në zgjedhje për shkak të barrikadimit për kuvende qeverie. Ndërkaq, sivjet, në 2026, për shkak të barrikadimit për shkak të presidentit. Sot, kur po flasim, jemi me kuvend të konstituar e qeveri të zgjedhur, ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë, nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë”, tha ai.

Kryeministri u bëri thirrje liderëve politikë që të dialogojnë për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e presidentit.

“Andaj, si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik më të madh në vend dhe në kuvend, ju bëj thirrje liderëve politikë: kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin përputhje me vullnetin qytetar, dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë. Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike. Se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat, është dëshmi vetëkonsituimi i kuvendit. Ne dje pranuam plotësisht kandidaturat për nënkryetarë të kuvendit nga PDK dhe LDK, përkundër vërejtjeve që kishim, dhe sot jemi me qeveri të re, përveçse kuvend të konstituar. Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë, jam i bindur që do t’i sjellë vendit president të ri”, tha ai./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kapiteni i FSK-së përfundon kursin e Forcave Speciale të Ushtrisë amerikane

Published

on

Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, E.V., ka përfunduar me sukses Kursin Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohur si “U.S. Army Special Forces Qualification Course”.

Kursi u zhvillua në “U.S. Army John F. Kennedy Special Warfare Center and School” në SHBA dhe zgjati më shumë se tetë muaj, nga janari deri në shtator 2026.

Gjatë këtij programi, kapiteni përfundoi trajnimin për kualifikimin “Green Berets”, i cili përfshin përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, si dhe kualifikimin “18A Special Forces Detachment Officer”. Programi përfshiu edhe ushtrimin përfundimtar “Robin Sage”.

Në përfundim të kursit, E.V. u vlerësua me titullin “Distinguished Honor Graduate”, si dëshmi e performancës së lartë profesionale, lidershipit dhe përkushtimit gjatë gjithë procesit të kualifikimit.

“Kjo arritje përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe njëkohësisht dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, zhvillimin e kuadrove profesionale dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja vazhdojnë investimet në zhvillimin profesional të pjesëtarëve përmes edukimit dhe trajnimeve në institucionet ushtarake të vendeve partnere./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara